Xhevdet Shehu

Xhevdet Shehu: Akademia e Shkencave zëvendëson termin LANÇ dhe kërkon “saktësim” për dëshmorët

Nuk do të ketë paradë të fitimtarëve antifashistë në Tiranë në këtë jubile, sikurse bëjnë vit pas viti fitimtarët e mëdhenj të asaj lufte me të cilën jemi krenuar për 75 vjet me radhë. Do të ketë një parodi. Një konferencë që ka planifikuar Akademia e Shkencave për 75-vjetorin e çlirimit ka zhdukur termin LANÇ dhe orienton piesëmarrësit të fokusohen tek “antifashizmi pa armë dhe pa uniformë”, madje “synohet ndikimi shkencor” për “saktësimin e termit” dëshmor.

 

Nuk ka paradë të fitimtarëve antifashistë në Tiranë në këtë jubile, sikurse bëjnë vit pas viti fitimtarët e mëdhenj të asaj lufte me të cilën jemi krenuar për 75 vjet me radhë. Do të ketë një parodi në trajtën e një Konference. Dje, më 1 gusht nuk ra tërmeti apokaliptik prej 150 ballësh, i paralajmëruar nga presidenti i Republikës, por ra një “tërmet” tjetër…  Thagma është gatuar në Akademinë e Rilindur të Shkencave më 31 korrik dhe është shpërndarë dje më 1 gusht 2019.

Si i pari kumtim zyrtar për përkujtimin dhe nderimin e 75-vjetorit të fitores mbi fashizmin dhe bashkëpunëtorët e tyre, një ftesë e shpërndarë nga institucioni shkencor më serioz në vend, sikurse pretendohet se është Akademia e Shkencave, zgjoi dhe ngjalli interes.

Është me firmë e me vulë. E ka firmosur nënkryetari i Akademisë Vasil S. Tole. Akademia është institucion shtetëror, financohet nga qeveria. Nuk mund ta bëjë Vaso Tolja, si nënkryetar akademie, me kokën e tij një thagmë të tillë.  Madje as Prof. Gjinushi si kryetar, i cili konsiderohet “i ngrirë” pasi nuk është firmosur në detyrë nga Presidenti.

Po e them qysh në fillim: Tallje më të madhe me përkujtimin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut, nuk ka. Vëreni vetëm tri radhët e para të këtij vendimi me numër 16, datë 31.07.2019, të shpërndarë dje (Shikoni faksimilet).

Vëreni me kujdes: Akademikët tanë mendjendritur kanë shpikur një neologjizëm të padëgjuar ndonjëherë deri më sot. Në vend të përcaktimit të njohur botërisht si “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e Shqipërisë”, është vënë “Antifashizmi popullor tek shqiptarët”. Duket si një lapsus, si një pakujdesi e vogël, si një pavëmendje… Në të vërtetë kemi të bëjmë me diçka të llogaritur mirë, krejt të qëllimshme.

Thuhet 75-vjetori i çlirimit të vendit, por nga kush u çlirua vendi? Pak më poshtë gjejmë neologjizma rë rinj: antifashizmi pa armë dhe pa uniformë (!).

Nuk e dinë akademikët tanë se këtu është bërë një luftë me pushtuesit nazifashistë, kanë dhënë jetën mijëra dëshmorë dhe se ishte Ushtria Nacionalçlirimtare me uniformë që e çliroi këtë vend dhe e radhiti Shqipërinë përkrah aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë?

Apo nuk duan që të mërzisin ballistët e zogistët që ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve dhe nuk patën asnjë lloj uniforme si bashibozukët? Të jetë e rastësishme kjo? Duhet pyetur Prof. Romeo Gurakuqi për këtë. Mbase edhe direkt Edi Rama.

Një temë tjetër e sugjeruar është kjo “Antifashizmi përmbi ideologjitë dhe dallimet”. Cili është qëllimi i konferencës? Lexoni vetëm këtë paragraf të dashur lexues dhe do të bindeni për thelbin e saj:

“Të përqendrohet në mënyrë të veçantë interesimi shkencor tek ajo pjesë e rezistencës antifashiste prej popullit shqiptar, që ka të bëjë me vullnetarizmin, me antifashizmin pa uniformë, me mbështetjen që iu dha nga populli veprimit dhe luftës antifashiste të armatosur. Rezistenca e paarmatosur në studimet historiografike është paraqitur në formën e frazave stereotipe dhe pa shqyrtime të thelluara shkencore. Përmasat e rezistencës pa armë janë shumë më të mëdha dhe Europa e sotme antifashiste i ka drejtuar sytë pikërisht tek antifashizmi popullor.”

Më tej, kjo Konferencë e madhe, ka marrë përsipër se nga referatet shumë shkencore “Synohet një ndikim shkencor për saktësimin e termave dëshmor, martir dhe viktimë.” (!)

Edhe pse kanë kaluar 75 vjet akademikët tanë janë ende të pabindur në këto terma dhe do të na i saktësojnë në atë Konferencë të Madhe.

Është ngritur edhe një komitet i posaçëm për organizimin e kësaj konference të madhe më 15 nëntor të këtij viti në Tiranë, që mbase është menduar si kulmim i përkujtimit të 75-vjetorit. Në përbërje të këtij komiteti organizator janë:

Akad. Floresha Dado (Akademia e Shkencave)

Akad. Jusuf Bajraktari (ASHAK, Kosove)

Akad. Marenglen Verli (Akademia e Studimeve Albanologjike)

Prof. dr. Romeo Gurakuqi (Universiteti Europian i Tiranës)

Prof. dr. Skënder Asani (Maqedonia e Veriut)

Prof. dr. Shaban Sinani (Akademia e Shkencave)

Prof. Martin Berisha (Mali i Zi)

Mungojnë në atë komision emrat e historianëve dhe studiuesve tanë më të njohur. Por janë llogaritur edhe shpenzimet e Konferencës. Meqë është Konferencë Ndërkombëtare, shpenzimet që do të paguajë qeveria jonë e varfër nuk besoj se do të jenë të vogla.

Do të lodhen profesorët nga Mali i Zi, Kosova e Maqedonia e Veriut për këtë Konferencë dhe duhen shpërblyer denjësisht nga qeveria e Shqipërisë londineze.

***

Nuk kam biseduar ende me historianët tanë më seriozë që janë marrë tërë jetën e tyre me këtë luftë dhe kanë shkruar male me libra dhe artikuj. Nuk e di nëse ata kanë marrë ndonjë ftesë si kjo që mua më ra në dorë dje thuajse rastësisht dhe nëse do të marrin pjesë dhe ç’mendojnë për këtë konferencë historianët Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Xhelal Gjeçovi e të tjerë.

Nuk e di se çfarë do të mendojnë Rustem Peçi dhe organizata e tij e veteranëve të LANÇ-it, organizata e familjeve të Dëshmorëve etj, kur të marrin vesh se do të mbahet një konferencë e tillë.

Por do t’i pyes në ditët në vijim.

Një parandjenjë kam se ata do ta bojkotojnë këtë konferencë si të turpshme, si një atentat tjetër në të njëjtën vazhdë përpjekjesh të turpshme në linjë shtetërore kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

***

Para dy vjetësh u hap një debat në DITA për reformimin e Akademisë së Shkencave. Thuajse të gjithë ata që folën dhe që janë personalitete shkencore në fushë të historisë, albanologjisë, gjuhësisë etj, ishin në një mendje: Ajo Akademi duhej shkrirë dhe ringritur nga fillimi.

Pa përjashtim të gjithë ishin për reformimin e akademisë të katandisur në pikë të hallit dhe pa asnjë funksion nga regjimi i Sali Berishës. Rama tha atëherë se nuk do të ketë asnjë qindarkë për një akademi të tillë dhe për ata palo-akademikë që vegjetonin (dhe që vegjetojnë) në të.

Dhe filloi një punë reformuese, e cila u konsiderua e suksesshme dhe para pak kohësh reformimi u quajt i mbyllur suksesshëm.

Mirëpo, po ta konsiderojmë shkresën e djeshme të kësaj akademie si aktin e parë zyrtar të reformimit të saj, nuk kemi pasur reformim, por një dështim. Vajtën badihava gjithë ato llafe dhe mendime që u dhanë.

Kanë pasur shumë të drejtë ata që thanë atëherë dhe që mund të thonë sërish: Kjo Akademi duhet shkrirë! Si një Akademi jo shkencore, antihistorike, madje me prirje edhe antikombëtare. Si një Akademi mashtruese që pasditet përkujtimore dhe nekrologjitë na i shet për punime shkencore.

Kjo nuk është akademi, por një shpërfytyrim, një karikaturë. Nuk flasim për godinën por për njerëzit që frymojnë brenda saj. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …