vala – old
muqa 900
vipa
mbpzhr
driloni com
Fillimi / Dëshmorët / Selajdin Hamid Mullabazi – Mici (6.5.1970 – 6.11.1998)
Selajdin Hamid Mullabazi - Mici (6.5.1970 - 6.11.1998)

Selajdin Hamid Mullabazi – Mici (6.5.1970 – 6.11.1998)

Selajdin Hamid Mullabazi-Mici është i lindur në Rahavec më 6 maj të vitit 1970. Hamid Mullabazi e kishte shtëpinë rrëzë Lugjeve të Verdha, Mahalla e Mullabazëve në kuadër të pjesës së njohur të Sallatashit të Rahavecit. Këto janë kullat dhe konaqet e njohura të Halil Homzës, të njohur në këngët popullore kundër Reformave të Tanzimatit. Rrjedh prej një familje të mesme prodhuesish bujqësorë e blegtoralë, familje kjo mjaft e madhe e Maxhunit të Mullabazëve të njohur për një jetë të organizuar relativisht mirë në të gjitha aspektet: me kulla, me oda, me meshkuj e me sejmenë, me një prodhimtari të mjaftueshme bujqësore e blegtorale, si për nevojat familjare, ashtu edhe për plasman në treg ’’sa të bëhet idare’’ në një ekonomi familjare të organizuar në frymën tradicionale.

Shkollimin fillor Selajdin Mullabazi e mbaroi në Rahavec krahas punëve të shumta rreth ekonomisë familjare bujqësore të cilat i ushtronte me vëllezërit Halilin e Ahmetin. Pasi që vëllezërit nuk pranonin për t’i vijuar shkollimet, atëherë e tërë familja, me përkrahjen e motrave, synojnë kah shkollimi i Selajdinit i cili shquhej me një intelekt të veçantë, prandaj i tërë gjiri familjar i Hamid Mullabazit investon që ta shkollojë të birin. Selajdini regjistrohet në gjimnazin e Rahavecit, me orientim kah teknika dhe makineria dhe i vijon mësimet në degën e teknikës. Shkollën e mesme e përfundon me sukses të shkëlqyeshëm por me notën e thyer të sjelljes për shkak të pjesëmarrjes në lëvizjet kundër pushtetit të kohës. Bashkëvepronte me Abdullah Bugarin dhe Mizahir Ismën, dëshmorë të kombit.

Duke vepruar për ’’Çështjen e Madhe’’ shquhet sidomos në Demostratat e Janarit të vitit 1990 në krye të të cilave ishte profesor Ukshin Hoti, kur ranë edhe dëshmorët e parë të Anadrinit, jo larg Mahallës së Mullabazëve dhe Lugjeve të Verdha, atyre ditëve të janarit kur ranë Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi pasi që Selajdin Mullabazin, Abdullah Bugarin, Mizahir Ismën, Gëzim Mullabazin e Sadedin Hajdën, nuk i ndante as dita as nata prej profesor Ukshin Hotit.

Pas mbarimit të shkollës së mesme dhe pas vdekjes së të et, familja e Selajdin Mullabazit, transformohet prej ekonomisë bujqësore në tregti, prandaj edhe rrethanat e disfavorshme për zhvillimin e familjes nuk ia lejuan vazhdimin e studimeve. Mbaron shërbimin e obliguar ushtarak në ish-armatën jugosllave duke shërbyer në sektoret teknike në Kroaci dhe Slloveni e pas përfundimit zë të punojë si zejtar-autotransporter. Gjatë ushtrimit të këtij profesioni sajon kontaktet me veprimtarët e shquar të Shoqërisë ’’Migjeni’’ që vepronte në Lubjanë veçanërisht me Naim Malokun e Skënder Çekun (dëshmor i kombit), ndërsa me t’u zgjeruar kah Zagrebi, i bashkohet grupit të rahavecasve të cilët edhe ia mundëson të lidhet me grupin e Fehmi Lladrofcit. Si njohës i mirë i Kordunit dhe Likës (Karllofcit dhe Gospiqit), kontakton me Xhelal Hajdën-Tonin dhe kështu zgjeron veprimtarinë patriotike në frymën e rezistencës së armatosur.

Së andejmi, së bashku me Hamdi Mullaliun, Sadik Mullaliun, Ismet Tarën, Ajet Cenën,  Nesim Mullabazin, Xhafer Kadirin, Luan Kleçkën, Xhafer Shulinën, Nazim Mushlën dhe duke kontaktuar me Gëzim Hamzën-Piktorin në Kroaci e Xhelal Hajdën, formojnë grupin e parë për veprimtari guerile.

Ndërsa ushtronte veprimtarinë e autotransportuesit, bjen në dashuri me Lindë Sokolin prej Rahaveci, martohen dhe kanë dy fëmijë: Hamidin dhe Ermalin. Ermalin e lë kërthi, prandaj Ai vetëm dëgjon për trimërinë e të et, të cilin nuk e njef pasi që nuk kishte parë mirë.

Edhe në familjen e Mullabazëve të Rahavecit pushteti serb kishte akorduar ’’zullume’’, por Mullabazët ishin shumë dhe së bashku me Hajdët (të parët e Xhelal Hajdës-Tonit) i takonin fisit Hot të Rahavecit, të organizuar për mbrojtje e të vendosur në një pozicion strategjik, në hyrje të ’’Lugjeve të Verdha’’, u shpëtonin rrethimeve të herëpashershme. Megjithatë, sulmet, qoftë nga pushteti lokal, qoftë prej komitave që vinin si përforcime në Rahavec, Hoçë të Madhe, Zaçisht e Apterushë, apo edhe më vonë prej pushtetit sllavokomunist, Mullabazëve u ra që shpesh të rrethohen, të sulmohen, të fitojnë por edhe të bien heroikisht në mbrojtjen e nderit të fisit.

Për të gjitha këto, Selajdin Mullabazi-Mici pati dëgjuar prej të et Hamidit, prej xhaxhallarëve e sidomos duke dëgjuar këngët popullore të lëvizjes së kaçakëve të cilat përherë këndoheshin në odat e Mullabazëve. Së këndejmi edhe Selajdini dinte shumë rapsodi për luftën heroike dhe për qëndresën që patën bërë stërgjyshërit e tij dhe të Xhelal Hajdës-Tonit, si Halil Homza dhe Halit Hajda sepse në konaqet e tyre flitej përherë për rezistencën e armatosur, rrëfehej për vendosmërinë e Halit agës por edhe për virtytet e tjera të trashëguara brez pas brezi.

Kështu edhe Selajdin Mullabazi-Mici, me të dëgjuar krismat e Adem Jasharit u bashkohet shokëve të Drenicës. Më 29 mars merr rrugë për në Drenicë së bashku me Hamdi Mullaliun e Ismet Tarën me shpresë se menjëherë do të arrinë në Prekazin e Adem Jasharit. Më 1 prill të vitit 1998 Selajdin Mullabazi-Mici është i armatosur, ndalet në Malishevë e së andejmi nëpër Llapushnik për në Abri të Epërme. Sipas Micit ’’aty ishte Shtabi Shtetëror’’ dhe këtë shtab e gjen në një odë mikpritëse të fshatit Paterkë të Drenicës me ç’rast luftëtarët e Rahavecit ndalen në pikën e parë të vijës së parë të mbrojtjes. Pas një ndeje i pranon Hashim Thaçi me Mujë Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndërsa pas dy ditësh kuptuan se njëri prej tyre është ’’Dhjetëshi’’ e tjetri ’’Gjarpri’’, se pritej të vinte edhe ’’Njëmbëdhjetëshi’’ (Sokol Bashota) e tjerë.

Më 5 prill të vitit 1998 Selajdin Mullabazi-Mici pa ndonjë ndalesë arrin deri në Patërkë e pastaj në Likoc në shtabin e kërkuar, sipas tij, ’’Shtabi Shtetëror’’ sepse atje, në Shtabin e Drenicës ëndërronte për ta gjetur Xhelal Hajdën-Tonin, edhepse flitej se Toni ishte  në Gllogjan. Arritja në Likoc ishte edhe një hap përpara në jetën luftarake të Selajdin Mullabazit-Micit. Tash njoftohet me Xhavit e Jakup Nurën, me Sami Lushtakun, Sabit Gecin, Abedin Rexhën e Musë Jasharin, ndërsa nëpërmjet Ismet Tarës takohet edhe me Fehmi Lladrofcin të cilin e kishte njohur në Kroaci.

Këtu edhe fillon lufta për Micin sepse ai tashmë ishte i rekrutuar, zhvillon bisedime në odën e shtruar dhe është së bashku me Jasharët, me Gecët, me Lushtakët, me Nurajt, me Kodralijt e me Demakët. Aty qëndron 10-12 ditë për të ushtruar dhe për instruktor e pati Bekim Berishën-Abenë. Sipas shënimeve të Micit, Bekim Berisha u ligjëronte se si mbahet uniforma, se si këmbehet ajo sipas stinëve, se si i adaptohet konfiguracionit të terrenit dhe pas përfundimit të këtyre ushtrimeve Selajdin Mullabazi-Mici e Hamdi Mullaliu-Rrushi transferohen në Ceravik dhe vendosen në odën e Sokol Bashotës ku veshin për herë të parë uniformën luftarake. Megjithatë, edhe pse ngadalë, ardhjen në Ceravik e shihte si një hap të rëndësishëm sepse po i afrohej Llapushës dhe Anadrinit e kështu edhe Rahavecit.

Grupi i Rahavecit, sipas bashkëluftëtarëve të Micit, në Kijevë ndjehej mirë, këtu e shijuan erën e barotit dhe fishkëllimin e predhave dhe të plumbave të shkaut, mirëpo, gjatë ndejeve, luftëtarët-rapsodë, kur i përshëndetnin me këngën ’’Destan begu ma kçyr sahatin… N’Rahavec e kem konakin!’’, Selajdin Mullabazit-Micit i dukej se veç është në Rahavec, madje te Rrasat e Rahavecit.

Pas Betejës së Kijevës, pas ushtrimeve me ’’Tromblonin e Plluzhinës’’ dhe pas një vizite që ia bënë Malishevës Selajdin Mullabazi, nëpërmjet Rexhep Selimit zhvillon bisedën e parë në radio-lidhje, me Xhelal Hajdën-Tonin dhe kështu Mici sigurohet se Toni është në Kosovë, në Gllogjan dhe sa ka biseduar personalisht me të.

Jeta në Ceravik ishte mjaft e gjallë, kishte aktivitete të përditshme luftarake e mund të lëvizej madje edhe në drejtimet: Malishevë, Klinë dhe Rahavec e ky qytet atyre ditëve vlonte prej demostratave të qytetarëve për t’i dhënë përkrahje Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Ceravik Mici vepron deri më 27 prill me ç’rast nëpërmjet Ferat Shalës transferohet në Drenoc të Anadrinit pasi që më 26 prill të vitit 1998 ishte konstituar formacioni i parë luftarak për Zonën Operative të Pashtrikut. Në Drenoc vendoset në odën e Avdi Sherif Gashit dhe emërohet zëvendës i komandant Xhemë Gashit-Gjermanit. Në fshatin Drenoc Selajdin Mullabazi-Mici është së bashku me Luan Kleçkën, Skënder Shulinën, Nazim Mushlën, Mehedin Ismën, Fatmir Ismën, Hamdi Mullaliun, Mizahir Ismën, Abdullah Bugarin, Agron Ismën, Vllaznim Ismën dhe grupin që kishte filluar veprimtarinë përreth Rrasave të Rahavecit. Të gjithë e prisnin arritjen e Xhelal Hajdës-Tonit, mirëpo vepronin së bashku me Mensur Zyberajn, Bedrush Gashin e Fehim Gashin në mënyrë që formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shtrihen sa më shpejt në tërë Anadrinin.

Më 12 maj të vitit 1998 Selajdin Mullabazi-Mici merr pjesë dhe shkëlqen gjatë luftimeve në Betejën e Bardhatinit dhe prej kësaj date merr nofkën luftarake ’’Mici’’ me dëshirë dhe kërkesë të Isuf Sherif Gashit (Bacës së Madh) pas nxjerrjes së Osman Zyberajt të plagosur në këtë betejë. Mici, tashmë i njohur për heroizmin e pashoq sërish përpiqet për t’u takuar me Xhelal Hajdën-Tonin dhe ta bindë që të kalojë në fshatrat e Anadrinit sepse Mici e shihte interesin luftarak të zgjerimit kah Rahaveci, prandaj edhe Xhelal Hajda-Toni lëshon Gllogjanin e Shqiponjën dhe arrin në Drenoc të Anadrinit dhe kështu Toni e Mici bëhen dy emra, por një legjendë. Së bashku shumë shpesh vinin deri në Rrasat e Rahavecit, madje edhe në fund të Rahavecit. Mici kishte për detyrë ta ruajë ’’bërthamën’’ dhe ta zgjerojë grupin dhe kështu të themelohet Batalioni i Rahavecit me detyrë që ta vëzhgojë aksin rrugor Malishevë-Rahavec, prej Arave të Dulës deri te Kisha e Bërnajakës e së andejmi kah Rrapishtet dhe Celina, që sipas Micit kështu mund të mbulohej i tërë Anadrini. Më 8-9 qershor të vitit 1998, Selajdin Mullabazi-Mici së bashku me Gëzim Hamzën-Piktorin, me ndihmën logjistike të Ismet Tarës ’’Hoxhës’’, formojnë Shtabin Operativ Lokal për Batalionin e Rahavecit. Ky shtab formohet në Shkollën fillore të fshatit Astarzup e së andejmi fillojnë të gjitha aktivitetet konkrete në mënyrë që ky shtab të zhgjerohet në drejtim të Rahavecit, buzë aksit rrugor Malishevë-Rahavec deri në ’’Arat e Dulës’’ e ’’Kërsh të Keq’’ përkatësisht në Majën e Vranstinës prej nga mbuloheshin Rrasat e Rahavecit. Në këtë bërthamë vendosen luftëtarët e parë të cilët ishin kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Drenoc por edhe nëpër fshatrat e Drenicës si: Hamdi Mullaliu-Rrushi, Luan Kleçka, Nazim Mushla, Fatmir Isma, Mehedin Isma, Skënder Shulina, Gëzim Hamza-Piktori dhe këtyre në fshatin Astarzup u bashkohen edhe 100 luftëtarë të tjerë prandaj fillon të punojë kompania e logjistikës për Batalionin e Rahavecit. Së shpejti Xhelal Hajda e Selajdin Mullabazi me të gjithë luftëtarët e Rahavecit vendosen në ’’Lugun e Kërshit të Keq’’, në një objekt të braktisur blegtorie të cilin e aftëson Gëzim Hamza-Piktori.

Selajdin Mullabazi-Mici shquhet me një heroizëm gjatë luftimeve përreth Rahavecit dhe brenda linjës Rrasat e Rahavecit e Krahishtë dhe priste me padurim që prej Shqipërie të kthehet Xhelal Hajda-Toni. Me arritjen e komandant Tonit, së bashku me komandantët e formacioneve: ’’Lumi’’, ’’Çeliku’’, ’’Guri 3’’, ’’Pëllumbat’’ dhe njësitet për intervenimet e shpejta strukturohen istikamet në ’’Lugun e Shqipeve’’ më 25 korrik të vitit 1998 ku thehen forcat serbe dhe zbrapsen në Rahavec. Toni e Mici e marrin serish Majën e Shkodranit dhe synojnë për ta marrë Rahavecin.

Gjatë këtyre përpjekjeve nëpër fshatrat Shkozë, Magjare, Marali, Gurisht, Pagarushë e Dabërdelan, Selajdin Mullabazi-Mici zbret edhe një herë në fshatrat e Anadrinit, së bashku me Tonin i vendosin luftëtarët në fshatin Hoçë e Vogël dhe depërtojnë deri në Rrihjet e Rahavecit duke shfrytëzuar Shpatin prej Celinë nëpër Rrapishte e Hamoc. Por, Batalioni i Rahavecit gjatë gushtit ishte i shpartalluar ndërsa logjistika më se e dobësuar prandaj Selajdin Mullabazi-Mici sërish depërton në Shqipëri për t’u riarmatosur. Me t’u pajisur mirë braktis Hasin matanë Pashtrikut dhe më 21 shtator të vitit 1998 Toni e Mici depërtojnë në Kosovë. Gjatë qëndrimit nëpër Pashtrik, mbi Kushnin, e pagëzon me emrin Ermal, djalin ende të palindur dhe kështu prej ’’Gurit të Ermalit’’ hap pas hapi Toni e Mici zbresin në Kushnin, Romajë, Rogovë dhe duke trupuar nëpër valët e tërbuara të Drinit të Bardhë, së bashku me luftëtarët e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit dhe me një pjesë të Batalionit të Rahavecit vendoset në fshatin Piranë, në familjen e Xhavit Elshanit ’’Leopardit’’ dhe fillojnë aktivitetet luftarake në aksin rrugor Prizren-Gjakovë, prandaj Toni e Mici serish janë në fshatrat e Anadrinit dhe tashmë i tërë Anadrini e dinte se ka arritur Xhelal Hajda-Toni së bashku me Selajdin Mullabazi-Micin e që të dytë ishin ’’frikë e trishtim’’ për policinë serbe. Të dytë janë ambicioz dhe pretendojnë për t’u zgjeruar kah Celina, Rrapishtet, Hamocet, Lisi i Bajrakut dhe Rrihjet e Rahavecit, mirëpo për disa ditë vendosen në Krushën e Madhe e pastaj Selajdin Mullabazi-Mici kalon në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Detyrat rreth zgjerimit nëpër fshatra dhe rreth përfshirjes së luftëtarëve të rinj (mobilizimit) ia beson Këshillit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Krushë të Madhe në krye të të cilit ishte prof. Muhamet Malësori së bashku me Ragip Hotin, të vëllanë e prof. Ukshin Hotit dhe Ismet Gashi, babë i dëshmorit Bekim Gashi.

Në fshatrat e Anadrinit sërish dëgjohen krismat e luftëtarëve të lirisë, Toni e Mici kthehen dhe vendosen në Nagac e së andejmi në Hoçë të Vogël dhe definitivisht në fshatin Reti në të cilin edhe kazermohet Brigada 124 ’’Gani Paçarizi’’ dhe fillojnë aksionet guerile dhe luftimet frontale nëpër Izbisht, Llaze të Qëndresës dhe në aksin rrugor Prizren-Gjakovë e Xërxë-Rahavec.

Së bashku, Toni e Mici sajonin dy shtylla më të pathyeshme të rezistencës së armatosur në Anadri. I karakterizonte konspirativiteti, virtytet e larta, harmonia shoqërore dhe humanizmi. Për çdo hap konsultoheshin mirë, sepse fshati Reti nuk ishte larg as prej Hoçës së Madhe e as prej Rahavecit ku ishin të përqëndruara forcat e mëdha ushtarake, policore e paramilitare. Të gjitha strukturat serbe pretendonin për të depërtuar në Reti vetëm e vetëm për ta shkatërruar Brigadën 124 ’’Gani Paçarizi’’, Batalionin e Rahavecit dhe ta zënë të gjallë Selajdin Mullabazin-Micin e Xhelal Hajdën-Tonin. Në saje të përpjekjeve për ta arritur këtë serbët përpilonin planet e ndryshme siç ishte ai me pretekst të vjeljes së rrushit në Shpatet e Brestosit e Izbishte. Atë ditë, më 25 e 26 tetor të vitit 1998 forcat serbe vinë kinse për t’i siguruar punëtorët që vilnin rrush, mirëpo thehen shumë keq dhe me turp; të vrarë, të plagosur e me teknikë të shkatërruar, kthehen në Rahavec.

Pas dështimeve dhe thyerjeve totale të forcave serbe në fshatrat e Lugut të Brestosit dhe në Fushat e Izbishtit, serbët shfrytëzojnë ’’Armëpushimin e Tetorit’’ dhe arrinë në fshatin Apterushë, madje edhe vënë nën kontroll rrugën makadame prej Rrihjeve të Rahavecit deri në Therandë. Nëpër këtë rrugë e veçanërisht nëpër udhëkryqet te Hoça e Madhe, te Zaçishti, te Apterusha dhe Samadraxha, vëhen prita të shpeshta të përforcuara me patrulla policore e ushtarake lëvizëse. Nëntori fillon me ditët e luftimeve prandaj më 6 nëntor të vitit 1998 Toni e Mici ballafaqohen me forcat serbe te Kryqi i Apterushës.

Këtë ditë, nga Shqipëria arrin një grup i armatosur i luftëtarëve të lirisë të cilët deri në Krushë të Madhe i kishte shoqëruar Xhavit Elshani-Leopardi. Prej Krushës së Madhe, grupin e pranojnë Toni e Mici. Ndërsa lëviznin nëpër Reti, kah Apterusha për në Pagarushë e Drenicë, te Kryqi i Apterushës fillojnë luftimet në një afërsi apsolute (pritë e patrulla) dhe përjetësinë e marrin Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Ymeri, ndërsa mbijetojnë me shumë plagë në trup luftëtarët: Lulzim Ymeri dhe Kujtim Saraçi, të Zonës Operative të Shalës.

Toni e Mici janë rivarrosur në ’’Kopshtin e Luleve’’ në Rahavec në krye të bashkëluftëtarëve të tyre, ndërsa dëshmorët e Shalës pushojnë në Bletajë të Vushtrrisë. (Sabahajfin Cena)