Brickos

Ahmet Qeriqi: Shënimi që nga pikëllimi nuk arrita ta lexoj në varrimin e Agim Lecit

Të hënën, më 15 janar 2024, pikërisht në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, Gjykata Speciale i fillon seancat gjyqësore të vitit 2024, në Hagë

Të hënën, më 15 janar 2024, pikërisht në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, Gjykata Speciale kundër UÇK-së  e ka zgjedhur si datë për të filluar  seancat gjyqësore të  vitit 2024 në gjykimin kundër: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në këtë çështje gjyqësore deri më tani janë dëgjuar gjithsej 38 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të kësaj gjykate. Në njoftimin javor që u publikua u tha se trupi gjykues ka pranuar pjesërisht kërkesa e Zyrës së Prokurorit,  që të pranohen si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera. Po ashtu, edhe katër seanca që janë paraparë për muajin shkurt në këtë çështje gjyqësore, janë anuluar. Prokuroria qysh më 30 shtator të vitit 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Mund të jetë edhe rastësi zgjedhja e kësaj datë, por kjo përkujton njërën ndër masakrat më antinjerëzore që i kishte kryer  kundër popullatës shqiptare të Kosovës deri në atë kohë regjimi kriminal i Millosheviqit. Pikërisht kjo masakër e policisë dhe Ushtrisë së Serbisë, kundër popullatës civile shqiptare, bërë që të lëvizë nga vendi diplomacia e “rëndë”, e cila edhe çoi në Konferencën e Rambujesë e më vonë edhe intervenimin e NATO-s kundër makinerisë barbaroide serbe.

Kjo datë, shqiptarëve në përgjithësi dhe neve në  Kosovë në veçanti, na  përkujton tmerrin njerëzor, kur ishte shpërfaqur krimi i shëmtuar serb mbi viktimat duke iu gjymtuar trupat të vrarëve, duke u hequr organet, duke u prerë kafkat, duke u nxjerrë sytë dhe duke i përdhosur, mizorisht, shtazarakisht, barbarisht.

Pikërisht në këtë përvjetor, kur bota e qytetëruar dhe humane përkujton mizoritë e satanizmit, në Hagë fillon seanca  e parë gjyqësore e këtij viti, kundër krerëve të UÇK-së, kundër atyre që kanë luftuar barbarinë e tillë, madje suke i akuzuar për krime lufte çlirimtarët, dhe jo barbarët serbë të Millosheviqit.

Kjo datë edhe nëse është fare një koincidencë, dhe e tillë nuk do të duhej të ishte, na bën me dije qëllimet dhe pretendimet politike të Gjykatës Speciale, e cila vazhdon gjykimin kundër çlirimtarëve.

Më 15 janar të vitit 1999, në mbrojtje të popullatës civile kanë rënë  nëntë dëshmorë, bashkëluftëtarët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe shumë të tjerëve.

Më 15 janar, në Reçak,  në përpjekje për ta mbrojtur popullatën e rrezikuar në mënyrë fatale nga barbarët serbë kanë rënë dëshmorë, luftëtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Neredimës:  Ali Beqa nga Pusteniku i Kaçnikut, Ismail Luma nga Kraishta e Lypjanit,  Mehmet Mustafa,  Shaqir Berisha,  Kadri Syla, Enver Rashiti, të gjithë nga Reçaku, Skënder Çarri nga Graiçevci, Nazim Kokallari nga Budakova dhe Sadik Mujota nga Mallapolci. Me rastin e rënies së Sadik Mujotës është vrarë  edhe bija e tij Hanëmshaheja 16-vjeçare.  Janë shpallur dëshmorë edhe të rënët e asaj dite: Hasan Bilalli, Sadik Osmani, Nexhat Ramadani dhe Ragip Bajrami.

Më 15 janar të vitit 1999, në  Reçak të Shtimes, serbët vranë e masakruan 45 civilë shqiptarë. Atë ditë forcat ushtarake e policore serbe pasi kishin zënë dhe i kishin arrestuar banorët e fshatit kishin filluar edhe likuidimin dhe masakrimin mizor të tyre.  Atë ditë në Reçak u vranë dhe masakruan barbarisht:  Banush Azemi, Ragip Bajrami, Halim Beqiri, Rizah Beqiri, Zenel Beqiri, Lutfi Bilalli, Ajet Emini, Bujar Hajrizi, Myfail Hajrizi, Skënder Halili, Haqif Hysena, Hajriz Ibrahimi, Hakip Imeri, Murtez Imeri, Nazmi Imeri, Mehë Ismajli, Muhamet Ismaji, Ahmet Jakupi, Eshref Jakupi, Hajriz Jakupi, Mehmet Jakupi, Xhelal Jakupi, Jashar Jashari, Raif Jashari, Shukri Jashari, Fatmir Limani, Nexhat Limani, Salih Limani, Bajram Mehmeti, Hanumshahe Mehmeti, Arif Metushi, Haki Metushi, Ahmet Mustafa, Asllan Mustafa, Muhamet Mustafa, Sadik Osmani, Jashar Salihu, Shukri Salihu, Bajrush Shabani Ahmet Smajli, Sheremet Syla, Shyqëri Syla, Bajram Xheladini, Njazi Zymeri.

Ja pra cilën ditë ka zgjedhur Gjykata Speciale për të rifilluar seancat gjyqësore, me qëllim  për ta dënuar e damkosur luftën e shenjtë çlirimtare, luftën kundër barbarisë më mizore të kohës, duke i akuzuar për krime lufte, viktimat,  jo xhelatët, që shëtisin lirshëm kudo në  Serbi dhe në vendet e Evropës e botës.

Ja cila është drejtësia e kësaj gjykate, qoftë edhe vetëm për këtë ta quajmë koincidencë, ashtu sikur ishte dhe 17 shkurti i vitit ë kaluar, që shënonte Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dhe ditë të tjera të rëndësishme të kalendarit tonë kombëtar.

Çuditërisht për këto farë koincidencash nuk kanë reaguar as avokatët, ( të paktën jo deri tani) të cilët do të duhej  t’ iu përkujtonin prokurorëve e gjykatësve, se në kulturën e qytetërimit njerëzor, në kulturën e popujve të vuajtur e të shtypur, ka data përkujtimi, ka data dhembjeje, pikëllimi e reflektimi, të cilat janë përfillur dhe përfillen kudo ku ka, humanizëm, demokraci të vërtetë, respekt për viktimat, respekt për hyjnoren, të shenjtën e njerëzoren.

Më 15 janar, Reçaku dhe tërë Kosova liridashëse ka ditë përkujtimi e reflektimi, ditë dhembjeje e krenarie, ditë kur nuk ndahen dot dëshmorët e martirët, por përkujtohen e nderohen të gjithë tok, edhe pse gjithnjë ka pasur e do të ketë pretendime të disa kaskaderëve e kaskadereve politike, që të përkujtojnë të masakruarit dhe të anashkalojnë ata, që ranë në mbrojtje të tyre, ata  bënë aq sa kishin pasur forcë e mundësi për të luftuar e qëndruar.

Të hënën në Reçak shkojnë tërë prepotencë e mujshari, kryeparët e institucioneve, ata më të zëshmit, shkojnë për ta dënuar për të satën herë Serbinë,  që ka kryer krim e gjenocid  dhe me të cilën po mundohen të arrijnë marrëveshje të paqes. Shkojnë për t’ i mbushur bateritë me patriotizëm, për të mbajtur  fjalime dhe për të përkujtuar martirët, jo duke u përmendur  emrat e mbiemrat,  sepse janë shumë dhe nuk u mjafton koha, jo për të përkujtuar bashkëluftëtarët e nëntë  dëshmorëve të krerëve  e UÇK-së, që po gjykohen në Hagë, të cilëve janë betuar se nuk do t iu përmendin emrat as mbiemrat, sepse këtë nuk e duron dot “namuzi” i tyre politik, nuk e duron kredoja inat-zezë dhe shpirti i tyre skëterrë.

Pavarësisht nga kjo, të hënën të gjitha rrugët e lirisë shpijnë në Reçak. Atje si kurdoherë i gjejnë në  pritje vëllazërore  familjarët dhe të afërmit e dëshmorëve e martirëve. Atje   shkojnë  çlirimtarët, invalidët e veteranët,  atje shkojnë me mendje e zemër liri-bërësit dhe liridashësit,  shkojnë bashkëluftëtarë e dëshmorëve dhe martirëve dhe e përkujtojnë luftën e lavdishme, heroike e fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe kësaj radhe, në këtë 25-vjetor, në Reçak do të mungojnë fizikisht më meritorët e çlirimit dhe të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Mungojnë:  Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi Rexhep Selimi, si dhe Salih Mustafa, Pjetër Shala, Haxhi Shala, Isni Kilaj e të tjerë.

Ata  mungojnë në Reçak,  por jo në Hagë, ku po e mbrojnë dinjitetin, të cilin  po mundohen ta nëpërkëmbin forcat e territ, në emër të një drejtësie, e cila luftën tonë çlirimtare dhe krerët e saj, po përpiqet t’ i etiketojë  si kriminelë.

Ahmet Qeriqi

  1. 1. 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ka disa vite që veprimtari i orëve të para për Pavarësinë e Kosovës, ish i …