muqa 900
mbpzhr
vipa
Fillimi / Dëshmorët / Arsen Daut Mazrekaj (28.12.1979 – 6.7.1998)
Arsen Daut Mazrekaj (28.12.1979 – 6.7.1998)

Arsen Daut Mazrekaj (28.12.1979 – 6.7.1998)

Arsen Mazrekaj u lind më 28 dhjetor të vitit 1979, në fshatin Drenoc, komuna e Deçanit. Rrjedh nga një familje e ndershme, bujare e atdhetare. Gjatë regjimeve okupuese, kësaj familje i janë vrarë disa meshkuj nga forcat serbe, dy prej tyre kanë rënë dëshmorë në luftën e UÇK-së. Kështu, në vitin 1913, me të depërtuar të forcave serbe në Kosovë, Bardhosh Ibish Mazrekaj, burgoset e dënohet me pretekst të armëmbajtjes pa leje. Dërgohet në vuajtje të dënimit në burgun e Nishit, ku pas një kohe vdes si pasojë e torturave. Megjithatë, edhe për së vdekuri e kishin mbajtur në burg deri në përmbushjen e dënimit. Kufomën e tij ia kishin dorëzuar familjes, vetëm pasi e kishte kryer dënimin.
Në vitin 1932, në kuadër të të ashtuquajturës “reformë agrare”, regjimi serb për nëntë vjet me radhë ua konfiskoi tërë pasurinë, tetë hektarë tokë dhe kullën që e kishin për banim. Në kullë e vendosën kolonin Stana Bashanoviq, derisa tokën ia dhanë një koloni tjetër malazez. Nga kjo familje gjatë Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në prill të vitit 1941, në tokën e tij, vritet nga kolonët serbomalazezë, Beqir Ibish Mazrekaj.
Prindërit Daut e Hysë (Jasiqi) Mazrekaj kishin gjashtë fëmijë: tre djem e tri vajza. Arseni ishte fëmija i tretë.
Shkollën fillore e mbaroi në shkollën “Sylë Alaj” në Drenoc, me sukses të shkëlqyeshëm. Ndërsa shkollimin e mesëm e mbaroi në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit, në paralelen e ndarë në Drenoc, gjithashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Si gjatë shkollimit fillor edhe në atë të mesëm u dallua për sjellje shembullore. Ishte nxënës i dalluar në aktivitete të ndryshme shkollore, për çka u shpërblye e mori mirënjohje disa herë radhazi. Ishte i zhvilluar fizikisht dhe me pamje të bukur dhe i edukuar drejt në vijën kombëtare. Si maturant iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Arseni i kishte përjetuar rëndë masakrat që kryen forcat serbe në Qirez, Likoshan e Prekaz. Mori pjesë aktive në protestat e organizuara në Deçan, Pejë e Gjakovë në përkrahje të luftës së UÇK-së, e cila kishte shpërthyer në Drenicë. Ato ditë angazhohet pa u hamendur në fshatin e tij, ku që nga kjo kohë kishte filluar organizimi i rojes në fshat. Ishte ndër më aktivët, duke dhënë roje pandërprerë. Ndërsa Beteja e 24 marsit 1998 në Gllogjan, kishte lënë gjurmë të pashlyeshme tek ai, sidomos përballja heroike e luftëtarëve të UÇK-së dhe dëmet që ua kishin shkaktuar forcave serbe. Ishte tepër entuziast për të qenë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me gjithë shpirt ishte përcaktuar për luftën për liri.
Pas kësaj beteje, banorët e Drenocit sikurse edhe të fshatrave tjera, vënë lidhjet me luftëtarët e UÇK-së në Gllogjan dhe kyçen në luftën e armatosur. Një grup prej tyre shkon për armatim në Shqipëri. Armatimin e Drenocit, të sjellë nga Shqipëria, Arseni e rregulloi dhe montoi së bashku me vëllanë dhe djalin e axhës, në odën e Rexhep Mazrekajt (dëshmor).
E kishte përjetuar rëndë vrasjen e luftëtarëve të UÇK-së nga Sllupi e Hereçi, të rënë në pritën e forcave të ushtrisë serbe në afërsi të Koshares, në prill të vitit 1998, derisa po ktheheshin me armatim në Kosovë, që ishte një goditje e rëndë për UÇK-në. Megjithatë, siç kujtojnë, të afërmit e dëshmorëve të Sllupit, Arseni, gjatë tërë kohës ishte angazhuar me tërë qenien për të pasur një varrim sa më dinjitoz të këtyre bashkëluftëtarëve, si në hapjen e varrezave, si në organizime të tjera edhe pse atë ditë derisa po bëhej varrimi i nëntë dëshmorëve të Sllupit, fshati u granatua pandërprerë nga forcat serbe.
Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në betejën e parë të Prejlepit, nga ana e sipërme e rrugës, ku ishin përqendruar luftëtarët e fshatrave të rajonit të Vokshit.
Në fillim të muajit maj 1998, Arseni së bashku me të vëllanë, Avniun, dhe djalin e axhës Mentorin, shkon në Shtabin e UÇK-së për Rrafshin e Dukagjinit në Gllogjan, ku për afër një muaj kryen stërvitjet ushtarake, nën drejtimin e komandantit Bedri Shala (dëshmor). Merr pjesë edhe në hapjen e istikameve që nga Gllogjani deri në fund të fshatit Shaptej dhe në drejtim të Bitesheve që ishte vijë e parë e frontit. Arseni tregohet mjaft i shkathët në përdorimin e armëve të lehta dhe të rënda.
Pas kësaj, Arseni, Avniu e Mentori, me kërkesë të shtabit lokal kthehen në fshat, për të vazhduar aktivitetin në kuadër të shtabit lokal të UÇK-së në Drenoc.
Në fillim të qershorit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatrat e rajonit të Vokshit, me ç’rast banorët e këtyre fshatrave detyrohen të braktisin vatrat e tyre.
Më 3 qershor 1998, te Ura e Bajramhasanëve, në mes të fshatrave Carrabreg e Prejlep, bri magjistrales Deçan-Gjakovë, në një përleshje të rreptë e të pabarabartë me forcat pushtuese serbe, bie dëshmor axha i Arsenit, Rexhep Mazrekaj, së bashku me dy bashkëluftëtarët, Ahmet Baqaj dhe Selmon Dukaj, po nga Drenoci.
Ndërkohë, Arsen Mazrekaj, për të strehuar familjen detyrohet të kalojë në Shqipëri, në Bajram Curr, ndërkohë që babai i tij, Dauti, mbetet me një pjesë të bashkëluftëtarëve në fshatin Drenoc, ku qëndruan deri më 14 qershor 1998, kur bien dëshmorë luftëtarët Armend Kukleci e Blerim Lokaj, pjesëtarë të Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza” dhe Tahir Alaj nga Drenoci. Këtë ditë, bashkë me tre të plagosur detyrohen të tërhiqen nga fshati. Një pjesë e tyre përqendrohet në fshatin Voksh, ndërsa të tjerët në Jasiq, për të vazhduar aktivitetin.
Fatkeqësisht, vetëm pas disa ditësh, më 6 korrik 1998, në qendër të Bajram Currit, Arsen Mazrekaj, pa asnjë pretekst vritet nga një shtetas shqiptar, gjë që kishte shkaktuar revoltë tek ushtarët e UÇK-së. Me atë rast plagoset edhe një i ri tjetër nga fshati Punashec i Gjakovës.
U varros në qytetin Bajram Curr pranë varrezave të dëshmorëve, ku më pas u varrosën edhe dhjetëra dëshmorë të tjerë që ranë në luftimet për thyerjen e kufirit ndërshqiptar.
Pas vetes, Arseni la prindërit, Dautin e Hysën, vëllezërit Avniun e Diamantin dhe motrat Lirinë, Havën e Razën. Emrin e tij e mban djali i vëllait, Avniut. Më 22 gusht 1999, dëshmori Arsen Mazrekaj u rivarros me nderime të larta në varrezat e vendlindjes në Drenoc. Pas rënies është nderuar me mirënjohje të veçanta për aktivitetin e zhvilluar për liri e çlirim. (F. R.)