Xhevdet Shehu

Xhevdet Shehu: Enver Hoxha, 35 vjet më pas…

Një nga bisedat më të çuditshme që kam bërë gjatë këtyre javëve të fundit të izolimit nga koronavirusi ka qenë ajo me një mikun tim, ish-diplomat në Bullgari në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Biseda erdhi natyrshëm rreth mundësisë nëse një pandemi e tillë të prekte Shqipërinë e asaj kohe. Ma preu shkurt miku im:

– Atëherë kishte Çeçua biçak. Në ç’kuptim? Në kuptimin që ne ishim të izoluar nga bota, në njëfarë kuptimi ishim të imunizuar sepse të gjithë ishim si të thuash në një karantinë të përhershme ndaj mikrobeve dhe viruseve që vinin nga jashtë. Fjala vjen, ne ishim diplomatë shqiptarë dhe kur vinim në Shqipëri, pra në shtëpinë tonë, në kufi dizinfektoheshim imtësisht njëlloj si edhe të huajt, dizinfektoheshim ne, por edhe makina me të cilën udhëtonim. Ja në këtë kuptim e thashë atë se “në atë kohë kishte Çeçua biçak”, pra se kishte rregulla shumë të forta dhe nuk është aspak metaforë se në atë kohë nuk lejoheshin të hynin derri e dosa… Ja pse thashë se nuk bëhej fjalë për pandemi si kjo që po kalojmë…

Kanë kaluar 35 vjet nga vdekja e Enverit, fytyrën dhe emrin e të cilit mori sistemi që ai ndërtoi. Duke ditur faktin se ai sundoi për afro gjysmë shekulli këtë vend, e vlen të sjellim ndër mend trashëgiminë që na la. Ai është një figurë historike e pashmangshme. Por vulën për këtë figurë historike në fund të fundit e vënë historianët seriozë. Për atë kohë mund të flasin dhe duhet të flasin historianë si Pëllumb Xhufi, Paskal Milo, Xhelal Gjeçovi dhe deri tek më i riu ndër ta Marenglen Kasmi e të tjerë.
Është detyra e historianëve kjo.

Unë po shkruaj sot thjesht si gazetar, që i kam përjetuar në atë kohë dhe në këtë kohë nga afër të gjitha zhvillimet, ngritjet dhe uljet, rrokopujat e rrëmujat, ëndrrat dhe zhgënjimet…

Unë sot do të sjell thjesht disa nga këto përjetime pas vdekjes së Enverit.
Vdekja e Enverit ishte kulmi i lavdisë së tij. Një popull i tërë mbajti pesë ditë zi për të. Magjepsës dhe tmerrues në të njëjtën kohë, autoriteti i tij ishte i padiskutueshëm prej më shumë se dyzet vjetësh. Pas asaj fytyre njerëzit e kishin të vështirë të imagjinonin dhe përfytyronin gjëra të liga… Kulti i Enver Hoxhës kishte kapërcyer çdo parashikim. Ai ishte shndërruar në perëndi. Madje, më shumë se perëndi, ai ishte Antikrishti dhe Antimuhameti, pasi në kohën e tij u ndaluan besimet fetare dhe Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë…

Sipas këtij këndvështrimi, Enveri kishte gjithmonë të drejtë! Dhe, kur ndodhnin gjëra të papëlqyera, për shembull, kur internoheshin e vriteshin njerëz, kur zbuloheshin grupe armiqësore në kupolën e partisë dhe të shtetit, kur mungonte mishi e qumështi, njerëzit shpesh ngushëlloheshin duke thënë: “Shoku Enver nuk di gjë! Ai flet dhe punon që dyqanet të jenë plot, që të mos i mungojë asgjë popullit punonjës dhe s’ka faj se të tjerët nuk punojnë ose e sabotojnë”…

Kam parë pas vdekjes së Enverit dobësimin, përpëlitjet dhe sfilitjen e sistemit deri në përmbysjen e tij. Kam parë rrëzimin e statujave të Enver Hoxhës më 1991 dhe anatemimin skajshmërisht të tij. Kam parë ngjitjen në pushtet të ish-komunistëve dhe partiakëve të devotshëm të dikurshëm, të konvertuar brenda një nate në demokratë. Ka qenë një kohë kur mbi emrin e Enverit hidheshin male me mallkime dhe një baltë e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë. Kam parë zhvarrosjen e Enverit dhe disa ish-shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tij në maj 1992. Kam parë dhe kam ndjekur nga afër shumë zhvillime të të tjera pas vitit 1990.

***
Por vdekja e Enverit dhe ceremonia e varrimit të ish-udhëheqësit komunist, shënuan edhe fundin e epokës së tij. Përpjekjet e pasardhësit të tij dhe të tjerëve në krye të pushtetit dhe të partisë për të shtuar monumentet dhe përjetësuar emrin e tij, më shumë e dëmtuan se sa ia rritën vlerat.

Situata në të cilën ndodhej Shqipëria pas vdekjes së Enverit, por edhe në vitet e fundit të jetës së tij ishte mjerueshme dhe bënte efektin e kundërt me propagandën ku Enveri konsiderohej si arkitekti i asaj Shqipërie. Tërthorazi, ky qëndrim mund të kuptohej kështu: Enveri është përgjegjës për këtë gjendje ku jemi katandisur! Pra kjo propagandë po kthehej në një bumerang kundër Enverit.

Kjo u duk qartë në vitet 1990-91 me eksodet biblike dhe me përpjekjet për të hyrë në rrugën e një shoqërie demokratike pluraliste që kishte munguar prej gati gjysmë shekulli. Dalja në skenë e Partisë Demokratike u shoqërua me një propagandë kundër Partisë që kishte udhëhequr Enveri për gati gjysmë shekulli duke nxirë gjithçka nga e kaluara. Enveri duhej fshirë nga historia e këtij vendi. Edhe përmendja e emrit të tij përbënte një sakrilegj. Nuk ishte e vështirë të kuptohej kjo duke parë aktet e njëpasnjëshme të pushtetarëve të rinj.

Viktima e parë apo “koka e parë e turkut” u bë Nexhmije Hoxha, e shoqja e Enver Hoxhës. U arrestua një ditë dhjetori të vitit 1991, kur Ramiz Alia ishte ende President i vendit. Mbi Nexhmijen u serënditën të gjitha akuzat që mund t’i bëheshin Enverit po të ishte gjallë. Në fund, të gjithë e dinë se ajo u dënua me 12 vjet burg për… kafe!

Pas saj në bankën e të akuzuarve do të ulej Ramiz Alia, ish-anëtarët e Byrosë Politike dhe ish udhëheqës e funsionarë të lartë të regjimit të kaluar. Gjithë vitet e sundimit të parë të Berishës janë të mbushur tejendanë me një maratonë të pambarimtë gjyqesh që, pavarësisht se nisën me bujë të madhe si për gjenocid etj., përfunduan në flluska sapuni dhe u kthyen në një bumerang për regjimin e quajtur demokratik.

Në atë periudhë iu hodhën prangat dhe u burgos edhe djali i madh i Enverit, Iliri, sepse guxoi e dha një intervistë në një gazetë modeste ku mbronte figurën e të atit. Ajo intervistë u quajt krim në atë kohë…

Por revanshi antikomunist dhe kundër Enverit ishte shumëplanësh dhe në shumë fronte njëherësh.
Sulmi i parë u bë kundër luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Atë luftë pushtetarët e rinj donin ta harronin, në mos ta kthenin në të kundërtën e saj dhe ta fshinin fare nga historia jonë. Për herë të parë u dëgjua teza se ajo nuk ishte luftë çlirimtare, por një luftë civile vëllavrasëse. Në këtë kuadër ndërsa filluan të dhunoheshin varrezat e dëshmorëve dhe memorialet e monumentet e asaj lufte, filloi rehabilitimi i kolaboracionistëve. Në Muzeun Historik Kombëtar u mbyll pavioni i Luftës së Dytë Botërore dhe ai i 45 vjetëve të socializmit. E kjo as më shumë e as më pak do të thotë fshirja e gjysmës së historisë të Shqipërisë moderne. Fatkeqësisht këto dy periudha vazhdojnë të jenë të gjymtuara edhe sot e kësaj ditë në atë Muze, pavarësisht qeverive të majta e të djathta që kanë ardhur dhe kanë ikur nga pushteti.

***
Por a përputheshin këto akte me të vërtetat historike dhe me ato që ndjente në të vërtetë shumica e popullit? Po i referohem disa fakteve:
Po kujtoj këtu si u bë kremtimi që iu bë 50 vjetorit të Çlirimit. Ishte e pamundur të shmangej një jubile i tillë. Por si do të justifikohej në sytë e popullit?

Një vit më parë Parlamenti i dominuar nga demokratët kishte vendosur me shumicë votash që dita e Çlirimit të Shqipërisë të mos ishte 29 Nëntori, sikurse ishte përkujtuar gjatë regjimit komunist, por 28 Nëntori. Dhe më 1994, pushteti i kremtoi edhe Ditën e Flamurit edhe Ditën e Çlirimit në një ditë. Për herë të parë në podiumin e festave dhe në parakalimin simbolik që u bë para korpusit të Universitetit, u shfaqën krah për krah ish-partizanët (disa që pranuan të merrnin pjesë në atë ceremoni) dhe ish-nacionalistët, sikurse i quante prapaganda zyrtare ballistët dhe zogistët, të privuar nga ky gëzim për gjysmë shekulli.

Megjithatë, të gjitha ceremonitë e organizuara me këtë rast ishin krejt të zbehta, gati formale. Një mbledhje solemne, ku fjalimet kryesore i mbajtën Ymer Dishnica dhe Aleksandër Meksi, si dhe parada para Universitetit, që nuk zgjati më shumë se 15 minuta, përbënin kremtimet publike të festave. Pritja në Pallatin e Brigadave shënoi mbylljen zyrtare të këtyre ceremonive, ku dukej qartë bojkotimi nga opozitarët socialistë, sidomos nga veteranët e Luftës Antifashiste.

Pikërisht në këtë moment, domethënë një ditë më pas, më 29 Nëntor, ndodhi e “papritura” e madhe, së cilës ia kishin frikën pushtetarët demokratë. Në sallën e Akademisë së Arteve të Bukura, aty ku një Ansamble Popullore e kishte shpallur Shqipërinë Republikë në janar të vitit 1946, ndërsa më 1948 ishte mbajtur Kongresi i parë i PKSH, ishin mbledhur veteranët e Luftës Antifashiste për të përkujtuar Ditën e Çlirimit. Salla ishte mbushur plot e përplot, në plate e në lozha, ku, përveç veteranëve merrnin pjesë edhe përfaqësues të disa partive politike të opozitës si PS, PSD, PUK etj. Kishte edhe të rinj, entuziazmi i të cilëve binte më shumë në sy.

Mbledhjen e hapi ish-kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe një nga njerëzit më besnikë të Enver Hoxhës, veterani Haxhi Lleshi, ndërsa fjalën e rastit e mbajti ish-ushtaraku i lartë Dilaver Poçi, i dënuar nga Enver Hoxha në vitet ’70. Oratorët, midis të cilëve dhe përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse, mbrojtën me zjarr luftën partizane nga deformimet që po i bëheshin nga pushteti aktual dhe 29 Nëntorin si ditë të Çlirimit të Shqipërisë.

Në këtë mbledhje, për herë të parë pas më shumë se katër vjetësh, u duartrokit me entuziazëm për Enver Hoxhën. Kjo ndodhi në një moment ndërsa oratori Dilaver Poçi e përmendi emrin e Enver Hoxhës si një nga protagonistët e asaj lufte heroike të partizanëve shqiptarë. Kaq u desh dhe salla u ngrit në këmbë dhe, si një herë e një kohë, filloi të duartrokiste e të brohoriste “Enver Hoxha, Enver Hoxha!”…

Ndërsa po regjistroja, vështroja me vëmendje sallën. Entuziazmi i dikurshëm i kongreseve të Partisë së Punës dhe brohoritjet për Enver Hoxhën që ishin ruajtur me fanatizëm, ishin një sfidë e pashembullt për pushtetin antikomunist në fuqi.
Por, në radhën e parë pashë një njeri që nuk duartrokiste. Ai ishte nënkryetari i parë i Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi. Kryetari i asaj partie, Fatos Nanoja, prej më shumë se një viti ndodhej në burg. Por Partia Socialiste kishte shpallur distancimin e saj nga emri i Enver Hoxhës katër vite më parë, pavarësisht se shumica dërrmuese e anëtarësisë së saj përbahej nga ish-anëtarë të Partisë së Punës, të cilët e kishin Enverin sa një mal në zemrat e tyre.

Kronika për këtë takim ka qënë nga të rrallat që e kam transmetuar me shumë vështirësi për Zërin e Amerikës. Pas çdo fraze ndërpritej lidhja telefonike me Amerikën. Por durimi i shefit dhe i kolegëve të tjerë në Uashington ishte i madh. Në orën 18, ndërsa ishte dhënë sinjali i fillimit të programit, e përfundova së transmetuari materialin. Bashkë me duartrokitjet për Enver Hoxhën…

***
Të ishin ato durtrokitje dhe brohorima shprehje e ngjalljes së nostalgjisë për Enverin dhe regjimin e kaluar? Edhe mundet. Por unë mendoj se ato ishin më tepër shprehje e pakënaqësisë ndaj sjelljes hipokrite të pushtetit të ri që gjithnjë e më shumë po etiketohej si neofashist. Pra ishin një revoltë.

Ata ishin të bindur se Enveri dhe regjimi i tij nuk kishin qenë të përkryer dhe nuk kishin për t’u kthyer sërish, por nuk mund të pajtoheshin kurrsesi me dhunën dhe shfaqjet antidemokratike të pushtetit të ri. Ç’ishte në fund të fundit neni famëkeq 24/1 i miratuar vetëm një muaj pasi PD erdhi në pushtet, me anë të cilit u pushuan nga puna dhe u flakën në rrugën e madhe qindra mijë njerëz për të vetmin mëkat se nuk ishin anëtarë të Partisë Demokratike? E të tillë ishin anëtarët e PS-së si dhe të tjerët që nuk deshën të aderonin në asnjë parti. Ky akt ngjalli një pakënaqësi të madhe që nuk do të shlyhej për shumë kohë nga kujtesa e shqiptarëve. Kjo mendoj se është edhe një nga arsyet që në historinë e saj 30 vjeçare Partia Demokratike ka fituar vetëm një palë zgjedhjesh, ato të 22 marsit 1992…

Mirëpo kësaj partie që iu ëmbëltua pushteti, nuk mund ta pronte mundjen dhe humbjen. Prandaj, kam parë se si u vodhën votat në zgjedhjet e përgjithshme të 26 majit të vitit 1996 dhe përgjakjen e opozitës në Sheshin “Skënderbej” që protestonte kundër vjedhjes së votave. Kam parë ngritjen e piramidave të fajdeve, një mashtrim dhe grabitje gjigande që iu bë popullit. Kam parë revoltën popullore në pranverë të vitit 1997. Kam përjetuar tragjedinë e Otrantos dhe vrasjen e mijëra viktimave të pafajshme në atë pranverë. Kam parë rizgjedhjen e presidentit në kushtet e shtetrrethimit policor dhe ushtarak nga një parlament i rrethuar me tanke dhe mandej kam parë urdhrat e këtij presidenti për mobilizimin e veriut kundër jugut të vendit, përdorimin e armëve kimike etj. Kam parë rënien e shtetit, hapjen e burgjeve dhe shkatërrimin e ushtrisë shqiptare. Kam parë djegien e shkollave, bankave dhe institucioneve të shtetit…

Mandej kam qenë dëshmitar kur shteti hapi zjarr në 21 janar 2011 dhe vrau katër qytetarë të pafajshëm në Bulevardin “dëshmorët e Kombit”, mu përpara Kryeministrisë. Kam përjetuar tragjedinë e Gërdecit me 26 të vrarë e qindra të plagosur etj., etj.

***
Një ditë pas rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991, turmat u drejtuan nga Blloku ku kishte jetuar ish-udhëheqja komuniste. Ai Bllok ishte kthyer në simbol të të keqes ndaj dhe tek ai, sipas të revoltuarve, kishin buruar të gjitha të këqijat e gjysmë shekulli.

Por Blloku nuk u dogj dhe nuk u krye ndonjë masakër. Pushtetarët e rinj, ndodhta për besëtytni, nuk pranuan të hynin në vilat e mbetura bosh të bllokmenëve të përmbysur. Për t’i treguar popullit se ishin të thjeshtë dhe se mendonin vetëm për popullin, ata vendosën të qëndronin apartamentet e tyre modeste…

Mirëpo kjo kishte qenë një manovër e përkohshme. Sepse shumë shpejt, pushtetarët e tyre do të ngrinin vila e blloqe shumëfish më të mëdhenj e më luksozë se Blloku i dikurshëm. Sot kemi disa blloqe, jo vetëm në Tiranë, por gjithandej nëpër Shqipëri, në gjirin e Lalëzit, në Vlorë e resorte që do t’i kishin zili edhe sheikët më të pasur të botës…

Më kujtohet një episod nga gjyqi i ish-byroistëve të dikurshëm që akuzoheshin për jetë luksoze në kurriz të një populli të varfër. E gjora Lenka Çuko ndihej shumë e sikletosur, madje fajtore sepse iu artikulua akuza për korrupsion se padrejtësisht kishte pasur dy banja në shtëpi kur shqiptarët e zakonshëm mezi kishin nga një. Asaj i dukej se ajo ishte përgjegjëse për rrënimin e ekonomisë dhe për përmbysjen e regjimit, sado që justifikohej se kishte në shtëpi edhe prindërit, se ishin kaq kurora etj. U dënua me disa vite burg dhe i la qelitë ndër të fundmit e kolegëve të saj në vitin 1997 kur u shpartalluan të gjitha burgjet…

Megjithatë duket se frika i ka dalë shumë vonë, të paktën nja njëzet vite më vonë kur mori vesh se një pushtetare e re që përgjërohej dhe bënte sikur i digjej shpirti për popullin e varfër, kishte veç të tjerash edhe një vilë në gjirin e Lalëzit me 12 banjo, ku kishte edhe banjo të posaçme për… macet!

Ndërkohë kam parë Nexhmije Hoxhën ta ngryste dhe mbyllte jetën e saj në një shtëpi të mjeruar në periferi të Tiranës në Laprakë, megjithëse ajo dhe familja e saj ishin akuzuar se kishin grabitur floririn e shtetit.

***
Dy nga ditët më të sikletshme për pushtetarët e rinj, të majtë e të djathtë pas vitit 1990 janë 5 Maji dhe 29 nëntori. Në këto dy data pushtetarë dhe politikanë shkojnë në varrezat e Dëshmorëve për të bërë adetin e vendosjes së kurorave për të rënët e lirisë. Mirëpo në këto data venë dhe veteranët dhe familjet e dëshmorëve, të cilët mbajnë në duar portretet e Enverit, atij që ata edhe sot e kësaj dite e quajnë komandant të asaj lufte. Pikërisht këtu fillon sikleti. Por fillon edhe kopaçja. Janë rrahur e gjakosur në këto ditë të shënuara veteranët dhe simpantizantët e Luftës Antifashiste, ndërsa politikanët e quajnë këtë një provokim të rëndë dhe flasin hapur: ne vijmë këtu të nderojmë luftën dhe dëshmorët, por jo diktatorin… Nuk kemi punë me nostalgjikët e diktaturës!

Kam parë ngritjen e monumentit të Ahmet Zogut dhe të Halil Alisë. Kam parë se si iu hodhën prangat Shefqet Peçit në pragun e vdekjes vetëm se kishte qenë nga komandantët më të shquar të Luftës. Kam parë dekorimin e kriminelëve të luftës dhe të diversantëve që desantuan nga toka, ajri dhe deti dhe që kishin kryer krime të panumërta. Kam parë se si heronjtë dhe dëshmorët u quajtën kriminelë dhe se si iu ngrit memoriali dhe u nderua me ceremoni shtetërore nga kryetari i Partisë Socialiste kryekolaboracionisti shqiptar, Mithat Frashëri. Kam dëgjuar kryesocialistin dhe kryemninistrin e vendit, Edi Ramën, tek u tha veteranëve të luftës antifashiste të ulnin kokat përballë Mit’hatit.

Mandej, kam parë parë të sulmohet egërsisht gjuha shqipe duke kërkuar prishjen e standardit letrar me të vetmin arsyetim se ky standard u arrit në kohën kur në krye të vendit ishte Enver Hoxha. Gjatë këtyre viteve janë artikuluar qartë nismat për ndalimin filmave artistikë dhe krijimtarisë letrare të viteve të socializmit. Ndërsa janë ngritur muzera Bunkart 1, 2, 3 ndërsa ish-kampin e Tepelenës e kthyen në Aushvicin shqiptar. Kam parë degradimin e arsimit dhe ringjalljen e analfabetizmit që u zhduk në kohën e qeverive komuniste. Kam parë të mos përkujtohet 11 janari dita e shpalljes së Republikës dhe të injorohet elektrifikimi i vendit, vetëm e vetëm se atë e bëri regjimi komunist.

***
Kam ndjekur një dialog shumë intersant para ndonjë viti midis një studiuesi të huaj dhe disa qytetarëve në Tiranë, ku ata i ankoheshin të huajit për varfërinë, për papunësinë, për pasigurinë, për korrupsionin e hatashëm, për imoralitetin e politikanëve, për gjakmarrjen, të cilat i detyrojnë shqiptarët të marrin arratinë edhe pas tridhjetë vjetësh nga përmbysja e regjimit komunist. Në kohën e Enverit ishte ndryshe…, – e mbyllën ligjëratën e tyre.

– Pra juve u qenka ngjallur nostalgjia për Enverin?! Harrojeni atë! – tha me zemërim i huaji.
– Keni të drejtë! – tha njëri nga shqiptarët në emër të shokëve të tij. – Ne duhet ta harrojmë Enverin… Por do ta harrojmë kur këta që kemi në krye të vendit prej tridhjetë vjetësh t’i bëjnë punët qoftë edhe pak më mirë se ai.  DITA

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …