Smajl Latifi: Vetëm burrat e mëdhënj të kombit si Agron Rrahmani, të cilit kishin largpamësinë e nevojshme politike do ta sillnin lirinë

25 vjet më parë, në një përballje me pritën e organizuar nga forcat speciale të sigurimit serb, në njërën nga bazat ilegale të LKÇK-së, në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, dha jetën Heroi i Kombit, Agron Rrahmani – Naseri, komandanti i shquar i guerileve çlirimtare, i cili ishte i inspiruar dhe i gatuar me vlera e cilësi të larta atdhetare, ndër të parët u bë pjesë e luftës dhe rezistencës së armatosur, e që u dëshmua se ishte shpirti i paepur i saj.
Kur mendon për Agronin, është e pamundur të mos kujtosh vlerat e tij të larta njerëzore dhe karakterin e fortë që ai kishte, njëherazi trimërinë, ndershmërinë, sinqeritetin dhe dashurinë e madhe për kombin që e shfaqte me shumë pasion. Ishte njëri prej shokëve më trima që i dha shpirt veprimtarisë së organizuar të LKÇK-së, komandant i Njësitit të Parë Gueril të kësaj organizate çlirimtare “Rexhep Mala”.
Dita e rënies së tij, 12 maj 1998, do të mbetet e freskët në kujtesën time dhe gjithë atyre shokëve bashkëveprimtarë që e njohën. Agroni ishte plagosur rëndë, por shoku i tij i idealeve dhe i pushkës, Fatmir Humolli nuk e la të vdiste në dorën e armikut. Ndonëse në gjendje të rëndë nga plagët, luftoi heroikisht dhe vdiq i buzëqeshur e i rrethuar nga shokët më të mirë.
Madhështia e veprës së Agronit nuk përshkruhet dot. Zjarrin liridashës në zemrën e tij e kuptojnë vetëm ata që jetuan nën pushtimin e egër, i cili jo vetëm i shtypte, por synonte t’i zhbijë shqiptarët nga trojet e veta. Vetëm burrat e mëdhënj të kombit si Agron Rrahmani, të cilit kishin largpamësinë e nevojshme politike, guximin dhe gatishmërinë për të rezistuar, do ta sillnin lirinë.
Nderime dhe lavdi për HEROIN E KOMBIT, Agron Rrahmani – Naseri, si dhe për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e kombit!

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i ZOD, gjatë luftës, Sami Lushtaku, rrëfen momentet me komandantin. Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij

Në 25-vjetorin e rënies së komandantit Ilaz Kodra, bashkëluftëtari i Ilaz Kodrës, Sami Lushtaku, ka …