Ylli Polovina: “Golgota” serbe në Shqipëri

Historia e marrëdhënieve serbo-shqiptare ndoshta është më pak e ndërlikuar se ajo me Greqinë, por gjithsesi, fsheh më tepër të pathëna. Sidomos prej atyre që dëshmojnë se i kemi dhënë njëri-tjetrit më shumë miqësi nga sa e censurojmë për të treguar muskujt e nacionalizmit. Një nga këto ka të bëjë me çfarë ka ndodhur gjatë dy muajve të një dimri shumë të ftohtë: fund nëntor 1915-fund-janar 1916. Historiografia serbe e quan “Golgota shqiptare”.

 

Ndryshe nga Beteja e Kosovës e vitit 1389, ndeshje mes armatës së bashkuar ballkanike kundërosmane, me në krye princin serb, Llazar, kundër ushtrisë turke të prirë prej sulltanit Murat I, ngjarje që është devijuar rëndë për t’i shërbyer tezës së njohur se Kosova ka qenë djepi i shtetformimit të tyre, ajo që ndodhi në dy muajt e mësipërm nuk e ka pësuar këtë dhunim.

 

Është mjaftuar me ndërhyrje të vogla dhe sidomos me titullimin e saj, çfarë nënkupton “vuajtje jashtëzakonisht e madhe në Shqipëri”. Për shumë që historisë nuk i hyjnë deri në hollësi formulimi “Golgota shqiptare” ndryn mesazhin e doktrinuar se mundimi i serbëve në ata dy muaj të fundnëtorit 1915 deri në fundjanar 1916 u është shkaktuar prej shqiptarëve.

 

Në të vërtetë, me ca ndjenjë realizmi dhe frymë miqësie, doemos edhe dashamirësi, emri i ngjarjes prej histori-shkrimit të shtetit me të cilin Kosova dhe ne jetojmë në bashkëfqinjësi, mund fare mirë të qe “Rrugëshpëtimi shqiptar” ose diçka e përafërt me këtë logjikë.

 

Po e tregojmë shkurtimisht lëndën e Gogotës serbe, të cilët falë asaj si në të vërtetë ngjarja ndodhi, qe edhe shpëtimi i vetëm i shtetit të Serbisë gjatë Luftës së Parë Botërore, e cila pati nisur jo sepse ndonjë “allbanac” pati qëlluar për vdekje me Arqidukën perandorak të Austrohungarisë dhe gruan e tij, por ai qe një ekstremist serb.

 

Pasi u bënë qëndresë heroike forcave të rreshtuara kundër, kryesisht vende gjermanike, për një vit të tërë serbët thyen tre sulme të tyre. Rezistuan pa u thyer edhe kur në fillim të vitit 1915 u goditën rëndë nga një epidemi tifoje. Me pak fjalë pasi prej luftimeve në front patën 170.000 ushtarë të vrarë, të plagosur, të shumësëmurë e të zhdukur dhe prej sëmundjes ngjitëse tmerruese 150 mijë jetë të ikura, mes rrugëzgjidhjes që të bëhej qëndresë gjer në fund (madje edhe të organizohej një kundërsulm) apo të kryhej tërheqja për në zonat e thella në jug të vendit dhe të shkohej më tej, largimi i përkohshëm nga territori i shtetit, fitoi kjo alternativë e fundit.

Si drejtim ikjeje u zgjodh Maqedonia, prej të cilës do të shkohej në Selanik, për t’u strehuar, riorganizuar dhe kthim në kundërofensivë ndaj austro-hungarezëve dhe aleatëve të tyre me objektiv rimarrjen e territorit të shtetit.

Porse në 14 tetor 1915 sulmuan qëllimisht bullgarët dhe ua prenë këtë shteg. Kështu, e vetmja rrugë shpëtimi mbeti kalimi nëpër tokën e shqiptarëve.

 

Në këtë tërheqje të madhe dhe të padëgjuar jo vetëm në Ballkan, por edhe në kontinent, nuk ishte një kabinet qeveritar dhe trupa ndihmëse të sigurisë së saj, siç edhe në më të shumtën e rasteve të ngjashme ndodh. Ne, për shembull, kemi në këtë fushë modelin e ikjes Zog.

Në largim qe vetë shteti serb, gjithë struktura dhe aparati i tij. Ishte oborri mbretëror dhe tërë familja e monarkut, qeveria me në rresht të parë Kryeministrin, parlamentarë, pothuaj tërë trupi diplomatik i akredituar në Beograd, shumë profesorë e eksponentë të botës akademike, gjithë ushtria që kishte mbetur, madje edhe popull i thjeshtë: afro 220 mijë ushtarë dhe 200 mijë civilë.

 

Tërheqja nëpër Shqipëri u krye nga drejtimi i Malit të Zi dhe prej atij të Kosovës. Kalohej më së shumti në Shkodër e dilej në Shëngjin dhe në Durrës, po ashtu nëpër Peshkopi dhe Elbasan, duke iu afruar Portit të Vlorës. Këtu shtetet aleate, mes tyre edhe Italia, do t’i ndihmonin ta kapërcenin detin.

 

Toka shqiptare konsiderohej armiqësore dhe arsyet nuk kishte përse zhyteshin shumë në dhjetëvjeçarët ose shekujt e shkuar. Sapo kishte ndodhur 1913-ta, viti që u kishte marrë, me një vendim të padrejtë në Londër, pothuaj gjysmën e trojeve. Por nuk qe vetëm kjo. Tronditëse kishte qenë edhe e quajtura “fushata serbe në Shqipëri, 1912-1913”, kur patën pushtuar pjesën më të madhe të hapësirës mbi Shkumbin dhe u shfaqën te portat e Tiranës dhe të kryeqytetit, Durrësit, një apo dy ditë më parë se të shpallej pavarësimi në Vlorë. Ismail Qemali sapo kishte ardhur, me misionin e tij fisnik. Ata donin ta ndalonin këtë akt jetik kombëtar.

 

Ishte kaq kërcënuese kjo armatë serbë sa gjithçka mund të kuptohet edhe vetëm prej një fragmenti nga libri “Historia e Durrësit” (me autorë Hava e Sali Hidri). Pasi më 26 nëntor populli durrsak pati ngritur flamurin kombëtar “Gëzimi…u pre menjëherë nga marshimi dhe futja e ushtrisë serbe. Dalja përpara e delegacionit të këtij qyteti ushtrisë serbe, që i bënte të ditur komandantit serb se Durrësi e kishte shpallur pavarësinë, nuk u përfill nga ai. Në krye të batalionit, ai shkonte me fodullëk përpara ndërtesës qeveritare, i shoqëruar nga konsulli malazez, Vuka Gjurashkoviç, dhe një grup fanatikësh, duke bërë gjestin teatral spektakolar të uljes së flamurit tonë kombëtar, duke e ringritur dhe hequr njëkohësisht flamurin turk dhe së fundi e mbyllte këtë gjest, domethënë sipas tij, duke ngritur flamurin serb”.

 

E megjithëkëtë trashëgimi të rëndë, ndërsa tërë shteti serb kaloi nëpër malet shqiptare, sipas historiografisë perëndimore vdekjet e mëdha që u ndodhën ikësve nëpër territorin tonë (si edhe gjatë kalimit nëpër Malin e Zi) u shkaktuan më së pari “prej urisë, sëmundjeve, etjes, të ftohtit të madh (ngrirje trupi) dhe nga sulmet e forcave armike si edhe të bandave shqiptare”. Studiuesit perëndimorë shtojnë se malet e larta shqiptare i mbrojtën serbët nga sulmet ndjekëse të ushtrisë austro-hungareze.

 

Vërtet këtë kohë në Durrës ishte në krye të një qeverie paralele Esat Pashë Toptani, i cili për interesa të pushtetit personal e ndihmoi këtë ikje, por njëkohësisht prej askujt politikani tjetër, intelektuali ose gazete, qyteti ose fshati, bashkësie fetare apo krahine, nuk u bë thirrje të kryhej shpagimi. Respektuan fatkeqësinë kombëtare të popullit në fqinjësi.

 

Pamjen e saj e jep një mjek i Kryqit të Kuq, holandezi Tienhoven, i vendosur këto kohë në Durrës: “Akoma më e tmerrshme është kur ndeshemi rrugës me ushtarë që po vdesin apo që të vdekur janë lënë nëpër fushë të pavarrosur. Shpeshherë zbresim nga kuajt për t’u dhënë diçka atyre fatkëqijve, që të marrin fuqi, por ata janë aq të dobët, saqë nuk arrijnë as të gëlltiten dhe vera që u japim u rrjedh nga goja. Ushtarët vërtiten ngado, kuturu, veshur me lecka. Rrobat e tyre janë të grisura dhe këmbët e tyre, shpesh të ngrira apo gjithë plagë, i kanë mbështjellë me copa thasësh”.

 

Midis 12 dhjetorit 1915 deri në 29 shkurt 1916, Flota Mbretërore Italiane, e ndihmuar nga njësi franceze dhe britanike, e mori nga portet shqiptare masën e madhe njerëzore të serbëve. Ishin 110.000 ushtarë dhe 2.350 oficerë. Mes tyre qenë edhe mbreti Pjetër i Parë Karagjeorgjeviç, princi trashëgimtar Aleksandër, kryeministri Nikolla Pashiç. Këta fillimisht u bartën në Brindisi, pastaj u zhvendosën në Korfuz. Gjithë të tjerët në disa ishuj grekë. Në njërin prej tyre, Vidos, nga vdekjet e shumta prej sëmundjeve u varrosën nën ujë, me kufoma të lidhura pas shkëmbinjve (që trupat të mos notonin mbi ujë), afro 5000 serbë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …