Ruzhdi Jashari: Në shenjë respekti e nderimi për ADEM DEMAÇIN e veprimtarisë universale

Muaji që lamë pas, shënoi Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të dhënave personale-privatësisë. Nuk është qëllimi tash të shkruajmë për këtë datë, këto u shkruan e u thanë për aq sa i takoi në vigjilje të shënimit të këtij përvjetori. Por kush ishte njeriu që sakrifikoi përfundimisht këtë vlerë unikale të dinjitetit personal? Kush ishte ikona kosovare dhe tej-ballkanase e pan-evropiane e ngjitur në univerzialitetin ndërkombëtarë që digjej shpirtërisht e dërmohej fizikisht, për vlerën e lirisë?

Kush e kishte vendosur sipër vetës idealin dhe kush e kishte falur përfundimisht jetën e tij për të drejta të barabarta, për shtetin e së drejtës dhe për lirinë si një vlerë civilizuese, vetëm e vetëm që një populli të privuar nga vlera e lirisë, pa dallime të ngjyrimeve politike e nacionale ti dhuronte këto vlera universale, që natyra ia jep çdo qenie njerëzore, që nga lindja!

Dinjiteti personal i një njeriu shumë dimensional ishte vendosur dhe sakrifikuar pikërisht në godinën e madhe për mbrojtjen e këtyre vlerave universale.

Padyshim njeriu që meritonte medaljen apo simbolin e privatësisë në këtë janar ishte lideri universal, i sakrifikuari, shkrimtari, politikologu, i urti, heroi i gjallë i lirisë dhe prijësi i EPOKËS DEMAÇIANE. Epoka Demaçiane nisi në Kosovë dhe vazhdoi në Poloni, Çeki dhe vende të tjera të ish bllokut socialist deri te shpërbërja e këtij sistemi -viteve 90-ta, me rivendosjen e vlerave të demokracisë, mendimit alternativ dhe të pluralizmit.

Në konsultim me një mik timin dhe të Bacës, për dhënie të një mirënjohje në nderim të Demaçit dhe kauzës së tij, në shenjë respekti për veprën e gjallë, që jetës i dha jetë, revolucionit i dha kuptim, sakrificës i dha qëndresë, humanizmit i dha shpresë, politikës i dha drejtim dhe në fund të fundit Evropës i dha vlerën e uneverzializmit të quajtur Epoka Demaçiane e rezistencës për liritë fundamentale të njeriut, u pajtova se më i mirë do të   ishte një shkrim për Bacën për këtë moment, sado pak që shkruaj.

Kur regjimi serb nga të ligat dhe gjenocidi që kishte bërë mbi shqiptarët, kishte shkaktuar huti edhe për pjesën e pafajshme të popullit serb, që e patën për turp dhe vazhdojnë ta kenë ende të vështirë, të deklaronin identitetin e tyre, Demaçi i quante vëllezërit serb. Po kështu do të kemi rastin që ta shihnim edhe duke hedhur valle bashke me romët. Pra, me këtë qasje e shohim një vlerë të njerëzores dhe humanes që pikërisht ishte ngulitur dhe forcuar edhe nga frymarja e tij, prej “universi”.

Dallimi në të folur gjuhësor, në besimin fetarë, a nacional, janë përralla ditore të maniakëve dhe të paditurve. Njeriu i globales tashmë është projekcion i qytetarit me të njejtat ndjesi dhe se humanizmi, liria e drejtësia janë shtyllat kryesore të teorive moderne të njerzimit që Baca përher i kishte vendosur në botën e tij universale. Ky është njeriu i epokës që përmbysi dinastinë e pushtimit dhe sundimit të egër.

Mishërimi i vlerave iliriane, me humanizmin dhe vlerën e të qenit i lirë, për të jetuar i lirë, dhe për solidaritet, ishin të ngulitura në kompleksitetin Demaçian, ishin vlera të rrënjëve të prindërve, stërgjysheve dhe katragjysheve të popullit, që  ky i takonte. Këto vlera ishin derdhur në këtë gadishull, dhe gjithandej Evropës, qysh në kohën e Ilirisë dhe misionareve të Papë Albanit II, edhe në kohën e Dardanisë edhe të Epokës së Skënderbeut. Këto vlera pas dy luftrave (IB,IIB), u avancuan në filozofinë e vlerave të demokracisë tek bota perëndimore.Ndërsa, drejt Ballkanik vërshoi unitarizmi.Popullit Shqiptar dhe veçmas popullit të Kosovës dhe shqiptareve nën sundimin Jugosllav, nga ndikimi dhe dominimi i sistemit totalitar komunist, i ushqyer nga carizmi (fillimisht), bolshevizimi e stalinizmi iu shtypen tmerrësisht vlerat e lirisë. Por rrënjët nuk mund të shkuleshin edhe pse dominimi i egër i akujve të Rusisë, i një qytetërimi krejt tjetër, tentonte vazhdimisht te imponohej në një qytetërim krejtësisht perëndimor të popujve me rrënjë të Ilirisë.

Demaçi në themelet e godinës së lirisë dhe vlerës universale vendosi vetë-flijimin dhe të drejtën e tij fondamentale “jetën dhe dinjitetin personal”.Këto vlera ishin vendosur edhe në themelet e Deklaratës Universale të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (1948) të OKB-së. Në vitin (1950) në Romë, këto vlera ishin vendosur të zgjeruara në formë obligative në Konventën Evropiane të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, nga BE-ja. Viti 1981, kurë rinia e Kosovës i dridhte themelet e ngrehinës Jugosllave, Demaçi i pa epur derdhej në qelit e burgjeve serbe për kauzën e lirisë dhe të drejtave të shqiptareve nën Jugosllavi, Këshilli i Evropës e aprovoi në Strasburg edhe Konventën 108-të, që ka të bëjë me mbrojtjen e të dhënave personale, detyruese për shtetet palë/anëtarë të kësaj Konvente.

Pas daljes nga burgu, asgjë nuk do të jetë e rastësishme, bacën Adem do ta shohim pikërisht në ballë të KMDLNJ-së, aktiviteti i të cilit mekanizëm, do të jehoi fuqishëm deri në OKB, Komisariatin e OKB-së për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Parlamentin Evropian, ILO, HRW, te të gjitha qytetërimet e botës e deri te Qendrat e fuqishme ndërkombëtare të vendosjes. Qëndresa fondamentale për të drejtat e liritë e njeriut Demaçit do t’i sjellë edhe çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian.

Vetëmohimi, puna e veprimtarëve të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, ishin burimore, alternativë e vetme e trashëguar edhe nga shumë e shumë breza të hershme, dhe thirrjet për demokraci e liri ishin filozofi veprimi, nga rrënjët e qytetërimit të vetë këtij populli, që dha shumë për kauzën e demokracisë perëndimore, por gjatë historisë u shtyp nën presionin e sllavizmit ortodoks rus, për qëllime ekspansioniste dhe ekuilibrime të forcave, por edhe për faktin që të shkëputej nga “liberalizmi” dhe “perëndimizmi”

Ndërkaq, të gjitha ndarjet e simboleve të vogla, të ndonjë shenje nga ana jonë, për njeriun e Epokës së Madhe-Bacën Adem, e ndamë mendimin bashkërisht në institucionin e ASHMDHP, se janë të papërfillshme, dhe se Baca në këto momente me shëndetin e tij ka nevojë më tepër për qetësi e rehabilitim.

Andaj ky shkrim le të jetë një mesazh i bashkëngjitur, në aktivitetin “DITET E ADEM DEMAÇIT” shpallur nga Kuvendi i Kosovës, drejtuar për të gjithë ne; pa dallim, institucione shtetërore, liderë politikë, veprimtarë të botës akademike dhe jashtë saj. Që, ne me punën tonë, kudo që jemi, të punojmë ashtu qysh Baca punoi, na mësoi e edukoi. E Kujtoi porosinë e tij për së gjalli, dhe ma rikujtoi vet Baca me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, kur Avokati i popullit i dha një Medalje në shenjë nderimi për punën e tij kolosale, kurë, në një arrest nga policia serbe 1997; më kishte porositur rreth aktivitetit…. “se të gjitha i ke bërë vetë”, “mbroje punën dhe kauzën tënde” dhe që “në hyrje të atyre birucave, mendo se nuk ka Ruzhdi ma”.Kjo porosi u bë pronësia ime a pa ndarë në jetën time.

Andaj, do të ishte shkëndijë drite edhe për Bacën që të shohim bashkërisht  përtej inateve tona personale pë të mos e lëmë Kosovën në “zgripc”, siç, tha më; 9 shkurt Ambasadori fuqiplotë i SHBA-së, shkëlqesia e Tij Greg Delawie.

Shpresat e qytetarëve të Kosovës janë drejtuar kah të gjithë, pa dallim. Kohë nuk ka Kosova për të humbur, kemi humbur mjaft, dekada e madje edhe shekuj. Kjo Epokë është e shqiptareve në Ballkan, dhe këtë perspektivë të kombit, nuk kemi të drejtë ta rrezikojmë. Demokracia dhe jeta parlamentare duhet të funksionojë. Fajtorë kujdestarë nuk kemi, jemi ne përgjegjës për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Andaj t`I flakim inatet! Nëse nderojmë njeri tjetrin do të nderohemi e respektohemi nga të tjerët. Kryelajmi nga Kosova është platfoma unike e veprimit për hecje për para. Këtë e dëshirojnë qytetarët e Kosovës dhe miqët tanë. Amanetin e tokës që na rriti e kemi marrë, që të merremi vesh dhe të veprojmë si shqiptarë..! Koha është për veprim dhe ecje përpara! Mbase, kjo do ta lehtsonte edhe gjendjen Bacës në rehabilitim!

Prishtinë, më 12 shkurt 2016

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …