driloni com
vipa
muqa 900
rkl vala loja shperblyese
Fillimi / Dëshmorët / Sejdi Avdyl Rama (14.1.1965 – 29.1.1999)
Sejdi Avdyl Rama (14.1.1965 – 29.1.1999)

Sejdi Avdyl Rama (14.1.1965 – 29.1.1999)

Një plejade të tërë të djemve të zgjedhur në Shqiponjë, Rashiq, Bajë të Pejës, Ujëz, Gjurgjevik i Madh, Ruhot, Sferkë, Burim, Vraniq, Buçan, Trubohoc, Ratishë, Lypjan, Thanishtë, Lumishtë, Drinas dhe Smolicë, i prinin: Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Daut Zagragja, Emrush Çeta, Gaspër Karaçi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Memë e Pren Lleshi, Naim Gashi, Vejsel Abdyli, Valon Gashi, Luan Smajli e Sejdi Avdyl Rama, i ra barrë e rëndë. Pothuajse prej fillimit të organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është dashur që kjo plejadë ta kalojë e ta thyejë Pashtrikun e Malësinë për ta sjellur “Zjarrin e Lirisë” nëpër pikat më të zjarrta të luftimeve kundër forcave të tërbuara serboçetnike.

Fushëbetejat në Prekaz, Gllogjan, Shqiponjë, Smolicë, Junik, Loxhë, Anadri e Vërri, i forconte ideali i Komandantit Legjendar Adem Jashari, heroizmi i Luan Haradinajt dhe vendosmëria e Zahir Pajazitit. Formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga fshatrat e brezit të kufirit të mallkuar e kishin shumë vështirë tëbartnin një  barrë shumëfish më të rëndë; të përcillnin lëvizjet e forcave serboçetnike nëpër kufi, t’i furnizoin luftëtarët e lirisë dhe të luftonin me vendosmëri për ta shpërthyer gardhin serboçetnik në kufirin shqiptaro-shqiptar e t’i shpërthejnë si pritat në kufi, ashtu edhe ato nëpër akset rrugore: Pejë-Deçan-Gjakovë, Ponoshec-Junik dhe Gjakovë-Prizren, pa përjashtuar edhe akset e tjera deri në Zonën Operative të Drenicës, të Nerodimes e të Llapit.

Një detyrë e këtillë, e ushqyer nga një dëshirë e madhe e mbërthyer në idealin për ta shkundur turpin dhe psikologjinë e robit, u bënë motive që kalitën altruizmin dhe stoicizmin e rinisë së Rekës e të Malësisë, andaj duke vlerësuar rolin e sektorit të logjistikës, fshati Smolicë me Ponoshecin, Popocin, Morinën e Botushën, jo larg “Urës së Musë Ymerit”, mblodhi rininë më të guximshme dhe e radhiti në plejadën e djelmoshave të pavdekësisë, të rapsodisë, të historisë e të lapidarit si: Gëzim Duçi, Mehmet e Murat Dula, Hajdar Ademi, Ramiz, Sinan e Shefqet Rexha, Sadri Neziri, Adem Bajrami, Avdullah Avdullahu, Florim Sejdia, Naim e Florim Lataj, Musë Balia, Burim Hamza, Avdyl Hasanaj, Fatmir Doçi, Fetah Krasniqi e Sejdi Rama, në krye të të cilëve qëndronte Agron Osman Rama, i njohur në rapsoditë tona kushtuar dëshmorëve dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmori i kombit Sejdi Rama, i Avdylit dhe i nënë Timës, të cilët me krah pune në bujqësi rritën pesë djem e dy vajza, është i lindur në fshatin Smolicë të Rekës së Keqe, komuna e Gjakovës, më 14 janar të vitit 1965. Sejdiu ishe fëmija i gjashtë me radhë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e nisi në Ponoshec dhe e mbaroi në Gjakovë. Kishte dëshirë të studiojë, por mundësitë materiale nga njëra anë, por edhe kyçja në ilegale në anën tjetër, e penguan dëshirën e flaktë të Sejdiut për ta përfunduar ndonjërin prej fakulteteve pasi në shkollën e mesme u shqua për zell e zgjuarsi. Në fshatin Smolicë është ndër të parët që zë të merret me organizimin e formacionit të instrumentit të forcës dhe më 10 shkurt të vitit 1998 radhitet në grupin e parë të djelmoshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Smolicë. Në fillim vepronte në sektorin e logjistikës dhe së bashku me shokë për sa e sa herë kalonte kufirin për t’i furnizuar edhe njësitet e tjera me armatim, pasi kishte njohuri ushtarake për armë e municion meqë kishte kryer shërbimin e dhunshëm ushtarak në armatën jugosllave, ndërsa bënte edhe ushtrime stërvitore me të rinjtë që kishin dëshirë të kyçeshin në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 6 prill të vitit 1998, në fshatin Smolicë hapet vija e parë e frontit kundër forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe që vëzhgonin dhe kontrollonin kufirin shqiptaro-shqiptar. Me formimin e Brigadës 134 që mori emrin e dëshmorit Bedri Shala, i rënë në Junik,  në kuadër të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, Sejdi Rama emërohet ndihmëskomandant për Zbulim dhe Kundërzbulim.

Si epror dhe luftëtar i istikameve mori pjesë në të gjitha vijat e e frontit nëpër Rekë të Keqe pasi që prej fshatit Voksh në drejtim të Korenicës e Smolicës me kohë ishte sajuar një korridor logjistik që nuk dallonte nga “Zona e Lirë”, edhe pse për vijë të kufirit patrullonin forcat serboçetnike që thërmoheshin e shkatërroheshin prej formacioneve të fshatrave të Rekës së Keqe, të cilave, krahas Agron Ramës, u printe Sejdi Rama, babai i Merlindës, Ilirit, Mirjetës dhe Egzonës, të cilët i rrit nëna Shkurtë Binakaj, bashkëshorte e Sejdiut, dëshmor i kombit. Karakterizohej me dinakëri të madhe, por ishte edhe i shkathtë e i pajisur me një përgaditje solide ushtarake. Vepronte me emrin “Cia” dhe si të këtillë e njihte e tërë Zona Operative e Rrafshit të Dukagjinit, veçanërisht Brigada 134 “Bedri Shala”. Si luftëtar i shquar merrte pjesë në të gjitha aksionet guerile, qoftë kah vija kufitare, qoftë në brendi të Rekës së Keqe deri në Junik e Kallavajë. Aktivitetin luftarak e vazhdoi edhe pas rënies së Rekës së Keqe; rezultate të larta arriti me aksione guerile edhe jashtë Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, prandaj gjatë muajit tetor të vitit 1998 kalon në Dushkajë. Edhe në formacionet e Dushkajës shquhet si luftëtar i pathyeshëm. Por, i përkrahuar dhe i ndihmuar materialisht prej bashkëfshatarëve si Dervish Tahiri, Zeqir Haxhija, Ismet Ahmeti, Haxhi Sejdia, Esat Lataj, Princ e Nikollë Ndrejaj, Fatmir Bajrami, Musë Balia, Hajdin Kurti, Istref Asllani, Nikë Marashi, Valon Islamaj, Avni e Naim Veseli e shumë të tjerë pas luftimeve në të gjitha vijat e frontit nëpër Dushkajë, kthehet në Smolicë dhe vazhdon luftën deri më 27 janar të vitit 1999 kur së bashku me Agron Ramën, Agim Zenelin, Agush Gjocajn, Bahtjar Morinën, Daut Zagragjën, Emrush Çetën, Gaspër Karaçin, Gëzim Ademajn, Hamdi Berishën, Haxhi Kleçkën, Ilir Merturin, Kasim Shalën, Memë e Pren Lleshin, Naim Gashin, Vejsel Abdylin, Luan Smajlin e shumë luftëtarë të tjerë mori rrugën për riarmatosje dhe për përcjelljen e të plagosurve në Shqipëri. Strategjinë e rrugëtimit e zhvillon së bashku me Agron Ramën.

Me të përfunduar të luftimeve të Kralanit, të gjithë si një, të gatshëm për çdo ndërmarrje të re, pjesëtarët e grupit nisen me shpresa e ëndrra për një armatim më të sofistikuar, por edhe pesha e rrugëtimit ishte më e rëndë se asnjëherë më parë. Korridori i këtij itinerari kalonte bri e madhe edhe për pikat e kontrolluara nga serbët e pozicionuar në Rakovinë, Dablibar, Bardhasanë, Marmull, Rrezinë, “Ura e Terzisë”, Bishtagjin, Smaq, Blinisht, “Guri i Madh” e deri në Goden. Itinerarin e përmendur e njihnin mirë Ramët e Smolicës, Agroni e Sejdiu, si dhe vëllezërit Lleshi, Preni e Mema. Shumë shtigje u thyen deri në “Urën e Terzisë” kur nga “Djemtë e Dukagjinit” thyhen forcat serbe kurse Sejdi Rama, në këtë betejë mbetet pa dy luftëtarë: Kasim Shalën e Hamdi Berishën, e me Gani Shalën e Nexhat Berishën e plagosur, por Sejdiu me shokë nuk ndalet, me luftë avancon deri te Guri i Godenit kur edhe fillon “Stuhia e Godenit”. Sërish betejë e përgjakshme, Sejdiu e Sahit Krasniqi plagosen rëndës, ndërsa riplagoset Agron Rama. Në këtë betejë, në altarin e lirisë përjetësohen të bijtë e Zef Markalleshit; Preni e Mema. Luftëtarët e lirisë arrijnë për t’i tërhequr të plagosurit; Sejdi Ramën e Sahit Krasniqin, ndërsa stuhia e atij fundjanari përcolli në përjetësi Prenin e Memën.

Luftëtarët e lirisë, duke i bartur të plagosurit, braktisin Godenin, zbresin në të majtë përreth Gërçinës e Demjanit kah “Kodra e Pulës” në mëngjesin e të premtes, më 29 janar 1999, me shpresë që kah Rogova e Hasit të shpërthejnë drejt Krushës së Madhe, kur mbetën edhe pa Gaspër Karaçin. Në Rogovën e rrethuar e të blokuar kah “Ura e Rogovës”, në oborrin e shtëpisë së Beqë Demirit bëhet edhe një rrethim i hekurt dhe zhvillohet beteja për jetë a vdekje në afërsi dhe në këtë tentim shpërthimi përjetësohen: Agim Zeneli, Agush Gjocaj, Daut Zagragja, Ilir Merturi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Valon Gashi,Emrush Çeta, Gëzim Ademaj, Haxhi Kleçka, Vejsel Abdyli, Bahtjar Morina, Luan Smajli, Sahit Krasniqi, Agron Osman Rama dhe Sejdi Avdyl Rama, dy legjenda të Smolicës, të Rekës së Keqe e të Shqiptarisë.

Varrimi i trupit të pajetë të dëshmorit Sejdi Rama u bë në Gjakovë më 13 shkurt 1999, në orët e pasditës, ndërsa lapidari në fshatin Smolicë flet për luftën e Sejdi Ramës dhe të gjithë dëshmorëve të këtij fshati, ndërsa pranë nënës Shkurtë rritet Iliri me motrat: Merlindën, Mirjetën dhe Egzonën. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Agim Bardh Zeneli (16.11.1962 - 29.1.1999)

Agim Bardh Zeneli (16.11.1962 – 29.1.1999)

“Më mirë të na rrojnë fëmijët, qoftë  edhe pa prindër, por në liri, se sa ...