Tri TV-të e vendit, kryekëput në shërbim të klaneve politike (Koment redaksional i Radio-Kosova e lirë

 


Ndihmesën më të madhe klasës politike të Kosovës ia kanë bërë dhe po ia bëjnë mediumet e papërgjegjshme, që janë vënë nën tutelën partiake, apo qeveritare.
Aktualisht tri TV-të kryesore të vendit janë bërë zëdhënës tejet besnikë të klasës politike dhe qeveritare të vendit.
RTK-ja tashmë po kontrollohet nga Qeveria e Kosovës dhe nga një segment i partive politike, sipas përfaqësimit në bordin e kësaj shtëpie, e cila pretendon të jetë qind për qind e pavarur, por është kryekëput e varur nga UNMIK-u dhe Qeveria.
KTV-ja është tërësisht në shërbim të ORË-s, së Veton Surroi, duke raportuar orë e çast ecjen e tij “të madhe dhe të mundimshme” nëpër fshatrat e braktisura të Kosovës, ndërsa TV 21 ka qenë dhe ka mbetur zëdhënës eksplicit i LDK-së dhe i një segmenti të “Dardanisë” së Dacit.
Duke qenë se qytetarët tanë kryesisht informatat i marrin nga TV-ja, e krejt pak nga shtypi apo radioja, rreth këtyre TV-ve janë veshur dhe janë ngjeshur edhe politikat e caktuara vendore e ndërkombëtare. Nuk duhet të jesh ndonjë analist i thellë i problematikës shoqërore, apo politike, për të kuptuar sesi e orientojnë politikën ditore këto tri TV, si e degjenerojnë rininë, si e afishojnë lakuriqësinë dhe si e përdhosin moralin publik. Mjafton të hapesh ekranin dhe është krejtësisht e pamundur të shikosh qoftë edhe dy apo tre minuta dhe të mos afishohet ndonjë “kërthizë-jashtë”, ndonjë porno pamje, ndonjë banalitet gjuhësor, apo ndonjë këngë majmune me “hoj-hoj e haj-haj”, përkthyer nga gjuha rome, serbe, greke apo turke

Mjerisht, publiku ynë inert dhe indolent e shikon edhe pa dashur këtë bizaritet, të krijuar nergut për një qëllim të caktuar dhe shumë të sofistikuar nga drejtuesit e këtyre tri TV-ve, krejtësisht të varura dhe krejtësisht në funksion të deformimit të moralit kombëtar dhe njerëzor.
Nuk ka vend në këto televizione qoftë edhe për një emision fetar, pedagogjik apo kombëtar. Dhe natyrisht nuk mund të ketë emisione të tilla, sepse lufta që bëjnë këto TV, me qëllim për ta krijuar “njeriun e ri kosovar”, multietnik, është alfa dhe omega e orientimit të tyre dhe pikërisht për këtë edhe mbështeten financiarisht, jo vetëm nga donatorët e huaj por edhe nga buxheti i Kosovës. Pikërisht për këtë, për çdo ditë tri TV-të e Kosovës shfaqin seriale amorale, perverse dhe kundër-qytetëruese.

Përmbajtjet programore të tri TV-ve

Përmbajtjet programore të tri TV-ve më të shikuara të vendit tonë, anashkalojnë temat e kulturës dhe moralit tradicional, anashkalojnë muzikën autentike burimore, popullore, anashkalojnë temat sociale dhe problemet e mprehura politike, ekonomike e shoqërore, lënë anash një gamë të tërë të përmbajtjeve të spektrit kombëtar, nuk shfaqin filma edukativë, apo të tillë me tematikë serioze shkencore,historike. Edhe nëse shfaqin ndonjë film për luftën e UÇK-së, në ndonjë përvjetor të rëndësishëm, sajuesit e përmbajtjeve programore përkujdesen, që luftëtarët e UÇK-së t’i paraqesin duke marshuar, duke marrë pjesë në tubime por jo duke luftuar, apo duke ndërmarrë ndonjë aksion kundër policisë dhe ushtrisë okupatore serbe. Përmbajtjet programore të tri TV-ve janë kryekëput multietnike, krejtësisht përmbajtje në funksion të politikave dhe klaneve të zeza të profiterisë. Nuk respektohet gjuha letrare, për më tepër ajo përdhoset në çdo kohë, me fjalë e zhargone rrugaçërie dhe me shprehje banale.
Gazetarët, shumica syresh nuk e njohin profesionin, por janë të pranueshëm dhe arrijnë të zënë punë në këto TV, nëse kanë vath në vesh, nëse janë të përdalë dhe të pacipë, nëse e njohin anglishten, serbishten e ndonjë gjuhë tjetër multietnike.
Gjendja që mbretëron në tri TV-të tona, me dallime të vogla nga njëra tjetra sa i përket qasjes së realitetit dhe shoqërisë në përgjithësi, është kryekëput e kurdisur në shërbim të politikës pacifiste, multietnike, në drejtim të krijimit të njeriut të ri, të kosovarit të ri multietnik, i cili nuk njeh komb, fe, traditë, familje dhe nuk respekton asnjë normë morale tradicionale.
RTK-ja, si shtëpi informative publike që është, dhe e cila plaçkit çdo shtëpi shqiptare në Kosovë me nga 40 euro në vit, përmes faturave të rrymës, nuk prezanton aktivitetet kulturore e kombëtare, që nuk i shkojnë për shtati politikës së Grupit të Unitetit. Jo vetëm që nuk organizon debate të tilla ku ballafaqohen mendimet dhe opinionet e kundërta, por as i përcjellë ato. RTK-ja as dy TV-të e tjera nuk regjistrojnë aktivitetet në përkujtim të veprave të dëshmorëve, nuk marrin pjesë në përurimin e librave për dëshmorët. Ndodh që marrin pjesë në ndonjë akademi duke qenë paraprakisht të porositur, apo të korruptuar, sikur ndodh në disa aktivitete të disa akademive, të ashtuquajtura politike, të organizuara nergut për t’u afishuar para opinionit. Dhe kur ndodh, që rastësisht të mos arrihet ujdia e tillë, atëherë akademia shtyhet në afat të pacaktuar, ashtu sikur u shty në mënyrë të pandershme dhe të papërgjegjshme, akademia për Ukshin Hotin, vetëm për shkak se nuk do të transmetohej nga RTK-ja.

Asnjë prej tri TV-ve, të vetë cilësuara si publike, nuk mori pjesë në akademinë kushtuar 61-vjetorit të Kongresit të Lipovicës, organizuar nga Departamenti i Kulturës së Kuvendit komunal të Lypjanit, më 25 korrik 2007, ku morën pjesë, jo vetëm shumë familjarë të NDSH-së nga mbarë Kosova e Shqipëria, por edhe drejtues institucionesh, kryetarë komunash, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe intelektualë të mirënjohur.
RTK-ja anashkalon të gjitha aktivitetet kulturore që kanë përmbajtje nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo nga historia dhe tradita jonë historike kombëtare. I Përcjellë vetëm ato që i organizon kohorta qeveritare. Janë tejet të rralla rastet kur përcillet ndonjë aktivitet tjetër, fillimisht i aranzhuar nga organizatori dhe i ujdisur nga ndonjë anëtar bordi apo gazetar i RTK-së, të cilit i shkon fjala.

Përzgjedhjet për debate

Edhe debatet në tri TV-të e Kosovës përshkohen me anime politike partiake. Të pranishëm të përhershëm në këto debate janë ish gazetarët titistë, të cilët trajtohen madje edhe si analistë me “nam”, ndonjëri prej tyre quhet edhe filozof, një tjetër intelektual i pavarur e kështu me radhë.
Në debate ftohen zakonisht: Shkëlzen Maliqi, Baton Haxhiu, Migjen Kelmendi, Dukagjin Gorani, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, njëfarë Nexhmedin Spahiu dhe tërë një pjellë e tillë e trashëgimisë ideologjike të bashkim vëllazërimit të dikurshëm, të pacifizmit LDK-ist apo të multietnicitetit aktual. Këta shprehin mendimet dhe idetë e tyre për problemet kyçe të vendit duke dërdëllitur, duke kritikuar, duke dhënë “mendime dhe ide”, të cilat në esencë sillen e pështillen rreth ish-boshtit, ish edukatës dhe kulturës së tyre projugosllave, aktualisht multietnike. Këta ftojnë shikuesit për t’i iu kërkuar falje serbëve (!) edhe pse ata “pobratimat” e tyre të Beogradit nuk e kanë ndërmend të kërkojnë falje për krimet që kanë kryer sidomos gjatë kohë së luftës së fundit në Kosovë.
Këta dhe të tillët, janë kurdoherë të gatshëm të shtrijnë dorën e pajtimit me ish dhe aktualisht kumbarët e tyre serbë. Andaj edhe janë kurdoherë të pranishëm nëpër tri TV-të, sepse tekefundit këtë e kërkon edhe kreu politik dhe institucional i Kosovës, përndryshe do të kishim një klimë tjetër, krejtësisht realiste dhe shumë më kualitative e më largpamëse në debatet e tilla.
Përse vetëm këta dhe vetëm shqipfolësit nga ky soj ideologjik u dashka të jenë të pranishëm të përhershëm, sidomos në RTK, e cila vazhdimisht vetë reklamohet si publike dhe si qind për qind e pavarur?
Natyrisht se këtë e dinë më së miri drejtuesit e këtyre tri TV-ve, redaktorët e emisioneve të tilla, të cilët po ashtu mbajnë prejardhje nga e njëjta pjellë ideologjike projugosllave. Ata e dinë më së miri edhe përgjigjen në pyetjen: përse nuk ftohen në debate të tilla: Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Albin Kurti, Hydajet Hyseni, ( me ndonjë përjashtim lidhur me ndonjë debat për 81-shin), Nezir Myrtaj, Mehmet Hajrizi, Gëzim Mekuli, dr. Sadri Fetiu, historianët: dr. Muhamet Pirraku, dr. Hakif Bajrami, e shumë njohës të tjerë të thellë të problematikës sonë shoqërore, ekonomike, historike dhe politike. Përzgjedhja e tillë, krejtësisht selektive sa i përket të ftuarve në debatet e tri TV-ve, bëhet në radhë të parë për të mos lejuar shprehjen e mendimit të lirë, për të mos lejuar të shprehin mendimet e tyre, ata që konsiderohen kundërshtarë të procesit politik, nëpër të cilin po kalon vendi. Kjo formë e bunkerizimit të mendimit është trashëgimi e përvojës së gjatë shumëvjeçare komuniste jugosllave, e cila është edhe shkaktarja kryesore e zvarritjes së proceseve politike të çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve.
Tri TV-të e Kosovës dhe disa mediume të tjera të vendit, tashmë janë kthyer në zëdhënës besnikë të politikës, të cilën po e krijon Grupi i Unitetit, i cili vazhdon avazin e bisedimeve pa fund dhe pa krye me Beogradin, për të pranuar më në fund një kompromis të turpshëm, kompromis ky i cili mund të eskalojë më një luftë të re në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani: Kryetarja e shkeli Kushtetutën, por mos dekretimi i Blerim Isufajt nuk mund të rrëzohet

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës që do të përmbushet

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i …