Skënder S. Kapiti

Skënder Kapiti: Disa pyetje publike për qeverinë, si dhe për politikën e shoqërinë shqiptare në tërësi

Edhe viti 2016 që po shkon ishte një vit dështimesh të rënda në sferat e ndryshme sociale, arsimore, shëndetësore, ekonomike, politike, psikologjike, juridike dhe në atë të integrimit europian. Shkaqet, fajet dhe përgjegjësia kryesore për këto bien mbi qeverisjen por që nga autorësia nuk përjashtohen as opozita dhe as shoqëria shqiptare në tërësi kudo: si në Shqipëri, Kosovë dhe ajo shqiptare në Maqedoni.

Këtu unë po i drejtohem si qytetar së pari  pushtetit qeverisës, si dhe politikës dhe shoqërisë shqiptare në Shqipëri, por ama këto vlejnë edhe për ato në Kosovë, pasi përgjithësisht gjendja  është pothuajse identike në shumë aspekte në të dy shtetet shqiptare. Këto pyetje të përmbledhura thjesht dhe në pak rrjeshta mendoj se përbëjnë dhe problematikat si dhe shqetësimet kryesore me të cilat janë përballur shqiptarët gjatë vitit 2016 që po e lëmë pas. Dhe konkretisht: si ndjeheni ju qeveritaro-pushtetarët së pari si përgjegjës direkt si dhe politika e shoqëria shqiptare në përgjithësi me faktet dhe me realitetin se:

1-Viti 2016 po mbyllet si viti i mosintegrimit, i mos hapjes së bisedimeve për antarësimin e Shqipërisë për në BE.

2-Si viti i vazhdimësisë së eksodit dhe si viti që e vendosi rininë shqiptare në krye të listës botërore që kërkon largimin nga atdheu.

3- Si viti i drogës dhe i kanabisit, pasi madje, media të huaja arritën deri aty sa Shqipërinë ta etiketojnë Kanabistan dhe si kryeqytet të drogës në Europë.

4- Viti 2016 edhe si viti i papunësisë, i varfërisë dhe i korrupsionit më të lartë në rajon dhe në Europë.

5 – Si viti i vazhdimësisë së politikës së kriminalizuar dhe të pandëshkueshmërisë së saj, pra i vazhdueshmërisë së krimit politik krahas atij ordiner, brenda familjes, atij elektoral, krimit demokratik, krimit financiar, të krimit mbi pronën, atij mjedisor, krimit të trafikimit të drogës e  qenieve njerëzore si dhe të  eksodit; dhe si viti  i vazhdimësisë së sistemit të drejtësisë së padrejtësisë, të korrupsionit dhe të antiligjit.

Pra, viti 2016 ishte viti i ekspozimit të të gjitha poshtërsive, krimeve dhe të korrupsionit të instaluara nga sistemi politik i dështuar 26 vjecar paskomunist, dhe prandaj diplomacia amerikane, aleatët tanë, Reformën në drejtësi e quanin aq të rëndësishme dhe  jetike për Shqipërinë, si më të rëndësishmen pas rënies së komunizmit që do të thotë: se ashtu si rënien e komunizmit nuk e dëshironin komunistët, ashtu edhe Ligjin për Dekriminalizimin e politikës, Reformen e Drejtësisë i cila mundëson realisht reformim e gjithe sistemit politik, nuk e dëshiron kjo politika e sotme e tranzicionit, politika e kësaj farë elite politike të korrupsionit, krimit, kanabisit, hajdutërisë, papergjegjshmërisë, e tradhëtisë dhe e mosintegrimit, kjo politika jodemokratike dhe e manipulimit me demokracinë, lirinë dhe me integrimin euroatlantik.

Ndërsa për shoqërinë, anëtare i së cilës jam edhe unë kisha edhe disa pyetje shtesë:

Si ndjehet dhe si është e mundur ta durojë dhe të pajtohet shoqëria shqiptare me këtë realitet të cilin ja ka imponuar asaj politika, kjo elita politike të cilën ajo e ka votuar prej 26 vitesh?

Dhe, a do ta bëjnë shoqëria dhe votuesi shqiptar ndëshkimin e kësaj politike me votë në Qershor 2017, apo do t’i votojnë përsëri po këta politikanët e sotëm, po këtë elitë politike të kësaj mostre të keqe: të papërgjegjshme, të kriminalizuar, tradhëtare të interesave publike dhe kombëtare, të korruptuar, kundërintelektuale dhe antiintegruese?

A do ta ndëshkojë votuesi shqiptar apo do të gabojë e ta votojë përsëri në Qershor 2017 po këtë elitë të keqe politike e cila bashkëpunon tinëzisht dhe djallëzisht shumë mirë edhe tani  kundër zbatimit të Ligjit të Dekriminalizimit të politikës, kundër zbatimit të Reformës në Drejtësi ashtu sikurse bëri dhe para miratimit të tyre të gjitha përpjekjet antiligjore dhe amorale për t’i mosmiratuar ato.

A është ndërgjegjsuar tashmë publiku jo vetëm për tradhëtinë që atij  dhe intesave publike dhe kombëtare që u ka bërë atyre politika e derimësotme; por, a është ndërgjegjsuar edhe për pabesinë e elitës politike shqiptare edhe ndaj aleatit dhe mikut më të madh të kombit shqiptar, SHBA-së, pra për antiamerikanizmin e kësaj elite politike e cila u duk hapur që me bashkëpunimin dhe koordinimin pozitë-opozitë kundër demontimit të armëve kimike të Sirisë; të protestave civile të manipuluara, të protestës parlamentare në parlament nga opozita e djathtë dhe refuzimi që i bëri propozimit të SHBA-së qeverisja e majtë.

A është kthjelluar ndërgjegja kolektive se vetëm me presionin vendimtar të SHBA-së u miratua edhe Ligji për Dekriminalizimin e Politikës dhe Reforma në Drejtësi, si dhe për faktin tjetër të përpjekjes po nga kjo elitë politike e këtyre politikaneve aktuale për t’i  penguar në cdo formë dhe mënyrë tani edhe zbatimin e tyre?

Prandaj, tani e ka në dorë vetë shoqëria që t’i shërbejë vetes po qe se e dëshiron; e  cila duhat ta ndëshkojë dhe të dëbojë  me votë të lirë në Qershor 2017  këtë elitë  politike  me këta politikanë të korruptuar dhe me rekorde kriminale; t’i dëboje ata nga politika, nga parlamenti dhe nga qeverisja në mënyrë që të zbatohet Reforma ne Drejtësi dhe ndërtimi i shtetit ligjor, shtet i cili është kapur nga politika dhe pushteti.

Demokracia  ia mundëson popullit të drejtën e zgjedhjes, por nëse, shoqëria manipulohet nga korrupsioni, tradhëtia, mashtrimet dhe gënjeshtrat e politikës dhe të politikanëve, dhe nëse, votuesit votojnë dhe zgjedhin të paduhurën, të gabuarën, të kriminalizuarit, korrupsionin, injorancën, pra, të keqen, atëhere shoqëria me meritë vuan prej gabimit të vet: prej zgjedhjes së gabuar të bërë nga vetë ajo.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …