Fatos Baxhaku: Të fshehtat e vrasjes së Zija Dibrës

Një të diel të janarit të 1925 gazeta “Indipendenca Shqiptare” lajmëronte në faqen e saj të parë: “Zija Dibra u vra. Ish-kapiten Zija Dibra, ministër tjetër herë në kabinetin e Pandeli Evangjelit, i akuzuar për çështje bolshevike, tek internohej në Berat, duke kaluar katundin Harizaj të Qarkut të Kavajës, u mundua të arratisej e t’ikë prej duarsh nji aspiranti, i cili e shoqnonte deri në Berat. Kështu, duke qenë i hypur në kalë, atë e ngau me gjithë fuqinë përpara. Aspiranti i bërtiti nja dy herë të qëndronte, por mbasi s’e dëgjoi, e qëlloi në kokë dhe e rrëzoi të vrarë prej kalit”. Zija Dibra, figurë e njohur e politikës shqiptare të fillimshekullit XX u vra në të njëjtën ditë kur në Tiranë shpallej republika me president Ahmet Zogun tashmë të kthyer triumfator nga Jugosllavia. Vetëm pakkush e besoi versionin zyrtar të vrasjes. Zija Dibra, njihej si kundërshtar i vendosur i Ahmet Zogut, ai vetë kishte marrë pjesë si ushtarak në kryengritjen e drejtuar nga Hasan Prishtina në 1921. Në 1923-in bënte pjesë në një organizatë antizogiste të themeluar në Vjenë nga Aqif pashë Elbasani. Në qershor të 1924’s kishte luftuar me armë në dorë në krah të kryengritësve, pastaj ishte vendosur në garnizonin e Shkodrës. Në 1924 Noli e kishte dërguar Zija Dibrën për t’i mbushur mendjen Elez Isufit që të mos bashkohej me Zogun. Dibra ia arriti t’i mbushte mendjen Isufit duke u kujtuar dibranëve armiqësinë e kahershme me serbët dhe duke përdorur edhe një shumë të majme parash. Njerëzit e Zogut i kishin të gjitha arsyet për ta hequr qafe, por jo vetëm se ishte fanolist…


 


Si shumë politikanë të tjerë të përzier me ngjarjet e qershorit 1924, edhe Dibra ishte nisur për në udhën e mërgimit. Në 23 janar ishte parë duke udhëtuar mbi një kamion me targa të Durrësit së bashku me Sulejman Delvinën dhe Sejfi Vllamasin, i pari ish-ministër i punëve të jashtme, ndërsa i dyti, anëtar i Këshillit të Lartë. Vllamasi kujton ta ketë pyetur nëse do të shkonte bashkë me ta matanë detit, apo do të qëndronte në Shqipëri. “Jo nuk do lëviz, për jetën time më ka dhënë garanci Myfit bej Libohova”. Kështu Dibra nuk shkon në Itali si qindra të tjerë, por përfundon, nuk dihet sepse në Vlorë. Myfit bej Libohova, po marshonte në Jug për t’u ardhur në ndihmë forcave të Zogut që zbrisnin nga Veriu. Pikërisht këtu Zija Dibra arrestohet dhe niset i shoqëruar me një xhandar për në Berat ku do të mbahej i internuar. Se çfarë ka ndodhur saktësisht atë ditë të ftohtë në afërsi të Harizajt të Kavajës këtë e dinte vetëm xhandari “pa emër”.


 


Zija Dibra ishte shumë i lidhur me figurat drejtuese kosovare, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Bedri Pejanin, Hoxha Kadrinë, me ata që përbënin zemrën e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me qendër në Shkodër. Pesë vjet para vrasjes së Dibrës, në 1920, poeti dhe politikani italian, Gabriele D’Anuncio, organizoi në Trieste një mbledhje të të gjitha organizatave nacionaliste, popujt e të cilëve kishin mbetur nën sundimin serb, tashmë në Jugosllavinë e porsakrijuar. Përfaqësues i kosovarëve dhe i Komitetit të Shkodrës, sipas Eqrem bej Vlorës, në këtë takim ishte “atdhetari i vjetër Beqir Vokshi”. Në këtë mbledhje D’Anuncio u premtoi kosovarëve armatim me qëllim që këta të nisnin “çlirimin e Kosovës” duke sulmuar nga ana e Kukësit.


 


Vapori me armë mbërriti në Shëngjin në verën e 1920. Asokohe Lufta e Vlorës ishte në kulmin e saj. Ushtria jugosllave u bë gati për ndërhyrje në anë të Bunës. Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm në atë kohë ishte kundër shkarkimit të armëve të D’Anuncios në Shqipëri. Ai, por jo vetëm, mendonte se një sulm i kosovarëve ndaj Jugosllavisë do ta vinte Shqipërinë e brishtë në konflikt të hapur me Jugosllavinë, një luftë të cilën, sigurisht Shqipëria nuk ishte e gatshme ta përballonte, në atë kohë, por me sa duket edhe më vonë. Për ta zgjidhur çështjen Zogu dërgon në Shkodër Sejfi Vllamasin dhe Xhemal Naipin. Me vete kishin edhe 20 mijë franga ari. “… Në orët e vona – kujton Vllamasi – u takuam me Bajram Currin për ta bindur atë, pasi ishte më i arsyeshëm se të tjerët. E diskutuam çështjen nga çdo pikëpamje, por nuk mundëm ta bindnim Currin, pasi influencohej nga Bedri Peja, që ishte në favor të shkarkimit të armëve. Atëherë po atë natë shkuam në prefekturë, ku na prisnin ndihmësprefekti Sulçe Bushati me komandantin e xhandarmërisë Malo Bushati për të marrë vesh përfundimin e bisedimeve. Pasi të gjitha përpjekjet me anë bisedimesh dështuan, u vendos për masa ushtarake. Malo Bushati, nën komandën e kapiten Hasan Bushatit, dërgon një forcë xhandarësh në Shëngjin për ta ndaluar me forcë shkarkimin e armëve…”. E çara e parë e fortë mes krerëve kosovarë dhe Ahmet Zogut kishte ndodhur.


 


Zija Dibra shërbente si ndërlidhës mes liderëve kosovarë dhe krerëve nacionalistë maqedonas të VMRO, Teodor Aleksandrov dhe Petar Çaulev. Në 1924 konsulli jugosllav në Shkodër i kishte raportuar disa herë Beogradit mbi planet për të sulmuar Jugosllavinë. Çaulev kishte takuar Hasan Prishtinën, ndërsa Aleksandrov Bajram Currin. Zija Dibra, madje u akuzua nga jugosllavët edhe si organizator i një takimi Noli-Aleksandrov, por ky takim u përgënjeshtrua nga Tirana zyrtare. Brenda pak muajsh, agjentët jugosllavë arritën të vrasin krerët e VMRO, Aleksandrovin në gusht të 1924 dhe Çaulevin, në dhjetor të 1924 teksa e kishin ndjekur deri në Milano, pas kthimit të tij nga Shqipëria.


 


Një tjetër nacionalist antijugosllav që kishte lidhje me kosovarët e Shkodrës ishte malazezi Marko Raspopoviç. Ky bashkë me dy malazezë të tjerë kishte marrë pjesë madje me armë në dorë në ngjarjet e qershorit të 1924-s. Në fillim të 1925-s malazezët ishin ende në Shkodër. Një dëshmitar i kohës, Asim Kopliku, ka rrëfyer: “Mua më thirrën në konsullatën jugosllave të Shkodrës. U paraqita te konsulli jugosllav, i cili më kërkoi t’u dorëzoja Raspopoviçin bashkë me dy malazezët që kisha nën komandë. Konsulli tha se tre malazezët ishin armiq të rrezikshëm të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë… Në kazermë bisedova gjatë me Marko Raspopoviçin. Ai e fliste mirë shqipen. I tregova rrezikun që e kanoste dhe ramë dakord që unë ta nxirrja nga Shkodra, ta përcillja deri në Bërdicë e pastaj të shkonte në Shëngjin e të hidhej në Itali. Por në Shëngjin Marko Raspopoviçin e kapën. Treshja malazeze iu dorëzua Ceno bej Kryeziut, i cili e vari Marko Raspopoviçin në Krumë”.


Pak muaj më vonë Ceno bej Kryeziu do t’i deklaronte një gazete të Beogradit: Unë e kam zënë dhe unë e kam vrarë armikun tuaj, Marko Raspopoviç. Unë kam vrarë Zija Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, për paqen tuaj e tonën…”. Të ketë qenë një deklaratë e sinqertë apo vetëm një mburrje në ngazëllim e sipër? Historia nga një herë nuk është edhe aq e qartë sa do të donim.


 


Në 1925 komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” nuk ekzistonte më praktikisht. Një pjesë e liderëve u vranë, pjesa tjetër u fsheh në emigracion.


 


(Për këtë shkrim u përdorën materiale nga: Eqrem bej Vlora, Kujtime, vëllimi II, SHLK, Tiranë 2001; Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Çabej, Tiranë 1984; Hazis Gjergji, Myslim Peza, dëshmitar dhe protagonist 1912-1939, Tiranë 2008; Sejfi Vllamasi, ballafaqime politike në Shqipëri, Neraida, Tiranë 2000).


(Tiranë, 16. 10. 2012) –

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …