Smajl Latifi: TAHIR SINANI – ATDHETARI QË ME IDEALIN E LARTË DHE ANGAZHIMIN E PASHOQ ÇAU KUFIJTË E HEKURT

Homazhe në Landovicë, në përvjetorin e 22-të të rënies së heroit të kombit Tahir Sinani dhe bashkëluftëtarëve: Hyrë Emini, Brahim Ademi, Naser Ademi dhe Hisë Fazliu, të rënë në Tanushë të Gostivarit.
TAHIR SINANI – ATDHETARI QË ME IDEALIN E LARTË DHE ANGAZHIMIN E PASHOQ ÇAU KUFIJTË E HEKURT
Në historinë tonë kombëtare nuk janë të rralla rastet kur atdhetarët nga njëri skaj i atdheut të bien në skajin tjetër të atdheut, sepse për të mbrojtur qenien tonë kombëtare jemi detyruar të luftojmë gjithandej trojeve tona. Për shekuj me radhë shumë dëshmorë të kombit shqiptar luftuan e u flijuan në çdo cep të atdheut, si një detyrim njerëzor e fisnik për të mbrojtur qenien kombëtare dhe tokat tona nga hienat fqinje që kafshonin e kafshonin pa mëshirë, herë në lindje e herë në perëndim, herë në veri e herë në jug, tokat tona.
I edukuar në frymën e atdhedashurisë dhe ndjenjës së sakrificës për të mirën e përgjithshme, edhe heroi ynë, Tahir Sinani u ndesh me këto sfida në fundshekullin që lamë pas. Me gatishmërinë e tij për të qenë gjithnjë aty ku e kërkonte nevoja e lirisë, eci pa mëdyshje kryq e tërthor trojeve shqiptare. Përballoi rreziqet e shumta dhe priu në fushëbeteja, në Pashtrik, në Dukagjin, në Anadrini, në Drenicë, në Llap, në Luginë të Preshevës, në trevat shiptare nën Maqedoni dhe u kthye triumfues në tokën e të parëve me titullin: Hero i Kombit. E si mund të quhet ndryshe njeriu që çau guximshëm kufijtë e hekurt që armiqtë kishin vënë anekënd trojeve stërgjyshore? Për të thyer këta kufij të hekurt, hekur kërkohej. Dhe, Tahiri ynë bëri që hekuri të vjellë zjarr kundër pushtuesve të tokave tona, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive, si një nga të shumtët i vënë plotësisht në shërbim të atdheut në kohën kur u dha kushtrimi:
– KUSH ËSHTË TRIM!
Tahiri nuk mund të mos i përgjigjej zërit të atdheut të robëruar, sepse ndër shkrepat e Tropojës ende jehon thekshëm thirrja e atdhetarit, heroit të popullit, Mic Sokoli. Ende vjen nga thellësia e kësaj toke, zëri i plakut të urtë e guximtar nga Malësia e Gjakovës, Bajram Curri, këtej ende jehon thekshëm zëri dhe vepra e atdhetarit të madh, Haxhi Zekë Biberajt. Ende jehon dhe do të jehojë fuqishëm zëri i sa e sa atdhetarëve që me gjokset e tyre sfiduan një Perandori, në kohën kur Shqipëria donte të bëhej NJË. Zaten, këto histori të bashkëvendasve të tij e kishin mbrujtur shpirtin liridashës të Tahir Sinanit, këtij atdhetari të kulluar i cili me përkushtimin e tij jo vetëm që u përball me dinjitet dhe guxim me makinerinë vrastare sllave, por angazhimi i tij për ta bërë terësinë është kontribut konkret përtej politikave parciale të shqiptarëve. Tahir Sinani u ndodh gjithandej ku pushkët e lirisë buçitën, edhe atëherë kur një pjesë e politikës fliste për: shqiptarë të Kosovës, shqiptarë të Maqedonisë, shqiptarë të Luginës së Preshevës, shqiptarë të Malit të Zi, shqiptarë të Greqisë. Tahiri me angazhimin e tij rikujtoi faktin, se shqiptarët kudo që ndodhen kanë vetëm një emër: SHQIPTARË dhe vetëm një nënë: SHQIPËRINË, pavarësisht nga kush janë të pushtuar. Këtë porosi të qartë ai e dha me shembullin e tij personal dhe kudo që u ndodh e ndjente se ishte në një cep të Shqipërisë nënë.
Kjo është porosi që nuk duhet harruar asnjëherë, as prej atyre që mendojnë se i kanë në duar fatet e kombit. Le të punojmë për të përmbushur amanetin e Tahir Sinanit dhe bashkëluftëtarëve të tij, në mënyrë që ta nderojmë atdheun dhe të rënët ndër breza për idealin e çlirimit dhe bashkimit të shqiptarëve dhe trojeve tona.
Ky amanet rëndon shumë mbi supet tona dhe herët a vonë do të jetësohet betimi i ushtarit të lirisë.
Tahir Sinani dha shembullin se si duhet atdheu dhe si duhet të luftohet e të vdiset për liri. Ai na bëri të besojmë edhe më fuqishëm në termin ATDHE. Le të shërbejë kjo shembëlltyrë e të jetojë përherë i freskët kujtimi për atdhetarin e madh, heroin dhe komandantin, Gjeneralin TAHIR SINANI.
LAVDI!

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …