ZV/MINISTRI SAHITI PRITI PËRFAQËSUESIT E KËSHILLIT KOMBËTAR SHQIPTAR TË LUGINËS SË PRESHEVËS

Zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, priti kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Shukri Ymeri me bashkëpunëtorë, me të cilët bisedoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në sektorin e arsimit. Me këtë rast, ndër të tjera u bisedua për vështirësitë që kanë studentët e Luginës së Preshevës sa i përket njohjes së diplomave nga shteti i Serbisë dhe mundësitë e ndihmës së Kosovës me tekste shkollore. Në këtë takim u fol edhe për nevojën dhe mundësitë e hartimit të një programi trajnues profesional nga MAShT për mësimdhënësit nga këto treva sa i përket implementimit të reformave dhe kurrikulës së re. Zv/ministri Sahiti u shpreh se MAShT brenda mundësive që ka është i përkushtuar që të ndihmojë arsimimin e të rinjve nga Lugina e Preshevës dhe se kjo mbështetje si obligim kombëtar nuk do të mungojë asnjëherë. Ai theksoi se tashmë janë ndarë kuotat për studentët që dëshirojnë të studiojnë në Kosovë dhe tha se do të kujdesemi që t’i sistemojmë në konvikte sa më shumë nga ta. Ndërsa, ai theksoi se çështja e njohjes së diplomave duhet të rregullohet në nivele të larta institucionale të dyja vendeve. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Shukri Ymeri, falënderoi MAShT-in për mbështetjen e deritanishme dhe shtoi se arsimi shqip në këto treva ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme në shumë segmente, sidomos në përkrahjen e studentëve, përfshirë këtu edhe përkrahjen me bursa.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …