Brickos

Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: LUFTË PËR VETËVENDOSJE APO LUFTË PËR FOTOGRAFI

Zyrat janë të shtetit

Në kohën që koalicionin qeverisës dy krerësh, LVV-LDK, e presin punë, detyra, përgjegjësi, vështirësi e probleme të shumta, të grumbulluara edhe për fajin e koalicioneve të kaluara dy e më shumë krerëshe, Vjosa Osmani e LDK-së e nisi mandatin e saj në krye të Kuvendit të Republikës duke luftuar me fotografi si dikur moti Don Kishoti e Sanço Pançoja me mullinjtë e erës! Mirë ata, se ishin kohë të mullinjve me erë, kohë të shpatës e të errësirës mesjetare, por në ditët e sotme të nis mndatin e saj një kryetare Kuvendi me shkelje të ligjit është jo vetëm sjellje absurde, por edhe e dënueshme. Luftës “kundër” e “për” foton e Kryetarit të Republikës iu bashkua flakë për flakë edhe partia e “konvertuar”, PDK-ja opozitare e Kadri Veselit, duke bojkotuar mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit!

   Shoqëria jonë dhe shteti që pretendojmë e proklamojmë se e kemi dhe se po e ndërtojmë, që nga paslufta u kuptua si “pronë private legjitime” e grupeve apo kastave që (keq)qeverisën deri sot! U bënë 20 vite qysh se Kosova shqiptare (kjo që kishte mbetur pas copëtimit midis Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi) u çlirua nga çizmja e rëndë e gjakatare serbe dhe, klasa politike nuk po arrinë të kuptojë se shteti me institucionet, zyrat dhe me gjithçka që i përket (me të gjitha atributet) nuk është pronë personale apo private! Secila parti a secili koalicion që ka qeverisur deri tash Kosovën e më vonë shtetin e Kosovës e ka konceptuar atë si diçka që i përket asaj partie apo atij koalicioni që i ka “fituar” zgjedhjet! Zaten kështu i kanë pa dhe i shohin e i konsiderojnë edhe partitë që i kontrollojnë e sundojnë me arbitraritet e autoritarizëm primitiv! Me të njëjtën logjikë janë sjellur dhe kanë vepruar edhe në institucionet e shtetit dhe me shtetin! Ka shenja që edhe ky koalicion dykrerësh, si ka nisur, të mos dalloj shumë me të mëparshmit… E ka të vështirë të bëj dallimin nga koalicionet e mëparshme, sepse partneri i LVV-së, LDK-ja e Isa Mustafës, prej çlirimit ka qenë pjesë e të gjitha koalicioneve me përjashtim të këtij që sapo iku (koalicioni PAN).

   Megjithatë, Vjosa Osmani dhe të gjithë ata që janë vendosur në zyrat e shtetit (zyrat publike) ose zyrat e popullit duhet njëherë e përgjithmonë ta mësojnë, ta kuptojnë dhe kurrë të mos e harrojnë se ato zyra nuk janë personale dhe as private! Prandaj, edhe duhet të sillen konform ligjeve në fuqi dhe konform etikës së një zyrtari a kryezyrtari, duke menduar dhe vepruar me ndërgjegjie njerëzore dhe institucionale për zgjidhjen e kërkesave, nevojave, problemeve e projekteve të shumta të qytetarit, të bashkësive të caktuara dhe të shoqërisë sonë në tërësi. Askush, aq më pak Vjosa Osmani, nuk mund të heq e të vendos fotografi sipas simpative e qejfeve të veta në zyrat e shtetit… Pos, nëse nuk ka ide, mendim e projekt për të mirën e popullit e të shtetit, i duhen këso farë “aferash” sa për t’i ushqyer mbështetësit e saj me lugën e zbrazët! Fotografia e pëlqyer a parapëlqyer e një personi të gjallë a i vdekur qoftë, mund të mbahet në dhomën e pritjes, në dhomën e gjumit, në kuzhinë a në korridor të shtëpisë personale-private, por jo në zyrat e shtetit, ku përdorimi i fotografisë është rregulluar strikt me ligj…

Mandati është detyrim ndaj qytetarit dhe vendit

   Mandati që keni marrë, ashtu siç e keni marrë, me një sistem zgjedhor lehtësisht të korruptueshëm e të manipulueshëm, është detyrim edhe politik, edhe moral, por edhe kushtetues e ligjor për secilin që ulet në karriken a kolltukun e butë në një zyrë të shtetit. Nuk e besoj që ka qytetar, qoftë edhe më militanti i një partie, që ka votuar për sytë e bukur të Vjosës, Isa Mustafës, Albinit, Kadriut, Ramushit… Secili votues, pavarësisht i cilës parti, ka votuar me besimin (shpeshherë i mashtruar!) se kësaj radhe partia e tij (kreu ose padroni i saj), që e zhgënjeu dhe dëshproi sa s’ka më, do të mendoj edhe për hallet e tij dhe të shoqërisë. Mirëpo, nuk thonë kot që “shpresa vdes e fundit”! Sado të zhgënjyer e të dëshpruar, shqiptarët (këta që nuk janë larguar ende!!) votuan me shpresën e ndryshimit për të mirë në zemër e në mendje… Prandaj, mblidhni mendjen e merrni anën e këtij populli! Lerëni fotografitë e simpatitë në shtëpitë tuaja në çastin që shkelni në zyrat e shtetit!

   Ne, pa përjashtim, kush më shumë e kush më pak, ju njohim sa të “dinjitetshëm” jeni përpallë ose në krah të një diplomati, burrështetasi a qeveritari të huaj! A nuk jeni ju që vraponi pas një diplomati, zyrtari a qeveritari të huaj për të bërë një fotografi me te dhe për t’ua prezantuar votuesëve tuaj me “porosinë” e pashkruar për rëndësinë që keni e sa i madh jeni?! A nuk jeni ju që një diplomati, zyrtari a qeveritari të huaj jeni të gatshëm t’ia mbani palltën, dhe, po ta kërkonte ky i huaji, edhe t’ia pastroni këpucët, për të mos përdorur fjalë më të rënda?! Atëherë, pse të mos keni durimin, kulturën dhe zgjuarsinë për t’u ulur me njëri-tjetrin, për t’i duruar e “mirëkuptuar” cenet e njëri-tjetrit kur e do interesi i shtetit dhe i kombit në Kosovë e në rajon?! Apo jeni në kohën dhe vendin e gabuar?! Nuk jeni vullneti i popullit që mashtroni se e përfaqësoni! Ose jeni të kapur kush më herët e kush më vonë dhe po përdoreni për të keqen e Kosovës shqiptare dhe të shqiptarisë?!

   Koalicionet dhe qeveritë që vranë shpresën

   Lëvizja Vetëvendosje u themelua dhe u zhvillua si rezultat i politikave të gabuara të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, që pas Luftës së Madhe shqiptaro-serbe, e “dridhnin” Kosovën dhe popullin e saj! Turravrapi i tyre për pushtet, për pasuri e lavdi u bë e keqja e Kosovës shqiptare! Po të kishte Kosova një klasë politike unike në çështjet madhore do të ishte më shumë se shtet e jo siç është sot, më pak se shtet!! Po ta kishim klasën politike që nuk e patëm, pavarësia e Kosovës jo vetëm për t’u shkëputur plotësisht nga Serbia, por edhe për t’u bashkuar me shtetin e saj, do të ishte fakt i kryer që në dy-tri vitet e para të pasluftës… Mirëpo, me një klasë politike si kjo, që e njohëm në këto njëzet vite, s’mund të kishim dhe as të pretendonim më shumë se kaq! Angazhim dhe përkushtim i paskrupullt i kësaj klase politike (LDK-PDK-AAK) ishte uzurpimi, palçkitja, vjedhja dhe trafikimi i pasurive të Kosovës!! E gjithë kjo ndodhi nën ombrellën e pranisë ndërkombëtare, e cila nuk ua kurseu ndihmën dhe përkrahjen, ashtu edhe siç nuk u kursye edhe vet në zhvatjen e pasurive të Kosovës! Të dyja këto palë u bënë barrë e rëndë për Kosovën e varfër, të rrënuar, të shkatërruar, të vrarë e të djegur nga Serbia neofashiste. Burim jetese e mbijetese për shqiptarët u bënë, siç ishin edhe më parë, pjesa më e dhimbshme, mërgimtarët tanë! Ata, mërgimtarët, ishin me ndikim vendimtar edhe në përpjekjet, organizimin dhe Luftën Çlirimtare… Nuk ishin me dhjetra dhe as me qindra, por me mijëra e mijëra që mësyn frontet e Luftës dhe e bënë vdekjen si me le. Ata luftuan me besimin dhe shpresën se Kosova do të kishte vend edhe për mërgimtarët që nuk e donin jetën në dhera të huaja. Por, ndodhi e kundërta!! Kosova, kryesisht për fajin e klasës politike dhe të aleancës së saj me qarqe ndërkombëtare antishqiptare, nuk i mbajti dhe nuk po i mban as shqiptarët që kishin mbetur këtu!! Më shumë u shpërngulën dhe po shpërngulen shqiptarët pas Lufte se para Luftës!! E dhimbshme sa s’ka më! Kriminale sa s’bëhet më! Kërcënuese për të ardhmen demografike shqiptare sa s’thuhet!

   Sot, kemi Kryeministër njeriun që themeloi LVV me një qëllim madhor: të drejtën e popullit shqiptar për VETËVENDOSJE! Tërësisht e drejtë. Një e drejtë e gjakuar nga populli shqiptar në Iliri, por e mohuar dhe e dënuar deri edhe me gjenocid nga pushtuesit e tokave të Shqipërisë! Për arritjen e kësaj të drejte për Kosovën e mbetur LVV-ja u angazhua me të gjitha mundësitë dhe fuqitë e saj për pengimin e “decentralizimit”-bosnizimit të Kosovës, u angazhua kundër planit të Ahtisarit, që lagalizonte dhe “legjitimonte” bosnizimin e Kosovës shqiptare dhe praninë e Serbisë në Kosovë, kundër imponimit të një “flamuri’ dhe një “himni” ala boshnjakçe Kosovës shqiptare, kundër privatizimit-kontrabandimit të pasurive të Kosovës, kundër marrëveshjeve të Brukselit, krijimit të “zajednicës”, demarkacionit me Malin e Zi, etj. Mbështetja nuk i mungoi nga shqiptarët, por presioni, shantazhi, dhuna dhe terrori i klasës që kishte kapur pushtetin, e më vonë shtetin, dhe i pranisë ndërkombëtare e bënë të veten… Lëvizja Vetëvendosje nisi të “përshtatej! Ajo hyri në garën zgjedhore për pushtet dhe  u shndërrua në parti politike. Gara ose lufta për pushtet nuk mjaftohejë dhe nuk fitohej vetëm me militantët e protestave, të gurëve e të ngjyrës. Kjo garë kërkonte edhe njerëz e shtresa  të “moderuara”… Grupi i parë që u “akomodua” në LVV ishte ai i FER-it (me prejardhje kryesisht nga LDK-ja)! Dihet ajo historia me këtë grup dhe shkëputja e tij nga LVV-ja! Në vend të tyre erdhën kontigjente të reja nga LDK-ja, por edhe kontigjente me “bindje”, përcaktim e angazhim të një religjioni politik! Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje, doli e para me vota. E para po, por rezultati dhe sistemi zgjedhor diktonin medoemos koalicion me një a më shumë parti tjera për ta formuar qeverinë. Vija e kuqe kishte përjashtuar të gjitha partitë tjera! Kishte mbetur vetëm LDK-ja për koalicion dhe qeveri. Kjo situatë i erdhi fort për së mbari LDK-së, e cila s’e ka dert punën e etikës në politikë! Favorizimin që i bëri LVV-ja ajo e shfrytëzoi në maksimum dhe pa pardon! Iu imponua Albinit dhe VV-së si partner i barabartë në koalicion dhe në qeveri e në institucione tjera! Tortja u nda përgjysmë! Kjo ndarje përgjysmë ia vështirëson punën Albinit Kryeministër dhe LVV-së. Pa pëlqimin dhe miratimin e LDK-së nuk kalon asnjë nismë, propozim, vendim, projekt, etj.! Edhe më të vështirë e bën punën e këtij Kryeministri e të kësaj qeverie opozita e egërsuar nga humbja e pushtetit…

   Albini Kryeministër dhe kryetar i LVV-së do të duhej të kërkonte me prioritet ndryshimin e sistemit zgjedhor. Sistem si ky yni, përveç në Bosnje dhe Hercegovinë, nuk ka në botë! E drejta e qytetarit për të votuar pesë kandidatë brenda një liste (një partie) është e drejtë dhe mundësi e madhe për ta korruptuar dhe manipuluar qytetarin, komisionerin dhe gjithë sistemin zgjedhor e rrjedhimisht edhe gjithë sistemin politik! Me këtë sistem zgjedhor kryetari ose bosi i partisë me strukturën që “komandon” e ka në dorë se kush bëhet deputet nga lista e tij! Ky sistem zgjedhor është edhe shumë poshtërues për kandidatët, sepse duhet të përballen ose të “garojnë” me kolegët brenda të njëjtës listë e jo me kandidatët e partive kundërshtare! Ky sistem zgjedhor deri tash është pëlqyer edhe nga LVV-ja!

Dy rrugët e Albinit Kryeministër

   Albini Kryeministër, sikur edhe paraardhësit e tij, ka dy rrugë (jo më shumë!). Rruga e parë është ajo e VETËVENDOSJES, që edhe është rruga e vështirë për ta bërë. Kjo rrugë, përveç se kërkon kurajo intelektuale, politike e kombëtare, kërkon edhe fuqi politike, të cilën nuk e ka Albini Kryeministër. Kjo rrugë të shpie ose më mirë e bën Kosovën shtet plotësisht të pavarur nga Serbia dhe hap perspektivën e bashkimit të saj me shtetin AMË. Por, ecja në këtë rrugë do ta përballë Albinin Kryeministër me presionin dhe shantazhin (siç dinë ata!) e Fuqive të Mëdha! Me presionin e parë, sidomos të “miqve tanë të përjetshëm”, partneri i Albinit Kryeministër do të tërhiqet… Tashmë ka dhënë shenja! Prandaj, ecja kësaj rruge kërkon “konsensus” kombëtar.

   Fillimisht, por pa humbur as një minutë kohë, duhet marrëveshje a pajtueshmëri me partitë politike parlamentare në Prishtinë. I takon Albinit Kryeministër që ta hedh hapin e parë dhe të këmbëngul që ta fitojë mbështetjen për çështjen madhore, siç është marrëdhënia me Serbinë,- shkëputja e plotë prej saj e pastaj fqinjësia dhe “normalizimi”. Nëse, partitë opozitare nuk pranojnë të ulen dhe të merren vesh për këtë çështje vendimtare për të ardhmen e Kosovës dhe të kombit shqiptar në Iliri, do të mbeten fajtore përgjithmonë. Për shkëputje të plotë të Kosovës nga Serbia modelet, koha, hapat, etj. bisedohen… Nëse nuk jemi të vonuar!! Albini Kryeministër duhet ta bind edhe partnerin e tij, Isa Mustafën. Nuk do ta ketë të lehtë! Rol dhe detyrë në unifikimin e klasës politike në Prishtinë ka edhe Tirana zyrtare. Pasi të arrihet konsensusi i domosdoshëm dhe shpëtimtar në Prishtinë, Albini Kryeministër dhe klasa e unifikuar politike, kanë jo vetëm të drejtë, por edhe detyrim të kërkojnë mbështetjen e plotë të Tiranës zyrtare dhe të klasës politike atje. Mbështetje e Kosovës për t’u shkëputur nga Serbia duhet të jetë edhe klasa politike shqiptare në Shkup dhe mërgata jonë. Kur them mbështetje kam parasysh mbështetjen e organizuar dhe të institucionalizuar mbarëkombëtare e jo atë deklarative ose me këngë e qifteli!… Unifikimi i faktorit shqiptar me “automatizëm” do të fitonte edhe mbështetjen e “miqve tanë të përjetshëm”. Kjo ishte rruga e vështirë e Albinit Kryeministër. Në këtë rrugë të vështirë kanë dështuar paraardhësit e tij, jo pse ishte e pakalueshme, por pse u mungoi vullneti politik, zgjuarsia dhe dituria, u mungoi uniteti politik e kombëtar i domosdoshëm për këtë projekt madhor, u mungoi QENDRA, që do t’i bashkërendonte aktorët dhe faktorët e kombit! Por, edhe pse u mundën nga lakmia për pushtet, para e lavdi!

   Rruga e dytë e Albinit Kryeministër është rruga e lehtë, të cilën e kanë bërë pa vështirësi të theksuara edhe paraardhësit e tij. Kjo është rruga e dëgjueshmërisë, e bashkëpunimit dhe e mirëkuptimit me Fuqitë e Mëdha, nga njëra anë, dhe me Serbinë, në anën tjetër! Në fund të kësaj rruge do të kemi një Kosovë “kosovare”, të tjetërsuar nga identiteti i saj shqiptar (nëse u ecën mbarë!), një Kosovë me një entitet serb që do t’i kishte ose me kohë do t’i “fitonte” atributet e një minishteti (shihin tendencën e Republikës serbe në Bosnje!) në shtetin e pavarur të Kosovës, një Kosovë me një prani të fuqishme serbe (të Serbisë), një Kosovë me sovranitet të dyfishtë dhe, opsioni tjetër: një Kosovë pa një pjesë të tokës së saj të sotme, me territor të humbur!

   Po që se Albini Kryeministër ecën me këmbëngulje rrugës së parë do të jetë i mirëkuptuar dhe i “shfajsuar” edhe nëse nuk ia arrinë për shkak se nuk kishte mbështetje… Nëse ecën rrugës së lehtë, rrugës së dytë (me konceptin e LDK-së, AAK-së dhe PDK-së) do të thotë që Albini Kryeministër ka hequr dorë përfundimisht, sikur paraardhësit e tij, nga koncepti i Albinit VETËVENDOSJE… Për këtë kurrë nuk do të ketë mirëkuptimin dhe mbështetjen e atyre që rrugëtuan me Vetëvendosjen për VETËVENDOSJE!

   Po t’i besohet fjalës së popullit: “më thuaj me kend rri (shoqërohesh), të them kush je”, Albini Kryeministër do të ecën rrugës së dytë, kësaj të lehtës! Dy zëvendësit e tij i ka ldkistë e rugovistë të zellshëm! Të shumtët, nga ata që i ka afër e nga këta që po i afron, janë të konceptit ldkistë!! Jo se kemi gjë personale me LDK-në dhe ldkistët, por koncepti i tyre nuk shkon përtej një Kosove sipas kutit dhe dëshirës së miqve tanë ndërkombëtarë! Kosova për ta është krijesë e ndërkombëtarëve! Populli shqiptar, që jeton me shekuj në Kosovën e Shqipërisë, është sot aty, sipas tyre, falë miqve tanë ndërkombëtar! Përpjekjet, sakrificat e luftërat njëshekullore për lirinë e Kosovës nuk i përthekon koncepti i tyre! Luftën mbarëkombëtare të LPK-UÇK-së, që i solli miqtë tanë këtu, ata e konsiderojnë o të paqenë, o të dëmshme!! Prandaj, kanë në krye “kalibër” si Isa Mustafa, Vjosa Osmani… Sipas këtij koncepti institucionet e Kosovës dhe klasa e saj politike nuk janë shprehje e vullnetit dhe interesave në radhë të parë të popullit shqiptar, por janë shprehje e vullnetit dhe diktatit të miqve tanë ndërkombëtarë! Bartës i këtij koncepti ishte edhe Kryetari Historik i LDK-së, i cili edhe për së vdekuri mohon Flamurin tonë shqiptar, Flamurin kuq e zi!! Shkoni te varri i tij dhe do të bindeni! Po thonë që edhe Albini Kryeministër, si për të dhënë mesazhin se po “akomodohet” me konceptin e LDK-së e po largohet nga koncepti i VETËVENDOSJES, do të shkojë te varri i Rugovës për t’u përulur me “nderim të thellë”!!… “Ku ka zë s’është pa gjë”! Këtë rrugë karriere ndoqën edhe paraardhësit e tij “patriotë”.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …