Kryetari i Degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, është ftuar nga Gjykata Speciale

Sokol Bashota: Ma pamundësuan kandidimin sepse e dinin që do të fitoja

Ish-kryetari i Komunës së Klinës, deri më sot sërish kandidat për kryetar të Klinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Sokol Bashota, të cilin sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka decertifikuar nga gara për kandidat për kryetar të Klinës, ka thurur një vargmal kritikash ndaj qeverisë së Albin Kurtit. Sipas tij, qeveria me prokurorë pamundësuan kandidimin e tij sepse e dinin se zgjedhjet do t’i fitonte ky, raporton “Epoka e re”. Më poshtë shkrimi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës,

Të nderuar mbështetës dhe miq të mi,

Ka disa muaj, veçanërisht disa javë, që vëmendja juaj (fatkeqësisht jo edhe e Qeverisë së Kosovës) është fokusuar te pandemia që ka mbërthyer Kosovën. Çdo ditë, në dy javët e fundit, ngushëllojmë dhe ngushëllohemi nga miqtë, familjarët dhe kolegët për më të dashurit tanë që po humbin jetën nga virusi Korona. Kësaj gjendjeje të rëndë shpirtërore të popullit i përkas edhe unë. Bashkëndiej me secilën familje që ka përjetuar tmerr gjatë shpërthimit të pandemisë dhe keqmenaxhimit të pandemisë nga kjo qeveri avdalle, po ashtu edhe me ata familjarë që më nuk i kanë pranë vetes më të dashurit të cilët u mungojnë shumë e për të cilët Qeveria e Republikës së Kosovës nuk bëri punën që duhej bërë.

Në këtë dergjë botërore, së cilës Qeveria e Kosovës assesi nuk po i bën ballë, sepse nuk po di dhe as që po shpreh interesim ta frenojë, sepse është e interesuar të kapë institucione dhe të dëmtojë individë, një padrejtësi m’u bë edhe mua, për të cilën s’mund të rri i heshtur.

Kjo qeveri padinjitetshëm ndërhyri në institucionin e drejtësisë, duke ma pamundësuar kandidimin për kryetar të komunës së Klinës, edhe pse jam certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Unë, edhe pse në media u raportua për decertifikim të kandidaturës time për kryetar, ende s’kam marrë asnjë vendim nga Apeli. Prandaj, si qenka e mundur që të tjerët të njoftohen për këtë vendim para palës që është pjesë e procesit?!

Ma pamundësuan kandidimin sepse secili prej kandidatëve për kryetar të Klinës, edhe këta në qeveri, e dinin se zgjedhjet në komunën e Klinës do t’i fitoja unë me Partinë Demokratike të Kosovës. Gjithë ky insistim i pushtetarëve, për të më hequr sa më parë nga gara, është bërë me qëllim për t’u krijuar kandidatëve të tjerë hapësirë dhe komoditet të pandershëm. Kjo histeri e qeverisë së tanishme vjen edhe si rezultat i urrejtjes patologjike kundër vlerave të UÇK-së si dhe aktorëve të saj dhe për shkak të deficitit patriotik dhe atdhetar të saj.

Saga e procesit tim gjyqësor fillet i ka që në vitin 2009 dhe vazhdon edhe sot. Pra, plot 12 vjet. Ka filluar me një “mal” akuzash nga me të ndryshmet dhe ka përfunduar për mosdeklarim të pasurisë.

Ç’është e vërteta, jam akuzuar për të gjitha të vërtetat që kam deklaruar në të gjithë formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe që i kam vërtetuar edhe në gjykatë. Pra, nuk kam fshehur asgjë nga pasuria ime, por aktorë të drejtësisë në Kosovë riprodhuan dëshmitarë me precedan penal në të kaluarën, të cilët herë deklaronin për e herë kundër, varësisht prej kërcënimeve të prokurorëve që ua bënin atyre.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Unë gjithë jetën time jam përpjekur t’i jap atdheut gjithçka që kisha mundësi. Isha i gatshëm edhe të flijohem për çlirimin e vendit, edhe për ndërtimin dhe ngritjen e institucioneve demokratike. Dhjetë vjet sa kam qenë kryetar i komunës së Klinës kam punuar me përkushtim maksimal për ta rregulluar  mirëqenien e qytetarëve të Klinës dhe ta bëj Klinën një qytet modern. Kam ndërtuar objektin e komunës, shtëpinë e kulturës, palestrën sportive, 11 shkolla të reja dhe kam rinovuar dhjetëra të tjera. Kam ndërtuar fabrikën e ujit, dhjetëra ujësjellës dhe kanalizime në fshatra, sheshe dhe rregullim të shtretërve të lumenjve, pastaj ndriçim, trotuare dhe mbjellë drunj dekorativë. Kemi asfaltuar mijëra kilometra rrugë në qytet dhe fshatra, shumë penda e kanale për ujitje të tokave bujqësore. Ndërtova një administratë efikase në komunë dhe krijova raporte ndërnjerëzore e ndërfetare, ngreha kapacitete sportive dhe kulturore në komunë  e shumë pune të tjera të cilat i shohin, i shikojnë dhe i prekin qytetarët e Klinës edhe sot e tutje. Dhjetë vjet me radhë kryetar komune i Klinës kam qenë unë. S’kam lejuar që komunën ta udhëheqin njerëz jashtë saj siç po ndodh që katër vjet. Për mua fjala e dhënë PO ka qenë PO, jo ndryshe.

Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të PDK-së, Dega në Klinë,

E di që të gjithë jeni të lënduar nga moskandidimi im për kryetar të komunës, sepse gjithsecili prej jush keni pritur nga unë t’i vazhdoj projektet që i kemi lënë aty ku kanë mbetur që katër vjet, edhe plot projekte të reja që kisha plan t’i realizoja pas zgjedhjes kryetar. Pavarësisht prej vendimit që paska marrë KQZ-ja, ju siguroj se gjithnjë do të jem me ju dhe në shërbimin tuaj. Për mua gjithmonë ka qenë dhe mbetet prioritet PDK-ja e jo ambicia meskine. Klinës po ia lë një listë me kandidatë të denjë për asamble komunale, që është e pakonkurrencë. Secilin përkrahës të PDK-së e falënderoj nga zemra për gatishmërinë dhe i uroj suksese.

Me shumë respekt për ju,

 

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …