leoni

Xhavit Muçolli: Të dhemb deri në palcë kur dëgjon fëmijët e të rinjtë që të vetmen zgjidhje e kanë arratisjen nga ky vend

Xhavit Muçolli: Të dhemb deri në palcë kur dëgjon fëmijët e të rinjtë që të vetmen zgjidhje e kanë arratisjen nga ky vend

Luftëtarit të Lirisë z, Xhavit Muçollit, nga Pokleku i Vjetër, me 17 prill të vitit 1999 forcat kriminele serbe i ekzekutuan 6 anëtarë të  familjes: Nënën Miradijen, motrat Zarifen dhe Arifen, bashkëshorten Florijen, dhe fëmijët, Eronita 4 vjeçe dhe Fatosin 1 vit e gjysmë.

Vajza e Xhavitit, Armira 16 vjeçare ka fituar bursë nga Ambasada Amerikane për një vit shkollim ne Amerikë.   Lidhur me këtë babi i Armirës, z. Xhavit Muqolli  ka shkruar: Faleminderit Amerikë për mundësitë e arta, të cilat vendi ynë po na i mohon!

Armira sot po nis një rrugëtim të ri për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ne jemi mese krenar për arritjet e saja.

Armirës dhe brezave të rinjtë i kërkoj falje që vendi ynë nuk po i përmbush dot ëndrrat e tyre, por po ia këput krahët akoma pa u mësuar mirë për të fluturuar.

Armira ma dha fjalën që me njohuritë e fituara në SHBA do të kthehet prapë këtu, në vendin e të parëve, por mua nuk ma mbante zemra ti thosha kthehu, nuk do doja që edhe ajo të përjetojë zhgënjimin që kam përjetuar unë viteve të fundit.

Ishte muaji Qershor (1999) kur u ktheva në shtëpi, pos mureve, nuk më kishte mbetur gjë, ata që shpirtin ma mbushnin u flijuan për këtë tokë, ishte vështirë të merrja frymë pa ta, por nuk u dorëzova, përkundrazi vendosa të rri këtu, të nisja gjithçka nga fillimi.

Jeta më rëndohej kohë pas kohe, por dy fije shprese ma mbanin gjallë shpirtin…

Teksa shihja Fatosin Eronitin e Armiren që rriteshin, zemra më bëhej mal, sukseset e tyre ma shtonin jetën, gëzimet e tyre ishin gëzimet e mija. Isha i bindur që vendi ynë ka për

t’i ofruar mundësitë më të mira brezave të rinjtë, mendoja që pas gjithë atyre vuajtjeve shekullore, kishte ardhur koha e meritokracisë.

Vonë e kuptova që kisha gabuar, mjerimin që po e kaplonte kjo tokë, nuk mundej ta tresë as dheu. Të dhemb deri ne palcë kur dëgjon fëmijët e të rinjtë që të vetmen zgjidhje e kanë arratisjen nga ky vend, është dëshpërues fakti që nuk mund të arrish asgjë e të ndjekësh ëndrrat e tua po nuk e pate “krahun e fortë”.

Ky vend e këta njerëz, më thyen shumë herë, i thyen ëndrrat e fëmijëve të mijë, sikur të shumë të tjerëve, por unë prapë vendosa të qëndroj këtu, si para 23 viteve, kur bota mu errësua para sysh.

Unë jam këtu, e këtu do te jem, gjersa mali të bëhet hi e hiri mal përsëri.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Edhe në Nabërgjan, si anembanë Kosovës, ka shumë dhimbje por edhe krenari

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë nderime  në vendin ku pushojnë dëshmorë e martirë …