Sherafedin KADRIU: “GRURË DHE PLUMBA”

Tek lagjja e Avdiajve, në Verbicën e Zhegocit janë vetëm dy shtëpi të vëllezërve, Hajrushi. Të ndara nga bota e fshatit me lagje shumë, ato tymojnë edhe sot, ani pse gjelbërimi pranveror ka shpërthyer tashmë. Si në malësitë tona! Kurrë nuk pushon zjarri. As verës së nxehtë. Epo, nuk është qytet malësia. Për gjithçka rryma elektrike!
Pesëdhjetë metra larg nga shtëpitë, është rruga që anashkalon ato, ndërsa mbi rrugë ndodhet një mal bung e qarr. Nën shtëpitë, shtrihet një tokë buke, pakëz e pjerrët, po e punueshme. Gruri i këtij viti paska marrë një ngjyrë jeshile. Flladi pranveror me pakëz diell e bën të fëshfërijë si një melodi e lumtur.
– Sa gjaku qe derdhur mbi këtë arë jeshile sot shtatë vjet – thotë Celi, ish ushtar i UÇK-së nga kjo anë, tani shoqëruesi ynë, në ndërmarrjen për të evidentuar trashëgiminë e lavdishme të UÇK-së, të Zonës Operative të Karadakut.
Ishte nisur para kohe për ta ndërruar Altin, i cili kishte dyzet e katër orë roje. Ishin shumë edhe për ushtarin më të fortë. Prandaj, ngutej nëpër terrin e fundit të natës së 23 prillit. Dhe kur po ndahej terri me dritën, Bardhi u duk tek dera e shtëpisë bazë. Dëgjoi për rreth. Asgjë nuk pipëtinte. More, mendoi me vete, mos kanë ikur në Sërpka, e unë nuk ditkam gjë! As nuk e kishte përfunduar të menduarit, se nuk foli me zë, kur pikasi Altin që lëvizi para derës. Ëhë, këtu qenkan! U gëzua se nuk i shkoi kot udha për një gjysmë ore të mirë.
– Ndal!, – thirri Alti. Parullën! 
Bardhi e tha parullën. 
– Eja, eja Bardhi. Edhe pa parullë të njoha nga zëri. Po ti e di. Është rregull, – shtoi ai si për t’u shfajësuar. U përqafuan.
– Në shtëpinë tjetër është doktoresha. E shoqërojnë tre ushtarë. Sa di unë kanë me vete dokumentacionin e Shtabit të Zonës sonë. Komandant Rexha dhe zëvendëskomandant Shaqa me ushtarët tjerë kanë shkuar për në Sërpka të Kishnapoles. Atje do të jetë një bazë e re për UÇK-në e zonës sonë. Këto t’i vësh vëth në vesh, si thonë andej nga Shqipëria. Për të tjerat ti e di vetë. Po, mirë bëre që erdhe se jam këputur fare – edhe i rrëfente, edhe e këshillonte tjetrin Alti. Për gjumë se jo për tjetër. Si thua, të ik menjëherë, apo të pushoj dhe ca, – e pyeste Bardhin?
– Po më dëgjove mua ik. Edhe pse nuk të pret ndonjë detyrë se do t’ma thoshin në bazën kryesore. Më mirë të jesh atje. Helbete!
Alti iku udhës së Avdiajve për në bazë. Bardhi u ul para derës në një shilte të butë. –Ha, ha, ha- qeshi pa zë, – t’i jam ndrequr ndonjë snajperisti. Kur pa se po zbardhte, u tërhoq prapa derës, për çdo eventualitet, siç thoshte komandant Rexha. Nuk i dihet, fliste me vete Bardhi, nuk kanë thënë kot: uji fle, armiku s’fle! Hë, hë, hë, edhe këtu armik! S’ia mban jo.
Fëshfërima e fletëve të dushkut e nxori nga çfarë po mendonte. Hapi kraharorin për të marrë ajër të pastër . . .
– Tikauuu, – e çau derën një plumb dhe iu ngul në pjesën e kofshës mbi gju. – Uh,- bëri. E shtrëngoi me dorë nënkofshën. Gjaku po i rridhte. Zgjidhi shpejt lidhëset e këpucëve ushtarake dhe me to lidhi fort kofshën mbi plagë. U ndal. Mos u ngut – i tha vetes. Po shikonte pikërisht nëpër vrimën e derës që hapi më parë plumbi i snajperistit. “Dy herë edhe më i miri nuk qëllon në të njëjtin vend!”, – mendoi. 
Siluetat e njerëzve po lëviznin diku pesëdhjetë metra larg. Ishin rreth tridhjetë ushtarë. Bardhi nuk u hamend. Ai zbrazi karikatorin e automatikut në drejtim të tyre. Ata ia kthyen me breshëri. Vetëm Zoti e shpëtoi me një plagë në këmbë. Ndryshe, nuk u ikej gjithë atyre plumbave. Në shtëpinë tjetër, ishin zgjuar nga të shtënat. Tre ushtarët dhe doktoresha Teutë, shikuan nëpër të çarën e derës. Në oborr qenë futur rreth 15 serbë me komandantin e tyre. Ata po besonin se shtëpia tjetër qe e pabanueshme. Ishin drejtuar në shtëpinë prej nga po luftonte i vetëm ushtar Bardhi. -Oooooo- ia tha krahas bombës, që hodhi mbi serbët, të cilët i kishte përballë.
Po ç’kishin ata shokët që nuk po dëgjonin e nuk po zgjoheshin vallë?! Po doktoresha pse nuk po zgjohej? Ajo e kishte gjumin shumë të lehtë. Apo, mos po presin çastin e duhur për t’iu kundërvënë ushtarëve të huaj! Edhe po luftonte edhe më shpesh po shikonte se mos po kërcenin nga prapa shtëpisë. “Ata nuk duhet të luftojnë. Ata duhet të largohen. Jam unë këtu për të luftuar. Le të shpëtojnë materialet e Shtabit të Zonës dhe doktoreshën! Kjo është puna e tyre. Ndoshta nuk mendojnë për të qëndruar! Mos, se jemi pakëz e na vrasin të gjithëve. E vrasin edhe doktoreshën. Mos o Zot, se e kemi një. E kemi të vetmen! Sa varrë të trimave ka lidhur e sa të tjera do të lidhë, se luftë i thonë” – luftonte me ndjenjat Bardhi. Pastaj ia dha edhe një karikatori.
Përsëri zbrazi karikatorin tjetër të kallashit. Serbët u zmbrapsën. Po u zmbrapsën ata të mesit që i shihte Bardhi, ndërsa dy krahët po përparonin anash. Komandanti i tyre qe në të majtë. Ishin gati tek gjysma e shtëpisë. Po i dilnin nga prapa. Bardhi nuk po i vërente. As që i shkonte mendja për veten. Po doktoresha, more hej, doktoresha! – bërtiti pa zë – për vete. 
Tingërr, – u thye një xham. E dëgjoi. Mitralozi i Krenarit po kosiste ushtarët e krahut të majtë. Asnjëri prej tyre nuk i shpëtoi plumbave të tij. As komandanti serb. U shtri sa gjerë e gjatë. Ana e djathtë u tërhoq. Të mesmit u shtrinë për tokë. Bardhi u çlirua nga ai ankth, jo pse shoku nga shtëpia tjetër po qëndronte, po pse nga dritarja për ballë pa të hidhej në tokë doktoresha Teutë. Kishte kërcyer nga kati i dytë i shtëpisë. Rreth katër metra lart. Pup, – u dëgjua, apo kështu iu duk Bardhit, edhe pse në ato momente ai zbrazi një rafal që serbët të përqendroheshin në sulmin e tij dhe të mos dëgjohej onomatopeja e “aterrimit” në tokë. Edhe Besniku kërceu. Edhe Mirani. Krenari nuk po zbriste. Bardhi ia dha flakë drejt armikut, po me sytë në prapa shtëpinë tjetër. Krenari kërceu. Ra me gjithë çantën që kishte rreth 30 kilogram. Hë mo, të lumtë!- thirri me zë Bardhi. Tani u çlirua. Hodhi edhe një bombë. Të sharat e serbëve dëgjoheshin fort mirë. Ata luftojnë duke sharë, ndërsa ne duke kënduar, – thoshte me vete. Sa luftëtari ka rënë duke kënduar! Unë nuk di të këndoj, po vesh kam. Për hatër të këngës qe një bombë për armiqtë e popullit tim – tha. E hodhi. Nuk ishte me rëndësi në e qëllonte apo jo armikun. Le të largohej doktoresha pa për të tjerat shohim e bëjmë, analizonte Bardhi, edhe në aso situate! 
Nga pas shtëpia tjetër, Besniku po urdhëronte. Doktoresha pas tre hapave shtrihej për tokë, ndërsa Besniku gjuante me M 48 si me snajper. Kjo e habiti kundërshtarin, prandaj ushtarët serbë nuk guxonin të mësynin. Kur ishin zhdjergur diku në gjysmë të kodrinës, filluan të rrokulliseshin si trupa të rrumbullakët. Vetëm kur u përplasën në murrizat e një are, u ndalën. Pas tyre po vinte duke u rrokullyer edhe Mirani. Për pakëz kohë vinte edhe rrokullima tjetër.
Besniku, tani u kujtua ta shikonte doktoreshën që s’po ngrihej. Ajo kishte gjak në fytyrë. Ai u turbullua. E shkundi shpejt për jake. Doktoresha erdhi në vete. Nuk folën. Edhe kaq mjaftonte. Ishin rreth 200 metra larg nga shtëpitë. Nuk kishin më rrezik. Në të djathtë shtrihej një pyll i dendur. Tamam një jatak Zhegoci.
Veshët i kishin drejtuar atje lart ku po zbrazeshin krisma, herë të vetme, e herë tjetër bashkoheshin në njërën anë. Edhe një herë u shikuan të të katërtit. Besniku dhe Krenari morën armët dhe u nisën përpjetë. Doktoresha dhe Mirani do të vepronin sipas situatës. 
Krismat nuk pushonin. Po luftonte i vetëm Bardhi. Doktoresha po lidhte dhe po zgjidhte duart. Po i thyente gishtërinjtë. Po ecte. Nuk po zinte vend. Sa e donte atë djalosh. Ish i mirë shumë. Pakëz i ndrojtur. Po këta të ndrojturit kur e marrin një detyrë e kryejnë si askush tjetër, – mendonte doktoresha. Është i zoti Bardhi. Nuk besoj të mos e çajë rrethimin! 
Lart, Bardhi vërtet po qëndronte i vetëm. Serbët po e rrethonin. Duhet çarë rrethimin se ndryshe më kapin me dorë, – tha me vete dhe qeshi nën buzë, sikur të thoshte se një gjë e tillë nuk do të ndodhte kurrë. I zoti i shtëpisë që nuk ishte dëgjuar i gjallë deri atëherë, u ngjit në oxhakun e gjerë. Ndoshta nuk do ta kontrollonin serbët! Bardhi kërceu nga pas shtëpia në arën ngjitas. Kërceu mbi grurin e gjelbër që tashmë po dukej mirë se ia kishte dhënë mëngjesi. Mbi grurin që nuk dihej a do të piqej apo do të digjej sivjet! U rrokullye nëpër të. U ndal. Shikoi tre ushtarë serbë që po shkonin në të djathtë për t’ia zënë shokët. Ua dha kallashnikov. Ata u shtrinë sa gjerë e gjatë. Pastaj hodhi edhe një bombë nga pas shtëpia, atje ku mendonte se mund të ishin serbët.
Ishte në gjunjë. Si shpejt iu mbyllën sytë! Edhe më shpejt i fërkoi me dorën e majtë. E kuptoi. Forcat po e linin. Kishte rrjedhur shumë gjak. Këmba nuk po i lëvizte. Se kur i ishin zgjidhur lidhëset e këpucëve ushtarake me të cilat kishte lidhur mbi plagën, s’e kish vërejtur fare. Provoi edhe një herë ta tërheq me forcë, po këmba nuk iu bind. Qeshi idhshëm. Ë, hë! Mendimi i fluturoi tek prindërit. Iu dhimbsën. Pleq ishin. As kushte për jetë. Ndoshta do t’u ndihmojnë shokët e mi, tha me vete,.. bëri me dorë përpara syve, sikur të donte t’i zhdavariste mendimet.
U shtri barkas. Nxori nga çanta karikatorët dhe i radhiti ngadalë mbi grurin e ri. Grurë dhe plumba! Çfarë antonimie?! Asnjë shembull të këtillë nuk na e ka dhënë mësuesi i gjuhës shqipe. Sa i mirë ishte, e si nuk i ishte kujtuar diçka e këtillë. Po, as nuk kam lexuar diçka të ngjashme. Antonimet në luftë qenkan ndryshe nga shembujt shkollor, – po fliste me vete ushtar Bardhi. Ishte zbehur se kishte derdhur shumë gjak, po mirë që nuk e shihte veten. Se mos frikësohej! E zbrazi edhe një karikator. E futi tjetrin. E zbrazi edhe një rafal.
Një ushtar serb që po vinte nga e majta e shtëpisë, gati sa s’u përplas në Bardhin. Ia ngjeshi plumb. Ushtari serb ra. Bardhi u ngrit. Se si i kishte ardhur një forcë. Thirri me sa kishte zë: Jetë të gjaaatë doktoreeeeeshë! E ajo e dëgjoi si :“Mbeta doktoreeeshshshë”. Të shtënat ishin dëgjuar edhe në Sërpka. Komandant Shaqën nuk e zinte vendi vend. Ia ndjente zemra se ato krisma vinin nga Lagjja e Avdiajve. Nxori revolen pesëmbëdhjetëshe, e çliroi nga siguresa dhe iu betua vetës: Nëse është vrarë, ose është zënë doktoresha, faji është imi, që e lamë atje. Tjetër s’kam ç’bëj. Do ta dënoj veten time. Me dhjetë ushtarë në dy xhipa sa nuk fluturonin drejtë Verbicës së Zhegocit. Tek shkolla fillore, aty ku rruga ndahet për lagjen e Bilinicëve takuan lidhjen që po sillte letrën e firmosur nga përgjegjësi i fshatit.
Komandanti po lexonte me shpejtësi. Në të vërtetë, ai nuk po lexonte. Ai po kërkonte emrin e doktoreshës Teutë. Po, po të kishte rënë doktoresha! Ruana Zot! – tha si nëpër dhëmbë. Ushtarët ishin mpirë. Pak para se të përfundonte letra lexoi me zë: Doktoresha shpëtoi. Në mbrojtje të saj ra Bardhi. Lavdi! 
– Lavdi!, – thirrën ushtarët, ashtu siç ishin. U rreshtuan pa urdhër. Tri herë i zbrazën tytat e armëve.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …