Vetëvendosje

Vetëvendosja është e vetmja parti shqiptare që ka doktrinë politike, ideologjike dhe e cila mund t’ i “indoktrinojë” masat

Vetëvendosja është e vetmja parti shqiptare që ka doktrinë politike, ideologjike dhe e cila “indoktrinon” masat. Partitë e tjera, mirë apo keq, nuk  udhëhiqen nga asnjë doktrinë e caktuar ideologjike, politike, meqë ato nuk synojnë të krijojnë diçka më shumë apo më ndryshe, pos të vazhdojnë status-quonë e sistemit, por  dhe ato përpiqen të bindin elektoratin për t i votuar, jo mbi parime ideologjike, as të ndonjë doktrine të caktuar, por vetëm mbi ato që quhen parime të demokracisë, sistem pluralist politik, premtimet e shumta të deklamuara para votuesve dhe gjithnjë pa mbulesë.

Ky është dallimi pse Vetëvendosja rritet e zgjerohet, ndërsa partitë e tjera herë rriten, herë tkurren, sepse  sado që premtojnë mirëqenie ekonomike, vetë sistemi i kufizon mundësitë e asaj mirëqenieje.

Indoktrinimi është procesi i ngulitjes së ideve të një personi, si qëndrime, strategji njohëse ose metodologji profesionale. Njerëzit si qenie shoqërore janë  formuar në mënyrë të pashmangshme nga konteksti kulturor, dhe kështu një shkallë indoktrinimi është implicite. Si i tillë termi mund të përdoret në mënyrë pezhorative, shpesh në kontekstin e mendimeve politike, dogmës fetare ose asaj antifetare.

 

Fjala doktrinë erdhi në formën e saj të parë në vitin 1620 si endoktrinat, që do të thotë të mësosh ose të udhëzosh dhe u modelua në kuptimin e ngulitjes me një ideje ose mendimi.

Termi është i lidhur ngushtë me rendin shoqëror socialist dhe aktualisht në ligjërimin e përbashkët, indoktrinimi shpesh shoqërohet me konotacion negativ. Çështjet e doktrinës (dhe indoktrinimit) kanë qenë të diskutueshme dhe përçarëse në shoqërinë njerëzore që datojnë që nga antikiteti. Shprehja që i atribuohet Lucretius Titit i cili  në shekullin e parë të epokës sonë ka thënë: qui ali cibus est aliis fuat acre venenum (ajo çfarë është ushqim për një palë, për të tjerët është helm i hidhur).  Në kuptimin e gjuhës latine indoktrinimi është një grup global konceptesh teorike të mësuara si të vërteta të pakontestueshme dhe të pranuara a priori nga një autor ose një grup autorësh. Indoktrinimi ka  dimension ideologjik, politik, ligjor, ekonomik, fetar, filozofik, shkencor, shoqëror, ushtarake etj.

Vetëvendosja, ka krijuar  doktrinën e vet mbi baza të filozofisë marksiste, e cila për gati dy shekuj ka mbijetuar dhe po mbijeton, jo në programin autentik, burimor, por në revizionim të pikëpamjeve, në liberalizim të qëndrimeve dhe në bashkëjetesë me ideologjinë kapitaliste. Shembulli i Kinës është treguesi më i mirë i mbijetesës së doktrinës marksiste, mbi bazën e filozofisë tashmë tradicionale, gjithnjë duke u reformuar nga brenda, në pajtim  me zhvillimin dhe konkurrencën ekonomike në botë.

Doktrinën e vetë politike, Albin Kurti e ka konceptuar në kushte dhe rrethana  ekzistuese të zhvillimeve në vend. Sipas doktrinës së tij, të gjitha qeveritë e pas luftës kanë qenë të korruptuara dhe asnjëra prej tyre nuk ka punuar në interes të vendit. Ai nuk flet as edhe për një të arritur të vetme, meqë përjashton kategorikisht çdo të arritur politike, diplomatike, shoqërore, ekonomike në Kosovë e më gjerë. Duke i qëndruar besnik këtij koncepti ai ka arritur të përhapë porosinë e internacionales pa e përmendur atë, por duke e manifestuar në çdo çast.

Botën mizore ne do ta shkatërrojmë,

Që nga themeli dhe pastaj,

Për veten tonë  do ta ndërtojmë

Botën e re në vend të saj.

Kjo strofë e internacionales paraqet doktrinën e Albin Kurtit dhe të disa eksponentëve të Vetëvendosjes, por jo edhe të anëtarësisë së gjerë, e cila as e ka kuptuar as e kupton këtë mënyrë të veprimit teorik, i cili në kushte dhe rrethana të kohës së sotme, nuk mund të zbatohet, vetëm me fitore në zgjedhje, sepse Kosova ka përqafuar sistemin shumë partiak dhe demokracinë kapitaliste liberale e neoliberale dhe tekefundit është Amerika ajo,  e cila nuk e pranon rreshtimin ndryshe.

Injorimi që u bëhet të gjitha të arriturave në Kosovë,  madje edhe disa  të arriturave historike kolosale, vë në pikëpyetje vetë doktrinën, pasi është vështirë të mbyllësh sytë dhe të mos shohësh e të mos kuptosh, apo “a priori” ta mohosh gjendjen  ku ka qenë Kosova, në qershor të vitit 1999 dhe ku është sot ekonomikisht, politikisht e ndërkombëtarisht.  Ka disa shpirtzi  që e thonë hapur se Kosova më mirë ka qenë në kohën e Milosheviqit sesa tani, për kohën e Titos po se po.

Përkrahësit e doktrinës së Vetëvendosjes mohojnë të arriturat në ndërtimin e rrugëve madje edhe të autostradave, ndërtimin e qindra lokaliteteve, fabrikave private,  shkollave, ambulancave e spitaleve, asfaltimin e të gjitha rrugëve të fshatrave, madje vende-vende edhe të gjitha rrugët e lagjeve të këtyre fshatrave.

Vetëvendosja në doktrinën e saj politike e strategjike ka krijuar mendësinë se të gjithë zyrtarët e institucioneve janë të korruptuar duke përjashtuar po ashtu kategorikisht  mundësinë  tjetër, që të jetë i korruptuar qoftë edhe një anëtar i vetëm  i Vetëvendosjes, duke u mbështetur në faktin se ajo asnjëherë nuk ka pasur pushtet, përveç atyre  50 ditëve të vjeshtës së vitit 2020.

Vetëvendosja,  fillimisht, derisa identifikohej si Lëvizje  nuk i ka njohur as institucionet e Kosovës, të cilat edhe i ka sulmuar në raste të protestave të shumta.

Ajo i ka injoruar dhe i injoron të gjitha të arriturat e pas luftës.

Në fushatën e tanishme për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, ajo mbështet fuqishëm doktrinën  se krejt e kaluara qeveritare, të gjitha të arriturat kanë qenë zero dhe pasi ajo ta fitojë pushtetin me votën popullore, do ta përmbysë klasën e vjetër reaksionare e të korruptuar dhe do të hakmerret duke ndjekur penalisht  të gjithë ata,  për të cilët pretendohet se janë pasuruar jashtëligjshëm, përveç atyre të pasurve e magnatëve të njohur,   që i përkasin apo e kanë ndihmuar dhe e ndihmojnë Vetëvendosjen dhe që dihen me emër e mbiemër.

“Revolucioni popullor” i Albin Kurtit nuk mund të vihet në jetë në asnjë segment sipas porosisë dikur të arsyeshme të internacionales komuniste, sepse ka kaluar më shumë  një shekull prej kohës së Revolucionit të Tetorit, dhe kushtet e rrethanat e sotme në botë  kanë ndryshuar rrënjësisht, madje edhe në atdheun e internacionales dhe të Revolucionit dikur shumë të suksesshëm të Tetorit, në ish Bashkimin Sovjetik, që ishte shembulli, të cilin për afër  një shekull e ndoqën një pjesë e madhe e vendeve të botës.

Doktrina politike mund të ketë sukses për një afat të shkurtër kohor, derisa ajo  të fillojë të ballafaqohet me realitetin 20-vjeçar, që ka mbretëruar dhe mbretëron në vend, pasi ta ketë marrë qeverisjen nëse arrin ta marrë.

Askush në Kosovë, por as Albin Kurti e vetëvendosja nuk mund ta shembin këtë realitet, nuk mund të mos i ngasin veturat qeveritare në rrugët e autostradat që kanë ndërtuar  qeveritë e  kaluara të “korrupsionit”,  por  do të detyrohen të ndërtojnë edhe autostrada të tjera,  që lidhin Serbinë me Kosovën dhe Shqipërinë. Nuk mund të rindërtojë shkolla e spitale të tjera, meqë ato paragjykohet se janë ndërtuar me korrupsion. Nuk mund të mos i vizitojnë monumentet e lirisë, të cilat në pjesën më të madhe të vendit i kanë ndërtuar të “korruptuarit”  e PDK-së AAK-së, LDK-së AKR-së, Nismës, derisa kanë qenë në pushtet. Nuk mund t\i hiqet “lëkura” Kosovës dhe të pritet derisa t’ i dalë një lëkurë tjetër.

Andaj premtimet e Albin Kurtit se pas 14 shkurtit do të fillojë një epokë tjetër, një botë ndryshe janë jetëshkurtëra, janë sikur flaka e kashtës, që merr zjarr përnjëherë, por sapo arrin  në maje shuhet dhe lë pas, vetëm  një blozë të zezë.

RKL

  1. 2. 2021

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: Ndërhyrja në Maqedoni të Veriut, e pamoralshme dhe politikisht e dëmshme

Kurrë nuk ka qenë një situatë më dyfytyrëshe sa i përket të kaluarës së lavdishme …