Sulmohet integriteti dhe dinjiteti i akademikut tonë emblematik, Rexhep Qosja (Koment redaksional i Radios-Kosova e lirë)

 


Tetë vjet pas çlirimit të Kosovës nga barbarët serbë dhe nga regjimi kriminal i Milosheviqit, ende në vendin tonë kanë mbetur dhe po veprojnë shpenguar mbeturinat e këtij regjimi. Dhe, mjerisht, këto mbetje të ish regjimit kolonialist të Serbisë i gjen të postuar kudo në vendet kyçe, ku më shumë e ku më pak, në të gjitha institucionet e Kosovës, në tërë hierarkinë sunduese, në të gjitha ministritë, në SHPK, në të gjitha qeveritë komunale, madje disa syresh edhe në TMK, e cila tashmë po shpërbëhet, falë “angazhimit” të këtij segmenti nga këto radha. Dhe, pikërisht për këtë, regjimi aktual i Beogradit kërkon të bisedojë me shqiptarët lidhur me përcaktimin e statusit, me qëllim për t’ i bindur ata të bashkëjetojnë, ashtu sikur paskan “bashkëjetuar” me decenie të tëra. Fakti se në Nish brenda muajit lëshohen mbi 10 mijë pasaporta serbe për qytetarët shqiptarë,“besnikë” të Serbisë, të cilët e pranojnë këtë shtet si të vetin, është një ilustrim tjetër i kësaj situate kaotike, e cila po mbretëron në vend. Në këtë situatë ndodhin edhe akte të ndryshme vandale, sikur është rasti i fundit me dhunimin e Zyrës së akademikut emblematik të kombit shqiptar, Rexhep Qosja, mbajtja në arrest e dhjetëra ish-luftëtarëve dhe eprorëve të UÇK-së, burgosja dhe ndëshkimi i qindra të tillëve, largimi nga vendet e punës me përgjegjësi i kuadrove me prejardhje politike antijugosllave etj.

Recidivet e masave të dhunshme

Futja e masave të dhunshme nëpër institucione ka qenë praktikë dhe vepër e sistemit të kaluar komunist jugosllav. Nën të tilla masa kundër interesave të kombit shqiptar, sidomos prej vitit 1981 kanë vepruar edhe një plejadë e tërë komunistësh shqipfolës projugosllavë, të cilët kanë mbështetur, e mjerisht disa prej tyre edhe sot e kësaj dite e mbështesin regjimin e Serbisë okupatore.
Një rast i tillë na rikthen në kujtesë futjen e masave të dhunshme në Ferizaj, në fillim të viteve 90, kur asokohe punonte edhe njëfarë Ismail Hasani, deri atëherë i panjohur. Ai, brenda natës u bë i njohur me qëndrimin e tij pro masave të dhunshme, duke kritikuar e fyer të gjithë ata shqiptarë, të cilët nuk po iu bindeshin masave të tilla. I mbetur i vetmuar, ndërkohë ky njeri iu bashkua radhëve të LDK-së ku edhe do të shquhet për “veprimtari” politike dhe jo vetëm politike. Do të ishte harruar ky njeri, ky Ismail Hasani, ashtu sikur edhe shumë të tjerë të sojit të tillë, po të mos ishte rikthyer sërish në skenë, si instrument i zbatimit të masave të dhunshme, atje ku ministri i arsimit, (bokseri i LDK-së në kuvendin e fundit, Agim Veliu), nuk kishte arritur sukses. Ai kishte provuar me vjet të tëra ta merrte në dorë Institutin Albanologjik, por nuk gjente dot një person të përdorshëm dhe të përshtatshëm për ta ndërsyer në këtë drejtim. Ndërkohë, ai gjeti më të përdorshmin dhe më të përshtatshmin, për të vënë në jetë metodat e tij policore kundër Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ismail Hasani i dikurshëm, i treguar tejet i suksesshëm në vendosjen e masave të dhunshme nën regjimin e Milosheviqit, arriti që përmes policëve të tij të uniformuar apo të pauniformuar, ta atakojë dinjitetin e njërit prej akademikëve dhe veprimtarëve më të merituar të kombit tonë.
Ky turp dhe kjo vepër e damkosur antikombëtare, ndodhi më 29 gusht 2007, në Prishtinë, me ç’ rast akademik Rexhep Qosja u kërcënua të dorëzonte çelësat e Institutit dhe të largonte sa më parë veprat dhe gjësendet e tij nga atje. Duke parë se Qosja nuk thyhej, ashtu sikur nuk ishte thyer asnjëherë në të kaluarën e tij, policia e Agim Veliut, dhunoi Zyrën e këtij institucioni duke shkaktuar rrëmujë dhe duke lënë prapa damkën më të zezë që i është bërë ndonjëherë këtij institucioni meritor të gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar në përgjithësi.
Në komunikatën e tij lidhur me këtë ndërhyrje vandale, akademik Rexhep Qosja, veç tjerash, ka deklaruar: “ Pas shumë viteve të fyerjeve dhe poshtërimeve të ndryshme, që më bëri përmes disa medieve që i kontrollon një taraf partiak i LDK-së, me ndikim në Ministrinë e Arsimit, të mërkurën më 29 gusht 2007, bëri tani për tani hapin e fundit në cenimin e integritetit e të dinjitetit tim dhe në rrezikimin e jetës sime. Përmes një individi, i quajtur anëtar i një firme private për sigurim, më ndaloi hyrjen në Institutin Albanologjik, kurse pak më vonë ky taraf e theu zyrën time në këtë Institut…”
Sulmi kundër akademikut, Rexhep Qosja dhe kundër Institutit Albanologjik të Prishtinës në përgjithësi, nga ky tash për tash janë dëbuar edhe katër punëtorë shkencorë të këtij Instituti: Fadil Graiçevci, Jahir Ahmeti, Hysen Matoshi dhe Arben Hoxha, duhet të dënohet me forcë nga të gjitha forcat përparimtare në vend dhe nuk duhet lejuar, që kjo praktikë e UDB-së të zbatohet në këtë mënyrë dhe me këtë lloj të vrazhdësisë dhe destrukcionit tipik serb, tetë vjet pas çlirimit të Kosovës me gjakun e derdhur rrëke të mijëra dëshmorëve e martirëve të kombit.
Cenimi i dinjitetit dhe integritetit të akademikut Rexhep Qosja dhe Institutit Albanologjik në përgjithësi nga individë dhe tarafe me prejardhje ideologjike projugosllave, është një tregues tjetër i vazhdimësisë së agonisë dhe i pamundësisë së përcaktimit të statusit të Kosovës.
Po të mos i kishte Beogradi lidhjet e veta të pashkëputshme me shumë kuadro besnike të veta në Kosovë, po të mos ishte në pyetje ruajtja dhe begatimi i atyre interesave përmes grupeve të ndryshme të bashkëpunëtorëve, po të mos ishin qindra mijëra shqiptarë që për të nxjerrë një pasaportë me vulë të këtij shteti, pranojnë se janë qytetarë lojalë të Serbisë, Beogradi nuk do të kishte përse të insistonte në rikthimin e sundimit kolonialist në vendin tonë.
Pikërisht sepse nuk janë ndërprerë me kohë këto lidhje të rrezikshme të bashkëpunimit në shumë segmente, jo vetëm tregtare e ekonomike, pikërisht sepse sundimi 87-vjeçar serb në Kosovë ka krijuar lidhje të thella kumbarie e vëllazërie në mesin e një pjese të shqiptarëve lojalë, shkëputja definitive nga Serbia po bëhet me shumë vështirësi, e ndoshta një ditë do të eskalojë edhe me rreziqe të reja dhe pasoja të paparashikueshme.
Sulmi kundër Rexhep Qoses dhe Institutit Albanologjik, nuk do të ndalet me kaq, për shkak se në Kosovë, në mënyrë perfide po restaurohen segmente të praktikave të policisë sekrete serbe, të dirigjuara me mjeshtëri nga Beogradi.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …