Ukshin Hoti

Shemsi Reçica: Ukshin Hoti nuk ishte vetëm përkrahës indirekt i kërkesave të studentëve në vitin 1981 sikur thotë, Kadri Kryeziu

Po jetojmë në kohën e mohimit të krijuesve të vlerave më të larta kombëtare, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, dhe të afirmimit të përfituesve të këtyre vlerave. Të premten, më 11. 03. 2016, në përvjetorin e 35-të të demonstratave të ‘81-shit, Kadri Kryeziu, në atë kohë student dhe tani profesor në UP, përmes emisionit Info Magazine në TV Klan Kosova, gënjen publikisht dhe përpiqet të dezinformojë opinionin e gjerë për bartësit e protestave gjithëpopullore të vitit 1981. Ai me mburrje dhe krenar, fjalë për fjalë, deklaron: “Ne ishim në burgje, por jemi krenarë me atë që e bëmë. Ne në atë kohë nuk i kishim profesorët krah nesh. Vetëm Ukshin Hoti e përkrahte në mënyrë indirekte protestën. E kuptoj që mbretëronte frikë, për shkak se ishim në kohë komuniste…..“

Pra, sipas këtij mburracaku, Ukshin Hoti, i cili, nga marsi deri në nëntor të vitit 1981, kur u arrestua një grup i intelektualëve, – në mbledhjet e profesorëve universitarë, ku merrnin pjesë anëtarë të LKJ-së, inspektorë dhe spiunë të UDB-së, – mbrojti haptas dhe në mënyrë brilante demonstratat e atij viti dhe kërkesat e tyre për Kosovën – Republikë; Ukshin Hoti, i cili, për tetë muaj, sa zgjaten hetimet, qëndroi i pathyeshëm në mbrojtje të kërkesave të protestuesve dhe, në seancat gjyqësore, argumentoi arsyeshmërinë e kërkesës Kosova-Republikë;

Ukshin Hoti, i cili nuk e pranoi vlerësimin e përbashkët të krerëve politikë e shtetërorë të asaj kohe (të Kosovës, Serbisë dhe Jugosllavisë), për karakterin armiqësor të demonstratave dhe të kërkesës së tyre për Kosovën-Republikë, i cili e dënoi dhunën shtetërore serbo-jugosllave kundër rinisë së Kosovës, dhe, i cili, për këto arsye, u dënua me burg në kohëzgjatje prej 9 vjetësh. Ukshin Hoti, i cili gjithë jetën e tij e lidhi me kërkesën Kosova-Republikë, i cili u identifikua me Republikën e Kosovës dhe, i cili, edhe pas protestave të ’81-shit, u shndërrua në simbol të Republikës së Kosovës, sipas burracakut Kadri Kryeziu, s‘paska qenë tjetër veçse “përkrahës indirekt i protestës së studentëve“!!!

Profesorët e tjerë universitarë: Halil Alidemaj, Muhamet Tërnava, Shaqir Shaqiri, Kadri Rexha, Mentor Kaçi, autori i këtij shkrimi, të cilët, në të njëjtin vit dhe për të njëjtat ngjarje, u arrestuan dhe u dënuan me shumë vjet burg, bashkë me Ukshin Hotin, dhe profesorët e tjerë, të cilët, për qëndrimin e tyre ndaj ‘81-shit, u përjashtuan edhe nga procesi mësimor, – mohuesi Kadri Kryeziu, nuk i përmend fare. Sipas tij, ata “nuk ishin në krah të studentëve“!!!

Moderatori i emisionit Info Magazine, Kushtrim Sadiku, në vend të ndonjë pyetjeje sqaruese, për të ndriçuar qëndrimin e profesorëve universitarë, ose për ndriçimin e qëndrimit, tashmë të mirënjohur, të Ukshin Hotit, ndaj demonstrative të ’81-shit, në mungesë të njohjes së rrethanave të asaj kohe, aprovonte me kokë mjegullnajën që po e përhapte mohuesi Kadri Kryeziu, mbi figurën e Ukshin Hotit, – ngjashëm me disponimin e papërmbajtur të shefit të tij, kryemohuesit Baton Haxhiu, kur flet për “të bëmat” e bartësve të demonstrative të vitit 1981 dhe për „të bëmat“ e bartësve të luftës sonë të fundit, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Tashmë s’kemi të bëjmë vetëm me një rast, por me një dukuri të përbaltjes së vlerave e të figurave tona kombëtare, që është përhapur, pothuaj, në të gjitha mediet shqiptare.

Është kohë e mburracakëve, e gënjeshtarëve, e mashtruesve. Kohë e mohimit të krijuesve të vlerave më të larta kombëtare, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, dhe e afirmimit të përfituesve të këtyre vlerave.

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …