vipa
muqa 900
vala
Fillimi / Dëshmorët / Harun Aliu (20.5.1971 – 12.5.2010)
Harun Aliu (20.5.1971 – 12.5.2010)

Harun Aliu (20.5.1971 – 12.5.2010)

Pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qershor të vitit 1999 dhe hyrjes në Kosovë të forcave të NATO-s nën misionin e koduar KFOR-it, si dhe të administratës UNMIK, shumë luftëtarë dhe eprorë nga viset shqiptare të Iliridës e të Kosovës Lindore, që kishin luftuar në radhët e UÇK-së, filluan aktivitetet luftarake për vazhdimin e çlirimit të trojeve të tjera të robëruar shqiptare. Për dallim nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila në kushte dhe rrethana të ndihmës që mori nga Aleanca Ushtarake Veriatlantike, u kurorëzua me sukses, UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare u detyruan ta ndërpresin aktivitetin Çlirimtar nën presionin e madh të politikave zyrtare, vasale të Tiranës e Prishtinës, por edhe të shteteve që kishin përkrahur luftën e Kosovës. Në kushte dhe rrethana të tilla u nënshkrua marrëveshja kapitulluese e Konçulit më 13. 2. 2001, si dhe Marrëveshja e Ohrit, në gusht të vitit 2001, marrëveshje këto që nuk u përfillën as u realizuan nga Beogradi dhe Shkupi zyrtar. Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua në kohën kur Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte krijuar epërsi në terren kundër ushtrisë maqedonase dhe kur kur luftëtarët shqiptarë po përgatiteshin të hynin në Shkup e kur admirali i NATO-s, Xhonson, i kishte thënë publikisht kreut të Shkupit se duhej ta nënshkruante marrëveshjen, meqë nuk do tafitonte dot luftën kundër shqiptarëve. Pjesë militante e luftëtarëve të lirisë nuk u pajtua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk realizua as po realizohet dot. Njëri prej eprorëve të Ushtrisë Çlirimtarëve Kombëtare, i cili nuk u pajtua me dhurimin e fitores shtetit antishqiptar maqedon, ishte edhe luftëtari i lirisë, Harun Aliu, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi kombit dhe çlirimit të viseve të robëruar të Shqipërisë.

Harun Aliu u lind më 20 maj të vitit 1971 në lagjen Hasanbeg të Shkupit, një lagje tradicionale shqiptare, e cila e kishte ruajtur kompaktësinë etnike edhe pas masakrave të ushtrive sllave, qysh prej vitit 1912, kur vendbanimet dhe trojet shqiptare u dogjën e u shkatërruan nga aleanca e shenjtë sllave, në krye me Rusinë Cariste dhe militarizmin e shteteve të sapokrijuara sllave në Ballkan.
Shkollën fillore Haruni e kreu në vendlindje, në kohën kur shqiptarët në Maqedoni nuk gëzonin as të drejtat elementare kombëtare. Duke mos parë perspektivë për vazhdimin e shkollimit në gjuhën shqipe, Haruni i ri u nis drejt shteteve arabe dhe u vendos në Damask të Sirisë, ku kryen shkollën e mesme. Pas mbarimit të shkollimit në Siri, kthehet në Shkup dhe duke qenë i etur për arsimim kombëtar regjistrohet në Fakultetin e Historisë, në Universitetin e Tetovës, i cili ishte Universiteti i vetëm shqiptar në Iliridë, që nuk i nënshtrohej Qeverisë diskriminuese të Shkupit dhe vetëfinancohej nga donatorët vullnetmirë e arsimdashës.
Haruni i kreu me sukses studimet, por gjendja e rëndë e popullit shqiptar nën robëri nuk e linte të qetë. I besonte lirisë dhe ishte nisur në rrugën, të cilës i besonte, ashtu sikur i besonte Hyjit krijues, por edhe drejtësisë dhe domosdosë së fitores së dritës kundër errësirës.
Në moshën 24-vjeçare, tashmë burrë i kalitur në rravëgimet e jetës, ai i bashkohet Lëvizjes Popullore të Kosovës, të vetmes opozitë reale të forcave të shëndosha kombëtare shqiptare në trojet e robëruara. Kishte ndihmuar Lëvizjen në të gjitha segmentet, ndërsa në vitin1998, ai bashkë me Beqir Limanin, Qemal Shaqirin dhe bashkëveprimtarë të tjerë, themeloi celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Maqedoni, në Zonën e Dytë Operative. Prej vitit 1995 deri më vitin 1998 Haruni bëri furnizimin me armë të anëtarëve të LPK-së, por në vitin 1998 grupi u zbulua nga shërbimet e sigurimit shtetëror të Maqedonisë.
Në aksionin e ndërmarrë nga policia maqedonase, u burgosën disa nga bashkëveprimtarët e Harunit, me ç’rast policia vrau para shtëpisë së tij, Beqir Limanin nga Kërçova. Asokohe, Haruni ndodhej në Shqipëri. Duke qenë se ai e merrte me mend se aktiviteti i tij ishte dekonspiruar, vendosi të mos kthehej në Maqedoni për një kohë. Aktivitetin e tij e vazhdoi në Shqipëri, në kontakt me kreun e LPK-së, e cila tashmë kishte aktivizuar sektrorin e luftës së armatosur, me qëllim për të organizuar luftën ççlirimtare në Kosovë.
Pas mbarimit të luftës së UÇK-së në Kosovë, Haruni e fokusoi aktivitetin në formimin e formacionit të ri ushtarak, të cilin bashkë me shokët e tij e emëroi “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”.
Në mars të vitit 2001, Harun Aliu ndodhej në fshatin Sellcë të Tetovës, ku asokohe ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila tashmë kishte filluar aksionet e para kundër forcave policore dhe ushtarake maqedonase. Në emër të anëtarit të shtabit, ai u paraqit në mediat e vendit dhe të huaja me nofkën “Arben Ali”. Me këtë rast para mjeteve të informimit ai shpalosi qëllimet e luftës çlirimtare që po zhvillonte Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Më 5 shtator të vitit 2001, derisa ndodhej në Kosovë Haruni u arrestua e më pas u burgos nga policia e UNMIK-ut me ç’rast u dënua me 4 vjet burg. Ai u dërgua në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës, ku mbajti rreth katër vite burg.
Pas lirimit nga burgu, Harun Aliu shkoi në familjen e tij, në lagjen Hasanbeg të Shkupit, ku kishte munguar për gjashtë vjet rresht, dduke qenë dy vjet në luftë e katër vjet në burg.
Pasi kthimit në shtëpi, Haruni, në bisedë me bashkëluftëtarët kishte filluar të interesohej për rezultatin e sakrificës së tij, dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai, me kohë kishte vërejtur se nga kjo marrëveshje kompromisi ishte degraduar edhe më keq pozita e shqiptarëve në Maqedoni. Ajo jo vetëm që nuk ishte përmirësuar, por në disa segmente edhe ishte përkeqësuar. Ishte dëshpëruar shumë kur kishte kuptuar se ishte ndryshuar preambula e Kushtetutës, në dëm të shqiptarëve. I pakënaqur me gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe me moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila edhe po të realizohej në tërësi nuk ishte ndonjë shpagim i sakrificës së shqiptarëve, Haruni, në vitin 2006, themeloi “Alternativën Kombëtare”, që ishte një alternativë karshi programit të forcave kryesore politike shqiptare në Maqedoni.
Në shenjë hakmarrjeje kundër vrasjes së shqiptarëve në Brodec nga ushtria dhe policia maqedone në nëntor të vitit 2007, ishte goditur një veturë e policisë me ç’rast ishte vrarë një polic maqedon dhe ishin plagosur rëndë katër të tjerë. Duke qenë se jetonte ilegalisht, regjimi i Shkupit e akuzoi Harunin për këtë vrasje dhe e dënoi me burg të përjetshëm, në mungesë.
Haruni nuk ishte i gatshëm t’i dorëzohej policisë, për të dëshmuar fajësinë apo pafajësinë e tij, por vazhdoi aktivitetin e tij kombëtar në përpjekje për riorganizimin e luftës së armatosur. U detyrua sërish të largohet nga vendi dhe nga familja, e cila nuk dinte gjë për rrugëtimet e tij. Rruga, ideali dhe veprimtaria e tij atdhetare përfunduan më 12 maj të vitit 1010, kur në afërsi të Radushës, së bashku me tre bashkëveprimtarë të tij, ishte goditur për vdekje. Ai ka lënë pas djalin e tij 1- vjeçar, Fisnikun.
Në aksionin policisë maqedonase në afërsi të Radushës, natën vonë policia kishte zënë pritë dhe pa asnjë paralajmërim kishte gjuajtur në drejtim të furgonit ku ndodheshin katër veteranët e luftrave çlirimtare, në mesin e tyre edhe Harun Aliu. Përveç tij, në këtë pritë gjetën vdekjen edhe Shaban Zenuni nga Merova e Tetovës, Kemal Mustafa nga Gërçeci i Shkupit dhe Xhafer Shala nga Kosova. Harun Aliu është shpallur dëshmor i kombit, më 19 maj të vitit 2010 nga Shoqata e Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së, “KALAJA”. Në mbledhjen e kryesisë qendrore të këtij asociacioni veteranësh e invalidësh ishte vlerësuar kontributi çmuar i tij në favor të çështjes kombëtare. “Duke analizuar punën e tij që nga periudha e ilegalitetit e deri në luftërat e fundit të popullit shqiptar të zhvilluara në ish-Jugosllavi unanimisht morëm vendim që njeriun e celulave të para të lëvizjeve kombëtare Harun Aliu, i njohur me nofkën “Komandant Kushtrimi” ta shpallim Dëshmor të Kombit”-thuhej në komunikatë. Po ashtu në këtë mbledhje u vendos që edhe Shaban Zenuni, Komandant Hoxha” të shpallet Dëshmor i Kombit për kontributin e dhënë gjatë luftës së vitit 2001, si dhe për besnikërinë që tregoi për Komandant Kushtrimin deri në ditën e vrasjes së tyre makabre nga pushteti maqedonas në bashkëpunim me vasalët e tyre”. (A. Q.)