Tirana

Viktor Malaj: Për “filozofët” bishtpërpjetë, që nuk i lidh asgjë me të vërtetën dhe as me interesat e popullit

Disa “filozofë” lapërdharë që kanë tridhjetë vjet që na japin leksione mbi demokracinë, por që kanë po kaq vjet që na kanë provuar në praktikë se me demokracinë nuk i lidh asgjë, përsërisin herë pas here se “nga opozita nuk i vjen asnjë e keqe vendit”, prandaj ata që kritikojnë opozitën janë thjesht në shërbim të pushtetit dhe antidemokratë. Pohimet e këtyre ideologëve mjaullitës për pushtet nuk i lidh asgjë me të vërtetën dhe as me interesat e popullit.

Është krejtësisht e vërtetë,  që dylbitë e mendjes duhen përqendruar tek pushteti dhe pushtetarët, por është po kaq e vërtetë se ata që presin mbas derës për të ardhur në pushtet duhen kaluar në aparatin e radiografisë mendore e morale përpara se të konsiderohen alternativë e pushtetit.

Të kërkosh zëvendësimin e qeverisjes aktuale (duke përfshirë edhe kryeministrin Rama) me një tjetër më të mirë dhe më të denjë është detyrim moral dhe intelektual ndaj vendit dhe popullit, por të thuash, siç pohonte një ish-ministër (tani pjesë e opozitës), se opozita duhet sjellë në pushtet, edhe në mos qoftë më e mirë, thjesht për rrotacion, kjo do të thotë se opozita duhet sjellë në pushtet, sepse mua nuk më rrihet kaq gjatë në opozitë.

Ashtu si pushtetarët, edhe opozita analizohet dhe vlerësohet lidhur me personalitetin e figurave kryesore të saj, me sjelljen e saj në opozitë dhe me programet që paraqet. Kur figurat kryesore opozitare janë të panjohura dhe, sidomos, të pasprovuara në pushtet, atëherë kriteri i parë nuk duhet konsideruar fort pasi “praktika është kriteri i së vërtetës”.

Mirëpo, kur ke të bësh me të njëjtat figura, të njëjtën mendësi, moral dhe me njerëz që janë provuar disa herë në pushtet dhe po aq herë kanë dështuar, që aq herë sa kanë qeverisur po aq shpesh kanë kryer faje e krime, puna ndryshon rrënjësisht. Të gabosh apo të mos mbash premtimet e bëra është e pranueshme sepse janë shumë faktorë që përcaktojnë produktin e qeverisjes, por që, me vetëdije, të kesh kryer krime që cenojnë parimet themelore të shtetit që pretendon se ti e përfaqëson dhe e drejton më mirë se kundërshtari dhe të mos ndiesh dhe as pranosh kurrfarë përgjegjësie historike, politike dhe as juridike, kjo do të thotë se je i padenjë për të qeverisur dhe se edhe njëqind herë të vihesh në krye po aq herë do t’i përsërisësh gabimet dhe fajet e mëparshme. Të risjellësh në krye të vendit ata që kanë gabuar dhjetëra herë, nuk janë penduar asnjëherë, megjithëse kanë pasur mjaft kohë për t’u ndrequr, do të thotë të bësh vetëvrasje individuale dhe kolektive.

Prandaj “filozofët” e moskritikës ndaj opozitës do të bënin më mirë, për vendin dhe opozitën, që të nxisin dhe punojnë për ndreqjen morale dhe politike të drejtuesve kryesorë të opozitës dhe zëvendësimin e tyre në mënyrë që të kenë të drejtën morale për ta rithirrur në pushtet.

Derrat e kënaqur

Derrat e kënaqur nuk kanë parime dhe as skrupuj. Ata i thërret kënaqësia e barkut dhe i lumturon mbushja e xhepave. Të varfrin e përçmojnë dhe kohën me ngjarjet e saj e vlerësojnë në raport me peshën e atyre që kanë në xhepat e vet. Atdheu i tyre është banka dhe shtëpitë e tyre janë llogaritë bankare që ata zotërojnë. Kur llogaritë e tyre bankare shtohen, banka vetë iu përngjan me parajsën apo shtëpinë e Zotit, edhe nëse aty vjen era kalbësirë morale dhe çnjerëzim.

Kur, Artan Shkreli,  kishte botuar në rrjetet sociale një fotografi të para 50 viteve që paraqiste disa gra fshatare në stërvitje ushtarake dhe këtë e bënte për të ironizuar kohën dhe sistemin e atëhershëm. Jo vetëm Shkrelit por edhe disa Artanëve të tjerë që janë satelitë të Kryeministrit aktual iu duket krenari tallja me shumë fenomene të dikurshme, fenomene që s’ishin karakteristike vetëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por edhe për shumicën e vendeve të botës perëndimore dhe lindore dhe që ishin të imponuara nga rrethanat ndërkombëtare.

Kritikave të disa ndjekësve të tij ai iu përgjigj: Të gjithë prodhuesve të marrëzive intelektuale dhe të gogësimave morale të sotme, nëse iu kundërvihesh, iu vjen në ndihmë referimi ndaj monizmit si justifikim dhe “provë” se ata kanë të drejtë. Unë kam njohur njerëz që janë helmuar, sëmurur dhe lënguar edhe duke ngrënë mjaltë, pasi kishin ngrënë më shumë se ç’i takonte stomakut të tyre. Përgatitja për mbrojtje dhe stërvitjet ushtarake kanë qenë dhe janë pjesë e veprimtarisë së çdo shteti dhe populli serioz. Në kushtet e ekzistencës së Luftës së Ftohtë, kur vende të tjera si Korea, Vietnami, Kamboxhia, Hungaria, Çekosllovakia etj. sulmoheshin, pushtoheshin, vriteshin e digjeshin me napalm me pretekste e mashtrime nga të fuqishmit e globit, kur këta të fuqishëm përgatisnin e hidhnin nga ajri dhe toka qindra terroristë e vegla mjerane të sundimit rajonal e global, përgatitja e ushtrisë dhe e popullit për një luftë të mundshme ka qenë ndër gjërat më të arsyeshme dhe të dhimbshme. Unë nuk besoj se shtete të tillë si Zvicra, Suedia, Izraeli, Korea e Jugut etj. që zhvillojnë stërvitje ushtarake dhe fortifikime, edhe sot, të jenë të infektuar nga “helmi i monizmit”.

Ka qenë dhe mbetet më e arsyeshme, e ndershme dhe atdhetare të stërvitesh për mbrojtjen e vendit tënd sesa të shkosh si mercenar dhe të lësh kokën nëpër shkretëtirat e Azisë për t’iu shërbyer interesave të oligarkisë finaciare dhe industriale botërore, siç ndodh sot me jo pak shqiptarë. Janë kjo skotë intelektualësh “iluministë” që para pak vitesh shpreheshin se “Do ta kisha pasur për nder të isha ministër në qeveritë kolaboracioniste gjatë Luftës së Dytë Botërore” ose “Si ata që luftuan pushtuesit nazifashistë, ashtu edhe ata që bashkëpunuan me ta, i kanë shërbyer Atdheut në mënyra të ndryshme”. Derrave të kënaqur për shkak të privilegjeve dhe përfitimeve të dyshimta të siguruara nëpërmjet lidhjeve qeveritare iu duket e ulët, e padobishme, e panevojshme dhe e turpshme të bëje stërvitje dy-javore për të mbrojtur vendin në rast sulmi të mundshëm, por këtyre lloj filozofësh të barkut nuk iu bën përshtypje ose e konsiderojnë normale që mijëra vajza shqiptare kanë mbushur rrugët me drita të kuqe të Perëndimit dhe përdoren si vegla të mjera dhe qënie pa dinjitet në “biznesin” e prostitucionit, që qindra femra të tjera shqiptare merren në punë në vendin e tyre për të bërë kamerieren apo “balerinën” dhe shfrytëzohen nga “bosët e suksesshëm” të kapitalizmit si prostituta, që dhjetëra mijëra shqiptarë kanë mbushur burgjet e vendit dhe ato të Perëndimit të joshur nga trafikimet e drogës, që dhjetëra mijëra të rinj dhe të reja janë të papunë apo sillen të droguar shesheve të qyteteve tona.

E përse t’iu bëjnë përshtypje këto dhe korrupsioni alarmant e dëshpërues i qeverisjeve të radhës kur punët e tyre iu shkojnë si s’ka më mirë, kur ata mund të fitojnë me një tender apo konçesion aq sa marrin ndihmë sociale të gjitha familjet shqiptare së bashku për një vit, ndihmë që s’iu mjafton as për të blerë bukën thatë?! Prandaj derrat e kënaqur stërvitjen ushtarake për të “siguruar stabilitetin” në Azi, ku të parët tanë nuk na kanë lënë asnjë lloj pasurie apo trashëgimie, e konsiderojnë “detyrim demokratik”, ndërsa përgatitjen e djeshme për vendin e vet e përqeshin dhe e quajnë “helm të monizmit”. Nuk kanë faj!

Tregtarët e Atdhetarizmit

Para disa ditësh në doganën shqiptare u ndalua për verifikim një shqiptar i Kosovës sepse emri i tij figuronte në sistemin elektronik ndërkombëtar të personave në kërkim. Pas verifikimeve, qytetari kosovar u la i lirë të hynte në Shqipëri. Menjëherë pas këtij “incidenti” reagoi z. Hysni Gucati, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së duke deklaruar: “Shteti i Shqipërisë duhet ta lirojë sa më parë Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguara në Interpol nga Serbia…”.

Në kohën kur Gucati bënte deklaratën emocionale dhe naive, shtetasi kosovar M. Kastrati ishte duke udhëtuar i lirë drejt plazheve të Shqipërisë. Duke e konsideruar deklaratën e tij si të tillë dhe të prejardhur nga mosdija, duhen vënë në dukje disa gjëra që Guxati dhe kushdo tjetër duhet t’i dijë. Veteranët e UÇK-së nuk e kanë të shkruar në ballë anëtarësinë dhe kontributin e tyre. Serbia shpall në kërkim persona që ndiqen penalisht për vepra kriminale ordinere, por, midis tyre, edhe persona që ai shtet i ndjek politikisht. Shteti shqiptar, ashtu si shumica e shteteve të botës, ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare dhe është shtet anëtar i institucioneve ndërkombëtare që e detyrojnë të respektojë legjislacionin ndërkombëtar edhe lidhur me personat në kërkim. Ndalimi në kufi i personave, emrat e të cilëve figurojnë në sistemin ndërkombëtar përkatës si njerëz në kërkim, është detyrim të cilit asnjë shtet nuk i shmanget dot. Pastaj, pas verifikimeve të nevojshme dhe procedurave përkatëse ligjore, vendoset statusi i personit të ndaluar. Kështu që, thirrja e Gucatit për të mos konsideruar asnjë emër të shpallur në kërkim nga shteti serb është e gabuar.

Nëse thirrjen e z. Guxati mund ta konsiderojmë emocionale dhe naive, qëndrimin e një torollaku shqiptar me emrin Kreshnik Çollaku, të cilin, për shkak të nivelit të mjerë të intelektit dhe karakterit të shtrembër, PD-ja e ka zgjedhur në forumet më të lartë politikë të saj, mund ta konsiderojmë një lajthitje tregtarësh të atdhetarizmit.

Ja çfarë deklarate të padenjë bëri ai në emër të partisë së tij: “Sipas burimeve të sigurta, sot nga policia shqiptare është ndaluar Myrtez Kastrati nga Lipjani, ish-luftëtar i UÇK-së… Ky është një tjetër skandal në nivelin e një turpi kombëtar. Arrestimi i luftëtarëve të UÇK-së nga Tirana zyrtare, për shkak të kërkesave të Serbisë, është një thikë pas shpine Kosovës dhe luftës së saj për çlirim. Tirana zyrtare po kthehet në shërbëtore të rëndomtë të Beogradit “.

Në deklaratën e këtij njeriu qesharak shfaqen sa budallallëku dhe mjerimi moral, aq edhe fodullëku, hipokrizia dhe djallëzia. Çollaku beson se njerëzit që kalojnë në pikat kufitare me Shqipërinë janë si autobotet e naftës në vitet ’90 të cilat ndaloheshin për kontroll, me përjashtim të atyre të Firmës “Shqiponja” të PD-së të cilat kishin shenjën dalluese për t’i bërë të paprekshme.

Dëshira e tij dhe e partisë që përfaqson për t’u shfaqur si atdhetarë të rremë i shndërron në matrapazë të atdhetarizmit. Është kjo arsyeja që kapen pas një rasti të pavërtetë dhe e interpretojnë ndalimin disa minuta për verifikim si një “arrestim”.  Ata që, kur UÇK-ja ishte në ilegalitet apo kur përleshej me pushtuesit serbë, ia burgosnin drejtuesit dhe komandantët e saj në Tiranë, e shpallnin “organizatë terroriste” dhe përcillnin çdo ditë dhjetëra kamionë me naftë drejt shtetit serbo-malazez, tani bëhen “avokatë” të saj, e quajnë ndalimin për verifikim si arrestim, skandal, thikë pas shpine Kosovës, turp kombëtar dhe shërbim ndaj Beogradit.

Këta njerëz të zhveshur nga çdo skrupull moral, qytetarisht të papërgjegjshëm, kombëtarisht të pavlefshëm dhe politikisht të dëmshëm e të pandreqshëm meritojnë vetëm përbuzje. Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk iu nevojiten tregtarët e atdhetarizmit por atdhetarët konsekuentë e dinjitozë, nuk iu nevojiten njerëz që atdhetarizmin e rremë e përdorin si parullë mashtruese dhe joshëse për pushtet, por iu duhen njerëz të cilët pushtetin e përdorin për forcimin e atdheut dhe të kombëtarizmit. ( Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …