driloni com
vipa
rkl vala loja shperblyese
muqa 900
Fillimi / Dëshmorët / Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 – 2.12.1998)
Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 - 2.12.1998)

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 – 2.12.1998)

Dëshmori Hyzri Talla ka lindur në fshatin Letancë të Besanës (ish-Podujevë) në një familje të shtresës së mesme. Arsimin 8-vjeçar e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme, për teknik ndërtimi, e kreu në Besjanë. Në vitin 1983 regjistrohet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin për Inxhinieri Ndërtimi.
Hyzri Talla, qysh në moshën e adoleshencës është dalluar mes moshatarëve të vet për fizik të lartë e të fortë, fjalëpak, i durueshëm para vështirësive, besnik dhe tepër guximtar. Ngjarjet e fillimit të vitit 1981 Hyzriun e zunë në vitin e tretë të shkollës së mesme, i cili mori pjesë aktive në to, duke qenë në krye të bashkëmoshatarëve, për vetë karakterin e tij guximtar. Edhe pse regjimi policor serb dhe ai kolaboracionist përdorën dhunë të egër kundër demonstratave të atij viti, në rininë e atyre viteve, në vend që të kultivohej frika, ndodhi e kundërta, populli u trimërua. Ato ishin vitet kur ky popull nuk donte të dinte se çfarë ishte frika. Aq më shumë të rinjtë, të cilët i entuziazmon dhe i nxit për të kryer vepra të guximshme aktiviteti patriotik masiv.
Kështu, në javën e parë të muajit maj të vitit 1981, një grup të rinjsh të Shkollës së Mesme Ekonomike të Prishtinës, së bashku me ata të Shkollës së Mesme Teknike në Besjanë, organizojnë të parën organizatë ilegale të të rinjve, me në krye Naser Greiçecin dhe Akile Dedincën, ku qysh të nesërmen e krijimit të saj u anëtarësua edhe Hyzri Talla. Fillimisht këtë grup ata e emërtuan “Kosova në lëvizje” dhe pas tre muajsh e riemëruan Kosova e Re.
Qëllimi i kësaj organizate ilegale ishte të grumbullonte sa më shumë të rinj rreth vetes, nga të gjitha shkollat e mesme të Kosovës, duke shfrytëzuar lidhjet farefisnore dhe njohjet e tjera, për të qartësuar dhe mobilizuar rininë kosovare për luftë të armatosur. Për arritjen e këtij qëllimi vendosën të nxirrnin një gazetë ilegale, si dhe të botonin e të shpërndanin trakte të ndryshme, përveç propagandës gojore që do të bënin mes moshatarëve të tyre, por edhe me më të rriturit. Gjithçka do ta përgatisnin vetë.
Duke qenë të vendosur në nismën e tyre, filluan menjëherë nga ndarja e detyrave dhe, pas një viti arritën të nxjerrin gazetën e parë ilegale, që përgatitet dhe botohet në Kosovë, të quajtur “Përpjekja”, me 500 kopje, në shtëpinë e kryetarit të organizatës. Numri i dytë i saj doli në muajin korrik dhe i treti në muajin gusht 1982. Botimi i saj u bë duke bërë bashkimin e mjeteve personale: Naser Greiçeci siguroi makinën e shkrimit, po ashtu edhe Sali Konjusha në fshatin Hade. Matricat dhe letrën e dyllit i siguruan duke i blerë nëpër librari. Kështu u zëvendësua shaptilografi për shtypjen e gazetës. Kontributi i Hyzriut në sigurimin e bazës materiale dhe sidomos në shpërndarjen e gazetës ishte i pallogaritshëm.
Nxjerrja dhe shpërndarja e gazetës së parë, të rinjve u dha kurajo dhe besim në aftësitë e tyre, kështu që u zgjerua organizata, duke ruajtur gjithmonë sistemin tresh të organizimit. Në këtë periudhë ajo arriti të shtrihet pothuajse në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës. Pra, është organizatë që vepron kryesisht në qytet, pavarësisht se një pjesë e tyre banonin në fshat.
Përveç gazetës, organizata përpilon, shtyp, shaptilografon dhe shpërndan trakte të ndryshme: shkruajnë gjatë natës me bojë vaji parulla të ndryshme, në faqet e mureve të stacioneve policore, si dhe në vende të dukshme në qytete. Si gjithmonë, Hyzriu ishte në ballë të këtij aktiviteti, si në Besjanë edhe në Prishtinë. Përveç kësaj, ata të rinj udhëzonin dhe ndihmonin popullin se si të mund të kapnin stacionin e TVSH-së dhe Radio Tiranën, regjistronin emisionet e tyre për Kosovën dhe i shpërndanin në popull, si dhe shumë aktivitete të këtij lloji, duke shfrytëzuar me zgjuarsi moshën e tyre të re, e cila nuk krijonte shumë dyshime te policia.
Kjo organizatë e ul tempin e aktivitetit pas shtatorit të vitit 1982, pasi pjesa dërrmuese e udhëheqjes së tyre shkoi në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Megjithatë, aktiviteti nuk shuhet, të cilin tashti e udhëhiqte Akile Dedinca. Në fund të vitit 1983, pasi kthehen shokët nga ushtria, rigjallërohet organizata, e cila në dhjetor të atij viti organizon koferencën e parë, të cilën e mbajnë në fshatin Hade, në shtëpinë e Shaip Greiçecit.
Pas tre muajve, ndodh arrestimi i pothuajse gjithë udhëheqjes së grupit, që njiheshin prej Ejup Hasollit, nga Bardhi i Madh. Nuk u arrestuan vetëm ata ilegalë, që nuk njiheshin nga ky person. Hyzriu, mjeshtri i konspiracionit, nuk u arrestua, ngaqë nuk njihej nga Ejupi. I gjithë grupi u dënua nga 3,5 vjet, më i mituri, Fatmir Humolli, deri 10 vjet, kryetari, i cili e mori tërë veprimtarinë përsipër.
Hyzriu vazhdon të punojë në veprimtarinë e nisur, por tashti shumë më me kujdes, njëkohësisht ndjek studimet në Universitet. Edhe në demonstratat e fundit të viteve tetëdhjetë ai ishte një nga frymëzuesit e tyre. Kudo ku paraqitej rrezik, ai dilte në ballë.
Erdhën vitet nëntëdhjetë. Në Evropën Lindore filluan të fryjnë erërat demokratike. Jugosllavia u detyrua të nxirrte nga burgu të burgosurit politikë shqiptarë, të cilët ishin me mijëra. Edhe ish-anëtarët e grupit ilegal, ku kish bërë pjesë Hyzri Talla, dolën nga burgu. Qysh në takimin e parë me Hyzriun ata panë se, ai ish bërë më i pjekur politikisht, më i matur, më i formuar si intelektual dhe i palëkundur nga idetë, për të cilat ata ishin dënuar. Ishte bërë tepër bindës në argumente. Me një fjalë, ai kish marrë tiparet e një revolucionari të vërtetë. Atij nuk i pëlqente politika e re, që tashti kishte filluar të quhej “politika e rezistencës paqësore”. Pas disa kohe dhe takimeve të herëpashershme, ata erdhën në përfundimin që u pat thënë Hyzriu: në Kosovë qe futur tuta. Vendosën që të rifillojnë nga puna për të rikthyer në popull guximin, trimërinë dhe vullnetin e viteve të paraburgimit të tyre.
Nuk duhet harruar se, gjetja e momentit për nxjerrjen e të dënuarve politikë shqiptarë prej burgut ish bërë e studiuar mirë nga ana e Jugosllavisë. Ata u liruan, pasi në Kosovë kish filluar të merrte dimensione pacifizmi politik, duke i mbështjellë të gjithë, intelektualë, punëtorë e fshatarë, në organizimin politik që porsa ishte krijuar në Kosovë. Edhe shumica e ish-të burgosurve politikë u përfshinë kush më herët e kush më vonë në atë organizim. Edhe simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi, në atë periudhë u bë propagandues i zjarrtë i atij organizimi pacifist, duke qenë i bindur se kishim të bënim me një lëvizje kombëtarisht të drejtë.
Ata ish-të burgosur, që e shihnin me dyshim politikën paqësore, shkonin për konsultime te Adem Demaçi, duke i propozuar krijimin e një organizimi të ri politik me në krye atë, i ndryshëm nga ai i LDK-së. Edhe grupi ilegal, ku bënte pjesë Hyzriu, i shkoi me këtë propozim Bacës, që të kthenin në popull vendosmërinë dhe guximin e viteve tetëdhjetë, të cilin Hyzriu me shokë nuk e kishin zbehur, përveç që ua përforconte edhe mosha e tyre e re.
Ky qëndrim i Hyzri Tallës, i këtij intelektuali revolucionar, u miratua nga të gjithë shokët ilegalë të idealit për të cilin kishin vuajtur burgje. Kish edhe të tjerë, në Kosovë dhe jashtë saj, që mendonin si ata. Mirëpo edhe ish-shteti jugosllav nuk kishte ndenjur duarkryq. Gjatë viteve tetëdhjetë, ai u kish mundësuar shumë shqiptarëve të atij shteti që të shkonin në Perëndim, midis tyre edhe ish-të dënuar politikë. Atje shqiptarët, duke e ndjerë veten më të lirë, u rilidhën dhe e zgjeruan organizimin e tyre, duke kujtuar se ishin jashtë vëmendjes së shtetit jugosllav. Ato organizime kontrolloheshin në një masë jo të vogël nga UDB-ja. Për politikanët dhe aktivistët ilegalë në Kosovë, kjo doli e qartë kur në verën e vitit 1993 shpërtheu një valë e re arrestimesh në të gjithë Kosovën, nga radhët e LKÇK-së dhe LPK-së, ku u arrestuan rreth 300 të dyshuar, por më shumë u godit zona e Llapit, 60 arrestime. Kësaj të fundit i arrestohet kryetari i saj, Hajredin Hyseni, ndërsa LKÇK-ja nuk kish më shumë se disa muaj që ish krijuar. Këto arrestime shkaktuan shumë dyshime, thënie dhe kundërthënie, akuza dhe kundërakuza mes këtyre dy lëvizjeve politike. LKÇK-ja akuzonte ilegalen e LPK-së në Perëndim se ishte nën kontrollën e UDB-së, ndërsa të tjerët akuzonin thyerjen nga torturat të personave të LKÇK-së, që ishin arrestuar para tyre. Armiku ia arriti qëllimit, përveç zbulimit dhe arrestimit të shumë drejtuesve të tyre, i vuri ato në luftë me njëra-tjetrën, kontradiktë kjo me pasoja. Historia ndoshta do ta thotë një ditë të vërtetën ose jo.
Anëtarët e ilegales, ku bënte pjesë Hyzriu, ndërruan bazat dhe u larguan në Shqipëri. Në Tiranë dhe në qytete të tjera, ata krijuan baza, duke u munduar të mos hetoheshin nga strukturat e atij shteti. Një pjesë të tyre i nxorri jashtë Kosove, Hyzri Talla. Ai vetë qëndroi në Kosovë, pasi, si mjeshtër i konspiracionit që ishte, nuk njihej nga shumë ilegalë. Më vonë ai shkoi disa herë ilegalisht në Tiranë, duke sjellë edhe armatim në Kosovë. Gjatë viteve 1993 -1996, kur organizimi i tij politik përqendrohej kryesisht te nxjerrja e revistës Çlirimi, Hyzriu shpesh shprehej i revoltuar: “Nuk çlirohet Kosova vetëm me gazeta. Derri do plumb”. Ai ishte i vijës së luftës së armatosur.
Në fillim të vitit 1996, Hyzri Talla iu propozon Avni Klinakut dhe Fatmir Humollit të organizonin njësite luftarake ilegale në Prishtinë. Fillojnë nga organizimi, por aktivitetin luftarak e lanë për më vonë, pasi të vendosnin lidhje me organizimin e ri ushtarak, që porsa kish filluar të kryente aktivitete luftarake dhe politike, me emrin UÇK. Ata vepruan me kujdes, se mos prishnin punë pa kontaktuar me UÇK-në, pasi mund ta shfrytëzonte armiku dhe mund t’i fuste në vëllavrasje. Për këtë qëllim, organizimi i tyre politik nis me detyrë në Drenicë, Mehë Ukën, i cili gjatë kthimit prej atje vritet në rrugë, më 30.12.1996, pa i sjell mesazhet e marra. Ndoshta armiku ka dashur që ta vinte në konflikt UÇK-në me LKÇK-në.
Duhej ecur me kujdes, ndaj dhe aksionet ushtarake në qytet po vonoheshin. Kur vritet pas një muaji edhe Zahir Pajaziti, atëherë Hyzriu u thotë shokëve: “Nuk kemi ç’presim më, duhet të godasim”. U vra Agron Rrahmani. Këtu fillon hedhja në sulm me armë e Hyzri Tallës. Ai, përveç organizimit të dërgimit për stërvitje në qendrën stërvitore të Qyqevicës ( e cila ish krijuar në muajin mars 1998, pas takimit të Hyzri Tallës, si përfaqësues i forcës së tij politike me përfaqësuesin e UÇK-së, Muharrem Mustafën, në shtator të vitit 1997, i cili atëherë ishte Komandant i Shtabit Rajonal për Prishtinën) dhe kthimit prej saj të atyre që ishin parashikuar të luftonin në qytetin e Prishtinës, grumbullonte vullnetarë për luftë nga Prishtina dhe i çonte në Zonën e Llapit dhe në Qyqevicë (mali i Qyqes).
Kur forcat e UÇK-së luftonin për mbajtjen e Bardhit të Madh dhe të Hadës, Hyzri Talla, me një grup shokësh të rajonit të Prishtinës, shkon dhe lufton atje, deri në mbarimin e atyre luftimeve. Atje ai plagoset për herë të parë, por lehtë. Prej luftës në Hade, në qershor 1998, ai shkon në Bajgorë, për organizimin dhe shtrirjen e luftës edhe në zonën e Llapit. Me krijimin e Komandës dhe të Shtabit ushtarak të asaj zone, Hyzri Talla emërohet zëvendësshef për Zbulim dhe Kundërzbulim për Zonën e Pestë Operative të UÇK-së, të cilën do ta kryente më së miri, pasi puna gati 15-vjeçare në ilegalitet të thellë dhe në qytetin e Prishtinës, ia mundësonte të siguronte informacione të nevojshme dhe të parandalonte depërtimin e agjentëve në radhët luftarake të Zonës. Ai ishte barrikadë e padepërtueshme në këtë drejtim. Armiku e kishte shumë të vështirë të infiltronte në atë zonë, po qe se në shërbimin informativ të saj punonte Hyzri Talla.
Megjithatë, edhe pse detyra e tij ishte e një specifike të veçantë, ai luftonte edhe si ushtar i thjeshtë, në vijën e parë të frontit, si p. sh. në luftimet e Kaçandollit, më 15 shtator 1998. Aty i takohet trupi me plumbat për herë të dytë. Ai lëvizte sa në Prishtinë, sa në Drenicë e në Pashtrik, gjithmonë në krye të detyrës, duke shumuar me luftëtarë, radhët e luftës për liri.
Armiku e kish mësuar aktivitetin e tij të fundit, por nuk e njihte si fytyrë. Edhe ai rast nuk i mungoi. Kur forcat e UÇK-së të Zonës së Llapit kapin rob një agjent të shërbimit informativ serb, gjatë periudhës së armëpushimit të njëanshëm, lëvizën institucionet ndërkombëtare në Prishtinë për dorëzimin e tij. Dhe, kur Përfaqësuesi Politik i UÇK-së, Adem Demaçi, dha urdhër ta dorëzonin për t’i treguar botës se ne dimë t’i trajtojmë robërit e luftës konform ligjeve ndërkombëtare të luftës, Hyzri Talla e dorëzon atë pa përdorur maskë, sikundër vepruan të tjerët. Ndoshta kjo pakujdesi e vogël, e cila erdhi nga mosfrika e Hyzriut ndaj armikut dhe vdekjes, i kushtoi shtrenjtë.
Lufta nuk mund të bëhet pa informacion. Ai është syri dhe veshi i reparteve dhe njësive luftarake. Po nuk e njohe armikun, sado mirë t’i njohësh forcat tuaja, humbjen në luftë e ke të mundshme jo më pak se pesëdhjetë për qind. Zonës së Llapit i duhej të dinte se cilat do të ishin lëvizjet dhe veprimet e ardhshme të armikut, pasi ajo zonë vepronte në drejtimin nga armiku bënte të gjitha llojet e furnizimeve për luftën në Kosovë. Nuk ka burim më të mirë se kapja rob e kuadrove të tij të informimit dhe të komandimit. Kjo e brente Hyzriun. Duhej pa tjetër informacion. Mirëpo të nisej vetë në të tilla misione, nuk e linte as komanda, por as detyra që ai kishte. Duhej të rrezikonte, por edhe të mos krijonte shqetësim te shokët dhe te vartësit.
Tridhjetë nëntor 1998, Llapashticë. Atje ishte i vendosur Shtabi i Zonës. Vendosi të shkonte në Prishtinë për të kapur dhe arrestuar një agjent tepër të rrezikshëm të armikut, i cili banonte në një shkallë me familjen e Hyzriut. Vetëm Hyzriu mund ta kryente atë detyrë, jo vetëm falë guximit dhe fizikut të tij të bëshëm e të fuqishëm, por edhe për shkak se ai e njihte mirë agjentin dhe lëvizjet e tij.
Si të justifikohej para komandës se duhej të shkonte patjetër në Prishtinë? E gjeti arsyen. “Do të shkoj të pagëzoj vajzën e vogël, që porsa më ka lindur”. Edhe i bindi, edhe s’i bindi shokët, por, kur ata panë vendosmërinë e tij, e lejuan. Ndërroi pistoletën me nipin e tij, Arben Tallën, duke i marrë pistoletën pesëmbëdhjetëshe, dhe niset për në Prishtinë. Në shkuarje e shoqëronte, Safet Talla.
Mesditë, 2 dhjetor 1998. Hyzriu del nga shtëpia e tij, së bashku me shokët e tij të hershëm të rinisë e të Universitetit, ilegalë, që vepronin në qytet dhe që kishin lidhje vetëm me Hyzriun, Afrim Maliqin dhe Ilir Durmishin. Ku do të shkonin? Sekretin e morën me vete. Eh, sa enigmatikë janë këta ilegalët! Kuptohet, armiku duhet të ketë qenë i informuar në një mënyrë ose tjetër dhe i ka përcjellë në vazhdimësi. Nuk kishin kaluar shumë minuta që dolën prej shtëpisë së Hyzriut, jo më larg se 200 m. prej saj, goditen me zjarr, pa paralajmërim nga policia serbe. Vriten tre dëshmorë. Lajmi mori dhenë. Askush nuk e besonte se mund të vritej mjeshtri i konspiracionit, mjeshtri i notit, shahisti, intelektuali fjalëpak e punëshumë, prindi, trimi, Hyzri Talla. Takimit të tretë me plumbat, këtë radhë nuk mundi t’i shpëtonte, duke krijuar një boshllëk të pallogaritshëm në Luftën tonë Çlirimtare. Ai ra 24 orë pasi kishte kaluar 35 pranvera.
Në varrimin e tij, në fshatin Letancë, afër Besjanës, erdhën me mijëra qytetarë nga tërë zona e Llapit dhe Prishtina. Atë e njihte i gjithë populli i kësaj zone. Dhimbja e madhe që ndjeu ai popull për vrasjen e Hyzri Tallës i hoqi atij frikën e luftës dhe, duke marrë pjesë masivisht në atë ceremoni mortore, i thoshte armikut: prit, tash e tutje do të jenë me mijëra ata që do të ndjekin rrugën e Hyzri Tallës.
Dhe ashtu ndodhi. Nuk kaloi gjatë dhe në Zonën e Llapit krijohet një brigadë e re, Brigada 153 dhe komandanti i së cilës erdhi nga Tirana, oficeri Adem Shehu. Brigadës iu dha emri “Brigada 153 Hyzri Talla” dhe të gjithë luftëtarët e saj e mbajtën me nder emrin e atij trimi. Ajo brigadë, qysh në ditët e para të krijimit të saj, kaloi në sulme të përgjakshme me armikun, duke shënuar faqe të lavdishme të historisë sonë. Ajo brigadë e justifikoi plotësisht emrin e trimit Hyzri Talla. Atë emër e mban sot edhe sheshi ku ai ra, në Prishtinë. (D. G)

Kontrolloni gjithashtu

Selajdin Hamid Mullabazi - Mici (6.5.1970 - 6.11.1998)

Selajdin Hamid Mullabazi – Mici (6.5.1970 – 6.11.1998)

Selajdin Hamid Mullabazi-Mici është i lindur në Rahavec më 6 maj të vitit 1970. Hamid ...