Veteranët në marshin e UÇK-së kërkojnë nga Specialja lirimin e strategëve të lirisë

Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të veshur me uniforma të UÇK-së, kanë marshuar nëpër sheshet e kryeqytetit, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ata kanë theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se ish-drejtuesit e saj po përballen padrejtësisht me procesin gjyqësor në Hagë. Sipas tyre, shpresa mbetet që ata të kthehen sa më shpejt në Kosovë.

Komandanti i Zonës së Pestë Operative Llap-Gollak, Islam Kelmendi, ka thënë se uniforma e UÇK-së mbetet simbol i shenjtë për luftëtarët dhe se çdo paraqitje me të zgjon emocione të kohës së luftës.

“Uniforma jonë, e cila është prezantuar më 28 nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës, edhe sot zgjon të njëjtat emocione. Është diçka e shenjtë për ne. Na ka munguar për një kohë rreshtimi, sot e kemi dhe e bëjmë me krenari. Është e vështirë të mbahet uniforma, por krenaria është mbi gjithçka. Amaneti i shokëve është që të shkojmë deri në fund, deri te ushtari i fundit”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se veteranët e UÇK-së iu bashkuan marshit në shenjë përkujtimi të sakrificës së dëshmorëve dhe familjeve që kontribuuan për lirinë e vendit.

“I falënderoj veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që iu bashkuan marshit të sotëm. Kemi bërë një marsh në shenjë përkujtimi të sakrificës së madhe të UÇK-së, dëshmorëve dhe familjeve që kontribuuan për lirinë. Urime 11 Qershori, Dita e Çlirimit të kryeqytetit! Lavdi dëshmorëve dhe familjeve të tyre”, ka thënë Rama.

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj kërkon nga qeveria e ardhshme që “pika e parë” të jetë gazi amerikan dhe termocentrali i ri

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Daut Haradinaj ka deklaruar se kushdo që e …