leoni

Nuhi Behxhet Rexhepi (23.11.1982 – 26.3.1999)

Nuhi Behxhet Rexhepi (23.11.1982 – 26.3.1999)

Pas bombardimeve nga forcat e NATO-s, situata në terrenin përgjatë tërë arealit luftarak të Anadrinit ndryshoi në mënyrë të dukshme. Dita e parë e pranverës dukej e qetë pothuajse në të gjitha vendbanimet e Anadrinit e të Hasit, mirëpo pas 24 marsit, shumëçka ndryshoi. Krusha e Madhe, Krusha e Vogël, Celina, Fortesa, Brestosi, Nagaci, Hoça e Vogël, Apterrushi, Rudina (ish-Pastaseli) dhe Retia në njërin krah, por edhe Palushi me Kromnik, Zatriq e Drenaj, në anën tjetër, nuk i ndalnin sulmet mbi këmbësorinë e shfrenuar serbe, e cila gjatë atyre ditëve më shumë krijonte imazhin e bandave të shfrenuara e të dehura, sesa të ndonjë ushtrie të rregullt që pretendonte zhvillimin e një lufte në frymën e rregullave të palëve ndërluftarake. Madje, po këto banda serbe, pas vrasjeve, masakrimeve dhe djegieve të kufomave të shqiptarëve të vrarë në fshatrat e përmendura, ndërmerrnin aksione të rrufeshme, jo për të luftuar, sa për t’i rrëmbyer viktimat e për t’i shpërndarë nëpër lugjet e fshehta ose për t’i bartur nëpër varrezat e Batajnicës apo për t’i hedhur në Drinin e Bardhë, vetëm e vetëm që të mos dihet gjë kurrën e kurrës për banorët e fshatrave të rezistencës së Anadrinit. Kështu, pas spastrimeve të bëra nëpër këto fshatra, bandat e shoqëruara prej serbëve lokalë nga Rahaveci, Hoça e Madhe, Zaçishti, Apterrushi, Retia e Bardhatini, të mbledhura nëpër shtabet pranë manastireve dhe konakëve të kishave në Hoçë të Madhe e Zaçisht, ndërmarrin sulme ndëshkimore përreth fshatit Reti, pasi që sipas serbëve lokalë dhe shërbimit informativ serb, Retia me fshatrat përreth ishte shumë e fortifikuar dhe çdo ditë e më shumë shndërrohej në një kala të pathyeshme, prandaj ky fshat, sipas tyre do të duhej të shkatërrohej tërësisht, pasi që prej datës 11 tetor të vitit 1998, fshati ishte kthyer në një kazermë ku jetonte dhe vepronte tërë Zona Operative e Pashtrikut. Këtu qenë të organizuar e të sistemuar për të vepruar edhe: Abdyl Pajaziti, Agim Bajrami, Agron Bytyçi, Eshim Gashi, Hysen Rexhepi, Manush Berisha, Nazmi Hasani, Kurtish Hasani, Eqrem Hoxha, Fadil Ferati, Gani Bajrami, Lulzim Rexhepi, Osman Rexhepi, Fetah Rexhepi dhe Nuhi Rexhepi me shumë shokë, sot dëshmorë të kombit, invalidë të luftës e veteranë të mbetur në pamëshirë.
Dëshmori i kombit, Nuhi Rexhepi, me kohë u ishte bashkuar mixhallarëve Fetah e Lulzim Rexhepi dhe së bashku me djalin e axhës, Osmanin, të njohur si Moni i xha Fetahut, ishin luftëtarët më të rinj në kompaninë e fshatit Qëndresë, e ndoshta edhe në tërë Zonën Operative të Pashtrikut.
Nuhiu është i lindur më 23 nëntor të vitit 1982. I ati, Bexhet Rexhepi, së bashku me bashkëshorten Shefie, nën barrën e skamjes e të varfërisë, rritën 5 fëmijë dhe Nuhiun e flijuan në altarin e lirisë e të shtetësisë së Kosovës. Shkollën fillore, dëshmori Nuhi Rexhepi e mbaroi në Shkollën Fillore “Idriz Seferi” të vendlindjes, por mundësitë materiale të Behxhetit të varfër, nuk i lejonin që t’i shkollojë të bijtë edhe pse Nuhiu kishte një talent dhe zgjuarsi e shquhej si nxënës i zellshëm në bankat e shkollës fillore. Pas mbarimit të fillores, që në atë moshë, angazhohet si punëtor krahu në punët bujqësore në vreshtari për t’i ndihmuar t’ët.
Më 26 prill të vitit 1998, te “Përroni i Keq”, jo larg Qëndresës, ndërmjet Piranës e Krushës së Vogël, një grup i zgjedhur i luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë, ballafaqohet me patrullën mobile policore serbe dhe arrin ta shpartallojë këtë njësit jo larg vendlindjes së luftëtarit Nuhi Rexhepi.
Nuhiu, i kënaqur me këtë sukses që bëri bujë në Rrafshin e Anadrinit, i bashkohet grupit të armatosur të fshatit Qëndresë dhe së bashku me Osman Rexhepin, zë të veprojë në aksin që lidhte fshatin Qëndresë me magjistralen Prizren-Gjakovë, në afërsi të fshatit Piranë e Krushë e Vogël. Të dytë, Nuhiu e Osmani, veçanërisht përqendroheshin në vëzhgimet mbi pikat pranë Krushës së Vogël, ku shumë shpesh stacionohej “Treshi i Zi” (Jugi, Shola dhe Sula), grup ky famëkeq, i cili më vonë evoluoi në “Dorën e Zezë”, që la gjurmë të thella e të liga në tërë rrafshin buzë brigjeve të Drinit të Bardhë, veçanërisht në të dy Krushat: Krushën e Madhe e Krushën e Vogël.
Më 26 shkurt të vitit 1999, me rastin e granatimeve të para mbi fshatin Qëndresë, kur përjetësohet edhe dëshmori i parë, Abdyl Pajaziti, Nuhiu betohet se forcat serbe mund të depërtojnë në këtë fshat vetëm mbi trupat e luftëtarëve të pathyeshëm të Qëndresës, prandaj edhe nën komandën e Afrim Mustafës dhe të Afrim Haradinit, nuk lejuan që njësiti i motorizuar e famëkeq i Bozhidar Zhiliqit të depërtojë në “Llazet” e kah “Përroni i Keq” për ta marrë aksin rrugor Rahavec-Therandë. Në këto luftime, edhe Nuhiu përjetësohet bri harkut mbrojtës Pisjak-Arat e Mamajve dhe mbeti pjesë e “Legjendës për Qëndresën”. Sot, trupat e Rexhepëve të rënë në këtë betejë pushojnë në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Landavicë, nën hijen e lapidarëve të madhërishëm. Këtu janë të gjithë dëshmorët e fshatit Qëndresë, ndërsa në lapidar janë skalitur edhe emrat e luftëtarëve që ranë përreth këtij fshati, por edhe emrat e Atyre që kanë lindur në këtë fshat e u përjetësuan nëpër betejat e trojeve etnike. Në krye të kësaj plejade shkëlqen edhe emri i Eqrem Hoxhës, i rënë në luftimet e UÇPMB-së në Luginë të Preshëvës, ndërsa luftëtari i lirisë, Hasan Ferati, ende e kërkon Masarin e tij, djalë e bashkëluftëtar, të cilit ende nuk i dihet as nami e as nishani. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …