Tefta Cani

Tefta Cani: Një historik i përmbledhur i përdorimit të teksteve shkollore të Shqipërisë në Kosovë e në viset e tjera shqiptare

NJË HISTORIK I PËRMBLEDHUR TË PËRDORIMIT TË TEKSTEVE SHKOLLORE TË SHQIPËRISË NË KOSOVË E VISET E TJERA SHQIPTARE.

Që gjatë Rilindjes Kombëtare janë shkëmbyer fshehurazi Abetaret e Shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqip të Stambollit e krijuar më 1879 dhe Shoqëria “Dituria” e Bukureshtit e krijuar më 1889. Me ato Abetare mësohej fshehurazi të flitej e shkruhej gjuha shqipe nga shqiptarët nëpër shtëpi, xhami e kisha.

Në vitet e pushtimit fashist e nazist 1939-1944 të gjithë shkollat shqiptare të Shqipërisë natyrale kanë përdorur të njejtat tekste shqipe në të gjithë sistemin arsimor. Mitrovica e Veriut atëhere banohej nga shqiptar. Në vitet ’90-të Milosheviçi shpërnguli me dhunë shqiptarët dhe vendosi paramilitarë serb, duke ua grabitur shtëpitë e pronat shqiptarëve. Janë pikërisht këta serbë që i sjellin shqetësime Kosovës dhe që duhen larguar.

Në vitet 1945-1948, sipas kërkesave, që i janë bërë ish-kryeministrit të Shqipërisë të atyre viteve,  Enver Hoxhës, janë dërguar 300 mësues, si dhe tekste shkollore në Kosove e në Luginën e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës dhe në viset shqiptare të Maqedonisë. Disa mësues qëndruan atje dhe pjesa më e madhe u kthyen me prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi.

Në vitin 1968 kur u hap Universiteti i Prishtinës ka marrë pjesë një delegacion i Universitetit të Tiranës me rektor prof. Jorgji Sota në inagurimin e Universitetit në Kosovë, si dhe është nënëshkruar Marrëveshja e Protokolli i parë i bashkëpunimit midis dy Universiteteve, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Prishtines nga rektori Jorgji Sota dhe rektori Dervis Roxhaja. Këto Marrëveshje e Protokolle nënëshkruheshin çdo vit nga dy rektorët e dy Universiteteve. Pedagogët e Universitetit të Tiranës e të Instituteve të Larta të Shqipërisë deri në mars të vitit 1981 zhvillonin 80% të programit në Universitetin e Prishtinës e të Instituteve të Larta si dhënie leksionesh e zhvillim seminaresh, marrje në provim e udhëheqje dipllomash, udhëheqje doktoranturash. Në Fakultetin e Xehtarisë kishin vetëm një pedagog, Munir Dushin dhe të gjitha lëndët i jepnin pedagogët e UT. Çdo ditë çonim e merrnim pedagogët tanë në Prishtinë. Pedagogët e Shqipërisë priteshin me shumë entusiazëm nga studentët e Kosovës. Këta pedagog i prisnin edhe Pajazit Nushi e Ymer Jaka.  Ky bashkëpunim vazhdoi deri kur shpërthyen demonstratat e studentëve e të popullsis shqiptare të Kosovës më kërkesën “Kosova Republikë”, “Republikë Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë” dhe u mbyllën Universiteti i Prishtinë e Institutet e Larta, si dhe shkollat e tjera.

Atëhere hapëm në RTVSH një emision me studentë, për të ndihmuar studentët në Kosovë, ku pedagogët tanë jepnin leksione e zhvillonin seminare, sipas një programi të caktuar.

Nga viti 1969 e deri në mars të vitit 1981 i gjithë sistemi arsimor në Kosove e Viset e tjera shqiptare nga arsimi parashkollor e deri në shkollat e larta mësonin me tekstet të shkollave të Shqipërisë. Vinte çdo vit drejtori i Entit Botues “Rilindja” Rexhep Zogaj, që e kam pritur disa herë, merrte një kontigjent të caktuar tekstesh në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe në Shtëpinë Botuese të Librit Universitar dhe, pasi u hiqnin politizimet, i ribotonin dhe i shpërndanin e përdornin në të gjithë sistemin arsimor në Kosovë e viset e tjera shqiptare përtej kufirit.

Në takimin, që ka bërë ambasadori i Shqipërisë, Sokrat Plaka me Fadil Hoxhën me rastin e festës së çlirimit të RFSJ me 29 nëntor 1980, Fadil Hoxha i ka thënë:”Vizita e ministres Tefta Cami në Kosovë në tetor të këtij viti ka qenë e suksesëshme dhe nga Prishtina na ka ardhur në Beograd një raport i mirë për atë vizitë”. Pastaj ka vazhduar: “Marrëdhëniet në fushën e arsimit e kulturës dhe sporteve si dhe të shkencave albanalogjike kanë ndikuar në ringritjen e ndërgjegjes kombëtare të brezit të ri. Atë që bën Ministria e Arsimit dhe Kulturës kemi nevojë ta bëjnë edhe ministritë e tjera të Shqipërisë”. Në ato vite shkolla kishte karakter kombëtar. Të suksesëshme e vlerësuan vizitën time në Kosovë edhe Enver Hoxha e Mehmet Shehu.

Gjatë demonstratave Beogradi mbylli me dhunë të gjitha shkollat, dogji të gjitha tekstet shkollore e botimet në gjuhën shqipe deri edhe botimet e akademikëve e shkrimtarëve shqiptar si botimet e Çabejt, Poradecit, Kadares, Driteroit, Arben Putos e Luan Omarit etj, si në mesjetë. Burgosi qindra të rinj e të reja. Disllokoi gjithë ushtrinë në Kosovë dhe gjatë gjithë kufirit me Shqipërinë. Beogradi akuzoi Shqipërinë për demonstradat e Kosovës, ku m’u lakua edhe emri im për prejardhjen nacionaliste në shtypin e Beogradit, sepse kisha qenë për vizitë në Kosovë 3 muaj para se të shpërthenin demonstratat.

Lidhur me tekstet e abetareve kam bërë një studim para disa vitesh, që është botuar në revistën e Kurikulave, kur ishte drejtoreshë e atij Instituti

znj.Mimoza Gjokutaj dhe e kam takuar e i kam dhënë mendimet e mija për abetaren, që kishin hartuar znj.Mimoza e z.Shezai Rrokaj. Në atë studim evidentova, se kishte disa tekste abetaresh të hartuara sipas principeve të gjuhëve neolatine, që gjuha shqipe nuk përfshihet në grupin e gjuhëve neolatine dhe për rrjedhojë nga vëzhgimet del që nxënësit që kanë mësuar me ato abetare nuk e mësojnë alfabetin, nuk i artikulojnë qartë tingujt e fjalët dhe shkruajnë keq e me gabime. Në atë shkrim, pasi studjova edhe programet e tekstet alternative të gjuhës shqipe e të historisë për shkollën 9-vjeçare kam nxjerrë si përfundim që të mos ketë tekste alternative për programet e tekstet e albanalogjisë në të gjithë sistemin arsimor.

Në vitet që isha ministre, programin e tekstin e Abetares të autorit Kol Xhumari e kemi analizuar e shqyrtuar në Kolegjumin e MAK, ku përveç anëtarëve të kolegjumit, merrnin pjesë disa mësuese më të mira të klasës së parë, autori Kol Xhumari dhe disa nga korifejte e gjuhësisë si Eqerem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi, të cilët shprehën mendime pozitive për programin e tekstin e Abetares, sepse i përmbahej principeve të gjuhës shqipe, si një gjuhë e veçantë në grupin e gjuhëve indoeuropiane dhe se nxënësit mësojnë alfabetin, mësojnë të artikulojnë qartë tingujt e alfabetit dhe të shkruajnë bukur gjuhën shqipe. Këtë tekst  të rinovuar të Abetares të Kol Xhumarit e kam gjetur këtë vit tek libërshitësi në Pogradec, gjuhëtari z.Agron Dalipaj, që ishte e vetmja stendë me libra gjatë rrugës nga Hotel Enkeleda deri në Tushemisht, por që e shqetësonte policia.

Konkluzion: Bashkëpunimi me Kosovën e viset e tjera shqiptare për përdorimin e përbashkët të teksteve nuk fillon këtë vit me një abetare, por prej shumë vitesh mëse 80 e më shumë vite.

Në Simpoziumin e gjuhës shqipe për diskutimin e projektit të drejtëshkrimit të gjuhës shqipe, akademiku Ali Hadri është shprehur: “Një komb, një gjuhë!” Kjo devizë ka përshkuar gjithë Kongresin e Drejtëshkrimit të vitit 1972.

Ju uroj të gjithë nxënësve e mësuesve: Gëzuar Vitin e Ri Shkollor!

Tefta Cami,ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës

Tiranë, më 29 gusht, 2022

 

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …