Kryetari, Hashim Thaçi, bëri homazhe pranë varrit të simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Bac Adem Demaçit. Duke folur për jetën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, kryetari, Hashim Thaçi theksoi se Adem Demaçi dha gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për çka shtoi se sakrifica e tij është sinonim i lirisë së Kosovës dhe motivi për të gjithë që sot janë të lirë dhe të pavarur. Jam sot këtu për të nderuar dhe respektuar simbolin e rezistencës kombëtare, emblemën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për të nderuar jetën, përkushtimin dhe sakrificën e Adem Demaçit, i cili dha gjithçka për lirinë, pavarësinë e Kosovës dhe bashkim kombëtar. Jeta dhe vepra e Demaçit do jenë gjithmonë simbol, por edhe janë motiv dhe energji për gjithë atë angazhim që na pret edhe në të ardhmen që të jemi pjesë e NATO-së dhe Bashkimit Evropian dhe ruajtjen e raporteve të përjetshme me ShBA-të. Sakrifica e Adem Demaçit është sinonimi i lirisë së Kosovës dhe motivi për të gjithë ne që sot jemi të lirë dhe të pavarur, theksoi kryetari, Hashim Thaçi.
