Skënder S. Kapiti

Skënder Kapiti: Bashkimi i Medvegjës, Bujanocit e Preshevës me Kosovën është e drejtë kombëtare

Ata të cilët janë kundër bashkimit  së Luginës së Preshevës, Kosovës Lindore   me Kosovën   janë  edhe kundër  Bashkimit Kombëtar pasi Bashkimi kombëtar do të thotë bashkim  i të gjitha  trojeve shqiptare, ku troje shqiptare janë edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Në Shqipëri  filloi të flitet për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën vetëm kur doli në skenë UÇPMB-ja

Shqipëria dhe Shteti politik shqiptar i Shqipërisë as si Mbretëri, as si Komunizëm dhe as si Demokraci asnjëherë ,kurrë deri me sot nuk kane kërkuar Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Shqipëria kurrë nuk ka luftuar me Serbinë, dhe shqiptarët e Shqipërisë kanë qenë shumë ,shumë pak të informuar dhe të painteresuar  për krimet, genocidin dhe barbarinë  mbi 100 vjeçare serbe në Kosovë prej të cilave kanë pësuar kosovarët.

Politika e Tiranës ka parë gjithmonë vetëm interesin e ngushtë personal të saj , dhe jo vetëm politika por as edhe shoqëria shqiptare në Shqipëri nuk ka pasur dijeni se ku ndodhen dhe se a ka shqiptarë dhe a janë troje shqiptare  Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Kjo është e vërtetë dhe e vërteta duhet thënë edhe tani pasi është më se i nevojshëm edhe sot ndërgjegjësimi kombëtar i shqiptarëve të Shqipërisë të cilët i kanë borxh historik Kosovës, Preshevës, shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Çamërisë pasi janë rezistenca, qëndresa dhe sakrificat mbinjerëzore të tyre prej të cilave erdhi Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912.

Shqiptarët e Shqipërisë akoma janë indiferent dhe mosmirënjohës për këtë fakt pasi ata nuk kanë pësuar vetë krimet dhe genocidin sllavo-grek dhe as nuk është se kanë bërë ndonjë luftë apo sakrificë të madhe as luftarake, as politike dhe as diplomatike  për të drejtat kombëtare të shqiptarëve  në trojet e tyre jashtë Shqipërisë, dhe prandaj nuk përbën çudi fakti i një farë edhe serbo e grekofilizmi politik, kulturor, mediatik, fetar  e intelektual të hapur e të fshehur që jo pak ka në Shqipëri.

Vetëm kur doli në skenë UÇPMB-ja, Ushtria  Clirimmtare e Preshevës ,Medvegjës dhe Bujanocit nga Shqipëria filluan të dëgjohen shprehjet e çudisë: “pse paska shqiptarë edhe atje”?!

Shteti shqiptar asnjëherë  nuk ndërtoi as platformë, as strategji dhe nuk pati përkushtimin e duhur dhe serioz  politik, diplomatik, ekonomik e ushtarak për çështjen shqiptare. Madje nga shteti shqiptar i Shqipërisë edhe te shqiptarët e trojeve etnike shqiptare dhe në diasporë është eksportuar dhe u është dërguar edhe atje politika përçarëse  dhe ngatërrestare e Tiranës duke dëmtuar edhe unitetin kombëtar të tyre në preferenca e ndasi  të dëmshme politike e ideologjike zogiste, enveriste, berishiste, nanoiste etj.

Për Preshevën aq shumë u interesua edhe  politika aktuale e Tiranës sa që qeverisja Rilindja Socialiste propozoi nja 50 mijë euro “ndihmë” për maternitetin e Preshevës.

Para disa ditësh Presidenti i Kosovës z. Thaçi citoi mundësinë e bashkimit të Luginës me Kosovën, dhe menjëherë pati reagime kundër idesë së Bashkimit të këtyre tri komunave shqiptare me Kosovën edhe nga politikanë të Tiranës, por pikërisht nga ata të cilët kurrë nuk kanë përmendur dhe as nuk kanë kontribuar aspak për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, madje nga PD, Deputetët e saj braktisën edhe parlamentin kur ishte në shqyrtim çështja e miratimit të vënies në dispozicion të NATO-s të aeroporteve të Shqipërisë për bombardimin e ish-Jugosllavisë për çlirimin e Kosovës, dhe kur po ish-presidenti Berisha shkeli embargon e naftës mbi Serbinë.

Ku ishin dhe pse nuk u dëgjuan kurrë  për Preshevën, Medvegjën, Bujanocin  as Berisha, as Nano, as Rama, as Nishani e as Meta  këta farë burrecshtetas “patriotë” të mëdhenj si  edhe të tjerë “filosofistë” e opinionistë si Ngjela,  Kokëdhima  etj., dhe madje  as edhe nga ata “meritorë” të tjerë të cilët u dekoruan me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë për meritën e  “bërjes së asgjëje për Kosovën”, por vetëm për faktin se ishin dhe janë politikanë dhe miq, shokë  e bashkëpunëtorë  politikë e biznesesh të njëri-tjetrit.

Për Luginën po flasin tani pikërisht ata që  nuk dinë asgjë dhe nuk kanë asnjë pikë  njohurie, ndjesie e respekti, përgjegjshmërie e ndjesie humane e vëllazërie  dhe këta janë jo pak politikanë shqiptarë të cilët kundërshtuan me lloj-lloj alibirash e fantazirash injorante dhe papërgjegjshmërie duke u shprehur kundër bashkimit të Luginës me Kosovën.

Politika dhe politikanët e Tiranës kanë bërë ndonjë vizitë në Preshevë vetë sa për dukje ku kanë marrë respektin dhe pritjen vëllazërore të preshevarëve por në fakt ata nuk kanë treguar asnjëri prej tyre interesim e përkushtim për përmirësimin e statusit të lirive dhe të të drejtave njerëzore dhe humane e kombëtare të tyre. Por  nuk po kuptohet se ku i kanë fijet dhe “hallin” edhe opozitarët,  politika,  analistët dhe disa media edhe të Kosovës të cilat deklarohen kundër Bashkimit të Luginës me Kosovën?!

Politikanët e Tiranës janë mjaftuar vetëm me ndonjë pritje disa minutshe nëpër zyrat e parlamentit, të qeverisë e të ndonjë selie politike partiake, dhe vetëm kaq të përfaqësuesve të Preshevës,  dhe po me vetëm me kaq ka përfunduar edhe patriotizmi siperfaqësor i tyre.

Popullsia shqiptare e Luginës është komuniteti më i persekutuar dhe më i diskriminuar në Evropë të cilit i rrezikohet mbijetesa dhe ekzistenca nën Serbi.

Pse politika e Tiranës dhe e Shqipërisë deri më sot kurrë nuk u interesuan për liritë dhe për statusin e shqiptarëve të Luginës, por politikanët e pushtetarët shqiptarë si në Tiranë edhe në Prishtinë “krenohen” ndërkombëtarisht për liritë dhe të drejtat që kanë serbët dhe komunitetet minoritare të tjera në Kosovë si askund tjetër në Botë.

Tirana dhe Prishtina politike as sot akoma nuk janë në gjendje as që ta marrin me luftë Luginën, por as nuk janë në gjendje as që t’i mbrojnë dhe të kërkojnë për shqiptaret e Luginës ashtu sikurse bën Beogradi për serbët e Kosovës.

Dhe në këtë realitet çfarë duan, intrigojnë, shpifin dhe pengojnë jo vetëm politikanët e pushtetarët nga Tirana e Prishtina por edhe langojtë opinionistë e mediatikë të cilët shprehen dhe deklarohen kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Pra, çfarë kërkojnë këta zhurmues të pa hajër e rrëmujëxhinj mediatik  të cilët nuk kanë bërë asgjë për çështjen kombëtare përveçse dëm, zhurmë, llafollogji e llapazani shterpë. Thaçi ka të drejtë kur shprehet për bashkimin e Luginës me Kosovën dhe duhet mbështetur ashtu sikurse nje gjë të tillë ta kërkonte edhe cilido shqiptar dhe jo vetëm politikan.

Kërkesa për bashkimin e Preshevës me Kosovën ka avantazhin e vet të madh pasi së pari ajo e ndërkombëtarizon problemin shqiptar dhe ekzistencën e tij në Luginë; së dyti duke kërkuar maksimumin, Bashkimin e Preshevës me Kosovën i cili është shumë i vështirë për t’u arrirë pa pëlqimin e shteteve të fuqishme euroatlantike, por ama kjo kërkesë është presion si ndaj  ndërkombëtarëve ashtu edhe për serbët sepse u thuhet drejtpërsëdrejti  dhe u kërkohet me të drejtë se: ju po na flisni shumë dhe po kërkoni   dialog dhe për bashkësi komunash serbe në Kosovë,por që të bëhen këto atëhere duhet që po këto të drejta t’i kenë edhe shqiptarët e Luginës.

Besoj se nuk është shumë e nevojshme për ta argumentuar më tej se Lugina dhe popullsia shqiptare e saj ka të drejtën kombëtare të pamohueshme për të fituar liritë dhe të gjitha të drejtat kombëtare atje si dhe Bashkimin e saj me Kosovën.

Nuk e di se ku e gjejnë justifikimin dhe guximin  ata shqiptarë të cilët ngurrojnë dhe madje edhe shprehen kundër këtij bashkimi. Këta mjeranë e frikacakë që nuk janë në gjendje për të bërë asgjë, janë si puna e atyre djerrakohësve  patriotë të cilët flasin klubeve e kafeneve të Tiranës e Prishtinës dhe shkruajnë në ndonjë gazetë e portal si dhe rrahin gjoks në azil për patriotizëm e atdhe por që nuk kontribuojnë gjë tjetër veçse ngatërresa, fantazira, trille e pengesa kombëtare.

Kush është kundër dhe kush hesht e nuk është për Bashkimin e Preshevës me Kosovën ata janë të pa turp sepse kjo provon se ata nuk janë fare të interesuar as për shqiptarët e trojet e tjera shqiptare jashtë shtetit të Shqipërisë e Kosovës si në Maqedoni, Mal të Zi e në Greqi por u intereson vetëm interesi i vet politik dhe interesi për pushtet të korruptuar .

Kjo shpurë shqipfolësish  kundra Bashkimit të Luginës me Kosovën është konform dhe në përputhje me “shqetësimin” sllavo-grek të cilët po i tmerron fakti se me Pavarësinë e Kosovës ka filluar zgjidhja e problemit të pazgjidhur akoma në Ballkan, i cili është problemi shqiptar i krijuar 100 vite më parë padrejtësisht  nga  Europa dhe i zbatuar me ndihmën po të Europës  dhe mbajtur i copëtuar  nën pushtim  me mizori, krim, terror e genocid nga shtetet fqinje shoviniste antishqiptare.

(Skënder Sadri KAPITI është autor i librit,  “TRIUMFI I KOMBIT”)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …