RKL: Si po komentohet arrestimi i dy policëve të armatosur të Kosovës nga tre policët e Serbisë

Se deri në ç’masë janë pacifikuar shqiptarët jo vetëm në Kosovë, po kudo të trojet e tyre etnike, flet edhe rasti i fundit i arrestimit të dy policëve të Kosovës nga policia e Serbisë, brenda territorit të vendit tonë. Lajmet bëjnë të ditur se policët ishin të armatosur, kishin pushkë automatike, revolverë dhe municion të mjaftueshëm sa për të mos u dorëzuar, qysh në thirrjen e parë. Ata u shtangën, dorëzuan armët, lejuan të lidhën me duar prapa, u detyruan të  shtrihen për tokë para çizmeve të tre policëve të Serbisë dhe nuk bënë as gëk, as mëk. Ata janë mësuar t’ i zbatojnë urdhrat e policisë multietnike të cilës do polici. Kolegët e këtyre dy policëve kanë ndihmuar policinë e EULEX-it për t’ i arrestuar luftëtarët e lirisë, kudo në Kosovë dhe do ta ndihmojnë EULEX-i kurdo të ketë nevojë për ta.


Por,  historia e qyqarisë, e nëpërkëmbjes, përbuzjes dhe mjerimit nuk mbaron me kaq. Dy policët e Kosovës, të cilët u arrestuan, vepruan me maturi, ashtu sikur i ka “edukuar” policia ndërkombëtare dhe ashtu sikur janë stërvitur, për të vepruar në raste të tilla. Vetëm ndaj bashkëkombësve të tyre, ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje fryjnë muskujt  këta policë  dhe demonstrojnë forcë, virulencë, prepotencë, trimëri e guxim. Po dallon gjithçka  kur këta ballafaqohen me policët e Serbisë. Jo, sepse ata nuk janë trima, por sepse i kanë dresuar, që në asnjë mënyrë të mos provokojnë, as mos të lejojnë të provokohen, sepse ia prishin imazhin paqësor Kosovës, sepse e rëndojnë dialogun me Serbinë, sepse tekefundit Republika e Kosovës është bërë “Kosovo” dhe prapa ia kanë ngjitur bishtin e fusnotës, që nënkupton sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.


 


 


 E tillë është situata edhe në Maqedoni. Për më keq, atje policët sllavo-bullgarë vrasin të rinj shqiptarë, i rrahin nxënësit dhe të miturit nëpër vende publike dhe nëpër autobusë publikë, kërkojë “gasnakomora” për shqiptarët, i shajnë dhe i përbuzin ata, ndërkohë që qeveritarët kuislingë,  të gjitha këto i kualifikojnë si raste spontane, të cilat u ndodhin edhe sllavobullgarëve, tekefundit, sipas filozofisë së tyre, skajshmërisht durimtare, ata konkludojnë se shqiptarët rrahën edhe mes veti, madje edhe vriten si pa të keq, dhe kjo nuk mund të kualifikohet ndryshe, vetëm si një ekses  ditor. Kështu iu ka ndodhur dhe iu ndodh skllevërve kudo në botë, sidomos atyre, që marrin pushtet, dhe për ta ruajtur atë pushtet janë të gjendje të bëjnë gjithçka, kundër të gjithëve pa dallim, por jo kundër atyre, që i kanë veshur me pushtet.


 


 Reagimi tejet i “ashpër” i përfaqësuesve të institucioneve, lidhur me arrestimin e dy policëve, na trimëron, dhe na kujton kohën kur, në vitet ‘90 trimëroheshim me deklarata verbale, në kohën durimtare të Ibrahim Rugovës. Edhe asokohe reagimet verbale në disa raste kanë qenë aq të ashpra, sa para se të botoheshin,  redaktorët e “Bujkut” merrnin në telefon të parët e partisë, për të vërtetuar se ishte qëndrimi i Rugovës apo i do të frustruarve të tij, në reagimet aq të ashpra dhe aq të fuqishme, që realisht dukeshin groteske. Tani reagimet janë më të fuqishme, ashtu sikur edhe ankimet drejtuar BE-së dhe Amerikës. Por edhe kësaj radhe pati reagime të ashpra, të matura, tejet të moderuara madje edhe qesharake e groteske. Përderisa kryekuvendari, Jakup Krasniqi reagoi ashpër, madje paksa edhe qehre-ngrysur,  po ashtu ashpër ka reaguar edhe kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të paktën përmes deklaratave publike. Reagimi i Edit, ishte në nivelin e reagimeve të dresuara të  mentorit të saj politik, Kuper. Përderisa kryetarja tha se akti i arrestimit të policëve është agresion kundër shtetit të Kosovës, Edi e zbuti qëndrimin  dhe tha se rasti i arrestimit të policëve ishte vetëm një përpjekje e Serbisë për agresion, sepse agresioni nuk bëhet me arrestimin dhe as me vrasjen e policëve, por bëhet kur ushtria serbe thyen kufirin dhe hyn në Kosovë, dhe kjo falë Zotit apo pjesëtarëve të përgjumur të KFOR-it, ende nuk ka ndodhur.


 


Reagimi i ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, ishte qesharak dhe grotesk në të njëjtën kohë, sepse ai mendon se arrestimi i policëve të Kosovës po iu nevojitka,   Ivica Daciqit për ta rritur elektoratin dhe për ta marrë besimin e shumicë së serbëve në zgjedhje. Ministri Rexhepi, shkoi aq larg duke akuzuar Serbinë për çarmatimin dhe arrestimin e policëve të tij nga Policia e Serbisë, dhe aktin e tillë  e cilësoi si akt “qyqar”, ndërsa dorëzimin e përnjëhershëm të policëve e cilësoi si akt të pjekurisë së tyre, për të mos shkaktuar konflikte të panevojshme.


 


Në mesin e deklaratave  me plot ankime kundër Serbisë, vërehet edhe në  një komunikatë autentike pacifiste të  LDK-së, e cila fton bashkësinë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e botës demokratike, që t’i bëjnë trysni Beogradit zyrtar për ndaljen e provokimeve të tilla të rënda ndaj Kosovës dhe kërkon që krejt bota ta bind Serbinë që t’i lirojë dy policët e armatosur shqiptarë të cilët iu dorëzuan pa kusht policëve të xhandarmërisë serbe, ditë më parë në Merdar.(!)


Çuditërisht kreu politik dhe institucional i Kosovës nuk ka reaguar fare me rastin e lirimit nga policia e EULEX-it të kriminelëve të MUP-it, të cilët një muaj më parë, kishin marrë guxim dhe i kishte paraburgosur Policia e Kosovës, ndërsa Prokuroria kishte filluar ndjekjen penale. Ministri Rexhepi i pyetur për këtë rast nga një gazetar tha se “ne nuk i përzihemi EULEX-it”, ne i kemi punët tona, por kur EULEX-i kërkon ndihmën e policisë së Kosovës, për të arrestuar çlirimtarë në saje të dosjeve të Serbisë, atëherë ministri tregohet shumë dorëlirë.


Gjuhën e reagimeve verbale, të ashpra, të fuqishme, tërë pompozitet nuk e kupton  Serbia, por as miqtë tanë, të cilët tashmë janë mësuar me ankimet tona, sikur me “bukën e përditshme që na e falë i Madhi Zot”.


 Reagime të tilla në të kaluarën tonë të “lavdishme” pacifiste kemi bërë me mijëra herë, por vetëm kur Legjendari Adem Jashari dhe trimat e tij filluan “të reagojnë”, në gjuhën e vetme që e kishte kuptuar dhe e kupton  Serbia, atëherë ndërroi gjithçka dhe gjërat u futen në binarët historikë. Qeveritarët tanë po mundohen të na bindin gjithnjë në të kundërtën. Ata po na thonë se fusnota është e vdekur, se është një fjollë bore, edhe pse deputetët e Parlamentit të Evropës kundërshtuan dhe nuk e votuan amendamentin për vendosjen e fusnotës. Qeveria deklaron se veprimet e Serbisë me rastin e arrestimit të  shqiptarëve janë veprime “qyqare”, ndërsa dorëzimi pa kusht i dy policëve tanë të armatosur deri në dhembë, qenka  “vepër heroike” e durimit dhe emancipimit të ri politik, mbështetur në filozofinë e Brukselit.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …