Nazmi Ilmi Osmani (17.1.1961 – 25.5.1999)

Nazmi Ilmi Osmani (17.1.1961 – 25.5.1999)

Nazmi Osmani u lind më 17 Janar 1961 në fshatin Elezaj të komunës së Kaçanikut. Shkollën fillore deri në klasën e katërt e kreu në vendlindje, kurse katër vitet të tjera i kreu në fshatin Doganaj. Dy vitet e para të shkollës së mesme i kreu në Kaçanik ndërsa vitet e tjera i mbaroi në Ferizaj në drejtimin e Ekonomisë, dega e Tregtisë.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Nazmiu, në vitet 1979/80, kreu edhe shërbimin e obligueshëm ushtarak. Pas shërbimit merret me bujqësi. Ndërkohë ka kryer një kurs gjashtë-mujor për polic, në Vushtrri. Ka punuar në këtë shërbim policor deri në vitin 1990, kur regjimi i Beogradit e largoi nga puna. Ndërkohë, Nazmiu ativitetin e vet e zhvilloi në Sindikatën e Pavarur të policisë, si kryetar i Sindikatës për Bashkësinë lokale, Doganaj dhe Elezaj. U ndihmoi celulave të para të UÇK-së me material logjistik dhe detyra të ndryshme. Radhëve të UÇK-së iu bashkua në gusht të citi 1998.
Deri në muajin tetor të atij viti ishte në logjistikës dhe përgatitje të vullnetarëve, të cilët interesoheshin në kyçeshin në radhët e UÇK-së. Derisa njësiti i Kaçanikut ndodhej në Jezerc e deri në fillim të tetorit, Nazmiu mori detyrën për organizim e mobilizim e ushtarëve të rinj si dhe furnizimin e tyre me armë.
Me formimin e Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik dhe shtrirjes së njësiteve në tërë territorin e Kaçanikut, Nazmiu emërohet Komandant i Togut, detyrë të cilin e ushtroi deri në daljen e Brigadës në pozicionet e para në Komunën e Kaçanikut, ku me rastin e ristrukturimit të Brigadës, më 2.3.1999, Nazmiu sërish emërohet nga komanda e Brigadës komandant i Kompanisë së Parë të Batalionit të Parë.
Më 28 shkurt të vitit 1999, në ditën e parë të vendosjes së me togën e vet në Ivajë, po atë ditë, toga i dytë ishte i vendosur në Fshatin Gajre, të cilin e udhëhiqte, Hetem Hasaj, komandant toge, po me këtë datë forcat serbe tentuan të hynin në Fshatin Gajre.
Me marrjen e lajmit të luftimeve që zhvilloheshin në këtë fshat Komandanti i Brigadës 162 ”Agim Bajrami”, komandant Bardhi jep urdhër për përforcime në atë pjesë. Nazmiu merr për detyrë të përgatis togen për të dalë në përforcim këtij togu me qëllim për tërheqjen e të plagosurve, të cilin urdhër e zbaton me shpejtësi. Bën të mundur tërheqjen e të plagosurve, edhe pse pas marrjes së lajmit për rënien e komandantit, Hetem Hasaj, ai nuk hamendet por merr masat edhe më të forta për ripozicionim. Ai bën shtrirjen e tri togjeve në Fshatin Gajre. Mori për obligim që secila togë me ushtarët e vet të hapin istikameve.
Me punën e pa lodhshme që bëri me komandantët e togjeve, Nazmiu nuk u gjeti të pa përgatitur, as më 8 mars 1999, kur forcat serbe morën një ofensivë të gjerë nga të gjitha anët ku shtrihej Brigada 162 “Agim Bajrami”. Ato ishin pozicionuar edhe në drejtim të fshatit Gajre, por me shtrirjen e mirë të ushtarëve në pozicione të fortifikuara dhe në bashkëpunim me komandën e Batalionit, ushtarët e Kompanisë së I-rë nuk i lejuan forcat serbe të depërtojnë në pozicione e tyre.
Pas betejës, Nazmiu u angazhua në ristemimin e ushtarëve me anën e komandantëve të togjeve edhe në pozicionet më të gjera, ashtu sikur kërkonte komandanti i Batalionit pasi që ndihej nevojë për një shtrije më të gjerë për t’i mbuluar edhe disa caqe, ku armiku bënte përpjekje të depërtonte. Sulmet e armikut nuk kishin të ndalur kundër pozicioneve të UÇK-së. Nazmiu vështronte gjendjen më me kujdes në disa vija të përbashkëta me Kompaninë e III-të të cilën e udhëhiqte Komandanti Feriz Guri – komandant Shpata.
Më 24 Mars 1999, armiku mori një ofensivë edhe më të gjerë kundër pozicioneve të UÇK-së. Atë ditë u zhvilluan luftimet në drejtim të Ivajes, ku shtrihej Batalioni i II-të që udhëhiqte Komandanti Azem Guri. Armiku në këtë datë nuk mundi të depërtonte në pozicionet e UÇK-së.
Në orët e mbrëmjes nga forcat aleate të NATO-s u bë sulmi i parë nga ajri në mbi forcat e ushtrisë jugosllave. Ky sulm u mirëprit nga luftëtarët e lirisë, të cilët tashmë ishin edhe më të bindur në fitoren e afërt, edhe pse të gjithë e dinin se forcat serbe do të egërsoheshin edhe më keq.
Nazmiu asokohe u drejtoi një mesazh ushtarëve: “Ushtarë të nderuar të lirisë, po afrohemi me ndihmën e NATO-s, por ne duhet të jemi ma syqelë sepse tani armiku do të tmerrohet nga sulmet dhe mund të merr ofensiva edhe më të forta kundër caqeve të UÇK-së, mund që të na bëj dëme edhe në popullatën e pambrojtur në pjesët të cilat nuk i kishim mbuluar me pozicione“.
Komandanti i Batalionit të Parë me stafin komandues duke parë nevojën e shtrirje më të gjerë të pozicioneve dhe me urdhrin e Brigadës për ripozicionim, atëherë komandant Nazmiu merr urdhër për ripozicionim të Kompanisë edhe në pjesët e Fshatit Biqec. Kjo ndodhi më 28.3.1999. Kompania do të shtrihej deri në lagjen e Zharkëve së bashku me komandën e Batalionit të Parë. Kjo shtrirje u bë pasi që në këtë pjesë shtrihej rruga e cila lidhte Doganaj-Glloboçicë, rrugë kjo të cilën forcat e armikut e shfrytëzonin gjithherë për sulme kundër forcave të UÇK-së.
Nazmiu si komandant i Kompanisë menjëherë mori hapat e parë me hapjen e istikameve. Komanda dha urdhër që të bëhet mobilizimi i pjesës civile që ekzistonte në këtë anë, me qëllim që t’iu ndihmojë ushtarëve në hapjen e istikameve. Nazmiu e priti këtë urdhër me gëzim, sepse u bë e mundur hapja edhe më e mirë e istikameve dhe të një bunkeri, pasi që luftëtarët ndodheshin me një vijë shumë të afërt me rrugën e asfaltuar që shpinte për në kufi. Puna bëhet me qëllim që të frikësohej forca armike dhe të pengohej qarkullimi i lirë në drejtim të kufirit që lidhte me Maqedoninë.
Nazmiu e arriti me sukses hapjen e istikameve dhe vendosi katër pikat kryesore përgjatë rrugës së asfaltuar, por edhe nën pikat të cilat nevojiteshin për vëzhgimin e lëvizjeve të forcave të armikut.
Nazmiu me komandantët e togjeve u interesua edhe për rregullimin e vendit të vendosjes së flamurit dhe të rreshtimit të ushtarëve pasi që pozita ishte shumë e vështirë por me punën e palodhshme të Nazmiut me ushtarë e arriti rregullimin e vendit për ngritje të Flamurit dhe rreshtimit të ushtarëve sipas planit të bërë nga Komanda e Batalionit.
Sipas planit Operativ të Brigadës për trajnimin e ushtarëve të rinj edhe komanda e Batalionit të Parë bëri planin Operativ për trajnim. Komandant Nazmiu caktoi instruktorët për trajnim në lëmin e teorisë si dhe në praktikë, njohjen e armës, përdorimin e tyre, si dhe në shkathtësi fizike dhe në operacionet taktike ushtarake.
Më 25 Maj 1999 forcat serbe filluan rrethimin e pikave të UÇK-së në formë patkoi. Komandant Nazmiu në bashkëpunim me komandën e Batalionit të Parë përforcoi pozicionet dhe u përballoi sulmeve të armikut. Atë ditë gjatë luftimeve tejet të pabarabarta, në një shteg sulmi të pjesës diversante të armikut, të cilët kishin arritur t’ua ndërpresin vijën e lidhjeve në mes pozicioneve, Nazmiu bie në altarin e atdheut. Po atë ditë, më 25.5.1999, bien edhe 4 dëshmorë të tjerë, ndërkohë që ishin plagosur edhe disa ushtarë të UÇK-së.
Varrimi i komandant Nazmiut me bashkëluftarin e tij, Avdulla Baftiu u bë po atë ditë, në Lagjen Zharku, deri në rivarrimin e të gjithë dëshmorëve të cilët tani pushojnë në përjetësi në Varrezat e Dëshmorëve.
Dëshmori Nazmi Ilmi Osmani pas vetes la nënë Bedrien, bashkëshorten Safeten, djemtë Arbenin dhe Armendin, vajzat Shqipen, Majlinden, Sebahaten, Besarten, si dhe vëllezërit: Fatmirin, Halilin, Avdiun dhe Ismajlin. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga QPK-Ministria e Mbrojtjes, nga SHP i UÇK-së, Shtabi i Zonës, Shtabi i Brigadës. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …