Smajl LATIFI: LOJA ME KOSOVËN DHE TË ARDHMEN E SAJ

Kosova dhe shqiptarët, edhe në këtë fillim shekull po përjetojnë kushtet dhe kushtëzimet e imponuara prej marrëveshjeve të vjetra e të reja, të cilat u arritën dhe synojnë të arrihen për ruajtjen e interesave në mes të Fuqive të Mëdha. Trekëndëshi i interesave kundërthënëse ( SHBA – RUSI – BE ) po përgatit që të imponojë marrëveshjen tjetër, e cila po ua fundos shpresat shqiptarëve për pavarësinë e shumëpritur të Kosovës. Serbia po korrë edhe një betejë në luftën e saj për ta penguar Kosovën, lirinë dhe shkëputjen definitive të saj. Ajo tanimë ka gjetur edhe aleatët e saj për ta mbështetur në këtë çështje. Ndërkaq, Kosova vazhdon ta ketë në ballë politikën e dëshmuar tanimë për lojalitetin e skajshëm ndaj të huajve dhe për lëshime në dëm të aspiratave të popullit tonë. 
Për ta përligjur kompromisin e dalë nga bisedimet Prishtinë-Beograd në Vjenë, për pakon e Ahtisarit (nënkupto: projekt-marrëveshjen e sponsorizuar dhe të ideuar nga SHBA-të, Britania e tj.), janë të mundshme lëshimet e reja nga trekëndëshi (SHBA-BE-RUSI) i fuqive vendimmarrëse, i cili duket se rreth kësaj çështjeje do të merret vesh së shpejti.
Veprimet dhe ndërhyrjet e tyre po shfaqen qartazi në sipërfaqe në favor të lëshimeve të reja. Këto janë argumente që zbërthejnë më së miri, se këtu nuk bëhet fjalë për zgjidhje të drejtë të statusit, por për modifikim të gjendjes ekzistuese, vetëm e vetëm që të shpëtohet paqja e premtuar, të paktën, përkohësisht. Në këtë atmosferë të pazakontë, shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të presin deklarimin e fuqive vendimmarrëse, kundrejt dallimeve ekzistuese të shfaqura prej tyre, për ose kundër kompromisit aktual: pakos së Ahtisarit. 
Mbi bazën e këtij plani po bëhen ende negociata intensive, të cilat mund të prodhojnë lëshime të reja edhe më të dëmshme. Pakoja e kompromiseve të dhimbshme e Ahtisarit po modifikohet në favor të kompromiseve të reja. E kemi thënë se pakoja e Ahtisaarit është dokument që nuk ka për qëllim të shënojë fillimin e zgjidhjes së krizës, por legalizimin dhe përpjekjen për çimentimin e saj.
Sipas kësaj Rezoluta e ardhshme e KS të OKB-së, nuk i jep Kosovës pavarësi, as sovranitet sepse ajo do të mbështetet në pakon e kompromisit. Rezoluta e re e mundshme e KS të OKB-së, te shqiptarët ka krijuar situatën reale, të lojës me ta, e cila po e dëmton përsëri çështjen e tyre kombëtare. Ata, gjithnjë e më shumë, po e ndjejnë dhe do ta ndjejnë se Kosova e ‘pavarur’, nuk i ka dhe nuk do të përmbushë aspiratat e tyre, se procesi aktual, siç thuhet, drejt një paqeje dhe një zgjidhjeje të pranueshme, në thelbin e saj ruan krizën. 

Sikur shihet, lojërat dhe pazaret në dëm të Kosovës po vazhdojnë, fundi i të cilave do të mund të shkaktojë kriza të reja në rajon. Në këtë situatë kërkohet një politikë e qartë gjithë-shqiptare, e cila duhet të vendosë për t’iu përgjigjur drejtë këtyre zhvillimeve. Po hapet Kutia e Pandorës. 
Ky realitet i krijuar ka ardhur duke e mbajtur flamur udhëheqës opsionin i pavarësisë, e cila po bëhet bajat në formë dhe në përmbajtje. Ky opsion jo vetëm që nuk po realizohet, por ka filluar të prodhojë shtigje që e stërkeqën gjithnjë e më shumë edhe fjalën e bukur pavarësi. 
Multietniciteti i vendosur si kusht dhe bazë për zgjidhje të statusit të Kosovës u dëshmua se nuk është i drejtë, nuk ka të bëjë aspak me integrimin e pakicave. Ky model madje është shembulli më i keq që ka krijuar kushte dhe mundësi për ndarjen e Kosovës. Bile-bile, ardhja eventuale e forcave ruse pavarësisht pretekstit për mbrojtjen e serbëve, do t’u japë mundësi serbëve, që të ruajnë dhe thellojnë ndarjen. Kjo është një fitore tjetër e Serbisë.
Tashmë opsioni i pavarësisë po prodhon argumente konkrete që pamundësojnë realizimin e saj. Pavarësia e Kosovës na ka humbur shumë kohë dhe ende nuk duket në horizont. Edhe po të njihet ky realitet nga ana e KS të OKB-së, për t`i mbaruar qejf vetit mund ta quajmë këtë status edhe pavarësi. Mirëpo, në çoftë se i analizojmë me kujdes rrethanat, do të shohim se statusi i ardhshëm krahas të tjerave probleme do të krijojë gjendjen dhe atmosferën e mos-funksionalitetit si dhe vështirësive të tjera serioze për popullin tonë. Duke i trajtuar me vëmendje ato premtime dhe zotime të bëra nga politika e pavarësisë, është e udhës të vijmë në përfundimin, se më në fund, ajo nuk e ka të drejtën që të ushqejë më popullin me iluzionin e pavarësisë. Të mos harrojmë se kërkesa për njohjen e pavarësisë, këtij farë grupit të unitetit iu është bërë modeli për ta vazhduar mashtrimin.
A mund të vazhdohet më kështu, përse duhet t`i besojë dikush politikë, e cila më sjelljen e saj ka bërë që: ndarja e Kosovës të jetë realitet sot dhe të çimentohet edhe më shumë ajo në të ardhmen? Pavarësisht se Grupi i Kontaktit për Kosovën, parimeve që i ka bërë të njohura, se nuk ka ndarje, nuk ka kthim prapa, nuk ka bashkim, zhvillimet në terren, janë kundërpërgjigja më e mirë se këto parime janë të kontestueshme.
Situata aktuale në Kosovë dhe zhvillimet rreth saj, janë një tregues, se të gjitha variantet janë në lojë, por se kur do të realizohen skenarët që ta shohin të gjithë lojën dhe shkeljen e këtyre parimeve, fundin e lojës, ende nuk dihet. Por, një gjë dihet, pakoja e Ahtisaarit dhe marrja me të, po e shtyn procesin jo drejt fundit të drejtë dhe të pritur nga politikanët kompromisaxhinj, por drejt një fillimi të ri, ku do të pleksen parime të tjera dhe zgjidhje të tjera, të cilat do t`ua japin vulën e turpit, politikës së sotme parciale dhe nënshtruese.
E ardhmja e afërt do të dëshmojë se vetëm opsioni i bashkimit kombëtar është realist dhe ai është opsion në trend. Shqiptarët i kanë dy rrugë: ose të bashkohen rreth një platforme të vetme për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare ose të përpëliten në një qark të mbyllur, i cili prodhon tensione dhe kriza, nga të cilat do të humbim shumëçka nga ajo që sot e deklarojmë.
Prishtinë qershor 2007

Kontrolloni gjithashtu

Nën patronatin e kryeministrit Haradinaj sot bëhet rivarrimi i heroit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit, Hazir Malaj

Më 9 maj të vitit 1998, kanë rënë Komandanti i Logjistikës së UÇK-së, Ilir Konushevci dhe mjeku i luftës, Hazir Mala

Më 9 maj të vitit 1998, në një pritë të organizuar nga trafikantët e armëve, …