Takimi letrar “Flasim për Kadarenë” në komunën e Ferizajt

Në Galerinë e Arteve në Ferizaj u mbajt takimi letrar “Flasim për Kadarenë”, organizuar nga Sektori i Rinisë i DKRS në bashkëpunim me Klubin Letrar “De Rada”. Në këtë aktivitet homazh për Ismail Kadarenë, një prej autorëve më të rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë, morën pjesë nxënës aktivistë dhe studentë. Mbrëmja nisi me një mirëseardhje të ngrohtë nga organizatorët e aktivitetit, duke theksuar rëndësinë e takimeve të tilla dedikuar gjigantëve të letërsisë dhe kulturës sonë si Kadare, veprat e të cilit jo vetëm kanë formësuar letërsinë shqipe, por kanë fituar edhe vlerësim ndërkombëtar. Më tej, ambienti i galerisë u kthye në një skenë eksplorimi intelektual dhe artistik. Krijuesit e shquar ferizajas Mustafë Xhemaili, Kemajl Aliu, Xheladin Rexhepi dhe Arsim Hamiti sollën këndvështrimet dhe njohuritë e tyre unike në segmente të ndryshme të krijimtarisë së gjerë të Kadaresë. Krahas diskutimit të veprave të hershme të Kadaresë, eksplorimit të temave të kujtesës historike dhe identitetit kombëtar, risemantizimit të miteve dhe folklorit, folësit diskutuan edhe segmente të tjera prozës dhe eseistikes të Kadaresë. Gjatë gjithë mbrëmjes, diskutimet u ndërthurën me leximin e poezive të zgjedhura të Kadaresë nga nxënësit dhe studentët pjesëmarrës. Në përmbyllje të mbrëmjes letrare, përgjegjësja e Sektorit të Rinisë, znj. Dashurije Ahmeti shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar rëndësinë e tubimeve të tilla kulturore në nxitjen e kuptimit dhe vlerësimit më të thellë të letërsisë.

Kontrolloni gjithashtu

Përkujtohet fillimi i luftimeve për Rahovecin

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, me bashkëpunëtor dhe qytetarë të shumtë, te Muri …