Shkodran Hoti: Oliver Ivanoviqi, heroi i Albin Kurtit

Shkodran Hoti: Oliver Ivanoviqi, heroi i Albin Kurtit

Trajtimi i Ivanoviqit si hero është fyerje për secilin familjar të 10 të vrarëve me 3 dhe 4 shkurti 2000, me të cilët Kurti ndër vite e ka mbajtur përgjegjës atë. Është poshtërim për secilin të plagosur e të torturuar dhe çdo të dëbuar nga Veriu ato ditë. Për ta, Oliver Ivanoviq do të mbetet përjetësisht një kriminel. Siç ishte dikur edhe për Albin Kurtin, për të cilin tash duket se është shndërruar në hero.

3 dhe 4 shkurt 2000. Nata në mes të këtyre dy ditëve ishte e fundit për 10 shqiptarë në Mitrovicën e Veriut: Shqipe Vocën, Bashkim Rrukecin, Nderim Ajetin, Niman Sejdiun, Muharrem Sokolin, Selime Berishën, Nexhmije Xhakën, Nezir Vocën, Sabaha Abrashin dhe Remzije Canhasin. Ata ishin burra e gra, midis tyre fëmijë e pleq nga 13 deri në 65 vjeç. Brenda asaj nate edhe 25 të tjerë ishin plagosur. E brenda atij muaji mbi 1560 familje me më shumë se 11.300 anëtarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në Veri.

Sipas dëshmitarëve, autorë të këtij krimi ishin: Oliver Ivanoviq, Dragan Delibashiq, Milodrag Raliq, Pagi Joviq, Zoran Dediq, Rela Martinoviq, Zoran Kostiq, Sasha Saviq, Ivan Mandiq, Dragan Shilkoviq, Dulko Shilkoviq e të tjerë. Ndërsa sipas Halit Beranit nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, në krim ishin të përfshirë dhjetëra kriminelë që kishin ardhur me tre autobusë nga Serbia më 2 shkurt, një ditë para masakrës.

Këto që u thanë më lart janë fakte që askush tjetër nuk i ka përsëritur në publik më shpesh se Lëvizja Vetëvendosje. Këtë ngjarje të trishtueshme kjo parti e quante spastrim etnik, derisa ekzekutuesit struktura kriminale të përfshira në formacionet paramlitare të Sllobodan Millosheviqit. Krahas këtyre të fundit, nga partia e Albin Kurtit akuzohej edhe KFOR’i francez, që sipas tyre kishte lejuar që këto vrasje të kryheshin para syve të tyre.

Në shumë përvjetorë të këtyre ditëve të tmerrit, VV kishte organizuar edhe tryeza me familjarë të viktimave e dëshmitarë të këtij krimi. Derisa përmes shumë komunikatave për media, VV fajësonte institucionet vendore dhe misionet ndërkombëtare që nuk sollën drejtësi për 3 dhe 4 shkurtin, ajo zotohej që drejtësia për viktimat do të gjente dritë.

Ai që VV vazhdimisht e përmendte si një ndër protagonistët e vrasjeve të 3-4 shkurtit të vitit 2000, Oliver Ivanoviq, me 21 janar 2016 ishte dënuar me 9 vite heqje lirie. Me vendimin final të aktgjykimit të shpallur nga Këshilli Gjyqësor i EULEX’it, me në krye gjyqtaren Roxana Comsa, Ivanoviq ishte gjetur fajtor për vrasje të civilëve shqiptarë në Mitrovicë në vitin 1999, derisa nuk ishte vërtetuar nëse i njëjti kishte nxitur vrasje apo dëbim të shqiptarëve më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000.

Këtë dënim të EULEX’it ndaj politikanit serb Ivanoviq, Vetëvendosja po atë ditë e kishte quajtur poshtërim të drejtësisë e padrejtësi ndërkombëtare. Duke e quajtur kriminel, partia e Kurtit e bënte përgjegjës Ivanoviqin për veprime konkrete dhe dhënie të urdhrave për vrasjen e 45 civilëve shqiptarë, lëndimin e qindra të tjerëve dhe dëbimin e mbi 12 mijë shqiptarëve nga Mitrovica e Veriut.

Pesë ditë pa i mbushur dy vite që ishte dënuar, më 16 janar 2018, Oliver Ivanoviq u vra, para zyrës së partisë së tij “Liri, Demokraci, Drejtësi” në Mitrovicën e Veriut. Edhe pas vrasjes së tij, në një reagim përkujtues për 3 dhe 4 shkurtin, në vitin 2019, duke përdorur një deklaratë të Ivanoviqit dhënë për New York Times, VV e mbante përgjegjës atë për vrasjen e 10 shqiptarëve pas luftës. Madje kjo parti kritikonte qeverinë e atëhershme që kishte mbajtur një minutë heshtje pas vrasjes së Ivanoviqit.

Por, në përvjetorin e pestë të vrasjes së këtij të fundit, kur në qeveri është VV dhe kryeministër është Albin Kurti, Oliver Ivanoviq u përkujtua me një video gati dy minutash, ku i pari i ekzekutivit kosovar thur lavde të panumërta për atë që e quante kriminel. Në videon e publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti e quan të hapur, të sinqertë, të mprehtë e të respektueshëm Ivanoviqin. Atë që kishte kërkuar me vite të tëra të dënonin si kriminel, Kurti në këtë video kërkoi ta kujtojmë si njeri që punoi për të ardhme të qëndrueshme dhe një Kosovë shumë etnike.

Pikërisht Kurti, të cilit i pengonte pse Qeveria e Kosovës kur në krye të saj nuk ishte ky, kishte mbajtur një minutë heshtje për vrasjen e politikanit serb, po kërkon zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit dhe vendosjen e drejtësisë për të. Natyrisht se thirrja e kryeministrit Kurti pavarësisht çfarë ka menduar e thënë dikur, është me vend. Drejtësi duhet të ketë edhe kur vriten kriminelët. Edhe për ta. Edhe për Ivanoviqin. Për çdo njeri që privohet nga jeta.

Megjithatë, përtej keqardhjes që mund të ndihet për vrasjen e kujtdo, në asnjë mënyrë s’mund t’i ndërrohet historiku jetësor askujt, siç bëri paturpësisht kryeministri Albin Kurti me këtë video. Thirrja që të ketë drejtësi për Ivanoviqin, s’mund të përcillet me elozhe për të si dikush që e donte diversitetin etnik dhe që punoi për Kosovën shumë etnike. I gjallë Oliver Ivanoviq zyrtarisht ka qenë i dënuar si një kriminel që ka vrarë shqiptarë, dhe i tillë mbetet edhe i vdekur.

Është e padiskutueshme se Albin Kurti e di këtë. Por është krejtësisht e paqartë – për mua – ky reagim dhe kjo qasje e tij skandaloze. Me gjuhë të tillë si për Ivanoviqin, Kurti s’është shprehur as për Salih Mustafën – Komandant Calin, kur ai u dënua nga Specialja, ani pse luftën e UÇK-së thotë se e sheh të drejtë teksa e ka kontestuar prej kohësh Gjykatën Speciale.

Për të mos u thelluar në krahasime, kjo metamorfozë e qëndrimit të Kurtit për Ivanoviqin është ofendim i pashembullt për familjarët e viktimave për të cilat politikani serb ishte dënuar. Trajtimi i Ivanoviqit si hero është fyerje për secilin familjar të 10 të vrarëve me 3 dhe 4 shkurti 2000, me të cilët Kurti ndër vite e ka mbajtur përgjegjës atë. Është poshtërim për secilin të plagosur e të torturuar dhe çdo të dëbuar nga Veriu ato ditë. Për ta, Oliver Ivanoviq do të mbetet përjetësisht një kriminel. Siç ishte dikur edhe për Albin Kurtin, për të cilin tash duket se është shndërruar në hero.

Ose thjesht kjo video është veç një hap tutje në planet e tij që të bindë ndërkombëtarët se ky shqetësohet për serbët në Kosovë, ani pse nuk e pranon Asociacionin, nuk ua lejon zgjedhjet dhe disa prej tyre vendosin barrikada në Veri e trazojnë atë pjesë të Kosovës. Ose edhe mund të jetë përpjekje për të promovuar idenë se në Kosovë ka serbë që Albin Kurti i respekton, nderon dhe integron dhe të tjerë që i quan vegla të Vuçiqit. Kushedi. Çka s ka.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Gjenerali Hammerstein ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kapaciteteve të MM dhe FSK

Sot zyrtarisht miku ynë Gjeneral Ralph Hammerstein, Drejtor i deritanishëm i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës …