Shkolla Normale dhe Shkolla Teknike e Prishtinës ishin baza të fuqishme atdhetare në vitin 1981

Roli i Shkollës Teknike dhe i Akademisë Pedagogjike të Prishtinës në demonstratat e vitit 1981

Në objektin e Shkollës Normale, në Prishtinë, në vitin 1981, përveç Akademisë Pedagogjike-cikli i ulët, zhvillonin mësim  edhe disa paralele të shkollës së mesme teknike. Në këto dy shkolla kanë vepruar edhe dy organizatat të fshehta atdhetare: Grupi-Marksist Leninist i Kosovës, dhe organizata e quajtur: Partia Komuniste Marksiste Leniniste e shqiptarëve në Jugosllavi. Nga mesi i këtyre dy organizatave patriotike kanë rënë dëshmorë në demonstratën e dy prillit të vitit 1981 nxënësit, maturantë: Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi. Po ashtu janë arrestuar e dënuar me burg të rëndë: Fatmir Graiçevci, Afrim Zhitia, (më vonë dëshmor) Ilaz Zhitia, Naim Mahmudi, Naim Statovci, Lutfi Maqedoni, Rrahim Rama, Raif Çela  e të tjerë. Edhe nga mesi i mësimdhënësve janë dënuar me burg të rëndë: Zenun Gjoci dhe Xhevdet Syla, tani të ndjerë, pastaj, Meriman Braha, Shaqir Zeneli, Nezir Myrtaj e Ahmet Qeriqi.

Shkolla Normale e teknike e asaj kohe ishin dy baza të fuqishme atdhetare, të cilat  komunisti titist, drejtori i atëhershëm, tani i vdekur, Jusuf Shushka i quante “çerdhe të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, në Prishtinë.

Në një intervistë për gazetën “Ilustovana politika” të majit të atij viti, që botohej në Beograd,  ai kishte kritikuar “Komitetin” të cilin thoshte se  kishte lajmëruar me kohë, se  Ahmet Qeriqi, Zenun Gjoci e disa mësimdhënës të tjerë kishin “helmuar” nxënësit  me nacionalizëm e irredentizëm dhe ata nuk kishin ndërmarrë me kohë masa kundër tyre… Madje ai veçonte se Ahmet Qeriqit, edhe pse iu kishte shqiptuar dënimi me burg, për vepër penale, propagandë armiqësore. në tetor të vitit 1980, në Ferizaj,  iu kishte lejuar të punonte me nxënës deri në plotfuqishmërinë e dënimit.  Mjerisht pati edhe disa arsimtarë  të verbëruar me “idealet” titiste, të cilët nuk e kuptuan me kohë se çështja e çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve ishte e natyrshme, e pashmangshme , për  rruga do të ishte e gjatë, e përgjakshme dhe e mundimshme, por e mundshme dhe e domosdoshme…

Asllan Pireva e Naser Hajrizi, dy jetë të martirizuara në lulen e lirisë, për lirinë e Kosovës

Asllani e Naseri, apo Naser Hajrizi e Asllan Pireva, janë dy ndër dëshmorët e parë të  2 prillit të vitit 1981, të rënë në qendër të Prishtinës, të vrarë mizorisht nga forcat pushtuese jugosllave, në kohën kur në mesin e mijëra të tjerëve po protestonin me grushtin lartë e flamurin  ngritur edhe më lartë, në kohën kur po i brohorisnin lirisë, drejtësisë, barazisë të munguar me shekuj të shqiptarëve, denbabaden banorë të shtypur e të keqtrajtuar, në trojet e tyre.

Të dy ishin maturantë të Shkollës Teknike, në Prishtinë. Në dukje të parë nuk dallonin nga shokët e tyre. Ishin rritur tok me moshatarët, por diçka nga brenda, në qenin  e tyre  i kishte shtyrë përpara, duke i  burrëruar para kohe…

Ata e kishin kuptuar me kohë se Kosova do lirinë, por liria gjithnjë ka kërkuar dhe kërkon heronj. Dhe ata i kishin vënë gjokset e tyre në ballë të demonstruesve, që kërkonin Kosovën Republikë, që kërkonin atë që e gëzonin të tjerët, që kërkonin minimumin e të drejtave, duke qenë pjesëtarë të një kombi të ndarë, të keqtrajtuar, të shfrytëzuar e të katandisur  në disa republika e shtete.

Atë ditë, më 2 prill të vitit 1981, Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi ishin zgjuar herët dhe nuk kishin menduar se ishte zgjimi i ditës së fundit në këtë jetë, dhe dita e parë në rrugë drejt përjetësisë. Të dy ishin bashkuar  në qendër të kryeqytetit, në mesin e shokëve e shoqeve të shkollës, në mesin e mijëra liridashësve, duke brohoritur për çlirimin e Kosovës. Po brohoritja, grushti lartë dhe flamuri kombëtar edhe më lartë, i kishte goditur në qenie forcat e territ, të cilat kishin zënë pritë me kohë mbi kokat e tyre, në godinën e lartë përballë,  dhe me vështrimet e tyre tinëzare  nëpër snajperë kishin marrë shenj  për të goditur më të zgjedhurit, më ngulmuesit, më të  paepurit. Dhe i kishin zbuluar. Dhe i kishin goditur, në ballë, në gjoks, në trupat e tyre, por jo në qenen e tyre, jo në   idealet e tyre, sepse ato ideale  nuk ka armë që i vret.

Ranë, Naseri e Asllani, u plagosën disa të tjerë, por Flamuri i kuq me shqiponjë në mes nuk ra për tokë, shokët e tyre nuk e lejuan të bjerë për tokë. Ata e morën dhe e valëvitën gjatë tërë ditës, nëpër barrikadat e Prishtinës, të përgjakura, të përskuqura nga gjaku djaloshar, nga gjaku i Asllanit, Naserit dhe shumë të tjerëve, jo vetëm në Prishtinë, por kudo në Kosovë…

Muzgu i asaj dite me tym e barot, si lubi e moçme, kishte lëshuar kthetrat mbi Prishtinë dhe kudo mbi Kosovë me ardhmëri të rrethuar. Retë e zeza tashmë kishin dendësuar. Rojet e territ kishin zënë prita nëpër rrugica, nëpër lagje, në sheshe dhe kudo, në tërë vendin ku ishte aplikuar masa ushtarake e shtetrrethimit.  Ata po bëheshin gati për të marrë dhe për të zbatuar urdhra, për të vrarë, për të burgosur, për të rrahur, bastisur, për ta përdhunuar  tërë një popull që kërkonte liri, barazi e drejtësi.

Agimi i tre Prillit të vitit 1981 Prishtinën e Kosovën i kishte gjetur nën rrethim të hekurt të qindra kordoneve ushtarake e policore,  të ardhura nga të gjitha viset e Jugosllavisë.

Në Morgun e kryeqytetit ndodheshin trupat e Naserit, Asllanit dhe rënëve të tjerë. Djalëria liridashëse e Kosovës, kishte marrë një goditje, por nuk ishte dhënë. Ajo kishte mobilizuar radhët. Jo vetëm që nuk ishte dorëzuar, por ishte kalitur nëpër barrikada. Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi, Afrim Abazi, nga emra të përgjithshëm shqiptarësh, ishin  bërë të përveçëm, emra dëshmorësh, ishin bërë emra frymëzimi për brezat që më në fund, me luftën heroike të UÇK-së, në ballë me legjendarin e legjendave të Shqipërisë, Adem Jashari, e  shkundën letargjinë shekullore dhe Kosovës i sollën lirinë e pavarësinë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta, për buzëqeshjet e tyre të ngrira, për brohoritjet e tyre: Republikë-kushtetutë, o me hatër, o me luftë! ( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …