Ahmet Qeriqi: Njëzet vjet nga Çlirimi i Kosovës, dhe lufta gati dyvjeçare e UÇK-së, ende nën hijen e NATO-s

Ahmet Qeriqi: Njëzet vjet nga Çlirimi i Kosovës, dhe lufta gati dyvjeçare e UÇK-së, ende nën hijen e NATO-s

Sot Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, por edhe mbarë vendi po festojnë 20-vjetorin e hyrjes së forcave tokësore të Aleancës Veriatlantike, në vendin tonë. Një festim madhështor gjithsesi i merituar, por nga disa qarqe,  politike e  mediale dhe qarqe që mohojnë luftën e UÇK-së e kanë ekzagjeruar deri në infinit ndërhyrjen e NATO-së kundër Serbisë, me  qëllim për ta vënë në hije luftën e Ushtrisë Çlirimtare gati dyvjeçare, rënien e Komandantit Legjendar  Adem Jashari e të Jasharëve, rënien e mijëra dëshmorëve dhe përgjithësisht luftën e UÇK-së, në të cilën morën pjesë rreth 20.000 luftëtarë dhe shumë të tjerë që e kishin ndihmuar këtë luftë nga të gjitha trojet shqiptare, nga mërgata dhe nga miqtë tanë kudo në vendet e botës.

Nuk mohohet dhe nuk ka si mohohet sidomos kontributi që kanë dhënë për çlirimin e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe,  por edhe i disa shteteve të tjera aleate dhe pjesëtare të NATO-s.

Por duhet të mos harrojmë edhe një fakt real se kurrë dhe në asnjë rast, Amerika, Anglia por as Komanda  e NATO-s nuk kanë deklaruar se ata vetë e kanë çliruar Kosovën. Ata kanë deklaruar dhe deklarojnë hapur se lufta e tyre në radhë të parë ka pasur karakter humanitar, me qëllim që të mos lejohej tragjedia edhe më e madhe  e këtij populli ashtu sikur kishte ndodhur në Bosnje e Hercegovinë.

Është e vërtetë se UÇK-ja, me të drejtë e ka konsideruar dhe e konsideron NATO-n si aleat, por nuk është e vërtetë që NATO-ja të ketë deklaruar se i ka shkuar në ndihmë UÇK-së, pa përjashtuar faktin se luftohej kundër të njëjtit regjim. NATO-ja  dhe asnjë shtet tjetër nuk e kishte armatosur UÇK-në, me qëllim që ajo të luftonte dhe të çlirohej vetë. Po ashtu 20 vjet më parë, me rastin e hyrjes së trupave të Aleancës në Kosovë, nuk ka deklaruar askush nga qarqet ndërkombëtare se Kosova ka fituar luftën,  dhe Serbia ka humbur atë, edhe pse ashtu kishte ndodhur realisht.

 NATO-ja kishte për mision ta gjunjëzonte  regjimin e Milosheviqit, por në asnjë mënyrë shtetin e Serbisë. Trupat e NATO-s u vendosen si forcë paqeruajtëse në kundër të KFOR-it, mision të cilin e ushtrojnë edhe sot.

Asnjë autoritet amerikan, britanik apo i ndonjë vendi tjetër nuk thotë se ne e kemi çliruar Kosovën, por kemi ndihmuar popullin e Kosovës, duke ndjekur regjimin,  jo vetëm shqiptarë-vrasës të Milosheviqit.

PO kështu nuk duhet harruar edhe një fakt shumë kokëfortë, se ishte pikërisht lufta e UÇK-së, ajo që e solli Kosovën në agjendat ndërkombëtare të kohës dhe që e kishte filluar luftën pa e pyetur Amerikën apo shtetet e tjera, të cilat në mënyrë unanime kishin qenë kundër luftës, madje në fazën e parë të zhvillimit UÇK-së, jo zyrtarisht atë e  kishin shpallur organizatë terroriste.

Ndihma që i ka dhënë Kosovës bota përparimtare demokratike, për t’ u çliruar nga robëria,  është e çmuar dhe e tillë do  të trajtohet edhe në të ardhmen, por lufta dhe qëndresa e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  është faktori kyç i luftës dhe i çlirimit të vendit, sepse po ta kishte ndërprerë luftën UÇK-ja, pas konferencës së Rambujesë dhe po të ishin larguar të gjithë shqiptarët nga Kosova, sikur u larguan dhe ikën  gati gjysma e popullatës, çfarë kuptimi dhe çfarë përfundimi do të kishte pasur ajo luftë?

Përpjekje për margjinalizimin e rolit të UÇK-së në radhë të parë ka qenë dhe ka mbetur projekt i Lëvizjes pacifiste shqiptare të Kosovës, e cila deri në fund të luftës nuk e kishte ndryshuar qëndrimin injorues, madje në një segment edhe kishte bashkëpunuar me organizma të caktuar të huaj, për ta paraqitur fajtore UÇK-së, njëjtë si regjimin e Milosheviqit, duke e akuzuar për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

Kjo Lëvizje e cila pas luftës i gëzoi 90% të favoreve që kishte sjellë gjaku i lirisë, nuk e pushoi as e ka pushuar luftën kundër UÇK-së, sepse ajo bashkëpunoi me të gjitha organizmat ndërkombëtarë në Kosovë e më gjerë me qëllim që kjo luftë të minimizohet, të etiketohet dhe të demonizohet, ashtu sikur e ka ndodhur dhe po ndodh realisht.

Madje dje, 11 qershori, 20-vjetori i Çlirimit të Prishtinës gati se u hesht në tërësi. Vetëm një deklaratë e një ish eprori të luftës, i botua  aty këtu në ndonjë medium.

Vetëm kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, në Prishtinë, Fatmir Sopi, ka kujtuar momentet e 20 viteve më parë nga betejat e UÇK-së, duke përmendur edhe hyrjen e NATO-s, në Prishtinë. Ai ka saktësuar se kjo ditë e madhe, pra 11 qershori i vitit 1999  kthen kujtesën tonë 20 vite më parë ku u zhvillua njëra nga betejat më të guximshme të UÇK-së në rajonin e Prishtinës. Qysh në ditët e para të qershorit 1999 u mor vendimi që njësitet e  gueriles  BIA të cilat kishin përgjegjësinë e veprimeve  ushtarake në Prishtinë të merreshin me sigurimin e bazave të nevojshme dhe informacioneve mbi lëvizjet, aktivitetin, dhe pozicionet e forcave serbe. Pas analizave të nevojshme dhe informacioneve të forcave policore, ushtarake, serbe, kanë filluar plaçkitjet, djegiet shtëpitë nëpër lagjet periferitë e Prishtinës, u dha urdhri që njësitet më elite Brigadës 153 dhe të gueriles  BIA të cilat e mbanin të rrethuar Prishtinën të futeshin në kryeqytet. Forcat serbe të ndodhura përballë sulmeve të UCK-së dhe kërcënimeve të vazhdueshme të NATO-s dhe bombardimeve të tyre, u detyruan të fortifikohen nëpër kazerma duke pritur momentin e tërheqjes përfundimtare nga Prishtina. UÇK-ja kontrollonte pothuajse tërë Prishtinën dhe me datë 11 qershor 1999 ngriti flamurin kombëtar duke shpallur kryeqytetin të lirë. Në këtë moment u realizua ëndrra shekullore e popullit tonë”, tha ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Sopi.

Dje më 11 qershor 2019 ndodhi edhe një precedent tjetër. Zyrtarët e komunës së Fushë Kosovës, me rastin e caktimit të vendit për ngritjen e një shtatores për komandantin, Adem Jashari, nuk ftuan në ceremoni asnjë nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Po ashtu dje  në mënyrën më të zbehtë u përkujtua 20-vjetori në Konferencën shkencore “Kosova – rruga drejt lirisë” 20-vjetori i çlirimit të Kosovës. U la nën hije 141-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Janë fakte këto por që hasin në vesh të shurdhër, në veshin e ADN-së pacifiste, shekullore.

Këto veprime, kjo “neglizhencë”, kjo formë e heqjes dorë nga gjaku i derdhur, nga mundi e djersa nga qëndresa shekullore shqiptare  prej vitit 1912 e deri në qershor të vitit 1999, është më shumë se neglizhencë, është një indolencë tipike, pacifiste shqiptare, është një morbiditet i llojit të vet, është heqje dorë vullnetarisht nga dinjiteti, lufta, gjaku i derdhur dhe martirizimi  i qindra e mijëra shqiptarëve në shekullin e fundit, me qëllim për ta krijuar Shtetin e përbashkët, ashtu si kombet e tjerë të Ballkanit e më gjerë.

Këtë heqje dorë vullnetare nga vetvetja, e them me përgjegjësi, heqje dorë në mënyrë  indolente nga shumica shqiptare kudo ku ajo jeton, në radhë të parë nga krerët tanë qeveritarë e politikanë, që veprojnë  me koka e krena të tjerë, gjithnjë të huaj, kam frikë se shënon fazën përfundimtare   të larjes së trurit kombëtar shqiptar.

Ja si u shpreh sot në 20-vjetorin e Çlirimit, kryekuvendari Veseli: “Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Shpëtuat një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe shtrohet pyetja pse atëherë duhet të ngrihet monumenti i gjenocidit pasi nga ai gjenocid na paska shpëtuar Amerika e NATO-ja.

Shqiptarët pacifistë në gjene e kromozome trashëguese nuk e duan bashkimin, nuk duan të faktorizohen si komb tetë milionë në një shtet të vetëm për t u bërë faktor kombëtar, por duan të mos  u prishet rehatia, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë shtet artificial i krijuar  në kohën e regjimit të Titos, Greqisë, e cila edhe ashtu ka pushtuar  jugun e Shqipërisë, jo vetëm fetarisht e ekonomikisht por edhe politikisht.

Njëzet vjet pas çlirimit, Kosova ende ndodhet në udhëkryq, statusi i saj është degraduar, një numër shtetesh, sa do të parëndësishme qofshin ato,  e kanë hequr njohjen e pavarësisë.  Evropa zvarrit liberalizimin e vizave dhe na mbanë në geto.  Po kështu, njëzet vjet pas çlirimit flitet për kompromis të ri që Kosova duhet t i bëjë Serbisë, në një kohë kur kriza politike në Shqipëri ka arritur kulmin dhe kur shqiptarët e papunë dhe pa perspektivë, ikin nga të mundin në shtetet e botës.

Së shpejti do të fillojë ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër UÇK-së dhe do të vihet në pikëpyetje edhe pavarësia e Kosovës, meqë ajo në radhë të parë  është rezultat i kësaj lufte dhe jo i shteteve që na kanë ndihmuar.

Në këtë kaos, në këtë gjendje pa rrugëdalje, ne për një ditë të vetme festojmë, kujtojmë, argëtohemi, dalldisemi dhe qysh nesër fillojnë të na konfigurohen problemet, papunësia,  skamja  e varfëria në njërën anë e luksi i milionerëve e miliarderëve shqiptarë në anën tjetër, pasuria pa kulm e zyrtarëve, të cilët qesëndisim popullin fukara me konstatimin se dy tre milionë euro në duar i ka çdo politikan, madje si minimum e qindra mijëra të papunë që jetojnë me  një euro e gjysmë shpenzime në ditë.

 

12. 6. 2019

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …