Shkurte Fejza: Kënga ime atdhetare i kundërvihej muzikës sllave që kishte vërshuar nëpër Kosovë…

(Intervistë e këngëtares së mirënjohur, Shkurte Fejza, dhënë Radios-Kosova e Lirë)

RKL: Angazhimi Juaj në Shoqërinë Kulturore-artistike, “Afërdita” të vendlindjes, fshatit Mushtisht të Therandës, ka qenë rasti për ta shprehur talentin dhe përkushtimin për këngën. Si ndodhi kjo?

Shkurte Fejza-Behluli:  Në fshatin tim në atë kohë është themeluar një ansambël muzikor që atëherë quhej shoqëria kulturore artistike SHKA,, Afërdita” në të cilën unë jam anëtare që nga fillimi. Ka qenë fillimi i viteve të shtatëdhjeta. Diku në vitin 1974 paraqitem në disa koncerte me ansamblin dhe bëhet një emision televiziv në RTP. Pastaj në vitin 1975 kam marr pjesë në një festival të ansambleve amatore ku jam shpërblyer si debutante më e suksesshme e festivalit. Gjer në vitin 1978 kam pasur aktivitete të vogla me ansamblin e fshatit. Viti 1978 është një vit kthese në aktivitetin e ansamblit tonë po ashtu edhe për mua. Në ketë vit mbahet Festivali i Gjirokastrës dhe aty pati shumë kënge të bukura folklorike. Në  atë kohë e ndiqnim TVSH-në, kuptohet ilegalisht fshehtas dhe këngët e festivalit ishin të mirëseardhura. I zgjodha këngët ma të mira dhe i përgatitem me orkestrën tonë. Filluan koncertet në vitin 1979 në mbarë Kosovën. Në Radiotelevizionin e Prishtinës punonin disa artdashës  dhe u angazhuan në realizimin e një emisioni televiziv me këngët tona. U bënë dy emisione nga 40 minuta, njëri u emetua ndërsa njëri jo sepse reagimi i shtetit ndikoj. Gjatë vitit 1979-1980 kem mbajtur koncerte pandërprere në të gjitha qytetet dhe fshatrat ku kishte salla apo palestra sportive. Atmosfera ka qenë e tillë sa qe ishte e pamundur që në një qytet të mbahej vetëm një koncert por gjithmonë nga dy, sa kryhej koncerti duhej filluar prapë për publikun që priste për dy ore jashtë. Kulmin e karrierës sime e kam arritur qysh atëherë edhe pse isha shume e re. Prej atëherë jam munduar ta mbaj ketë popullaritet, kuptohet duke punuar në vazhdimësi, duke bërë ndryshime graduale drejt ngritjes profesionale.

2.RKL: Sa ka ndikuar kënga e lirisë dhe e mobilizimit të  përgjithshëm kombëtar, që shpërndahej në valët e Radio-Tiranës, Radio- Kukësit më vonë Televizionit Shqiptar në këngën Tuaj?

Shkurte Fejza-Behluli: Pas okupimit dhe sundimit të Kosovës për  disa dekada lirisht mund të them se edhe qëllimi i sunduesit ka qenë asimilimi gradual i popullit . Andaj edhe është punuar edhe përmes muzikës dhe kulturës në përgjithësi. Për ne shqiptaret ishin dy rrugë: Ti bashkëngjiteshim kësaj rruge të vete shkatërrimit dhe asimilimit ose të gjenim një rrugë tjetër dhe të ruanim identitetin tone. Për fatin tonë ishte Shqipëria, nena jone. Në atë kohë në Shqipëri punohej shume në fushën e artit e sidomos edhe në muzikë. Festivali i Gjirokastrës i vitit 1978 ishte një thesar i çmuar. Ishin ngritur pendët e arta dhe kishin shkruar tekste të shkëlqyera, kompozitoret më të shquar punonin këngë popullore dhe ato këngë emetoheshin përmes valëve të Radio Tiranes e sidomos Radio Kukesit. Ne i dëgjonim tinëz me transistorët tanë të vegjël e që kryenin shumë punë. Kur fillonte mbrëmja ne ishim nëpër kulme duke rregulluar antenat për të hapur atë dritare te burimit të vetëm të dritës së atdhedashurisë, që quhej Televizioni Shqiptar. Me një fjalë unë u bëra alternativa shqiptare për qytetaret e nën okupimin jugosllav që i kundërvihej muzikës sllave që kishte vërshuar nëpër Kosovë dhe vise tjera shqiptare, por edhe këngëtareve që këndonin për shokun Tito dhe që këndonin duete me serb… Kjo me siguri iu kujtohet gjeneratës se asaj kohe. Dikujt edhe nga shqiptaret ia kemi prishur rehatinë që e kanë pasur e që edhe sot e vërej në jetën e përditshme por edhe në institucione  që kanë arritur të jenë akoma prezentë.

3.RKL: Këngën e keni pasur dhe  vazhdoni ta keni pasion të veçantë, përkushtim, mënyrë të shprehjes dhe komunikimit me publikun. Si ndiheni gjatë këndimit?

Shkurte Fejza-Behluli: Rruga ime drejt këngës ka qenë pak më specifike sepse kam qenë nga fshati dhe kuptohet se nuk kanë qenë edhe kushtet e mira. Pastaj  përmbajtja e këngëve të mija nuk është shikuar me sy te mire nga pushteti i atëhershëm, të gjitha këto kanë qenë pengesa të mëdha ndoshta edhe një sfidë e pakapërcyeshme. Mirëpo njeriu i arrin të gjitha kur merr një rrugë dhe je e vendosur të arrin cakun që ia ke vendosur vetes. Gjatë gjithë karrierës sime kam pas vetëm pengesa nga pushteti. Pas një afirmimi shume të madh ne vitin 1979/80 vjen koha kur kënga ime ndalohet në vitin 1981 për disa vite edhe në radio,edhe TV edhe në festivale. Dënimi me burg për mua dhe bashkëshortin tim në vitin 1986 për shkak se kam kënduar në  Tetove në një dasme. Largimi nga puna në vitin 1988, konfiskimi i pasaportave për ne të dytë e kështu me radhë. Të gjitha këto presione për ne kane qene edhe një vullnet ma i madh se po bëjmë punë të mirë dhe nuk jam ndalur dhe përkundrazi jam kalitur më shumë. Përmes këngës unë kam shpreh të gjitha emocionet e mia, kam shprehur orientimin dhe përcaktimin tim kombëtar. Unë këngën nuk e kam pas si argëtim apo hobi, për ketë arsye edhe kam pas shumë kujdes në tekstet e këngëve të mia dhe jam krenare që edhe pas 40 vite në skenë nuk kam nevojë të korrigjoj as edhe një fjalë sepse nuk ekziston tekst i këngëve të mia që nuk është edhe sot aktuale  dhe që i  ka rezistuar kohës. Kur e interpretoj këngën unë jam thellë e zhytur në të dhe harxhoj energji gjatë interpretimit, te unë nuk ka improvizim. Gjatë interpretimit tim nëpër koncerte unë përmes këndimit kam krijuar botën e përbashkët në mes tekstit të këngës, interpretimit tim dhe publikut, kjo ka qenë madhështore. Më ka ndodhur në Ferizaj duke kënduar një këngë për një dëshmor kam filluar të qaj dhe e kam ndërprerë këndimin sepse sado që ke krenari për veprën e dëshmorit me rrëmbeu edhe dhembja në shpirtin tim te një nëne, sepse në sallë ishin fëmijët e vegjël të atij dëshmori. Me kujtohet një rast duke biseduar me shkrimtarin tim shumë te dashur, i ndjeri Sulejman Krasniqin më thoshte kur e kam shkruar romanin për Mic Sokolin tërë ngjarjen e shihja si në film, ashtu edhe unë kur këndoj e ndjejë dhe e shohë ngjarjen respektivisht figurën e heroit të gjalle.

 4.RKL: Vendin më të rëndësishëm në repertorin Tuaj zënë këngët atdhetare, këngët e trimërisë, pastaj kënga për dëshmorët, martirët. Si e shpjegoni përkushtimin Tuaj në këtë segment të tematikës së këngëve të tilla?

Shkurte Fejza-Behluli: Është çështje përcaktimi me kohë dhe nuk është as çështje kohe dhe as momenti. Repertori im jam unë, është programi im kombëtar. Zoti ta jep një dhunti sikurse mua zërin dhe njeriu duhet ta ketë obligim që këtë dhunti ta përdorë për të mirën e vetë të familjes së vetë por para se gjithash edhe për të mirën e vendit të vetë, të popullit të vet, por edhe për të mirën e mbarë njerëzimit sepse kënga gjithmonë e sidomos në periudha të caktuara ka luajtur rol të rëndësishëm shoqëror. Kënga duhet të ketë një mision, një qellim të caktuar.  Unë e kam pas ketë qëllim dhe mendoj se ia kam arritur. I kam kënduar të bukures, të fisshmes, dashurisë, lirisë, heronjve qe kane dhëne shumë për ketë vend. Tani iu këndoj dëshmoreve pa asnjë lloj interesi, vetëm duke u bazuar në veprën e tyre sublime  me rastin e rënies për atdhe si diçka shumë fisnike. Normalisht që kënga ime iu shërben si fllad shpirtëror familjeve të tyre dhe atyre që din ta çmojnë veprën e tyre. Unë këndoj për pjesën më patriotike të kombit dhe nuk qaj kokën për ata që nuk e duan këngën e bukur dhe të mirëfilltë shqipe.

5.RKL: Keni afër dyzet vjet, që jetën Tuaj e keni lidhur ngushtësisht me këngën, artin e këndimit, prezantimin në vend, kudo në trojet shqiptare, në mërgatë. Kush u ka ndihmuar dhe u ka mbështetur  më së shumti në rrugëtimin Tuaj të gjatë dhe aspak të lehtë?

Shkurte Fejza-Behluli: Fillimisht mbështetja ka që nga prindërit që kanë pas mirëkuptim edhe pse nuk ka qenë e lehtë për ata. Ne jetonim në fshat çdo lëvizje shikohet me një sy tjetër, ishte shumë vështirë të depërtoje. Këngëtaret para meje ishin të rralla dhe nuk kishin arritur shumë dhe nuk shikoheshin me sy të mirë nga populli. Ishte periudhë kur ishte problem vijimi i shkollimit për vajzat e lere më të këndoje.  Unë duhej jo vetëm të këndoja dhe të arrij suksese por edhe të isha një shembull i mire. Në ketë drejtim kam pas sukses sepse pas meje filluan edhe vajzat tjera nga fshati im të këndonin dhe kanë arritur sukses. Prej asaj kohe e gjer më tani këngën popullore kosovare kryesisht e kultivojnë me plot sukses femrat nga ky fshat që jemi te njohura si Bilbilat e Mushtishtit. Mirëpo sidomos në vitin 1979/80 ne patëm shumë sukses me ansamblin tonë. Këngët tona shikoheshin nga populli me ndryshe dhe kishin një mision te caktuar me tekste patriotike dhe luanin një rol të madh. Jam e lumtur që me punën time i kam bërë ata  të ndihen krenar me bijën e tyre. Në ketë kohë jam njoftuar me Hajrushin, bashkëshortin tim, dhe në vitin 1980 jemi fejuar dhe që nga kjo kohë jemi bashkë. Ishte mbështetja dhe angazhimi i tij që më përcolli gjer me sot dhe tërë potencialin intelektual dhe njerëzor e ka angazhuar në krijimtarinë time artistike. Të gjitha që kam arritur i kemi bërë bashkë.

6.RKL: Për dallim nga shumë këngëtare e këngëtarë, publiku ju njeh dhe ju respekton për paraqitje serioze në skenë, për një qëndrim dinjitoz para tyre, në kohën kur paraqitjet ekstravagante dhe të shëmtuara të shumë këngëtareve po sharrojnë drejt degjenerimit, duke manifestuar skena të papërshtatshme për moralin, traditën, edukatën, njerëzoren… Si keni arritur  ta manifestoni dhe ta ruani kurdoherë qëndrimin Tuaj dinjitoz para publikut?

Shkurte Fejza-Behluli: Unë këndoj dhe paraqitjet e mia i bëj krahas kritereve të një artisteje, krahas traditës së popullit tim, të familjes time dhe para se gjithash kritereve të mia që ia kam përcaktuar me kohë.  Unë befasohem me disa këngëtare që dinë të këndojnë dhe bien në ato nivele, se për disa të tjerë që nuk kanë asnjë cilësi artistike dhe promovohen me gjera të tjera nuk më vjen befasi, sepse njerëzit e gjejnë mënyrën për të dalë në skenë.  Por këto mënyra e kanë edhe vendin e vetë nëpër lokale striptizi apo në bare të ndryshme dhe faji në ketë bie te TV tona dhe te institucionet që ose janë edhe vetë tillë ose blihen lehtë me nga 200-300 euro dhe i japin hapësirë këtij lloj llomi.

7.RKL: Pavarësisht erozionit në kulturën e këndimit që ka shkaktuar dhe po shkakton këndimi komercial, reklamues, pastaj kopjimi i këngëve dhe melodive të huaja dhe që, mjerisht po dominojnë në skenat dhe mediet tona, konstatojmë se kënga popullore  po mbijeton në Kosovë dhe Iliridë, por jo edhe në Shqipëri, apo jo në nivelin tonë. A do të thotë kjo se kënga popullore po shkon drejt katandisjes? Si mendoni Ju konkretisht?

Shkurte Fejza-Behluli: Kënga popullore është shumë e sulmuar nga të gjitha anët dhe e ka vështirë t’i rezistoj kësaj trysnie. Trysnia po bëhet edhe haptas edhe në mënyrë tinëzare përmes hyrjes së elementeve të huaja herë nga orienti, herë nga lindja dhe veriu sllav e herë nga perëndimi. Në Shqipëri  jugu dhe veriu kultivojnë këngë tradicionale dhe në njëfarë formë ruhet deri diku kënga shqipe në formë si e konservuar në aspektin rajonal. Shqipëria e mesme ka përfunduar në muzikën rome dhe si tërësi nuk është gjendja e mirë. Në Maqedoni me përjashtim të disa lokaliteteve më në jug, por në tërësi është alarmante. Televizioni shtetëror d.m.th redaksia në gjuhen shqipe bëjnë përpjekje ta ruajë dhe kultivojë këngën shqipe. TV private janë katastrofë. Në Kosovë gjendja është shume e keqe. Ka TV që nuk i intereson as kënga e as kultura shqiptare, në emër të një modernizmi banal. Televizionet lokale as qe behet fjale për programet e tyre.

8.RKL: Me kontributin që Ju dhe disa këngëtare e këngëtarë të tjerë  i keni dhënë dhe po i jepni këngës shqipe, kënga jonë popullore zë vend meritor në kulturën kombëtare dhe pa dyshim se është këngë e vlerave, origjinalitetit  dhe specifikave të veçanta krijuese. A besoni se kjo këngë do të vazhdojë të kultivohet, nëse nuk angazhohen sa duhet institucionet tona përkatëse të kulturës, arsimit, të ruajtjes së trashëgimisë kombëtare?

Shkurte Fejza-Behluli: Për këngën popullore shqipe më duket se e kam thënë edhe here tjetër është ndez sinjali i kuq. Televizionet nuk e mbështesin, institucionet kompetente shtetërore edhe më hiq, përkundrazi. Kompozitor nuk kemi edhe ata që janë nuk punojnë sepse nuk stimulohen. Ka disa sajues të këngëve që sajojnë këngë prej këngëve të huaja, e që dalin edhe nëpër TV dhe flasin për këngën popullore. Politikanet tanë në përgjithësi por edhe ata që kane udhëhequr me institucione vuajnë nga vogëlsia e përgatitjes se tyre profesionale kur japin intervista e di si shprehen: unë dëgjoj muzikë klasike, tjetri unë dëgjoj hip hop, R&B e lloj lloj shprehje që i kanë dëgjuar në TV. Pastaj kur bisedon me ata për ruajtjen e këngës popullore ta kthejnë , po kjo është SHOWBIZ. Injoranca që të bënë të qeshesh. Duan të distancohen nga tradicionalja me pretekst se kjo është diçka primitive dhe këto sjellje mund t’i bashkëngjiten atyre që janë rritur salloneve të klasës së ngritur gjatë sistemit të kaluar. Qesharake. Unë mendoj se kënga popullore po përfundon dhe dikur do të bëhet vonë.

RKL: Ju falënderojmë për intervistën, ju dëshirojmë sukses dhe  shumë e shumë këngë të reja!

Shkurte Fejza-Behluli: Ju faleminderit edhe juve dhe iu përgëzoj për politikat redaktuese në ruajtjen e vlerave tradicionale dhe identitetit kombëtar pavarësisht vështirësive që i keni. Respekt!

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …