Shtyhet edhe për gjashtë muaj afati për shlyerjen e borxheve publike

Ministri i Financave Avdullah Hoti në Konferencë për Media, ka thënë se sot është dita e fundit për të përfituar nga falja e borxheve që parashihen me Ligjin për Faljen e Borxheve Publike.

“Bazuar në të dhënat preliminare që kemi deri më tani, rezultatet janë relativisht të kënaqshme. Kjo për shkak se javët e fundit, pas intensifikimit të fushatës informuese nga Ministria e Financave, qytetarët dhe bizneset kanë qenë shumë të angazhuar në kryerjen e procedurave për të përfituar nga falja e borxheve”, bëri të ditur Ministri Hoti.

Ai tha se deri më tani janë falur mbi 120 milionë euro borxhe dhe janë inkasuar mbi 50 milionë euro borxhe. Një shumë e konsiderueshme e borxheve është ri-programuar për pagesë për dy apo tri vitet e ardhshme. Kjo nënkupton se është liruar barra për familjet kosovare dhe për bizneset që nuk kanë pasur mundësi të paguajnë.

“Në Ministrinë e Financave kanë arritur shumë kërkesa nga ana e qytetarëve, shoqatave të bizneseve dhe Ndërmarrjeve Publike për shtyrje të afatit për shlyerjen e borxheve. Në konsultim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës unë ju njoftoj se kemi vendosur që të shtyjmë afatin edhe për gjashtë muaj të tjerë”, tha ministri Avdullah Hoti.

Ai bëri të ditur se  “Duke qenë se ligji nga sot mbaron së qeni në fuqi, ne do të bëjmë menjëherë amendamentimin  e tij dhe do ta përcjellim në Kuvendin e Kosovës në seancën e parë të radhës. Ligji do të ketë efekt retroaktiv nga data 3 shtator 2016”.

Me këtë rast, ministri Avdullah Hoti shfrytëzoj rastin ta falënderoj kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, i cili ishte i pranishëm në këtë Konferencë për Media,  për  diskutimet dhe bashkëpunimin gjatë gjithë kësaj periudhe dhe gjithashtu për mbështetjen në marrjen e këtij vendimi për shtyrje të afatit për shlyerjen e borxheve.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, tha se “Definitivisht fjala e Ministrit të Financave Avdullah Hoti është edhe një dëshmi që viti 2015 dhe viti 2016 , janë vite të dialogut publiko – privat. Po e shihni që gjithë ata skeptik që kanë dyshuar në lobimin tonë, sot po shndërrohet në realitet.

“Kjo është edhe një gatishmëri e Ministrisë së Financave, që përkundër agjendës të stërngarkuar politike, ekonomia të mos anashkalohet dhe besoj që një shtyrje e afatit për 6 muaj e tregon edhe një gatishmëri nga MF për krijimin e një fryme të re për sektorin privat dhe të njëjtën kohë një gatishmëri e tillë  e Ministrisë së Financave duhet të jetë obligim për komunitetin e biznesit, që të jetë sa më transparent, të jetë sa më azhur në kontabiliteti”.

“Ajo çka e veçon këtë vit përveç agjendës politike, është një qasje pak më ndryshe sa i përket proceseve ekonomike. Besoj se është viti i disiplinës financiare, është viti i ndaljes së tendero -manisë masive, dhe e tëra kjo e hap një perspektivë të re për sektorin privat, për komunitetin  e biznesit, që vërtetë ardhmërinë ta sheh me një dozë të optimizmit më të lartë. Është e vështirë që të gjendet optimizëm në këtë kohë, kur agjenda politike është duke dominuar. Por, po e shihni që falë  një dialogu, falë një bashkëpunimi dhe falë gatishmërisë së Ministrit të financave Avdullah Hoti, prioritetet dhe kërkesat e komunitetit të biznesit po  pranohen  dhe vërtetë po zbatohen”, tha kryetari i OEK-ut.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …