Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Bashkimi Evropian ta drejtojë presionin kundër atyre që kanë kryer krime, masakra e gjenocid…

Të gjithë duhet ta dinë se sa u përket marrëdhënieve të Kosovës më Serbinë, politika e politikanët e Kosovës nuk e kanë asnjë përgjegjësi, bile kanë faje pse janë vonuar t’i bëjnë veprimet e duhura me kohë në raport me politikat agresive të përsëritura shumë herë nga Serbia që nga viti 1912 – 1999.

Politika dhe politikanët e Kosovës mund të kritikohen për shumë çka që ka të bëjë me shtet-ndërtimin, zhvillimin e punësimin, por më asnjë kritikë të vetme, nuk mund t’ju bëhet në raport me Serbinë, ndaj politikave të se cilës kanë qenë më tepër se te kujdesshëm në vitet e pas luftës.

Ta shohim pse kanë qenë të kujdesshëm dhe si janë zhvilluar bisedimet Kosovë – Serbi?

  1. Politika e Kosovës, në shkurt-mars të vitit 1999, në Bisedimet e Rambujesë e Parisit, ka pas bërë një kompromis të madh prej të cilit na ka pas shpëtuar mospranimi i asaj Marrëveshje nga krimineli Millosheviq. Ishin bombardimet e NATO-s që i shpëtuan shqiptarët nga gjenocidi i Serbisë së Millosheviqit! Ajo politikë po vazhdon edhe sot. Kosova ndihmën ndërkombëtare e vlerëson shumë!
  1. Politika e Kosovës në Bisedimet e Vjenës 2006/2007 e ka bërë kompromisin tjetër kur e ka pranuar Dokumentin e Presidentit Ahtisari për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës. Sipas të cilit Dokument, pakica serbe ka të drejta sa edhe shumica shqiptare. Të drejta që nuk i ka asnjë pakicë kombëtare në Europë. Serbët e Kosovës duhet t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre të dhëna me shumë zemërgjerësi nga politika e Kosovës.
  1. Kosova ka bërë kompromisin tjetër të madh, që nuk është dashur ta bëjë, kur ka pranuar që bisedimet teknike të shndërrohen në bisedime politike. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së e obligonte Kosovën vetëm për bisedime teknike. Nga i cili kompromis nuk ka fituar asgjë!Përkundrazi, agresiviteti i Serbisë në drejtim të Kosovës është shtuar. Provokimet luftënxitëse serbe nuk kanë pushuar asnjë herë, e as viteve të fundit!

Në asnjërin nga rastet e përmendura Politika e Serbisë nuk i ka respektuar, s’po i respekton as marrëveshjet e Brukselit. Madje ajo nuk ka dashur as t’i dëgjoi kërkesat paqësore të shqiptarëve që nga viti 1981-1998! Ndërsa zhvillimet luftarake të viteve 1989/99 të gjithëve na janë të njohura për përmasat shkatërruese e dhimbjet e mëdha njerëzore të shkaktuar në çdo familje shqiptare. Ne, na vije keq pse për këto politika të gjenocidit, Serbia po gjen mbështetje nga shtete të mëdha të Botës dhe të disa vende të BE-së! Gjithashtu na vije keq, pse politika e gjenocidit serb, ka gjetur mbështetjen nga një pjesë e madhe e botës islame, e cila si shumë thirret në do “vlera” të mesjetës së hershme?!

Në të gjitha bisedimet e përmendura (sidomos nga viti 1999 e këndej), prezenca e përfaqësuesve të BE-së ka qenë më shumë se fasilituese! Ajo e dinë se kush nuk donë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë! Andaj ajo duhet të jetë fasilitues i drejtë dhe i paanshëm. Nga atëherë e deri më sot, zyrtarët e BE-së i kemi parë të heshtin sa herë ishin në pyetje veprimet agresive të Serbisë!

Ora e historisë po bie për Qeveritë Shqiptare

Vendimi i Qeverisë se Kosovës për mallrat e Serbisë e të Bosnjës, është më shumë se i vonuar, prandaj duhet të pushoj çdo presion mbi Kosovën. BE-ja duhet ta orientoi presionin mbi Serbinë e cila vazhdon ta ndjek politikën e Millosheviqit. Serbia duhet ta njeh Pavarësinë e Kosovës nëse donë komunikim e marrëdhënie reciproke me shtetin më të ri të Evropës – Republikën e Kosovës. Nëse vërtetë ajo donë respekt të ndërsjellë me shqiptarët!

Zyrtarët më të lartë serbë, jo vetëm që nuk janë distancuar nga ato politika, por u vije keq pse nuk janë vazhduar ato politika të krimit e të gjenocidit në Kosovë e Bosnje. Kujtoni, ju zotërinjtë e BE-së, fjalimin e para do kohëshëm të Vuçiqit në Kosovë e të Kryeministres serbe për gjenocidin serb në Serbrenicë! Atyre ju vinte keq pse nuk ishin realizuar politikat patriotike të Millosheviqit.

Nga kjo që u tha del se as Prishtina e as Brukseli nuk e kanë gjetur gjuhën e vetme që e kuptojnë politikanët e Beogradit. Ata zotërinjtë në Beograd nuk e njohin gjuhën e mirëkuptimit, të bashkëpunimit e të partneritetit, gjuhën e lëvizjes së lirë, gjuhën që sjell paqen e sigurinë për të gjithë në ketë pjesë të Evropës! Gjatë këtyre viteve kemi bërë shumë për paqen.

Brukselit nuk i takon që t’ia mbajë anën Serbisë e politikave të saja të luftës, të krimit e të gjenocidit. BE-ja duhet t’ju përmbahet vlerave të saja të  mirënjohura, të paqes, të drejtësisë, të drejtave e lirive të njeriut, të partneritetit, të lëvizjes së lirë të njerëzve e të mallrave etj.! Ne, shqiptarët i njohim dhe i respektojmë ato vlera.

Nuk ka paqe, liri, drejtësi e demokraci aty ku presioni drejtohet mbi viktimën që ka vuajtur gati 100 vjet dhe amnistohet krimi e gjenocidi i planifikuar, i programuar dhe i ushtruar po aq e më tepër vite mbi shqiptarët në përgjithësi nga Serbia e djeshme dhe e sotshme!

Ne, shqiptarët jemi përcaktuar për paqe e siguri, për shtet të pavarur, sovran e demokratik! BE-ja e din se Parlamenti Evropian e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008! Prej atëherë e deri më sot, Kuvendi i Kosovës ka pasur takime të përvitshme me Parlamentin Evropian. Prej atëherë e deri më sot, Kosova i ka heshtur shumë padrejtësi si dhe gjenocidin e djeshëm dhe ketë e ka bërë për hir të paqes për sot e nesër! Është keq pse kjo hapësirë që ju dha paqes nga politika e Kosovës, nuk po kuptohet drejtë as nga Serbia e as nga BE-ja! BE-së nuk ia diktojmë politikën, por jemi te detyruar ta mbrojmë lirinë, pavarësinë e sovranitetin e vendit tonë ndaj kujtdo që na e rrezikon qenien tonë njerëzore e kombëtare!

Nëse zyrtarët e BE-së mund të jenë të ftoftë si akulli PËR GJENOCIDIN E SERBISË të kryer në Kosovë, gjurmët e të cilit janë më shumë se të freskëta edhe sot, zyrtarët politik dhe qytetarët e Kosovës nuk mund të jenë të pa gjak si hardhuca nën kaçuba e as ta fusin kokën në zall si struci! Politikat e krimit e të gjenocidit në Serbi janë ringjallur!

Në një situatë të tillë, Kuvendi i Kosovës duhet të kërkon nga  Qeveria e Kosovës që ta ndërpret shpenzimin e parasë publike për ndërtimin e autostradave, bile ketë duhet ta bëjë edhe Shqipëria, që ato mjete financiare t’i orientojnë për mbrojtje e siguri kombëtare! Ketë duhet t’ua bëjnë të njohur edhe miqve ndërkombëtar. Përndryshe, përgjegjësia e tyre para kombit do të jetë tepër e madhe!

Ora e historisë po bie për Qeveritë Shqiptare për t’i shtuar përgjegjësit për SIGURINË KOMBËTARE!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …