Zeqir Bekolli: Dr. Lulzim Nika, “Zhvillimet politike në Kosovë gjatë viteve 1966-1974”

Zeqir Bekolli: Dr. Lulzim Nika, “Zhvillimet politike në Kosovë gjatë viteve 1966-1974”

Zhvillimet politike në Kosovë gjatë viteve 1966-1974”, është libri i Dr. Lulzim Nikajt, i cili trajton periudhën historike të viteve 1966-1974, dhe vlimet politike e shoqërore të asaj periudhe, në ish-Jugosllavi, që patën rëndësi, nëse mund të thuhet edhe jetike për shqiptarët që jetonin në Kosovë. Libri është i ndarë në tre kapituj, në të cilët përshkruhen rrethanat shoqërore-politike, ngjarjet dhe zhvillimet që patën ndikim edhe në jetën e shqiptarëve nën-ish-Jugosllavi. Që në nismë të librit, hetohet përpjekja e autorit për të nxjerrë në pah tendencën e hegjemonizmit serb për shfarosjen e shqiptarëve, mashtrimin që iu bë pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe për përpjekjet e shqiptarëve për t’ju kundërvënë trysnive, mashtrimeve dhe proceset e montuara të orkestruara nga e ashtuquajtura UDB-ja famëkeqe, parapa se cilës qëndronte njëri prej antishqiptarëve më të mëdhenj të kohës, serbi Aleksandër Rankoviq, i dirigjuar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë.

Krahas një dhune dhe terrori, që do të ushtrohej mbi shqiptarët nga UDB-ja famëkeqe, autori nxjerr në sipërfaqe edhe qëndresën e nisur nga Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar, që ishte formuar në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me qëllim të kundërshtimit të padrejtësive, dhunës dhe terrorit, por edhe të çlirimit të viseve shqiptare nën ish- Jugosllavi dhe bashkimit të tyre me Shqipërinë. Në libër përshkruhen edhe rolet dhe veprimtaritë e Partisë Revolucionare për Bashkimin e tokave Shqiptare me shtetin amë, me drejtues Metush Krasniqin, të Komitetit Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, drejtues Kadri Halimin dhe të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, drejtues Adem Demaçi.

Për rreth këtyre organizatave ishin mbledhur idealistë, të cilët bazuar në programet e organizatave të tyre kishin të njëjtin synim, çlirimin e tokave shqiptare nën ish-Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë. Duke përshkruar synimet famëkëqija të shovinizmit serb, por edhe duke u bazuar në dokumente arkivore të gjetura në Kosovë dhe SHBA, autori, është përpjekur ta pasqyrojë në mënyrë reale periudhën të cilën e mori për trajtim. Se shqiptarët ishin të shënjestruar si “pre” nga shovinistet serb, sipas autorit, flet edhe procesi i montuar i Prizrenit i vitit 1956, ky në cak ishin kuadrot shqiptare. Ky proces, në vitin 1966 doli se ishte i montuar dhe kishte qëllim likuidimin e shqiptarëve. Autori, në vargun e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi, të shtypjes dhe terrorit, do ta përmend edhe aksionin famëkeq të armëve, nëpërmjet të cilit UDB-ja shtypte shqiptarët dhe i detyronte të shpërnguleshin nga trojet e tyre në drejtim të Turqisë. Në këtë kontekst, Nika, citon një raport të CIA-s të vitit 1966, në të cilin përshkruheshin në hollësi zhvillimet dhe lufta për pushtet ndërmjet grupeve të interesave në ish-Jugosllavi, ndërmjet përfaqësuesit të nacionalizmit serb Aleksandër Rankoviqit në njërën anë dhe të ish-udhëheqësit Tito në anën tjetër.

Në këtë raport, dëshmohet për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi, kurse Kosova vlerësohej si vendi më të pa zhvilluar në viset tjera të ish-Jugosllavisë. Luftës së grupeve do t’ju japë fund Plenumi i Brioneve, në të cilin shovinizmi serb do të marrë një goditje. Nga skena politike do të largohet ideatori i shovinizmit serb Aleksandër Rankoviq. Një vëmendje të posaçme autori do t’ju kushtojë edhe përpjekjeve ilegale të kohës dhe personaliteteve siç ishin Fazli Greiçevci, Metush Krasniqi, Osman Dumoshi, Adem Demaçi,… Ky i fundit, me qëndrimin e gjatë nëpër burgjet serbo-jugosllave do të shndërrohet edhe në simbol të rezistencës kombëtare. Në këtë kontekst, si përpjekje tejet serioze në libër vlerësohen demonstratat e vitit 1968, të cilat në një mënyrë ose tjetër sensibilizuan çështjen shqiptare nën ish-Jugosllavi dhe shkeljen e të drejtave të tyre, duke u bërë edhe shkas i realizimit te të drejtave të shqiptarëve, sidomos në Kosovë, duke filluar nga e drejta për përdorimin e flamurit kombëtar deri te e drejta për Universitet dhe status të autonomisë për Kosovën. Autori nuk lë pa përmendur edhe një të vërtetë që kishte zënë fill edhe në strukturat e atëhershme të Kosovës, siç ishte kërkesa për Republikën e Kosovës të cilën në mënyrë legale e kishin kërkuar disa komuna ndër to komuna e Gjakovës, Drenasit, Kaçanikut,… e cila për shkak të trysnisë së madhe në radhë të parë të shovinizmit serb nuk ishte realizuar.

Pas kërkesës zyrtare për Republikën e Kosovës, dhe trysnisë e ndikimit, që patën demonstratat e vitit 1968, brenda dhe jashtë ish-Jugosllavisë, erdhi edhe faza e ndryshimeve Kushtetuese me ç’rast Kosova u bë me kushtetutë në vitin 1974 dhe fitoi statusin e autonomisë, me një lidhje në Federatën Jugosllave, duke u bërë kështu një subjekt autonom në shumë fusha të jetës. Kjo fazë shënon edhe hapa konkretë të zhvillimit, në arsim, shkencë, kulturë, bujqësi, infrastrukturë e industri. Edhe pse ishte kështu, Kosova vazhdonte të shfrytëzohej dhe të mbetej njëra prej subjekteve më të pa zhvilluara të Federatës Jugosllave. Kjo autonomi u realizua përballë një agresiviteti e kundërshtie të madhe të shovinizmit serb, e cila do të rrënohej nga Serbia pas më shumë se një decenie, bazuar në skenarin e “Librit të Kaltër”, botim i ASHAS-së.

I mbështetur në punën hulumtuese kërkimore dhe në dëshmitë arkivore në Kosovë dhe SHBA, Dr. Lulzim Nika, nëpërmjet dokumenteve do të dëshmojë rolin dhe veprimtarinë e veprimtarive ilegale në njërën anë, por edhe të përpjekjeve të strukturave të Kosovës në anën tjetër për ngritjen e nivelit te të drejtave të shqiptarëve, sidomos në Kosovë. Autori në bazë të dëshmive të kronistit të Titos, Pera Damjanoviq, dëshmon se ky i fundit iu kishte thënë rusëve se Programi i Demaçit ishte i motivuar nga strategjia e Ballit Kombëtar, me autor Rexhep Mitrovicën, për krijimin e Shqipërisë Etnike. Libri sjell edhe një varg zhvillimesh të kohës, brenda ish-Jugosllavisë, që ndërlidhen edhe me ato ndërkombëtare, siç ishte edhe rënia e Paktit të Varshaves dhe një seri zhvillimesh tjera, që përcilleshin edhe me tensione dhe në një ose mënyrë tjetër kishin ndikim direkt ose indirekt edhe në krijesën artificiale që i thoshin Jugosllavi. Libri ka 204 faqe dhe mund të lexohet me një frymë.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …