Treshja: Kurti, Konjufca Osmani po tregon papërgjegjësi, arrogancë e naivitet në kohën kur duhet syçeltësi, vetëpërmbajtje dhe mençuri politike

Sa naiv dhe i papërgjegjshëm duhet të jetë një kryetar partie, në rastin konkret një kryeministër i Kosovës, sikur është Albin Kurti, i cili pa pikë turpi, pa vetëpërmbajtje dhe pa asnjë pikë përgjegjësie e quan naiv, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Të ishte fjala për ndonjë skeç humori, kjo edhe do të mund të pranohej, por në rastin konkret bëhet fjalë për politikën dhe qëndrimin aktual të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku krijohet politika më e fuqishme ndërkombëtare në botë. Kjo arrogancë e mendjelehtësi e Albin Kurtit, në radhë të parë do t’ i kushtojë atij dhe ithtarëve të vet, por në një masë edhe Kosovës, ndërsa i jep favore politikës aktuale në Serbi, e cila i ka përforcuar pozitat e miqësisë me Amerikën, pikërisht sepse Kosova i ka dobësuar dhe po vë në rrezik, jo vetëm humbjen e veriut, edhe ashtu të humbur prej qershorit të vitit 1999, por edhe stabilitetin politik në vend.

Kush duhet t’ i thotë ndal politikës së tillë arrogante e mujshare të një individi ekscentrik, mendjemadh dhe prepotent?

Kjo do të ishte detyrë kryesore e opozitës, sikur Kosova të kishte një opozitë të bashkuar dhe të përgjegjshme për situatën aktuale, tejet kritike. Do të ishte një naivitet i pafalshëm, nëse ndokush në Kosovë mendon se kemi fuqi ushtarake të mbrojmë veriun, duke shpërfillur KFOR-in dhe duke u mbështetur vetëm në Njësitë Speciale të vendit.

Pse askush deri tani nuk i mori seriozisht deklarata e ministrit të Jashtë rus, Sergei Llavrov lidhur me zhvillimet në Kosovë, i cili  ka deklaruar për mediet e vendit  se situata në Kosovë është e papranueshme, e tensionuar dhe shqetësuese. Sjellja ndaj popullatës serbe, e cila këto ditë po proteston kundër marrjes së paligjshme të pushtetit  është shqetësuese,  duke shtuar se NATO është në anën e separatistëve. Sergei Llavrov  nënvizoi se një konflikt po lulëzon në qendër të Evropës, në të njëjtin vend ku në vitin 1999 NATO kreu agresion kundër ish-Jugosllavisë.

Këto fjalë nuk i merr era ashtu sikur pretendon politika aktuale, naive dhe e papërgjegjshme, duke u mbështetur verbërisht në faktin se Rusia nuk guxon ta ndihmojë Serbinë për shkëputjen e veriut, derisa ajo tregon jo vetëm gatishmëri, por pret vetëm momentin kur këtë ta kërkojë Beogradi zyrtar. Dhe në këtë mes më tragjikja qëndron në faktin se  pikërisht në këtë kohë krize, shpërfillen madje edhe përbuzen kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa fyhet e përçmohet vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.(!)

Veprimet e tilla të pamatura të krerëve të Shtetit të Kosovës, nuk janë risi dhe nuk po bëhen për herë të parë. Treshja: Kurti, Konjufca Osmani, kanë ardhur në pushtet me arrogancë, me premtime tejet megalomane dhe me mashtrime ndër më të parealizuarat, që kanë ndodhur ndonjëherë në Kosovën e pas luftës. Dështimet e një pas njëshme të Qeverisë për të përmbushur premtimet, pranimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, për veriun dhe Asociacionin, shpallja e zgjedhjeve në veri nga zonja Vjosa Osmani, në përpjekje për të treguar se ka legjitimitet dhe pushtet, i cili realisht nuk ka ekzistuar as ekziston tani, në katër komunat e vendit,  dërgimi i policisë së Kosovës në komuna ku jeton dhe vepron shumica dërrmuese serbe, përpjekja për të arritur qëllime e përfitime politike  nën Flamurin e KFOR-it dhe EULEX-it, janë treguar dhe po tregohen veprime naive, sepse jo vetëm që nuk po arrihet asnjë sukses, por të gjitha veprimet e tilla të pamatura po i shkojnë përshtati Serbisë, e cila po përfiton nga rasti dhe po paraqitet në pozitën e viktimizuar.

Qeveria e di mirë  se cili është mandati dhe  misioni i KFOR-it në Kosovë,  i mbështetur në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku tërë Kosova trajtohet si vend nën sovranitetin e Serbisë, dhe jo vetëm katër komunat e veriut me shumicë serbe,  ku realisht ka ekzistuar dhe ekziston një qeverisje paralele e kontrolluar nga Beogradi, qysh prej vitit 1999.

Pretendimet për ta shtrirë pushtetin në veri, për të vendosur në krye të komunave me shumicë serbe katër kryetarë shqiptarë, të cilët në zgjedhjet vendore kanë marrë nga 100 apo edhe 500 vota, edhe pse kanë legjitimitet kushtetues, ato na kthejnë në kujtesë kohën kur regjimi i Millosheviqit kishte pezulluar Autonominë e Kosovës në vitet  90-të dhe organizonte “zgjedhjet të lira” me kryetarë serbë, në komunat me shumicë shqiptare në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës, të gjithë pa dallim kanë përgjegjësi ta ruajnë vendin, nga një qeverisje e tillë mujshare,  e cila vë në pikëpyetje ardhmërinë e vendit, me mungesë të veprimeve të matura e të përgjegjshme, sidomos në këtë  situatë kritike nëpër të cilën po kalojmë. Kosova është e të gjithëve dhe jo vetëm e militantëve të Albin Kurtit, apo Vjosa Osmanit.

Ahmet Qeriqi

  1. 5. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …