Ismet Azizi: Shqiptarët në Bosnjë dhe Hercegovinë

Vlerësohet se sot në Bosnjë  dhe Hercegovinë  jetojnë 8 deri në 10 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë një nga pakicat  më të mëdha në këtë shtet. Nga këto llogaritje përjashtohet Republika Serbe ku nuk jeton pothuajse asnjë shqiptar dhe ku çështja shqiptare shikohet nën prizmin e çështjes së Kosovës.  Sipas kushtetutës së B  dhe H, shqiptarët, sikurse  edhe pakicat   tjera, konsiderohen “të tjerë”,  dhe ata nuk mund të zgjidhen si anëtarë të Presidencës ose të jenë delegatë të Kuvendit Popullor të këtij shteti.   Disa përfaqësues të  shqiptarëve  thonë se këto funksione nuk janë për ta të rëndësishme por janë të shqetësuar për shkak  të përkeqësimit të situatës ekonomike të shumicës së shqiptarëve  në B dhe H.

Shqiptarët e parë në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë ardhur në kohën Perandorisë Osmane të detyruar nga  gjendja e vështirë ekonomike, politike dhe sociale në atdheun e tyre. Shumica e tyre kanë orogjinë nga Shqipëria veriore. Shqiptarët e  veriut të Shqipërisë para Luftës së Dytë Botërore, kanë emigruar, përveç vendeve tjera edhe drejt  Bosnjës.

Vendosja e kufijve në vitin 1948 ndërpreu emigrimin dhe ndau mijëra familje. Burrat nuk u kthyen më dhe ndërtuan jetën në Bosnjë. Kjo vërtetohet edhe me të dhënat rreth emërtimit të malit Koritnik  me emrin Pikëllimë. Njerëzit e rajonit të Kukësit i përcillnin  gurbetqarët deri në Koritnik dhe aty ndaheshin nga familjarët e tyre të piklluar, e mandej vazhdonin rrugën për Prizren. “Nga kjo kohë  ky mal ka marrë emrin Pikëllimë. Nga Prizreni gurbetçarët merrnin trenin dhe shkonin në Bosnjë. Nga Fshati im p.sh. ka pasur që kanë ikur dhe nuk janë kthyer më. Kështu ka ndodhur me  5-6 djem vetëm nga familja Kola”- rrëfen Januz Kola.

Nga biseda e mëtejme, Januz Kola thekson se banorët e moshuar e kujtonin me nostalgji kohen e Bosnjës sepse pas mbylljes së kufirit u ndërpre kjo rrugë. “Një ndër ta ishte edhe gjyshi im. Ai shkoi në gurbet sa ishte  13 vjeç tek dajët e vet, të cilët ishin vendosur ne Bosnjë dhe merreshin me gatimin e ëmbëlsirave. Gjyshi im është kthyer në moshën 28 vjeçare. Pastaj është martuar dhe at vit është mbyllur kufiri me Jugosllavinë. Në vitin 1967 ka shkelur kufirin dhe ka tentuar të shkoj në Bosnje ku kishte lënë vëllanë. E zënë në Prizeren dhe e kthejnë në Shqipëri.” – shton Januz Kola

Të tilla histori ka pasur me dhjetëra por për fat të keq kanë mbetur të pashkruara pasi brezi dhe këta njerëz vdiqën pa lënë gjë gjurmë.”Janë histori të dhimbshme dhe të denja për filma por pushteti në Tirane kurrë  nuk e ka konsideruar Veriun si vend me vlera historike. Përkundrazi, janë munduar ta nënvlerësojnë luftën, përpjekjet…”, përfundon Kola.

  B dhe H në të kaluarën, sikur edhe sot,  shqiptarët jetojnë  duke u  marrë me blegtori, bujqësi dhe zanate tjera. Ata janë  edhe tregtarë të aftë, roje  kufitare por  një numër i madh i tyre janë asimiluar në boshnjak. Me ardhjen e austro-hungarezëve  numri i shqiptarëve është reduktuar në masë të madhe  për shkak të emigrimit në Evropë pasi që me këtë rast  u janë hapur rrugët për të emigruar tutje. Kështu, regjistrimi i popullsisë së vitit 1910 në B dhe H shënon vetëm 273 banorë  të cilët kanë folur gjuhën shqipe.

Megjithatë, gjatë Jugosllavisë së parë dhe veçanërisht Jugosllavisë së dytë, përsëri një numër i madh i shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë emigruar në B dhe H. Ata janë vendosur kryesisht në Sarajevë, Tuzëll, Zenicë, Banja Llukë, Doboj, Bërçko, Bijelinë, Mostar dhe Trebinje. Në vitin 1930 numri i shqiptarëve në B dh H thuajse është katërfishuar kurse regjistrimi i vitit 1991 tregon shifrën rreth pesë mijë shqiptarë.  Shqiptarët e ardhur në  B dhe H në këtë periudhë kryesisht kanë punuar si bukëpjekës, ëmbëltoristë, argjendarë dhe lloje tjera të zanateve.

 

Shumica e shqiptarëve kanë jetuar në Sarajevë. Nga viti 1970 deri më 1981, në Sarajevë ka ekzistuar  një shkollë fillore  në gjuhën shqipe. Shkolla është quajtur Bane Shurbat e cila gjendej në Gërbavicë. Duhet përmendur gjithashtu se gjatë rrethimit të Sarajevës, në luftën e fundit, më së paku shqiptarët e kanë lëshuar qytetin. Ata janë kërcënuar nga bandat e Ratko Mlladiçit të vendosura në Pale nga ku,  me anë të televizionit, shpesh janë dërguar mesazhe se asnjë shqiptar nuk do të dal gjallë nga Sarajeva.

Një prej specifikave të shqiptarëve, që i bën ata të veçantë nga pakicat tjera kombëtare në B dhe H, është gjuha e tyre jo e zakonshme. Sot  në B dhe H shumë  mbiemra kanë origjinën nga gjuha shqipe. Mbiemra të tillë janë: Gega / Gegić, Toska / Toskić , Arnaut / Arnautović. Bushatlija / Bušatlić, Balta/Baltić, Bajgorić/Bajgora, etj.

Nga gjuha shqipe kanë origjinë edhe disa vendbanimeve në B dhe H (Arnauti / Zenica, Arnautovići / Visoko, Shiptar në Hercegovinë, Breška / Tuzla, Korča /Korça, Arbanasi afër Rudo, Arbanaška / Trebinje). Disa hulumtues përmendin  edhe emra tjerë  si Butmir, Majevicë  (nga  maja e malit). Disa nocione të gjuhës shqipe u përvetësuan  nga  sllavët e jugut, për shembull fjala “dasa” (një njeri i mirë, tip), e cila rrjedh nga fjala shqipe “dash”, që në gjuhët sllave do të thotë  ovan.

Shqiptari më i njohur i cili ka jetuar dhe është shkolluar në B dhe H është  Gjergj Fishta (1871-1940).  Fishta në B dhe H ka shkuar në vitin 1886  ku  edhe  studijoi teologjinë, filozofinë, italishten dhe latinishten. Gjatë qëndrimit të tij në Bosnjë ka mbajtur kontakte me shkrimtarin e shquar  Grgo Martiq dhe me poetin  Strahimir  Kranjqeviq.

Përveç Fishtes gjithashtu duhet të përmendim profesorë tjerë të njohur dhe të shquar të Universitetit të Sarajevës me origjinë shqiptare, siç ishte prof. dr. Hamid Dolareviq (1925-2002), prof. dr. Ibrahim Ahmetaj, kardiokirurgen e  parë Iliriana Haxhibeqiri, kompozitorin Halim Koshi mandej  gazetarin dhe poetin e  njohur Alirizah Gashi (1945-1997).

 

Shqiptarët në B dhe H janë të organizuara në shoqatat kantonale shqiptare,  të bashkuar në komunitetin shqiptar në B dhe H. Nëpërmjet kësaj shoqate shqiptarët shënojë datat e rëndësishme historike  shqiptare,  promovojnë libra në gjuhën e tyre amtare dhe në forma tjera përkujtojnë origjinën e tyre. Me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, Komuniteti ka kërkuar  sërish fillimin e  mësimit  shtesë të gjuhës shqipe për fëmijët e  tyre shqiptarë, e cila ishte ndërprerë për shkak të mungesës së fondeve.

Vlerësohet se në Bosnjë  dhe Hercegovinë (në fakt, kryesisht në Federatën e B dhe H, sepse  në Republikën Serbe, çështja shqiptare, shikohet nga prizmi i çështjes së Kosovës, nuk jeton pothuajse asnjë shqiptarë )  jetojnë midis 8 dhe 10 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë një nga pakicat  më të mëdha kombëtare. Sipas Kushtetutës së B  dhe H, sikurse  edhe pakicat   tjera, edhe shqiptarët konsiderohen “të tjerë” dhe  nuk mund të zgjidhen si anëtarë të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës ose të jenë delegatë të Kuvendit Popullor të Shtetit.   Disa përfaqësues të  shqiptarëve  thonë se këto funksione nuk janë për ta të rëndësishme, por se janë të shqetësuar për shkak  të përkeqësimit të situatës ekonomike.

Vlerësohet se në periudhën 2010-2020 shqiptarët kanë rritje më të lartë se mesatarja vjetore e  popullsisë së Evropës. Të dhënat  për  Kosovë dhe Shqipëri tregojnë për rritje 0.7% gjegjësisht 0.2%. Rritje e ngjashme është shënuar edhe në vendet fqinje , aty ku jetojnë shqiptarët (Maqedoni, Mal të Zi, Greqi). Shtypi në hapësirat e ish Jugosllavisë, sidomos ai në Serbi, konsideron se nacionalizmi gjithnjë e më i artikuluar shqiptar dhe aspiratat e zgjerimit,  janë faktorë që mund të sjellin më shumë paqëndrueshmëri në rajonin jo stabil të Ballkanit Perëndimor. Shqiptarët në hapësirën e ish Jugosllavisë shpesh  janë subjekt i shakave  dhe talljeve. Megjithatë, për shumë gjëra, shqiptarët  janë  bërë objekt i adhurimit dhe respektit por edhe të frikshëm për fqinjët e tyre. Sa i  përket  Bosnjës, shqiptarët përbëjnë padyshim një nga komponentët thelbësore të identitetit të këtij shteti.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …