muqa 900
vipa
mbpzhr
driloni com
vala – old
Fillimi / Kalendari kombetar / Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – muaji nëntor
Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – muaji nëntor

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – muaji nëntor

Muaji nëntor në kalendarin e historisë kombëtare shqiptare shënon ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme të kombit shqiptar.  Ky muaj shënon kthimin e Skënderbeut në Krujë, në vitin 1443, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, Çlirimin e Shqipërisë nga forcat fashiste në vitin 1944, lindjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari në vitin 1955, daljen publike të UÇK-së në vitin 1997 dhe shumë ngjarje të tjera të rëndësishme të së kaluarës shqiptare.

Më 1 nëntor të vitit 1878 u mblodh Kuvendi i Dibrës, në kryesinë e Ilaz Pashës, ku mori pjesë edhe Abdyl Frashëri, përfaqësuesi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Jugun e Shqipërisë.

Më 1 nëntor të vitit 1901 filloi në Sofje të Bullgarisë, botimi i gazetës “Drita“, të cilën e drejtoi atdhetari i madh Shahin Kolonja. Kjo gazetë mbrojti të drejtat kombëtare shqiptare kundër synimeve grabitçare të shteteve fqinje si Greqia, Bullgaria e Serbia që kërkonin të aneksonin trojet shqiptare.

Më 1 nëntor të vitit 1989 ra në ballë të demonstruesve në Prishtinë, Bedri Ilaz Sokoli

 

Më 2 nëntor të vitit 1986  vdiq atdhetari, mësuesi dhe kleriku, Daut Boriqi

Më 2 nëntori të vitit 1989, në Kodrën e Diellit në Prishtinë, pas disa orë luftimesh, tymi e zjarri, jo duke ikur dhe jo duke rënkuar, por me këngë në gojë, duke  luftuar deri në frymën dhe fishekun e fundit, Afrimi dhe Fahriu ranë heroikisht. Atë ditë forcat e një shteti pushtues vranë dy luftëtarë të paepur të lirisë, dy bijë besnikë të Kosovës shumë herë të përgjakur, por fituan tmerrin e përjetshëm nga qëndresa shqiptare.

Dëshmori, Fahri Fazliu ishte i lindur më 24 shkurt të vitit 1963, në fshatin Llaushë të Besianës. Aty bën hapat e parë dhe shijon gëzimet e fëmijërisë. Në Llaushë mbaron shkollën fillore. Kur Fahriu arrin moshën për të vazhduar shkollimin e mesëm, prindërit e tij, vendosen me banim në Prishtinë. Këto rrethana i mundësuan atij ta kryejë shkollën e mesme teknike, tash Gjin Gazulli.

Afrim Zhitia, u lind në fshatin Llugë të Besianës. Pas përfundimit të shkollës fillore në Lluzhan, në vitin shkollor 1979/80, Afrimi regjistrohet në shkollën e mesme teknike në Prishtinë, që atëherë quhej “19 Nëntori”. Në bangat e kësaj shkolle ai dallohet jo vetëm në mësime, por edhe në interesimin për të ditur sa më shumë për fatin e kombit të tij. Ky interesim i ishte zgjuar qëkur kishte kuptuar për historinë e shpërnguljes me terror, të të parëve të tij, nga trojet e mbetura nën Serbi.

Më 2 nëntor të vitit 1995 vdiq Anton Çetta, profesor, folklorist, veprimtar.

Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë. Po atë vit familja e tij u shpërngul për në Tiranë, ku ai ka kryer edhe  shkollën  fillore. Shkollën e mesme e ka kryer në Liceun e Korçës, ku asokohe studionte elita intelektuale e trojeve shqiptare. Më pas ,ashtu sikur edhe shumë shqiptarë në atë kohë, ai shkoi për të kryer studimet në Itali.  Sapo ishte kthyer Italia, në kohën kur forcat italo shqiptare kishin depërtuar në Kosovë dhe trojet e pushtuara shqiptare nga Monarkia serbe-Kroate e Sllovene, Anton Çetta në fillim  gjen punë në Post-telegrafinë e Tiranës prej nga kalon në detyrën e përgjegjësit të Postës në Prizren.

Në vitin shkollor 1945-1946, meqë kishte arsim të lartë për kohën,  punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Gjatë atij viti udhëhoqi korin e shkollës, por njëherësh ishte edhe ndër anëtarët e para të rregullt të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi” të Prizrenit e më vonë edhe kryetar i saj. Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës Frënge, në  Universitetit të Beogradit, në Serbi. Studimet i kreu në vitin 1950 ku edhe u emërua asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit. Në këtë detyrë punoi plot dhjetë vjet. Dy-tre vjet më vonë (1952-1953) së bashku me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me Kadri Halimin, etnograf, përgatiti, në tri vëllime, këngët më të njohura popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin. Meqenëse në ato vëllime kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e Ramë Bllacën, pushteti serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e shtyri ta braktisë Beogradin dhe të kthehet në Prishtinë, në vitin 1961, kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik. Në këtë fakultet ai emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër.

Libri i parë iu botua më 1953. Vazhdoi të botojë libra e tekste të ndryshme  për nevojat e shkollës shqipe dhe sidomos poezi për fëmijë. Anton Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori dhe tradite gojore në trevat shqiptare të Kosovës, por edhe në  të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968,  ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i “Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve”. Duke qenë se gjatë mbledhjes së folklorit kishte vizituar të gjitha viset shqiptare, ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit. “Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90. Në zgjedhjet e para paralele të organizuara më 1992, Anton Çetta zgjidhet deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së. Për aktivitetin shkencor, kulturor e kontributin e tij në përkthimin e shumë veprave, Anton Çetta iu ndanë mirënjohje, çmime e shpërblime të shumta. Vdiq në vitin 1995, në Prishtinë.

 

Më 3 nëntor u lind të vitit 1891 u lind Andre Zadeja, prift katolik. shkrimtar dhe dramaturg.

Dom Ndre Zadeja, klerik, dramaturg, poet e prozator, lindi në Shkodër Më 3 nëntor 1891. Tri klasët e para të fillores i kreu në një shkollë italiane. Nga klasa e katërt e më tej, studioi pranë Kolegjës Saveriane, drejtuar nga jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916, ku bashkë me Sirdanin e Gazullin, si shumë meshtarë të tjerë u dhanë shumë mbas gjuhësisë. Po në këtë vit u shugurua prift. U kthye menjëherë në atdhe e pikërisht në vendlindje. Pati fatin ta çonte Meshën e parë në kishën e Zojës bri kështjellës Rozafa, ku nderohej e nderohet edhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Ishte një ditë e bukur pranvere, 26 prill 1916. Falë aftësive e kulturës së tij të gjërë, nisi shërbimin si sekretar i Imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak në Bogë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldî. U arrestua në sa shërbente në këtë fshat më 4 shkurt 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me disa seminaristë e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllaun, një nga figurat më të ndritura të Shkollës letrare të jezuitëve, Dom Lazër Shantojën, edhe ai në fazën dioqezane të lumnimit. Qe martiri i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; urojmë të jetë ndër të parët të Lum, që do të ngjiten në nderimet e elterit. Më 25 mars 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e parë të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me gjithë shpirt për shërbimin e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”; “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa” etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist. Tragjedia e Poetit të Ambëlsisë, kishte fillue ndoshta qysh me 16 gusht 1944 gjatë meshës në Kishën e Shirokës, ditën e Shën Rrokut, kur iu drejtue besimtarëve:

“Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.”

Në rrugët e rrugicat e shtrembëra të Shkodrës, njëkohësiht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave tona, për ta lënë vetëm në kërcej të thatë traditën katolike, u ndje zëri i lebetitur: “Kanë grí Dom Ndrenë!”.

Më  4 nëntor të vitit 1951 u përurua Pallati i Kulturës, “Ali Kelmendi” në Tiranë. Drejtori  i parë ishte Llambi Dishnica

M 5 nëntor festohet Dita Ndërkombëtare e Mësuesit

Më 5 nëntor  1998,  në fushën e nderit, ka rënë luftëtari  i UÇK-së, Sejdi Fazli Shala nga Fshati Kopiliq i Ulët i Drenicës.

Më 6  nëntor të vitit 1998, në fshatin Apterushë të Rahavecit kanë rënë dëshmorë luftëtarët e lirisë: Xhelal Hajda, Selajdin Mullabazi, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi dhe Nezir Ymeri.

Më 7 nëntor të vitit 1918 u vendos në Shkodër “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” një Lëvizje atdhetare e popullit shqiptar të Kosovës, e cila me vendimet e Traktatit të Londës dhe Kongresit të Versajës iu kishte dhënë Serbisë.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në ilegalitet të plotë më 1 maj 1918 dhe më 7 nëntor 1918 u vendos përfundimisht në Shkodër nga figurat të shquara atdhetare si: Bajram Curri, Hoxha Kadri Prishtina, Sali Nivica, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj. Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, për demokratizimin e tij, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë, që ishin të shkëputura padrejtësisht më 1913 dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Programi i parë

 Programi i parë dhe themelori ishte miratua në ditën në të cilën edhe ishte formua organizata, me 1 maj 1918. Pika më e rëndësishme e programit ka të bëjë me Nyjen e parë e cila në mënyrë decidive kërkonte bashkimin e të gjitha krahinave të banuara me shqiptar dhe në këtë mënyrë edhe vërehej qëllimi kryesor i komitetit ku thuhej se “Me u përpjekë para pushteteve të mëdha të Entantës e me kërkue bashkimin e krahinave të Kosovës (Shkup, Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, Kaçanik, Ferizaj, Gjilan, Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë, Jeni Pazar, Rozhajë, Pejë, Guci, Gjakovë, Prizren) në Shqipin të lirë dhe vetë urdhënuese. Në pikën e dytë të programit thuhej se “Me protestue para Pushtetevet të Mëdha të Entantës kundër mizorinave sllave nder krahinat të Kosovës deri në ditët e sotit e qi dojnë me u ba edhe mas sotit”. Anëtarët e Komitetit kishin një eksperiencë dhe njohuri se forcat dhe pushtetet okupuese në tokat shqiptare po ushtronin dhunë e terror të paparë ndonjëherë ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, andaj edhe delte pika e dytë e programit në të cilën kërkohej përkrahja dhe ndihma nga shtete e mëdha që të mbrojnë popullatën shqiptare, por ekzistonte frika se ato barbari do të ushtrohen edhe në të ardhmen ndaj tyre dhe ishte e domosdoshme që këto vende të merren në mbrojtje nga fuqitë e mëdha. Ndërsa pika e tretë e programit kishte të bëjë me organizimin dhe zgjedhjen e një delegacioni njerëzish të zgjedhur për ti dërgonin në botë për ti mbrojtur dy pikat e para. Në pikën e tretë thuhej “Me zgjedhë e me çue nji delegacion për me i mbrojtë në fillim dy pikat e sipërpërmendura para botës zyrtare e jashtë zyrtare

 

Programi i dytë

Programi i dytë i Komitetit u miratua pas dy viteve të punës së organizatës, me 30 gusht 1920. Në programin e dytë gjejmë fuqizim dhe qartësim më të avancuar se në programin e vitit 1918 dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë së kësaj organizate në periudhën pasardhëse. Në pikën e parë të programit të 30 gushtit 1920, përcaktohej qëllimi i veprimtarisë së anëtarëve të Komitetit për “me i dal zot vetësundimit e anësisë tokësore të Shqipënisë”. Realizimin e plotë dhe përfundimtar të këtij qëllimi kryesor Komiteti e shikonte të lidhur ngushtë me realizimin e pikës së dytë të programit të tij, në të cilën kërkohej “me përdorue çdo mjet për me lirue Kosovën e Dibrën e çdo vend ku flitej shqip e me e bashkua nën sundim të Shqipënisë së lirë”. Në pikën e tretë të programit themeltar të vitit 1920, Komiteti përcaktonte qëndrimin e tij lidhur me politikën e brendshme dhe të jashtme, që duhej të udhëhiqej nga shteti i pavarur shqiptar…. Sipas këtij programi kërkohej përkrahja dhe mbrojtja e asaj politike të brendshme, e cila do ti hapte vendit perspektivat e zhvillimit dhe përparimit mbi bazën e bashkimit kombëtar, ndërsa në politikën e jashtme përkrahte zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit reciprok me ato shtete, që do të jenë për miqësi dhe Shqipërinë e lirë dhe me idealin e Komitetit.

omiteti “MKK”, me seli në Shkodër, ishte i orientuar se përveç punës programore të fillonte përgatitjet për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit sllav. Por ky angazhim duhet të pasoi pas të gjitha përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të Kosovës si territor i Shqipërisë dhe të përmirësoj gabimet që ishte bërë me rastin e caktimit të kufijve në vitin 1913. Nëse të gjitha këto nuk do të jepnin fruta , atëherë ata kishin vendosur se duhej ndërmarr edhe aksione ushtarake. Për këtë qëllim anëtarët e Komitetit kishin përgatitur “Programin e përgjithshëm të kryengritjes në Kosovë më 1919”. Ky program me 16 pikat që kishte duhet të jetë plotësim i programit themeltar të Komitetit të 1 majit 1918 dhe përpilues të saj ishin oficerët e njohur e me përvojë: Ali Shefqeti, Hysni Curri, Ibrahim Gjakova etj, por orientimin politik ia kishte dhënë vetë Hoxhë Kadria.

Sikurse në programet e mëparshme politike edhe në këtë dominonte fryma kombëtare e demokratike e Komitetit. Në të gjitha pikat shpreheshin qartë parimet themelore politike e ushtarake të forcave kryengritëse. Në nenet 1, 2, 3, dhe 4 thuhej se kryengritësve shqiptar u ndalohet rreptësisht dhunimi, plaçkitja, djegia e shtëpive, kishave e ndërtesave të tjera si dhe vrasja e robërve të luftës. Në nenin 12 thuhej se “Nderi i vajzave dhe grave serbe do te mbrohet si nderi i shqiptareve”. Në përgjithësi këto qëndrime do ti gjejmë edhe te programi i kryengritjes së armatosur të vitit 1919 në Kosovë, por që prezantohej në 10 pika, që do i prezantojmë në vijim:

  1. As një kryengritës nuk guxon me i dëmtua shkiet e vendit veç atyre që qëndrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar.
  1. As një kryengritës nuk guxon me djeg shtëpia, e me rrënua kisha.
  1. Plaçka është jatak kryengritjes
  1. As një kryengritës nuk guxon me bë ndonjë shëmtim mbi trupat e vrarë të armikut, as me i zhveshë ata armiqë që mbesin vdekur e të plagosun ose të nxënë robër.
  1. Veprimi më i gjallë ka me qenë kundra ushtrisë, xhandarmërisë kundra komiteteve të armikut që kundërshtojnë me armë në dorë edhe kjo qoftë se armiku bënë mizorina shqiptarëve pa armë (1,2,3,4), kanë për t’iu përmbajtë plotësisht e rreptësisht.
  1. Një tradhtarë që kundërshton luftën krahas me armikun ose veç është kundra qëllimit shqiptar ka për tu vrarë pa gjyqë e pa afat e kush do që të jetë. Por, një tradjëtar pa armë në dorë ka me u gjykua para gjyqit të kryengritjes e ka me u dënua mbas dokumentesh e jo me prralla të hallkut.
  1. Me të zaptuemit e një shehri ose të një katundi serbë shkiet e vendit ashtu edhe qarshia të ruhen te gjindët, besnikja e kryengritësit të ndjeki armikun pa afat e pa bjerë as një dakik nëpër shehre e katunde.
  1. Kot e pa nevojë as gjaku i popullit tonë as gjaku i popullit armik s’ka me muajt me u derdhë. Por, aty ku është nevoja një kryengritës s’ka me guxua me kursy as pak gjakun e vet e vetme.
  1. Aeroplanët, konsullat e çka ka që i përket këtyre ka për t’i ruajt me gjindëmë besnik e më të marrukë vesh. 10. Të vrarët shqiptar, s’kanë për tu futur në dhe deri sa të vije ndonjë komision i huaj. Mizorit e bëra prej armikut kanë për të mbet shënua edhe për t’u dëftua Evropës e Amerikës.

Në ato vite, Komiteti “Mbrojtja Kombëptare e Kosovës” ishte një organizat politike gjithëkombëtare, që kishte luftua për mbrojtjen e trojeve dhe të interesave të mbar popullit dhe bënte thirrje që ti tregohej “botës se Kombi Shqiptar, pa ndërlikim fejet e besimesh, ka një zemër e një dëshirë me e përngreh shtetin me lirina të plota. Kush të dojë me nderue vendin, shpin e atdheun le të përpiqët pa bjerrë asnjë dekikë rreth e qark dëshirës kombëtare, thuhej në deklaratat e kryesisë së komitetit dhe të vet kryetarit të saj Hoxhë Kadriut.

Më 7 nëntor të vitit 1922 lindi Androkli Kostallari, gjuhëtar, leksikolog akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, leksikolog dhe akademik shqiptar. Një nga studiuesit më të ndritur të gjuhësisë së sotme, vdiq në Tiranë, më 23 mars 1992.

Mbaroi shkollën e mesme në Shkodër në konviktin “Trimat e maleve” dhe njëzetvjeçar doli partizan në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vitin 1946 ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”. Në vitet 1949 – 1954 kreu studimet e larta për gjuhësi në universitetin “Lomonosov” të Moskës. Që kur ishte student nisi punën për hartimin e Fjalorit Rusisht – Shqip, i cili u botua në vitin 1954. Atje paralelisht kreu edhe tri vitet e para të studimeve për gazetari. Që nga viti 1954, u emërua në detyra drejtuese në Institutin e Historisë dhe Filologjisë. Në prill të vitit 1955 emërohet nëndrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë, më 1957 zëvendësdekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë: më 1958 – 1962 dekan i këtij Fakulteti dhe drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë. Më 1969 e zgjodhën anëtar të Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike(CIOS). Disa herë ka marrë pjesë me referate e kumtesa shkencore në kongrese e simpoziume, duke kryesuar dhe delegacionet shqiptare në veprimtari të tilla, si në: Athinë, Romë, Sofie, Mynih, Kopenhagen, Paris etj. Në prill 1970 u bë Profesor, më 1972 dekorohet me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë- për ndihmesë të shquar në fushën e arsimit dhe të kulturës; më 1974 mori Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë- për veprën shkencore “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Këtë çmim mori edhe për Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, si edhe bashkautorët; në mars 1986 “Mësues i Popullit”. Më 1963 u zgjodh anëtar i Komitetit të Organizatës Ndërkombëtare të Studimeve për Europën Juglindore(AIESEi) dhe më 1974- anëtar i Byrosë së këtij Komiteti dhe nënkryetar i tij. Kostallari ishte një nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Drejtshkrimit si dhe ideator dhe redaktor kryesor i Fjalorit të Gjuhës Shqipe. I është dhënë titulli “Honoris Causa” nga Universiteti i Stokholmit, si dhe titulli “Mësues i Popullit”, “Profesor” etj. Ka qenë anëtar i redaksisë së “Atllasit të Gjuhëve të Evropës”.

Në bibliografinë e pasur të studimeve shkencore të Prof. Kostallarit përmendim : Fjalor shqip- rusisht, Fjalor rusisht- shqip, Drejtshkrimi i gjuhës shqipe(1973), Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe(1976). Ka botuar edhe 18 monografi e studime, ndër të cilat: Sur les traits principaux de l’ albanais litéraire contemporain”(1966), La figure de Scanderbeg dans la litèrature mondiale(1968), Parimet themelore për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1968), Gjuha letrare shqipe dhe epoka jonë( 1985); është kryeredaktor i veprës madhore “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”(1980), Fjalor i shqipes së sotme(1984) etj. Është lavdëruar dy herë me Çmimin e Republikës.

Ja seç shkruan gazeta gjashtëmujorëshe arbëreshe ‘Lidhja’, në numrin 27 (30 maj 1992): “Njerëz si Kostallari, të ditur, të përzemërt, të buzëqeshur, punëshumë, dashamirës të kombit shqiptar, i përkasin pothuaj ‘legjendës’ së popullit shqiptar, ashtu si Çabej dhe Haxhihasani. Lundrues të guximshëm, shpesh të pakuptuar dhe të izoluar, të cilët, edhe në situata politike dhe historike të vështira, kanë ditur t’i përvishen punës dhe t’i japin prestigj Kombit. Gjuha letrare shqipe e sotme (gjuha standart: shënim i përkthyesit) e përdorur prej të gjithëve, popull e studiues, na jep mundësinë që të kuptohemi dhe të komunikojmë qartë dhe shpejt. Pak rëndësi ka se cilat qenë arsyet dhe situata politike që e solli këtë normë. Shqipëria, komb i lirë, demokratik e i pavarur ka një gjuhë letrare të sajën. Arbëreshë, kosovarë, shqiptarë, arvanitas, shqiptarë të diasporës, kudo që jemi, duke folur gjuhën shqipe ‘të njësuar’, bazuar në parimet dhe kriteret e koduara nga Prof. Androkli Kostallari e të tjerë, ndihemi më shumë shqiptarë dhe fort të bashkuar. Gjuhësia shqiptare humbet një prej specialistëve më të mëdhenj”. U nda nga jeta më 22 mars 1992.

Më 7 nëntor vdiq Abdurrahim Buza, piktor i njohur shqiptar, “Piktor i Popullit”

Në moshën tetë vjeçare mbeti jetim dhe patrioti Bajram Curri kujdeset për shkollimin e tij. Regjistrohet në shkollë në Shkodër, në Tiranë dhe në Normalen e Elbasanit. Pastaj fiton bursë dhe me 1928 dëgjon një vjet në Akademinë e Arteve të Bukura në Torino. Studimet e rregullta i kryen në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence pranë artistit Galeleo Kinit më 1933 kthehet në Tiranë, ishte ndër pedagogët e parë të Shkollës së Vizatimit në Tiranë. Më 1947 u punësua në Liceun Artistik Jordan Misja si pedagog i vizatimi dhe më vonë si nëndrejtor.

Edhe pse ndikimi i impresionizmit ndjehet në veprat e tij, nën presionin e realizmit politik që e impononte ideologjia e kohës Buza e gjeti zërin e tij unik në artin shqiptar. Pikturat e para janë të inspiruara nga qëndrimi i tij në Pogradec. Më vonë ai e thjeshton teknikën e tij por e shëndrron artin në simbolikë të lartë. Motivet etnike nga Gjakova, Kosova, dhe veriu i Shqipërisë bëhen subjekt i shpeshtë i tij. Ngjyrat e impresionizmit ndikojnë në të gjer në fund.

Disa prej veprave më  të njohura të këtij piktori janë:

Dasma kosovare

Pogradeci

Lagjja ime

Nusja kosovare (1950),

Një pjate rrush (1957),

Autoportret (1960),

Lojërat popullore

Azem Galica dhe luftëtarët

Refugjatët,etj.

Prej veprave të tij sot ruhen 500 tablo te realizuara në vaj dhe 10,000 vizatime. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen 59 punime të piktorit. Vepra të tjera ndodhen në Muzeun Buza në Tiranë. Abdurrahim Buza u nderua me dekoratat Mësues i Popullit, Piktor i Merituar dhe Piktor i Popullit. Vdiq në Tiranë më 7 nëntor 1987.

 

 

Më 8 nëntor të vitit 1941 u themelua në Tiranë, Partia Komuniste e Shqipërisë. Pas vitit 1948 u quajt Partia e Punës së Shqipërisë.

Më 8 nëntor të vitit 1998, në luftë kundër forcave serbe ka rënë dëshmor, luftëtari i UÇK-së, Abedin Kransiqi

 

 

Më 9 nëntor të vitit 1917 u vra Themistolki Gërmeni, atdhetar komandant i çetave kryengitëse çlirimtare shqiptare

Lindi në Korçë, në një familje me origjinë nga fshati i Gërmenjit, i biri i Thanasit dhe i Katarinës. I ati qe themelues i lëvizjes “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, e për shkak të veprimtarisë së tij u vra në Thrakë. Më 1892 mërgon për në Rumani bashkë me vëllanë, Telemakun. U kthyen në atdhe pas nëntë viteve, dhe u vendosën në qendrën e vilajetit, Manastir. Aty hapën hotelin “Liria” në fillim të vitit 1908, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë. Qe pikë mbledhjeje për rininë shqiptare që shkollohej atëkohë në qytet. Ndihmoi për organizimin e Kongresit të Manastirit, që u mbajt në hotelin e tij. Në fillim të prillit të vitit 1911, Th. Gërmenji shkoi në Sofje, ku e priti Nikollë Ivanaj.

Gjatë kohëve të Luftës Ballkanike përpiqet me Ismail Kemal bej Vlorën dhe emërohet nënprefekt në Skrapar. Me ardhjen e Princ Vidit është shef policie në Korçë deri që me ardhjen e grekëve shtrëngohet të dalë në Bullgari. Me vrasjen e të vëllasë, Telemakut, do kujdesej për rritjen e të birit, Vasilit. Vjeshtën e 1916 gjendet në Pogradec në lidhni me autoritetet bullgare dhe shërbimin e kundërzbulimit austro-hungarez. I ndërgjegjshëm për synimet bullgare dhe duke parë krahinën e Korçës që përjetonte përleshje mes çetave të Sali Butkës dhe trupave paraushtarake venizeliste, i propozon francezëve për vendosjen e një administrate shqiptare. Më dt. 8 dhjetor 1916 në krye të dy-treqind vetëve hyn në Korçën e spastruar prej grekëve nga prania franceze dhe ndërmerr formimin e një këshilli administrativ dhe u shpall formimi i Republikës Shqiptare të Korçës më 10 dhjetor me bekimin e Henri Deskuen kom. i garnizonit francez në qytet. Themistokliu u emëruar prefekt Pas disa intrigave, ftohet apo arrestohet dhe e shpurën në Selanik ku iu bë një gjyq ushtarak në tetorin e 1917, me sa duket me dijeninë e gjen. M. Saraj – i cili ushtronte të drejtat e presidentit të Republikës.

Pushkatohet nga një togë franceze pas shpalljes fajtor nga gjyqi ushtarak për kontaktet që kish pasur me autoritetet austro-bullgare në Pogradec para marrëveshjes me francezët. Më 9 nëntor 1917 Themistokliu  shkruan të shoqes:

“E dashura ime Evdhoksi,

Rashë dëshmor për shkak tp shpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’ jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur. Rroftë Shqipëria!

Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917.

Më 10 nëntor të vitit 1998, në luftë kundër forcave serbe kanë rënë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,   Jahir Agushi dhe Abedin Bujupi

Më 11 nëntor të vitit 1944 u vra Estref Osova, luftëtar antifashist. U lind në Osojë të Skrapasit në vitin 1922.

Më 12 nëntor të vitit 1987 vdiq Lasgush Poradeci, poet i njohur lirik, publicit dhe pëkthyes.

Llazar Sotir Gusho (27 dhjetor 1899 – 12 nëntor 1987) ishte një poet dhe shkrimtar shqiptar.

Lindi në qytetin buzë liqenit të Ohrit në familjen e Sotir Gushos. I ati si arsimdashës që ishte e dërgoi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në Manastir nga 1909 deri më 1916. I ati më pas e nis në Athinë pranë liceut Léonin, instituti më i hershëm privat në kryeqytetin grek – lice ku qëndroi deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi.

Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe Shqipëri’ e re, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek Dielli i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu.

Verën e vitit 1924 Qeveria Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit “Karol Francik” në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. logie (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme.

Vitet 1944-’47, vitet e turbulluara të fillimit të regjimit komunist ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen[1]. Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri” deri kur doli në pension më 1974. Vdes në varfëri të plotë në kryeqytet më 12 nëntor 1987[2].

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, presidenti i Republikës Rexhep Mejdani i jep titullin “Nderi i Kombit” dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin “Qytetar nderi”.

Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin Lasgush Poradeci.

Në lagjen Kombinat në Tiranë ndodhet shkolla “9-vjeçare Lasgush Poradeci”.

Rruga te Diga te Liqeni artificial i Tiranës mban emrin Lasgush Poradeci.

Më 13 nëntor të vitit 1913 lindi Injac Gj. Ndojaj, petrograf (gurgëdhendës), gjeolog, pedagog i njohur.

NDOJAJ Injac (1913-1993) është gjeologu i parë shqiptar. Lindi në Shkodër më 13 nëntor 1913, ku kreu edhe shkollën e mesme (Shkollën Industriale dhe Gjimnazin e Shtetit). Që në vitet e shkollës së mesme merr pjesë në jetën kulturore të Shkodrës, kryesisht në atë muzikore dhe teatrale. Është pjestar i Bandës Muzikore të qytetit dhe bën pjesë edhe në grupet amatore teatrale. Është autor i pjesëve “Akshija (gjelltari) i grabitur” dhe “Ç’dreqin të pruni në Stajka”. Në 1935 në gazetën “Illyrija” boton artikujt “Nji studim mbi muzikën shqiptare” dhe “Ahengu Shqiptar”. Më 1941, në revistën “Shkëndija” boton “Muzika shqiptare”, ndërsa më 1949, në gazetën “Bashkimi” boton “Dasma shkodrane”.

Në vitin 1936 ndoqi studimet e larta në Universitetin Mbretëror të Torinos (Itali), ku më 12 korrik 1940 diplomohet në degën e Shkencave të Natyrës, me profilizim Petrografi, me tezën “Vendburimi i kromit në Iballë të Pukës, Shqipëri”, botuar në revistën “Hylli i Dritës”. Në vitet 1941-1947 është mësues në Gjimnazin e Shkodrës. Më 1941 është ndër 20 profesorët e Gjimnazit të Shkodrës nënshkrues të peticionit “Cordiniano në gjyq përpara botës”, në përgjigje të artikullit “Shqipëria në histori e në jetë ose shikim panoramik i një bote të vogël primitive” të Fulvio Cordiniano-s. Më 1941, në revistën “Hylli i Dritës” publikon studimin “Fauna ihtiologjike e Liqenit të Shkodrës”, që, në vitin 2001, përfshihet në bibliografinë e Liqenit të Shkodrës. Më 1947 transferohet në Tiranë në Institutin e Shkencave të Natyrës, ku më 1949 ngriti dhe kryesoi pavionin “Gjeologji/Petrografi/Paleontologji”. Më 1953 organizon dhe drejton Sektorin e Petrografisë pranë Laboratorit Qendror të Gjeologjisë (më pas Instituti i Kërkimeve Gjeologjike) dhe jep leksionet e Kristalografi-Petrografisë në Degën e Minierave të Institutit të Lartë Politeknik. Më 1957 me themelimin e Universitetit të Tiranës, emërohet petagog. Në vitin 1962 ngriti dhe drejtoi, deri më 1966, Katedrën e Mineralogjisë dhe Petrografisë në Fakultetin Gjeologji-Miniera. Në vitin 1957 qe i pari që mbrojti një disertacion në Shqipërinë, për gradën “kandidat i shkencave Mineralogjike-Petrografike” me temë “Squfuri i Kërçishtit (Peshkopi)”. I akordohet titulli shkencor “docent”. Në Universitetin e Tiranës dha lëndën e petrografisë. Më 1962 boton tekstin e parë të petrografisë në vendin tonë: “Petrografia e Shkëmbenjve Magmatikë” (Sistematika). Në vitin 1967 boton librin “Petrografia”.

Ka bërë studime të shumta në fushën e magmatizmit dhe të kërkimit të mineraleve të dobishëm (magnezit, azbest, olivinite, etj), si dhe në fushën e Petrografisë, të Petrologjisë dhe të Gjeologjisë Krahinore. Është nismëtar i futjes së nocioneve të reja për ofiolitet e Shqipërisë dhe i studimit të tyre mbi baza moderne dhe i lidhjes së Gjeologjisë shqiptare me shkollat e përparuara bashkëkohore të Gjeologjisë alpine. Më 1965, me gjeologun francez Jean Aubouin, në “Buletinin e Shoqatës Gjeologjike të Francës”, boton studimin “Vështrim mbi gjeologjinë e Shqipërisë dhe vendi i saj në gjeologjinë e Dinarideve”. Më 1965 Injac Ndojaj është gjeologu i parë shqiptar që bëhet antar i Shoqatës Gjeologjike të Francës. Është autor i monografisë “Vështrim mbi kromitet në Shqipëri” (1976), që ishte sintezë e studimeve të tij dhjetravjeçare, dhe autor i një vargu artikujsh, raportesh, projektesh dhe referate shkencore. Vdes në Tiranë, më 16 mars 1993.

Në nekrologjinë e Shoqatës së Gjeologëve të Shqipërisë, me titull: “Injac Ndojaj – pionier i gjeologjisë shqiptare”, shkruhej: “Megjithë potencialin e madh shkencor, megjithëse ishte i pari që e meritonte në fushën e tij, megjithëse qe mësuesi i një plejade të tërë gjeologësh shqiptarë, diktatura komuniste nuk i dha atij titullin “profesor” dhe as nuk e caktoi anëtar të Akademisë së Shkencave” dhe “Injac Ndojaj mbeti gjithnjë një mësues gojë-ëmbël, një njeri i çiltër dhe me zemër të madhe, optimist dhe i pa-epur, një shqiptar nacionalist dhe patriot me shpirt demokratik, një njeri i vërtetë kulture, një erudit me njohuri të thella edhe në letërsi dhe histori, në muzikë dhe teatër, i gatshëm për të ndihmuar dhe në çdo rast me tërë njohuritë dhe përvojën e tij të shumë-anëshme tërë kolegët më të rinj. Ai mbeti përherë “profesori” i gjeologjisë shqiptare”. Në Fjalorin Enciklopedik, botim i vitit 1985, Injac Ndoja shënohet si i pari ndër studjuesit e petrografisë në Shqipëri dhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 2010, “Injac Ndojaj” përfshihet, si zë i veçantë. Një biografi e Injac Ndojaj është përfshirë në “Kalendarin Enciklopedik” (1998). Injac Ndojaj konsiderohet si pararendësi i etnomuzikologjisë shqiptare. Sipas studimit të dr. Eno Koços “Injac Ndojaj, pararendës i etnomuzikologjisë shqiptare” (2009), tre artikujt e tij “Një studim mbi muzikën shqiptare” (Iliria, 1935), “Ahengu shqiptar” (Iliria, 1935) dhe “Muzika shqiptare” (Shkëndija, 1941), japin aspektet themelore të muzikës tradicionale shqiptare dhe Injac Ndojaj është i pari që shtjelloi nocionet e etnomuzikologjisë në Shqipërinë e viteve ’30. Në vitin 2005, me Vendim të Këshillit Bashkiak Tiranë, me emërin “Injac Ndojaj” emërtohet një rrugë në zonën jug-perëndimore të Tiranës. Në Konferencën Jubilare “90 vjet Gjeologji Shqiptare” (Tiranë 2012), Injac Ndojaj citohet i pari gjeologu i parë shqiptar dhe studimi i tij i vitit 1940 “Vendburimi i kromit në Iballë të Pukës, Shqipëri”, cilësohet si studimi i parë i botuar i një gjeologu shqiptar.

Më 15 nëntor të vitit 1900 lindi në Shkodë, Tahir Dizdari, dijetar, atdhetar dhe orientalist i shquar

Leu në gjirin e një familjeje qytetare, i biri i Nasuf Dizdarit. Pas arsimit fillor vazhdoi Ruzhdijen, por studimet u ndërprenë, sepse shkolla u mbyll më 1912 për shkaqe lufte. Kaloi në bankat e kolegjit “Xaverianum” të jezuitëve duke përfunduar mësimet më 1918. I prirun për nga gjuhët e huaja, kishte njohuri në gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe gjuhë lindore

Punon në administratë, iu kushtua krijimit dhe funksionimit të administratës së re shqiptare, më 1929 botohet “Ligja e katundarive dhe e komunave”, ku luajti një rol kryesor në përpilimin e saj, një vepër që, duke bërë fjalë mbi formimin, organizimin dhe funksionimin e organeve lokale, hedh bazat e strukturave administrative të qëndrueshme e moderne. Më vonë, më 1935 boton broshurën “Udhëhjekës për konferenca”. Më 1930 qe dalluar për organizimin e regjistrimit të popullatës. Për këtë mori një përgëzim të veçantë: “Duke iu transmetue mesazhin e N. M. Tij Mbreti, ju përgëzoj për gjithë aktivitetin e ndihmën që treguat në veprën e kryeme për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë”.

Po kështu në revistën “Ekonomia Kombëtare” lexojmë se Ministria e Ekonomisë Kombëtare e përgëzoi T. Dizdarin nënprefekti i Fierit për organizim garash hipizmi me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Në maj të vitit 1945 bëhet bashkëpunëtor i gazetës “Bashkimi” dhe në tetor bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Gjatë viteve 1946-1951 merret me skedimin e fjalorit dhe me folklor. Në vitet 1946-1949 shëtit nëpër gjithë Shqipërinë, merr pjesë dhe në aksionet e rinisë, duke mbledhur nga goja e popullit material folklorik dhe etimologjik. I dorëzon Institutit të Folklorit një material të pasur prej 800 faqesh të daktilografuara.

Në shkurt të vitit 1951 arrestohet dhe mbahet për disa muaj në hetuesi në lidhje me të ashtuquajturën “bombë” në Ambasadën Sovjetike, por lirohet për mungesë provash. Fitoi pafajësinë në pikëpamje juridike, por jo nga ana politike. Pasojat do të tronditnin krejt jetën e tij dhe të familjes. Do të nxirrej nga shtëpia private, gruaja do t’i transferohej në Kukës me punë si mami. Një familje e tillë me “njollë” në biografi s’lejohej të jetonte në Tiranë (edhe fëmijët më vonë do të shpërndaheshin me punë, kush në Veri e kush në Jug). Në këto kushte ai do të detyrohej të flinte në një dyqan librarie e bukinistike, që kishte hapur që më 1952.

Në buletinin USHT (seria shkencore-shoqërore) e viteve 1960 dhe më vonë në Buletinin “Studime filologjike” (vitet 1964-1966) fillon botimi i një pjese të fjalorit të ardhshëm. Merr pjesë aktive dhe diskuton në të tri konferencat e studimeve albanologjike, që u zhvilluan në Tiranë në vitet 1962, 1968 dhe 1969.

Instituti i Gjuhësisë, duke i parë më së fundi aftësitë e Tahir Dizdarit, veçanërisht vlerën e fjalorit, i kapërceu rezervat në biografi dhe vendosi ta angazhojë në punë si bashkëpunëtor i vjetër shkencor në sektorin e leksikologjisë, duke filluar nga viti 1965 dhe deri më 9 maj 1972, kur ai vdiq.

Prof. J.Nemeth i Akademisë Hungareze të Shkencave e vlerëson veprën e Dizdarit, si një material jashtëzakonisht të pasur dhe me vlerë. Njëkohësisht shprehet, se në asnjërën prej gjuhëve të gadishullit të Ballkanit, nuk janë mbledhur elementët turk, në mënyrë kaq të përsosur.

Gjatë vitit 1944 boton në gazetën “Bashkimi i kombit” rubrikën “Pyes vetveten”, rubrikë që vazhdon në gazetën “Bashkimi” në vitet 1945-1946 me pseudonimin Hijekakeqi. Gjatë vitit 1944, po në gazetën “Bashkimi i kombit” ushqen me material rubrikën gjuhësore “Fjalë iranishte në gjuhën shqipe” me pseudonimin Bishtiqindija. Boton studimet toponomastike “Kraja” në gazetën “Bashkimi i kombit” dhe të “Katër Balët” në revistën “Bota e re”. Po kështu, gjatë vitit 1944 botoi artikujt me karakter satirik, “Bishtmbledhësit e cingareve” dhe “Me këta miq që janë sot” në “Bashkimin e kombit”. Pat vazhduar të shkruajë artikuj të ndryshëm në shtypin periodik, si në revistat “Kultura islame”, “Bleta”, etj.

Puna e tij e madhe dhe voluminoze 30-vjeçare (1941-1971) përfundoi me përpilimin e veprës madhore “Orientalizmat në gjuhën shqipe”, të cilën në dorëshkrim e depozitoi pranë Institutit të mësipërm. Pak kohë para se të vdiste, dorëzoi në atë institucion dorëshkrimin e punimit tjetër të gjatë në leksikografi me titull “Fjalë të pambledhura nga fjalorët e deritanishëm”.

Pak ditë pas vdekjes nga Instituti francez me prestigj “Colege de France” i erdhi ftesa për të marrë pjesë në Kongresin e XXIX Ndërkombëtar të Orientalistëve, që do të mbahej në Paris më 1973.

 

Më 16 nëntor 1944 vdiq Edith Durham, etnografe angleze mike e madhe e shqiptarëve

Mary Edith Durham (1863-1944) ishte një udhëtare, artiste, shkrimtare britanike që u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare, në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shekullit të XX.  Durhami ishte më e madhja nga 8 fëmijët. Babai i saj Arthur Eduard Durham ishte një kirurg i njohur në Londër. Edukimin e mori në mënyrë private dhe shfaqi talent në ilustrime si edhe në përdorimin e ngjyrave të ujit, talent ky që bëri të mundur pjesëmarrjen në Royal Academy of Arts (Akdemia Mbretërore e Arteve). Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në paraqitjen dhe pikturimin e detajuar të një numri të madh amfibësh dhe reptilësh që u paraqitën në volumin Cambridge Natural History (Kembrixh Historia Natyrore) i publikuar në 1899.

Zonja Durham u njoh shumë afër dhe përkrahu çështjen shqiptare për pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Por kjo bëri që të fitonte një reputacion të keq prej etnocentrikeje dhe më vonë do të kritikohej dhe ri-kritikohej nga përkraheshit e shtetit Serb, të cilët synonin shkëputjen e plotë të territorit të Kosovës të banuar kryesisht nga shqiptarë, nga territoret shqiptare për t’a futur në territoret sllave. Edit Durham rrjedhimisht u kthye kundra politikës së Serbisë, duke denoncuar me termin “Krimbi serb” me që nuk kishin krijuar një Jugosllavi të madhe, por thjesht po arrinin qëllimin e vërtetë në realizimin e “Serbisë së Madhe”, duke vazhduar akuzat se njerëzit nën këtë regjim vuanin një diktaturë më të egër se më parë. Për më tepër, intelektualë angleze që përkrahnin Çështjen Serbe kanë kritikuar rëndë Editin dhe pikpamjet e saj. Rebecca West (Rebeka Uest) e përshkroi Durhamin në librin e saj “Black Lamb and Grey Falcon” si një udhëtare që kthehet nga Ballkani me idenë se ata janë gjithmonë të pafajshëm dhe se gjithmonë janë ata që masakrohen dhe jo masakratorët. Historiani i njohur R. W. Seton-Watson (një përkrahës i flaktë i idesë së përçarjes së Perandorisë Austro-Hungareze) komentoi, “Ndërkohë që gjithmonë denoncohet “mentaliteti i Ballkanit”, edhe ajo vetë është po e njëjta me fjalët që thotë”

Sqiptarët e nderojnë akoma edhe sot Editin dhe kanë respekt për të. Ajo sipas shqiptarëve është “Mbretëresha e Malësorëve.” Ajo u mirëprit nga malësorët shqiptarë dhe gjatë kalimit të saj në këto vise nuk pati asnjë keqtrajtim edhe pse ishte një femër e vetme. Përshtypje të mbetura nga Shqipëria ishte tradita e “Burrneshave Shqiptare”, që ishte një zakon ku femrat visheshin si burra dhe kishin një pozitë të qartë në shoqëri.

Mbas vdekjes së saj në 1944, Mbreti Zog i Shqipërisë i dha merita të larta asaj. Mbreti Zog ka shkruar për të : “– Ajo na fali neve zemrën e saj dhe fitoi si këmbim vëmendjen e malësorëve tanë.” Ajo vazhdon të nderohet si “Heroinë Kombëtare” dhe në 2004 në një deklaratë të presidentit shqiptar, Alfred Moisiu e cilësoi atë si një nga figurat më të spikatura të Shqipërisë të shekullit të kaluar.

Shumë nga punët e Durhamit i janë dhuruar akademive të koleksioneve pas vdekjes. Në ditët e sotme, dokumentat e saj mbahen nga Museum of Mankind (muzeu i njerëzimit) dhe Royal Anthropological Institute (Instituti Mbretëror Antropologjik) në Londër, ndërsa koleksioni i saj me bizhuteri të grumbulluara në Ballkan ndodhen në Pitt Rivers Museum në Oxford (Oksford) dhe Bankfield Museum në Halifax (Heilfaks). Muzeumi Bankfield gjithashtu ka një monstër presentative rreth jetës dhe veprimtarisë së saj.

 

Veprat e saj të famshme për Shqipërinë janë :

 

High Albania 1909 (Shqipëria e Epërme)

The burden of the Balkans 1905 (Brenga e Ballkanit)

Through the Lands of the Serb 1904 (Përmes tokave të Serbisë)

The struggle for Scutari 1914 (Përleshja për Shkodrën)

Twenty Years of Balkan Tangle (1920) (Ngatërresa ballkanike 20 vjeçare)

The Serajevo Crime 1925 (Krimi Sarajeva)

Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans 1928 (Disa dëshmi te fiseve ballkanike, dokumente ligjesh dhe të kulturës së Ballkanit).

Albania and the Albanians: selected articles and letters, 1903-1944, ed. by Betjullah Destani (I. B. Tauris, 2001) (Shqipëria dhe Shqiptarët : Artikuj dhe letra të zgjedhura, 1903-1944 nga Betjullah Destani (I. B. Tauris, 2001))

Lufta per shkodren

Vepra të tjera për të[redakto | redakto tekstin burimor]

Kastriot Frasheri: “Mary Edith Durham-Nje zonje e madhe per Shqipërine”, Geer, Tirane, 2004

Kastriot Frasheri : “Mary Edith Durham- A Grand Lady for Albania”, Geer, Tirana, 2004

Mary Edith Durham (2016). Nella Terra del Passato Vivente. La scoperta dell’Albania nell’Europa del primo Novecento. Introduzione, traduzione, note e appendice di Olimpia Gargano. Lecce, Besa. (Vikipedia)

 

 

Më 16 nëntor lindi Rrok Zojzi,etnolog shqiptar

Lindi në Shkodër në një familje zejtare. Pasi mori arsimin e mesëm në qytetin e lindjes, duke bërë detyrën e arsimtarit, u mor edhe me alpinizëm, me kërkime, gjeografi e sidomos në fushën e etnokulturës. Gjatë viteve ‘30-’40 ai bëhet i njohur me shkrimet në revistat “Hylli i Dritës”, “Drini”, “Vatra shqiptare”, etj. Në vitin 1942 Zojzi përgatiti 34 ligjërata gjeografiko-etnologjike, për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, që u shfrytëzuan nga radio “Tirana”, radio “Korça” e radio “Kosova”. Në vitin ‘46 e motra, Maria dhe burri i saj u pushkatuan gjatë rezistencës antikomuniste të Postribës dhe kjo do ndikonte në jetën e Rrokut, i cili gjithnjë është parë si njeri me “cene në biografi”. Një prej kolegëve të tij, prof.dr. Mark Tirta, tregon se vite më parë, shkencëtarët e Zagrebit ngulnin këmbë pranë zyrtarëve shqiptarë që Zojzin ta merrnin si punonjës pranë Akademisë së Shkencave në Kroaci. Zojzi filloi punë në Institutin e Shkencave në vitin 1947, duke u bërë themeluesi i sektorit të studimeve etnologjike shqiptare. “Që në fillim i kushtoi kujdes të veçantë krijimit e zgjerimit të bazës materiale për studime shkencore, krijoi arkivin e objekteve muzeale që nën drejtimin e tij arriti deri në 22 mijë njësi. Bëri eksplorime në vise të ndryshme të virgjëra të Shqipërisë, për të mbledhur të dhëna studimi dhe për të gjurmuar e fotografuar objektet muzeore që shërbenin për arkiv”, – tregon Tirta, duke shtuar se krahas arkivit të objekteve muzeore, Zojzi krijoi fototekën, skicotekën, arkivin e dorëshkrimeve, të përkthimeve e të dokumentacionit të burimeve të ndryshme të shkruara. Madje në vitin 1948 nën drejtimin e tij u ngrit Muzeu Etnologjik Kombëtar. Prej vitit ‘47 ka punuar si etnolog pranë Institutit të Shkencave, deri sa doli në pension në vitin 1976.

Më 17 nëntor të vitit 1918, Fan Noli bërë përbetimin eremitar dhe fitoi shkallën e arkimandritit nga Peshkopi rus Aleksander Nemullovski. Ky akt i parapriu fillimit të ndarjes së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Kisha greke, e cila nuk e njihte shqiptarët ortodoks si entitet i veçantë fetar, por të gjithë ortodoksët i konsideronte grekë.

Më 18 nëntor të vitit 1914 lindi poeti i madh arbëresh, Dushko Vetmo ( Francesco Solana)

Dushko Vetmo i njohur edhe si Francesco Solano lindi në vitin 1914 është shkrimtar arbëresh. Ishte arbëresh me origjinë nga familje çame, por lindi në Frasnitë (Kalabri). Pas njëzet vjetësh qëndrimi në Argjentinë, Uruguaj dhe Kili, kthehet në Itali. Solano ishte studiues, themelues dhe titullar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe dhe i Dialektologjisë arbëreshenë Universitetin e Kalabrisë, në Kozencë, që prej vitit 1975 deri në vitin 1990 .Njihet si nismëtari i botimit të revistës “Vija”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve Arbëreshë. Në fushën e gjuhësisë njihet si autori i gramatikës “Manuale di lingua albanese”. Në fushën e dialektologjisë arbëreshe botoi një sërë botimesh për dialektet arbëreshe dhe disa të folmet si ajoPellatënit, edhe ajo e Fermës. Nëfushën e filologjisë botoi veprën e F.A. Santori, Emira (1985) dhe Katekizmin arbërisht të Shën Vasilit (1983). Si shkrimtar i përkasin disa vepra letrare : “Burbuqe të egra”, “Akullnajat”, “Shkretëtira prej guri” e”Te praku” ej.

Tituj të veprave

Burbuqe t´egra – 1946

Te praku – 1977

Bijtë e Dodonës

E po hëna

Shkretëtira prej gurit

Dhaskal Mitri

Tregimet e lëmit.

Më 19 nëntor të vitit 1814 lindi, Jeronim De Rada

U lind në vitin 1814 në Maki të Kalabrisë mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitri Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve 60 të shek. XIX. Duke nisur nga viti 1861, në jetën e De Rada nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat “Lashtësia e Kombit Shqiptar” (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar të çështjes kombëtare i dha me revistën “Flamuri Arbrit”, që botoi në vitet 1883-1885. Në “Testamentin politik” (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve.

Studimet gjuhësore

Zhvilloi një veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore ; u kushtoi vëmendje çështjeve të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke mbrojtur lashtësinë e tyre. De Rada është nga të parët studiues vendës të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dy veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine, të plotësuara me shenja blert diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Rada duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe). Dha me vetmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq.

Poemat

Mjaft e gjerë është edhe veprimtaria poetike e De Rada Nisi të botojë që herët por shkrimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema lirike-epike Këngët e Milosaos (1836), vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Në qendër të veprës është historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash. Autori nuk kufizohet me dënimin e paragjykimeve klasore që pengonin lumturinë e të rinjve; në vepër kumboi ideja e detyrës ndaj atdheut dhe e gatishmërisë për të luftuar për mbrojtjen e tij. Historia e dashurisë fatkeqe midis dy të rinjve nga rrethet aristokratike të Shqipërisë së shekullit XV është edhe në qendër të poemës Serafina Topia, mbi të cilën poeti punoi në vitet 1839-1843. I pakënaqur nga puna e tij, De Rada këtë subjekt e rimori në poemën Pasqyra e një jete njerëzore (1898) duke e zgjeruar dhe duke trajtuar në të një problematikë më aktuale për kohën, luftën kundër pushtuesit otoman. Vepra më e rëndësishme e De Radaës është Skënderbeu i pafan, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse. Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. Skënderbeu i pafan është kryevepra e De Radës në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut. Si poet, sidomos në Këngët e Milosaos, De Rada u çmua lart edhe nga rrethet letrare evropiane.

Ndikimi dhe vlerësimet

De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare ; ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Figura e tij ngrihet si figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë dhe e botës arbëreshe. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh ; tradita poetike shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara veprat e tij kryesore. Mban titullin “Mësues i Popullit”

Vdiq me 1903, tetëdhjetë e nëntë-vjeçare

Tituj të veprave

Milosao

Një pasqyrë e jetës njerëzore

Serafina Topia

Skënderbeu i pafan

Fjamuri i Arbërit (revistë)

Rapsodi të një poeme shqiptare, mbledhur në kolonitë e rrethit të Napolit, (1983) Prishtinë: Rilindja

Antichità della nazione albanese e sua affinità con gli Elleni e i Latini 1997 Cosenza Brenner

Këngë të milosaut : poemë (2002) Tiranë : Naim Frashëri

Autobiografia, (2000) Tiranë: Onufri

Parime të estetikës : mendime rreth jetës dhe qëllimeve të saj (ekstrakte) (2003) Tiranë : Globus

Më 19 nëntor të vitit 1998  ka rënë në altarin e atdheur dëshmorini UÇK-së, Sadedin Shehu

Më 20 nëntor të vitit 1866 lindi, poeti i madh kombëtar, Ndre Mjeda

Ndre Mjeda, poet i shquar dhe veprimtar e patriot. Lindi në Shkodër nga i ati Jakë Zefi (Kryeziu) dhe ëma Luçije (Dominika) Thaçi. I ati ishte me origjinë nga Mirdita ndërsa e ëma nga Malcit e Pukës. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo de Martino (1830-1923)[2]. Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni[3]. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi.

Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci.

Në këto vite Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike.

Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje, dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij Jeta e sceitit sc’ Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon Berhmansit), për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 T’perghjamit e Zojs Bekume (Përngjasim i Zojës së Bekueme), përkthyer nga spanishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shenjtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).

Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedës Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689).

Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit.

Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjeda, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Prenk Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta.

Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet (alfabet ky i nji komisioni t’Ministrisë s’punëve të jashtme t’Austro-Hungarisë, me bazë alfabetin kroat) dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Me këtë alfabet Ndre Mjeda dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Më 1908 në Kongresin e Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin si përfaqsues i Shkodrës dhe variantit të karaktereve latine, u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisia Letrare Shqipe.

Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël.

Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.

Veprimtaria poetike

Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike I tretuni, në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjersha Shtegtari, Malli për atdhe, Gjuha shqype, Bashkoniu !etj. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin.

Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi, etj. Romantik në thelb, Ndre Mjeda bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).

Ndre Mjeda është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit). Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën e botës shqiptare (“Andrra e jetës”). Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus, Scodra). Me rebelimin e tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e lirisë (Lirija).

Mjeda mbetet mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i tingëllimit në shqip deri më sot.

Vepra e Ndre Mjedës u botua e plotë në tri vëllime në Prishtinë në vitin 1982 nën përkujdesjen e Sabri Hamitit dhe nji studim mjaft i vlefshëm me shtatë vëllime nga Mentor Quku.

Tituj të veprave

Vaji i Bylbylit, poemë

Juvenilja – përmbledhje

Liria – poemë

Lissus – poemë,

Scodra – poemë,

Andrra e jetes-poemë,

Shkollë e jetë-poemë.

Më 20 nëntor të vitit 1972 u hap në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës (USHT) nga data 20 nëntor deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë zhvilloi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në Kongres u përfaqësuan gjerësisht forcat e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Aty ishin të pranishëm 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi si dhe arbëreshë nga Italia. Synimi i mbledhjes së Kongresit ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar kombëtare. Ky Kongres, si forumi më i lartë shkencor, analizoi e diskutoi gjerësisht parimet themelore, çështjet e përgjithshme dhe shumë zgjidhje të veçanta të drejtshkrimit të shqipes, si edhe probleme të tjera teorike e praktike, që kanë të bëjnë me normën letrare në përgjithësi.

Parimet e përgjithshme

Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore. Ai pasqyron gjendjen e sotme dhe prirjet e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë letrare, e cila mbështetet gjerësisht në gjuhën e folur të popullit. Duke ngritur në një shkallë më të lartë traditën e shkrimit të shqipes, drejtshkrimi i sotëm synon njësimin e mëtejshëm të normës së gjuhës letrare kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta që janë përvetësuar e përvetësohen prej saj.

Parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonetik: në përgjithësi fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme shkruhen ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar. Thelbi i parimit fonetik në drejtshkrimin e shqipes, që mbështetet në një sistem grafik ku ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis shkronjës dhe tingullit-fonemë, është aspekti fonologjik, domethënë përdorimi social i tingujve të gjuhës në procesin e marrëdhënieve midis njerëzve. Parimi fonetik synon vendosjen e një lidhjeje sa më të ngushtë midis trajtës së shkruar dhe trajtës së folur të gjuhës letrare. Prandaj, kur në shqiptimin letrar ka variante të lejuara nga norma e sotme, drejtshkrimi mbështetet tek ajo trajtë që është më e përgjithshme dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të shqipes letrare.

Krahas parimit fonetik, drejtshkrimi i njësuar i shqipes mbështetet gjerësisht edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore të shkaktuara prej ligjeve fonetike që veprojnë sot në gjuhën tonë. Parimi morfologjik zbatohet kryesisht në ato raste, kur zbatimi i veçuar i parimit fonetik do të çonte në errësimin a në prishjen e strukturës morfologjike e fjalëformuese të fjalëve; ai ndihmon kështu për ta ruajtur sa më të qartë në shkrim këtë strukturë, si edhe njësinë e trajtave. Duke pasur si bazë analogjitë morfologjike, parimi morfologjik lejon rrafshimin e thjeshtimin sa më të madh të rregullave drejtshkrimore të shqipes dhe ndihmon që këto rregulla të pasqyrojnë në mënyrë sa më organike zhvillimin e bashkëlidhur të strukturës fonetike, morfologjike e fjalëformuese të gjuhës sonë letrare kombëtare.

Gërshetimi i parimit fonetik me parimin morfologjik në drejtshkrimin e shqipes plotësohet edhe nga zbatimi i disa parimeve të tjera, siç janë parimi leksikor-kuptimor, ai historik-tradicional etj. Fushat e zbatimit të këtyre parimeve janë më të ngushta dhe përfshijnë anë të veçanta të drejtshkrimit.

Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe kurorëzon një etapë të gjatë përpjekjesh për formimin e një gjuhe letrare të vetme e të përbashkët për gjithë popullin shqiptar dhe çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës sonë kombëtare.

Më 21 nëntor të vitit 1943, në Zall-Herr të Tiranës u mbajt Kongresi i Zogistëve, i cili shpalli themelimin e Legalitetit. Kryera u zgjodh Abaz Kupi i cili asokohe njihej si antifashist.

Më  21 nëntor të vitit 1949 u vra Nuri Luçi, në një luftë të armatosur kundër një bande diversantësh që kishin hyrë nga Jugosllavia. Ai ra trimërisht në Zhej të Krujës,

Më 22 nëntor të vitit 1961 vdiq Aleksandër Xhuvani

Aleksandër Xhuvani (Elbasan, 14 mars 1880 – Tiranë, 22 nëntor 1961) Mësues i Popullit, profesor dhe shkencëtar i shquar (gjuhëtar, pedagog dhe psikolog), konsiderohet pedagogu më i shquar shqiptar dhe figura qendrore e arsimit kombëtar shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX. Për shkak të kontributit të tij në ngritjen dhe zhvillimin e sistemit arsimor kombëtar shqiptar, Prof. Dr. Aleksandër Xhuvani u quajt edhe me epitetin “Mësues i mësuesve shqiptarë”.

Aleksandër Xhuvani lindi më 14 mars të vitit 1880 në Elbasan. Mësimet para i mori në vendlindje ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin – Konvikt të Çotilit, asokohe në Vilajetin e Manastirit, (pjesë e Perandorisë Osmane ndërsa sot fshat në Maqedoninë Greke). Studimet e larta i kreu në fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës, 1903-’06. Në gusht të 1906 shkoi në Napoli ku u njoh me L. Gurakuqin, dhe nisi të japë gjuhë shqipe në Shën Mitër Koronë. Me shpalljen e kushtetutës të Perandorisë Osmane kthehet në atdhe, 1908.

Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit (1909) dhe me hapjen e Normales së Elbasanit qe mësues dhe më vonë drejtor i kësaj shkolle. Në këtë kohë ai iu fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Më 25 mars 1910 qe bashkëpunëtor i Lef Nosit në hapjen e revistës “Tomorri”. Shkolla Normale u mbyll pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në verën e vitit 1910. Në këtë kohë, Xhuvani largohet për në Kairo ku formohet shoqëria bashkimi me dr. Mihal Turtullin, inxh. F. Shirokën dhe av. Çajupin[5]. Emërohet redaktor i gazetës “Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A.Xhuvani shkon në Aleksandri, ku emërohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”.

Kthehet në atdhe dhe riemërohet drejtor në Normale, më tej gjendet herëmbashere në Shkodër gjatë punimeve të KLSH. Në vitin 1918 është iniciator i krijimit të shoqërisë kulturore-letrare “Qarku letrar i Elbasanit”. Në verën e vitit 1920 ishte kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës, që mori një sërë masash për organizimin e arsimit kombëtar dhe vendime për përcaktimin e terminologjisë shkollore. Gjatë viteve 1920-1922 punoi në Këshillin e Epërm Arsimor të Ministrisë së Arsimit. Kthehet drejtor i Normales në vitet 1922-1929. Në vitin 1929-1933 shkon sërish në Ministrinë e Arsimit dhe pas vitit 1933 deri në vitin 1938 ai drejton shkollën Normale të Elbasanit. Nga 1938 deri më 1940 e gjejmë sërish në Ministrinë e Arsimit.

Më tej kalon në Inspektorinë Qendrore, ku merret me përpilime tekstesh, shqyrtime dhe redaktime. Me vdekjen e njërit prej djemve të tij, Ptolemeut, ia diktoi kahjen e pasluftës kur edhe vajzat i martohen me Ramiz Alinë dhe Bilbil Klosin. Me marrjen e pushtetit nga partizanët u thirr në Ministrinë e Arsimit, ku nis nga puna për hartimin e teksteve dhe metodologjive të reja. Jo vetëm kaq, por u bë edhe anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga janari i vitit 1947 deri në shtator 1953 punon si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe e të Letërsisë të Institutit të Shkencave. Këtu organizon jetën shkencore dhe dha ndihmesë të madhe në përgatitjen e kuadrove, sidomos në fushën e shkencave filologjike. Deri në vitin 1957 ishte anëtar i Presidiumit të këtij instituti. Në vitin 1953 zhvillohet Konferenca e Ortografisë, e cila kodifikoi drejtshkrimin e shqipes. Në vitin 1954 nën kujdesin e profesor Xhuvanit u realizua hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”. Më 1945 ai zgjidhet përfaqësues i popullit në Asamblenë Kushtetuese dhe më pas deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit Popullor. Vdiq më 22 nëntor 1961.

Veprimtaria

Më 1905, kur botoi artikullin e parë në revistën “Albania” të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike, gjuhësore, pedagogjike dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit “Kopshti letrar”; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve ’30. La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Përshtati “Historinë e Letërsisë Greke” për kurset e larta të liceut për vitin 1941, përpiloi Antologjinë e klasës së tretë të shkollave të mesme, më 1946 botoi biografi letrare, artikuj për vepra të autorëve arbëreshë si Rondinella, Gavril Dara i Riu. Ai kreu analiza të hollësishme, përktheu dhe përshtati krijime letrare si Jeta e Pirros etj. Dha ndihmesë për zhvillimin e arsimit (1946-1951), për organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve të quajtur më vonë Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953).

Punoi për njësimin e gjuhës letrare të folur e të shkruar, për një gjuhë letrare të përbashkët për gjithë popullin shqiptar. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1949, 1951, 1954, 1956) që zgjëruan gjithnjë e më shumë rrethin e çështjeve që çelën rrugën për njësimin e plotë të drejtshkrimeve të gjuhës shqipe më vonë. Më 1956 botoi posaçërisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Vetë ai kreu një punë me vlerë për pasurimin e gjuhës sonë letrare, sidomos për përpunimin e terminologjisë të mjaft degëve të dijes sidomos të gramatikës, të letërsisë dhe të shkencave pedagogjike. Ndihmoi shumë në veprimtarinë, që nisi të shtjellohet në vendin tonë pas çlirimit në fushën e terminologjisë, drejtoi punët e para që u bënë për terminologjinë shkollore. Shtjelloi dhe një veprimtari kërkimore të gjerë e të frytshme në fusha të ndryshme të gjuhës shqipe. Qe ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikës. Mund të përmenden punimet për pjesoren e paskajoren, monografia “Parafjalët”. Hartoi, në bashkëpunim me Eqrem Çabejin dy trajtesat “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe (1962), të cilët karakterizohen nga vështrimi i gjerë, sinkronik e diakronik, nga pasuria e madhe e të dhënave, e vëzhgimeve dhe e mendimeve që pasqyrojnë njohuritë e thella të Xhuvanit për leksikun e gjuhës shqipe e sidomos leksikun popullor.

Bëri një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit (1961) dhe i dha këtij fjalori një jetë të re. Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme me artikuj e recensione, ndër të cilat mund të përmenden “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” (1934) “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” (1957).

Nëntëmbëdhjetë vite pas vdekjes, më 1980, u botua vëllimi i parë i “Veprave” të Aleksandër Xhuvanit me 6 vëllime, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave. Ky libër është një nga literaturat më të vlefshme për këdo që merret me studimin e gjuhës shqipe.

Kontributi i Xhuvanit për arsimin dhe pedagogjinë[redakto | redakto tekstin burimor]

Aleksandër Xhuvani u mor me trajtimin e çështjeve më të rëndësishme dhe më thelbsore pedagogjike, të lidhura ngusht me nevojat për ngritjen e nivelit shkencor të arsimit dhe të shkollës shqipe. Punimet dhe veprat e tij pedagogjike dhe psikologjike u shkruan dhe u botuan në kohën kur në Shqipëri kishte nevojë shumë të madhe për vepra të tilla në gjuhën shqipe.

Pedagogjia sipas Aleksandër Xhuvanit, është shkencë dhe art i edukatës me rëndësi shumë të madhe shoqërore dhe kombëtare. Ajo ka lidhje të ngushtë me shkenca tjera, sidomos me psikologjinë, etikën, fiziologjinë, sociologjinë, logjikën etj. “Psikologjia pra bashkë me Logjikën e me Moralin (shkruan Xhuvani) na japin rregullat e edukatës dhe janë bazat themelore të Pedagogjisë, pa të cilat ajo nuk ban punë”

Xhuvani u morr gjithashtu, edhe me përpunimin e çështjeve të ndryshme nga disiplina të veçanta shkencore të pedagogjisë, ndër të cilat është edhe pedagogjia e përgjithshme. Ndër çështjet që trajtoi ai në këtë fushë është edhe ideali i edukatës kombëtare. Sipas tij, ideali themelor i “edukatës asht formimi i personalitetit, d.m.th. mësimi ka për qëllim të formojë njerëz me gjykim me vehte e të lirë, me nji sy të patrembun për çdo rast të jetës e me nji dashuni të vërtetë për çdo gja të ndershme dhe ma fort për veprimin e njeriut në shoqëri njerëzore.” Ky ideal, vazhdon Xhuvani, mund të arrihet përmes organizimit të drejtë të edukatsë (mendore, morale, religjioze, kombëtare, fizike, punuese dhe estetike).

Aleksandër Xhuvani kontribuoi edhe në fushën e historisë së pedagogjisë botërore dhe historisë së pedagogjisë shqiptare, e cila rreth gjysmë shekulli ndërlidhej ngushtë me jetën dhe punën e tij arsimore dhe pedagogjike.. Ishte histori e gjallë e shkollsë dhe e pedagogjisë shqiptare. Meritë e tij është fakti që vazhdimisht u përpoq për ndërlidhjen e traditës pedagogjike përparimtare me nevojat aktuale të shkollës dhe arsimit shqiptar, siq ishte pedagogjia herbartiane, rrymat e ndryshme të pedagogjisë së shkollsë së re etj. Jo rastësisht shkroi në vijime, për lulëzimin e demokracisë dhe të shkollave në Athinën dhe në Romën antike, kur kultura dhe shkolla shqipe rrezikoheshin nga italianizimi dhe fashistizimi i tyre. Xhuvani shkroi edhe monografinë “J.H. Pestalozzi (Jeta, veprat e pedagogjia e tij).”

Për portretin poliedrik të Xhuvanit dëshmon puna e madhe që bëri në fushën e psikologjisë. Sipas tij, puna mësimore duhet të mbështetet në njohjen e gjithanshme të tipareve psiko-fizike të nxënësit. Pikërisht, për ta ndihmuar arsimin shqiptar shkroi edhe veprën Psikologjia, të cilën albanologu i shquar Norbert Jokli e vlerësoi “vepër monumentale” për tërë literaturën shqiptare. Ky në fakt, është një tekst i psikologjisë pedagogjike, por që në të ngërthen edhe përmbajtje nga psikologjia e përgjithshme, nga ajo fëmijërore, patologjike, fiziologjike, eksperimentale etj. Mendimin e tij psikologjik e pedagogjik ai e mbështeti në rezultatet e arritjeve shkencore në Evropë dhe në Amerikë, duke përfshirë këtu veprën e Lajit, Mojmanit, Vuntit, Ribosë, Klapareidit, Shternit, Xhemsit, Frojdit, Djuit, Piazhesë etj.

Aleksandër Xhuvani dha kontribut me vlerë edhe në themelimin dhe ndërtimin e didaktikës dhe pedagogjisë shkollore shqiptare. Didaktika, sipas tij është “një shkencë edhe një art; asht shkencë në pikëpamje të dijes që i jep nxanësit, asht art në pikëpamje të përdorunit e të zbatuemit të gjanave të mësueme.” U mor me trajtimin e çështjeve themelore të mësimit dhe të shkollës, siq janë: përmbajtjet mësimore, parimet didaktike, personaliteti i mësuesit, lokalet shkollore etj. Me tekstet e tij, Didaktikë e Edukatë, Didaktika etj., u përpoq që shkollën shqipe ta nxjerrë nga prapambeturia dhe kaosi i rrymave dhe ndikimeve të ndryshme pedagogjike dhe ta ngritë atë mbi një bazë unike e të përparuar didaktike, duke e mbështetur në arritjet e didaktikës evropiane. Në këtë plan, sipas Xhuvanit, rol të rëndsëishëm ka sidomos mësuesi, vokacioni i tij “sepse arti i edukatës, që ushtron mësuesi, asht ma i nalti e ma fisniku i arteve;…”

Xhuvani u shqua edhe për punën e madhe dhe me kompetencë profesionale që bëri për zbatimin në praktikën shkollore të arritjeve të pedagogjisë shkollore dhe të metodikës. Normalja e Elbasanit, sidomos ushtrimorja e saj, u shndërrua në laborator për “eksperimentimin” e metodave dhe formave të reja mësimore, të mjeteve të konkretizimit të mësimit. Kjo veprimtari ishte nën përkujdesjen e drejtë për drejtë të Xhuvanit, i cili shquhej për afinitet dhe përgatitje të lartë profesionale – metodike. Si i tillë, kontribuoi në zhvillimin e metodikave të mësimdhënies së lëndëve të ndryshme, sidomos të metodikës së mësimit të shkrim – leximit fillestar, të gjuhës dhe të letërsisë shqipe etj.

Gjithashtu, vlerë të veçantë kanë edhe pikëpamjet e tij për çështje të ndryshme të pedagogjisë parashkollore, të arsimit për të rriturit (andragogjisë), të pedagogjisë familjare. Edhe Xhuvani, sikurse rilindësit tjerë, që kur gjendej në Egjipt, theksoi me forcë, domosdonë për ngritjen arsimore dhe kulturore të femrës shqiptare, të cilën e vlerësoi faktor shumë të rëndësishëm kombëtar dhe edukativ (pedagogjik). “Shkalla arsimore e gruas shqiptare, shkruan ai, asht themeli i edukatës shoqnore, themeli i përparimit tonë si shtet e si komb.  (Vikipedia)

Veprat më të njohura

Fillime të pedagogjisë. Pjes`e parë. Psikologji e shtime në punë t`edukatës;

Fillime të pedagogjisë. Pjes`e dytë. Didaktikë e Edukatë;

J.H. Pestalozzi. Jeta, veprat e pedagogjia e tij;

Fillime të pedagogjisë. Pjes`e dytë. Didaktika;

Edukatë (dorëshkrim)

Libri i gjuhës shqipe;

Njohuritë e para të sintaksës shqipe;

Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme” (me Kostaq Cipon)

Më 23 nëntor të vitit 1943 u lindi Bernard Bilota

Më 23 nëntor të vitit 1843 në Kozencë. lindi  Bernard Bilota, gjuhëtar, poet, folklorist e studues arbëresh. Qe nismëtar i dy kongreseve gjuhësore arbëreshe dhe pati krijimtari të pasur letrare e studimore. Përmendim “Mërkuri i dorësit”, “E bukura e jetës”, “Shpata e Skëndërbeut ndë Dibrit Poshtë”; “Fjalor fjalësh dhe e folmja e vendlindjes”, etj. Vdiq në vitin 1918.

 

Më 23 nëntor të vitit 1941 u themelua në Tiranë, Organizata e Rinisë Komuniste Shqiptare, në krye të së cilë ishte emëruar Qemal Stafa, më vonë Hero i Popullit.

 

Më 25 nëntor të vitit 1913 lindi Petro Marko shkrimtar i njohur shqiptar, revolucionar e atdhetar

Petro Marko lindi në fshatin Dhërmi të Bregut nga prindërit Marko e Zoica, u rrit nga gjyshja Mama Mille. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët.

Pasi kreu filloren në fshatin e lemjes më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilen jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me “Manifestin” e Marksit.

Pasi kreu shkollën i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon një ditë Hilë Mosin, asokohe Ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nepërmjet gazetave greke, të cilat ia jipte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pati, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste (akuzë e pavërtetë).

U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për n’Athinë, ku kishte të vëllanë Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Bregu. Atje hyn në fakultetin e letërsisë, ku i takoi të kishte fërkime me rektorin, i cili ia njehte për turp që Petroja si himarjot të ishte mësues i shqipes. Gjë për të cilën Petroja ia ktheu “turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!…”, replikë që i shkaktoi përjashtimin. Nepërmjet punëdhënësit të të vëllasë krijohet mundësia të hyjë në një shkollë joshtetërore, në fakultetin ekonomiko-politik. Shqyrton mundësinë të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku në atë kohë ishte dhe Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por bie poshtë si mundësi.

Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut – verë 1935. Planifikohet Kryengritja e Fieri, e cila dështon që në zanafillë e Riza Cerova vritet nga trupat e Hamit Matjanit, dhe ata që ngelën ikën nga Vlora për në Korfuz. Kthehet në nëntor pasi Branko Merxhani e Ismet Toto e thërrasin me rastin e hapjes së një gazete (“Koha e Re”) si organ i qeverisë. Gazeta mbyllet pas një artikulli bombastik mbi punëtorët e Kuçovës; që Ethem Toto, asokohe ministër i brendshëm e pau si reaksionar e komunist. Shëtiti nga një gazetë në tjetrën (“Illyria”, etj.), dhe më 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 2-të; e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogara, lirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos. Bashkëpunon në “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, të cilën Brankoja kishte me nijet t’ia vinte për antipod “Hyllit të Dritës”. Por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin Pse nuk jam marksist i dëtyruar nga censura e kohës. Pasi në një gazetë tjetër del haptas me idetë e tij pro proletariatit, i hyn si halë në sy Musa Jukës, i cili për ta pajtuar i propozon postin e zv/prefektit në Himarë. Petro i jep fjalën se do e pranojë pasi të shkojë në Athinë e të japë ca provime, duke tejparë pas këtij propozimi.

Takohet me Migjenin para se të niset (1937), dhe me të mbërrirë në Athinë merr anijen për në Marsejë; anija i ra përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë, dhe gjen në Paris Llazar Fundon e Ali Kelmendin. Merr direktivat nga një “shok” serb që mbante si nofkë “Robert”. Dhe caktohet kryetari i grupit prej 113 vetësh që u nis për në Albacete ku ishte qendra e Brigadave Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingway, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmën e interbrigadistit u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble.

Hyn në Itali nga fundi i ’39. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porositë t’i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin hasmërive me fshatrat e Dukatit. Në Vlorë nis e harton trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin në Vlorë, në Tiranë (maj 1940)… mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit te jugut t’Italisë nga forcat aleate anglo-amerikane çan burgun së bashku me të burgosur të tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, E. Koliqit. dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.

Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet në Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve të tjerë në kohën kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe. Tek “Retë dhe gurët” citon N.Spirun që i thoshte se Shqipëria kishte material të mjaftueshëm jo vetëm për të dhe për kushedi sa vjet,- bollëk ky që bënë të mundur tregtarët shqiptarë nën okupacionin italian e pastaj gjerman, ngaqë pushtuesit kishin nevojë për material. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 nëntori”. 1973 i hiqet e drejta për botim. Më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin. Romani “Çuka e shtegtarit” – 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s’ia pranuan e nuk u botua. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi. Pas rrezimit te diktatures themelon se bashku me Sabri Godon dhe Vangjush Gambeten Partine Republikane te Shqiperise. 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni[1]. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Vepra

Filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra qysh në kohët e shkollës në Vlorë. Ministri i Arsimit Mosi do i thoshte Të shkruesh vjersha. Vjersha asht shprehja ma njerëzore e mendimit dhe e zemrës. Shkruan “Një natë e dy agime”, poemat “Nase labi”, “Horizonti në kuletë”, “Parada e të uriturve”, romanet “Kodashi”, “Rrugëve të luftës”; “Nisja pa mbarim”, “Bija e kapitenit”… gjatë kohës kur ishte në Itali. Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet “Hasta la vista” (1959) dhe “Qyteti i fundit” (1960), ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”. Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.

Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.

Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë t’a botonte.

Tituj të veprave

Hasta la vista (1958)

Qyteti i fundit (1960)

Një emër në katër rrugë

“Ara në mal” – roman

Nata e Ustikës (1989)

Shpella e piratëve- roman

Vepra autobiografike

“Horizont” – roman

Fantazma dhe plani 3+4

Çuka e shtegtarit

Një natë dhe dy agime

“Stina e armëve” – roman

“Halimi” – roman

Shpella e pirateve

“Tregime” – tregime

“Gazetari, mbreti e uria” – – roman

“Retë dhe gurët” – 2000

Ultimatumi – 2002

Tregime të zgjedhura – 2003

 

Më 25 nëntor të vitit 1919 lindi në Shkodër Vehbi Ismaili.

Babai i tij Haxhi Ismail Hakiu, ishte njëri prej dijetarëve të njohur të Shkodrës dhe i respektuar në tërë qytetin. Biblioteka e tij kishte mijëra libra në gjuhën arabe, turke dhe persiane.

atër klasa të para të fillores i kreu në Shkodër. Nuk Ishte nxënës i dalluar, sepse, në vend që të merrej me studimin e lëndëve shkollore, e kalonte kohën duke lexuar libra të ndryshme, si Kontin e Monte Kristos dhe Tre musketarët e Aleksandër Dymasë, që kishte filluar t’i përkthente në gjuhën tonë “Kostë Çekrezi” dhe i botonte nga një në dy javë në broshura prej 16 faqesh dhe pastaj i mblidhnin në libra. Kështu, në vitin 1928, kur i ati u emërua Myfti në Krujë, shokët i thanë që të shkonte në Krujë, të regjistrohej në klasën e katërt që mos e turpëronte Shkodrën.

Në Krujë kryen shkollën fillore, meqë nuk kishte shkollë të mesme dhe njëherësh nuk gëzonte shëndet të mirë, për dy vjet shkoi si praktikant në zyrën e tatimeve të financës në këtë qytet. Ndërsa në vitin 1933 regjistrohet në Medresenë e Naltë në Tiranë. Në Medrese mësoheshin të gjitha lëndët që mësoheshin edhe në shkollat e mesme të Ministrisë së Arsimit. Ai mbaronte këtë, mund të hynte në çdo Universitet të Evropës, meqë në Shqipëri nuk kishte universitet.

Medreseja zgjaste tetë vjet. Gjatë kohës si nxënës në Medrese, filloi të shkruante në revistën Zani i Naltë, që ishte organ mujor, kulturor e fetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kjo u ndihmonte shumë, meqë drejtori I saj, Haki Sharofi, ishte edhe mësues i gjuhës shqipe. Po ashtu bashkëpunonte edhe me Vatrën e Rinisë, që ishte një e përjavshme për të rinjtë. Këtu botonte tregime të shkurtra.

Pas kryerjes së shkollimit të mesëm, Imam Vehbi Ismaili, kishte vendosur të shkonte në “al-Az-har” të Kajros për të shtuar horizontet e njohurive të tij. Kështu në vazhdim shohim se ai përshkruan kësodore jetën e tij në këtë periudhë: Kur mbaroi klasën e katërt, mori diplomën që thirrej semimaturë. Me të mundej çdo nxënës të emërohej imam xhamie. Por, ky vendosi të shkonte dhe t’i plotësonte studimet fetare në Egjipt, meqë i ati atje kishte shumë miq, andaj edhe nuk pati vështirësi që të nxjerr një bursë nga qeveria egjiptiane. Kështu që nga fundi i vitit 1937, bashkë me Thabit Kodukun, maturant i Medresesë, shkuan në Kairo dhe pas një viti u regjistruan në Universitetin Al-Az-har, Fakultetii Teologjisë. Në vitin 1945 merr diplomën nga Fakulteti. Pikërisht ato ditë merr një letër shumë mallëngjyese nga vëllai i tij i vogël, Shefkiu, i cili shfaqte mallin që kishte për te dhe kërkonte që të kthehej në atdhe. Letra i bëri përshtypje të madhe, dhe, megjithëse e dinte se atje gjendja nuk ishte e mirë, vendosë të kthehej në Shqipëri. Ndërsa po përgatitej të shkonte në Shqipëri, merr një letër në gjuhën arabe nga i ati ku, në mes tjerash, shkruante: “Sa të dua të kem unë pranë, nuk do asnjëri tjetër. Po të këshilloj të mos gabosh të vish, se do ta hedhësh veten në zjarr”. Natyrisht, i bindet kësaj porosie dhe vendosë ta bëjë Egjiptin atdhe të dytë për disa kohë, duke menduar se komunizmi në Shqipëri nuk do të kishte jetë të gjatë. Vitet shkonin, gjendja në Shqipëri nuk po ndryshonte. I’u bë propozim formimi i familjes, me pasuri që të gëzonte një jetë shumë të mire materiale, por ai gjithnjë mendonte dhe ëndërronte të kthehej në Shqipëri, saqë e tërë pasuria e Egjiptit për te nuk kishte vlerë. Njeriu bën plane, por Zoti, qoftë lavdëruar, zbaton të tjera .”

 

Themelues i qendrës së pare islame shqiptare në Amerikë

Jeta e Imam Vehbi Ismailit, pak a shumë i përngjan jetës së Fan Stilian Nolit, I cili po ashtu jetoi një kohë të shkurtër nëEgjipt dhe nga Egjpti, me ftesë të Komunitetit Shqiptar, shkoi në Boston tëAmerikës. Ja si e përshkruan Imam Vehbi Ismaili këtë pjesë të jetës së tij:

Nga fundi i vitit 1948 mora një letër nga Shoqëria Shqiptaro-Amerikane Myslimane në Detroit, Miçigan, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilën ftohesha të shkoja atje si udhëheqës I tyre fetar. Në fillim ngurrova, meqë do të largohesha më tepër nga atdheu dhe njëherit në pikëpamje ekonomike isha mirë. Por, shokët ma mbushën mendjen se do të kisha rast t’i shërbeja fesë dhe atdheut. Në prill 1949 u nisa me anije, meqë kisha shumë libra, dhe nga fundi i këtij muaji arrita në Detroit. Shumica e shqiptarëve myslimanë në këtë qytet ishin nga Korça e Gjirokastra, që kishin ardhur para Luftës së Dytë Botërore, për çështje ekonomike. Kishte edhe disa beqarë nga Vlora dhe Berati, që nuk ishin martuar fare ose kishin familjet në Shqipëri. Këta të gjithë më pritën shumë mirë, m’i hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre, saqë e ndjeva veten sikur të isha në mes të familjes sime. Të gjithë ishin njerëz të thjeshtë, por me dashuri të madhe për atdhe, njerëz të sinqertë. Fëmijët e tyre i kishin mësuar dhe edukuar me tradita shqiptare. Shumica e fëmijëve e flisnin mire shqipen. Një grup i vogël që atëherë numëroheshin në gishta, ishin refugjatë politikë, që kishin ikur nga komunizmi.

Shoqata Shqiptaro-Amerikane Myslimane uk kishte lokal të vetin dhe as që ishte ndonjë të zënë me qira. Prandaj, puna e parë që bënë, i zënë me qira disa dhoma në International Institute, që i përdornin për shërbime fetare, si klasë për të mësuar fenë dhe klasë për mësimin e shkrimit të gjuhës shqipe. Shqiptarët myslimanë nuk ishin më shumë se 20-30 familje. Të gjithë i sillnin fëmijët rregullisht për të mësuar fenë dhe gjuhën. Kontributi im i tijë I parë si veprimtar këtu në SHBA filloi me hapjen e klasave për fe dhe gjuhën shqipe. Shqiptarët myslimanë këtu qenë njerëz shumë të mirë dhe me karakter të lartë, por nga feja islame kishin pak njohuri, prandaj gjëja e pare që bën, ishte që në muajin tetor 1949, Shoqëria filloi botimin e një reviste fetare kulturore me titull “Jeta Myslimane Shqiptare”, që botohej katër herë në vit, në 64 faqe, gjysma në gjuhën shqipe dhe gjysma tjetër në gjuhën angleze. Kjo vazhdoi të dalë për tetë vjet dhe u botuan gjithsej 32 numra. Shumica e artikujve ishin fetarë, por shkruheshin edhe artikuj letrarë e kombëtar, sikurse dhe lajmet e bashkësisë islame shqiptare. Për shkaqe financiare, kjo revistë, pas tetë vjetësh botimi, u shua, s’u botua më.

Kontributi në lëmin e publicistikës

Me ndihmën e Zotit të Madhërishëm dhe me përkrahjen bujare të shqiptarëve të Amerikës dhe Kanadasë, më 1951 arritëm të blejnë një kishë ermene dhe me ndryshime të vogla, u bë vend i aktiviteteve fetare e kombëtare. Më 6 qershor 1951 u bë hapja e saj zyrtare, duke u falë xhumaja e parë në të. Kështu, aktivitetet u transferuan nga International Institute në këtë objekt që u quajt Qendra Islame Shqiptare. Në këtë kohë u pa e nevojshme se duhej një tekst për t’ua mësuar fëmijëve fenë në gjuhën shqipe, andaj u përgatit dhe u botua libri “Islamizmi dhe lutjet”, e disa vjet më vonë u botua edhe libri tjetër “Muhamedi, profeti islam”. Kjo ndërtesë u përdor deri në vitin 1961, kur ndihet evoja për një objekt më të madh, meqë erdhën shumë shqiptarë refugjatë politikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. U vendos të shitej ky object dhe të ndërtohej një tjetër i ri, më i madh, që t’i plotësonte nevojat tona. U shit në vitin 1962 dhe me paratë e tij u ble trualli ku filloi puna për të ndërtuar Qendrën e re.

Në Shqipëri pas 49 vjetësh

I zhuritur nga malli për atdhe, Imam Vehbi Ismaili kishte vizituar tri herë Kosovën, gjatë viteve 1970-1988, duke parë nga larg atdheun e tij. “Më dukej sikur shikoja nga larg atdheun, sidomos kur shkoja në Dibër, në Hot… e heqsha një pjesë të mallit “ ka deklaruar ai në intervistën që përmendëm më sipër, për revistën Shkëndija të Prishtinës (shtator 1994). Pas 49 vjetësh, në vitin 1988, iu lejua për herë të parë që ta vizitonte Shqipërinë, ku qëndroi së bashku me gruan e tij, prej 23 gusht deri më 13 shtator. Ja si e përshkruan gjendjen Imam Vehbi Ismaili: “E gjeta Shqipërinë si mos më keq. Më 1939 Shkodra kishte parqe e lulishte të bukura, e tash ato ishin zëvendësuar me disa apartamente të këqija e pa plan. Tirana në vitin që e lashë kishte një boulevard afër dy kilometrash në mes dhe në të dy anët ishte e zbukuruar me trotuare plot me pemë dhe me lule. Mbrëmjeve mbushej plot me njerëz që shëtisnin në të, dhe, kur lodheshin, kishte karrige të gjata që mund të uleshin e të çlodheshin dhe të bisedonin. Në të dy anët kishte ëmbëltore dhe kafene, ku mund të hanin ndonjë ëmbëlsirë ose të pinin ndonjë kafe apo të hanin ndonjë akullore.”Pas demokratizimit të Shqipërisë në vitin 1991, Imam Vehbi Ismaili kishte pasur fatin që në krye të një delegacioni të Komunitetit të Myslimanëve të Amerikës, ta vizitonteShqipërinë, por kësaj radhe në rrethana të reja nga ato të vitit 1988. Qëllimi kryesor i kësaj vizite, siç pohon edhe vetë Imam Vehbi Ismaili, ishte të hulumtonin se “ç’nevoja themelore kishin bashkatdhetarët tanë për mëkëmbjen e fesë dhe të bënim çka ishte e mundur që t’u vinim në ndihmë[1]”.

 

Më 25 nëntor 1998 kanë rënë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Isuf Olluri dhe  Shkelzen Hasanaj

Më 26 nëntor të vitit 1997 u zhvillua Beteja e Komandantit Adem Jashari me bashkëluftëtarët e tij në Rezallë të Re, ish Ludovik.

Më 25 nëntor të vitit 1997, policia serbe kishte pësuar disfatë në Lagjen Binakaj të Vojnikut, në përpjekje për ta arrestuar luftëtarin Abedin Sokol Rexha. Të nesërmen, më 26 nëntor, forca të shumta të policisë ishin nisur në relacionin Skënderaj-Llaushë-Rrezallë e Re. Në vendin e quajtut Klisyra, në drejtim të Turiqecit, kishte zënë pritë komandanti Adem Jashari me njëzet luftëtarët e tij. Atë ditë, forcat serbe, në këtë pritë, u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u linte shteg për t’i akorduar veprimet luftarake. Forcave policore u kishte shkuar në ndihmë një helikopter ushtarak, i cili vërtitej mbi vendbetejë. Piloti nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skënderajt, forcat serbe qëllojnë shkollën e fshatit Llaushë, me ç’rast merr plagë vdekjeje mësuesi Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha. Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet botërisht humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet po ashtu fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës. Shtypi zyrtar i Beogradit propagandonte me të madhe se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës dhë nga ato islamike. Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetmë për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternative të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshërn në Drenicë dhe në Dukagjin. (Feniksët e Lirisë 2)

Më 26 nëntor të vitit 1997 gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skënderajt, forcat serbe godasin shkollën e fshatit Llaushë, me ç’rast merr plagë vdekjeje mësuesi Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha.

 

Më 27 nëntor të viti 1972 vdiq  Viktor Eftimiu, dramaturg i madh rumun me origjinë shqiptare.

Viktor Eftimiu (1889 – 1972) është shkrimtar arumun i përmasave të mëdha, si poet me 60 mijë vargje të botuara, prozator me disa romane e vëllime me tregime, dramaturg me shumë pjesë të vëna në skenë, eseist, etj. Viktor Eftimiu shkroi në gjuhën rumune, botoi dhe i vuri në skenë veprat e tij në teatrin e Bukureshtit dhe më pas disa syresh u përkthyen në gjuhën shqipe, u botuan dhe u vunë në skenë edhe në Tiranë. Veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, dramat dhe komeditë e tij janë vënë në skenë edhe në kryeqytete të tjera të Evropës e më gjerë.

Viktor Eftimiu nga Boboshtica e Korçës, që u bë figurë e rëndësishme e kulturës rumune, është edhe më tepër se përfaqësues i kulturës rumune dhe shqiptare. Fama e tij është mbarëevropiane, prandaj shqiptarë e rumunë kanë të drejtë të krenohen me emrin e tij.

27 nëntor të 1968  me rastin e demonstratave në Prishtinë  u vra nga milicia serbe protestuesi, Murat Mehmeti, nxënës i shkollës së mesme. Në demonstratat e vitit 1968 rinia dhe inteligjecia shqiptare e asaj kohe kërkoi avansimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, themelimin e Universitetit të Prishtinës, por edhe barazinë e Kosovës me republikat e tjera. Demonstrata e shypën me dhunë ndërsa qindra demonstrues u arrestuan dhe u dënuan me burg.

 

Më 28 nëntor të vitit 1882  lindi Ali Asllani, poet, atdhetar dhe diplomat.

Në Vlorë kreu shkollën fillore, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin “Zosimea” në vitin 1888. Në fillim studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në vitin 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës.

Në vitin 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 – 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Triestë, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvëndës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”. Në vitet 1930 – 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.

Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

Veprat letrare

Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën “Hanko – Halla” që u botua në vitin 1942. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Ndër librat e botuar në vitet 1960 – 66 përmendim:

“Vidi – vidi pëllumbeshë” (1960),

“Shqipëria kryesorja” (1961),

“Vajzat dhe dallëndyshet” (1964),

“Kur merr zjarr rrufeja” (1966) dhe pas vdekjes iu botua

“Poezia shqipe” 1973.

Është autori i këngës së njohur “Vlora, Vlora”.

Pas viteve 90 iu botuan disa libra si:

“Poezi të zgjedhura” në 1996, dhe

“Vidi, vidi pëllumbeshë” në 1999.

“Hakërrim”

Më 28 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve shqiptarë kthehet në Krujë dhe ngrit flamurin e shqiponjës me dy krerë të  Principatës së Kastriotëve. Prej asaj kohe ky flamur u bë edhe simboli i kombit dhe i shtetit shqiptar

Më 28 nëntor të vitit 1912, Shqipëria u shpall shtet i pavarur nga Ismail Qemali

 

Shpallja e Pavarësisë ose Deklarata e Pavarësisë është shpallja e pavarësisë së Vilajetit shqiptar nga Perandoria Osmane. Shqipëria u vetë shpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë, për shkak se kombi shqiptar ishte i rrëzikuar nga vendet fqinje sepse kishte nje vlerë të madhe gjeografike dhe strategjike. Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët kundër osmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, shqiptarët nuk hynë në një aleancë, krerët e së cilës synonin t’i përdornin ata si mish për qentë në luftën kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje.

Më 28 nëntor të vitit 1955 u lind Adem Shaban Jashari. Adem Jashari ishte i biri i Shaban Jasharit dhe i Zahidesë. Ai lindi në ditën më të shënuar të historisë sonë kombëtare, më 28 nëntor, në datën e kthimit të Gjergj Kastriotit në Krujë dhe në datën tjetër të historisë, kur plaku Ismail Qemali shpalosi në Vlorë flamurin e pavarësisë të Shqipërisë. Ademi lindi në Prekaz, më 28 nëntor të vitit 1955, në dimrin që mbahet mend për acar dhe dhunë mizore që ndërmori regjimi jugosllav kundër shqiptarëve, më pretekst të kërkimit të armëve në mbarë Kosovën. Ishte koha e fillimit të  aksionit famëkeq për çarmatosjen e shqiptarëve.

Më 28 nëntor të vitit 1998 Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin e shpall Komandant Legjendar të UÇK-së.

Garda e Kosovës mban emrin e Adem Jasharit.

Me rastin e një vizite në Prekaz, kryeadministratori i parë i Kosovës Bernard Kushner, ishte shprehur: Po të kishte çmim Nobel për liri, ai çmim do t’i takonte familjes Jasharaj të Prekazit.

Për Adem Jasharin janë shkruar libra, drama, broshura dhe jetëshkrime të panumërta, nga shumë intelektualë shqiptarë dhe të huaj. Janë shkruar dhjetëra e qindra shkrime të autorëve të ndryshëm, në shtypin ditor dhe në atë periodik.

Janë emërtuar shumë sheshe dhe rrugë qytetesh në Prishtinë, në Ti-ranë, në Gjirokastër dhe kudo në trojet e Shqipërisë Etnike.

Është kryer Kompleksit memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Emri i Adem Jasharit është përjetësuar në institucione të shumta edu-kative, arsimore e shkencore, kudo në trojet shqiptare.

Emri i Adem Jasharit, pa dyshim, është emri më i frekuentuar shqiptar në mediat shqiptare dhe botërore, qysh nga 5 marsi i vitit 1998. Pothuajse nuk ka familje shqiptare që nuk e ka portretin e Adem Jasharit.

Më Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetme për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternative të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshërn në Drenicë dhe në Dukagjin.

Më 28 nëntor të vitit 1992 vdiq Andrea Skanjeti, dramaturg regjisor.

Andrea Skanjeti ishte regjisor, dramaturg shqiptar nga Shkodra. Vdiq më 29 nëntor të vitit 1992.

Në moshën 12-vjeçare shkroi dramën e tij të parë “Kusarët”, e cila tërhoqi vëmendjen e specialistëve. Në vitin 1946 u emërua regjisor në Shtëpinë e Kulturës, Shkodër. Ka vënë në skenë shfaqjen me tri akte “Dasma shkodrane”, e para në llojin e vet në Shqipëri, gjithashtu operën e parë shqiptare “Mrika” të Prenk Jakovës me Libret të Llazar Siliçit, e cila pati sukses të jashtëzakonshëm. Skanjeti njihet si themeluesi i Teatrit të Kukullave dhe ndër nismëtarët kryesorë të krijimit të Estradës së Shkodrës. Shkroi dramën “Andrra e 500 vjetëve” e cila është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë. Rolin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e ka luajtur Kolë Mirashi. Nxitjen për këtë dramë Autori e ka marrë nga Dom Ndre Mjeda. Po ashtu shkroi edhe dramën e ndarë në tri akte “Nora”.

Vdiq më 28 nëntor të vitit 1992

Krijimtaria

Veprimtaria e përgjithshme artistike e A. Skanjetit ka një shtrirje në kohë gati gjysëm shekullore dhe përmblidhet:

1.KRIJIMTARIA TEATRALE a) 22 drama, komedi, melodrama, skeçe estrade etj. b) 27 pjese teatrale të perkthyera e të adaptuara. c) 8 pjese për teatër kukullash.

  1. REGJISURE a) Rreth 75 pjesë teatrale shqiptare dhe të huaja të vëna në skenë, nga të cilat 20 me aktorët e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. b) 20 platforma regjisoriale. c) 30 pjesë teatrale me grupe diletante të klubeve dhe shoqërive të ndryshme, të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, qendrat e punës, Shtëpinë e Pionierit, shkollat etj.

  1. KRIJIMTARIA NE PROZE a) rreth 45 tregime dhe novela, shumica të botuara në revistat e kohës, kryesisht para dhe gjatë luftës. (Tregimi “Një dhurate e papritur” është përkthyer në gjermanisht nga albanologu i shquar Maksimilian Lamberc). 4. Libri “100 vjet teatër në Shkoder, Kujtime, 1879-1979, botuar në vitin 2002. 5. Libri “4000 vjet nga urtësia botërore” Anekdota, botuar në vitin 2006. 6. Fjalori Italisht-Shqip (i pabotuar)

Më 29 nëntor të vitit 1944 Shqipëria, me forcat e veta luftarake u çlirua  nga pushtimi fashist

 

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.  Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Pa Shkodrën e çliruar nuk mund të kishte Shqipëri të çliruar. Shkodra nuk ishte vetëm një  territor , ajo kishte qenë dhe ishte shpirti i Shqipërisë, kryqendra historike e Veriut te saj, kryeqyteti i lashtësisë së saj ilire .Shkodra  ishte qendra e fundit në Shqipëri ku qenë grumbulluar  rreth 3000-4000 gjermanë dhe 2500  bashkëpunëtorë të tyre. Informacionet e kohës japin të dhëna për  bashkëpunëtorë të tjerë. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.

Më 30 nëntor të vitit 1943 u vra Tomorr Sinani. U lind në Elbasan në vitin 1921. Normalen e kreu në vendlindje, Iu bashkua radhëve të partizanëve. Ishte sekretar i rrethit të Elbasanit. Më 30 nëntor u kap nga gjermanët dhe u pushkatua.