Monika Stafa: Krimi në familje, ringjallje e sodomisë monstruoze në kohën tonë

Monika Stafa: Krimi në familje, ringjallje e sodomisë monstruoze në kohën tonë

Babai tentoi të dhunojë vajzën e parritur, muaj më parë. Xhaxhai denoncohet nga mbesa për dhunim seksual. I kërkoi të abuzonte seksualisht dhe u padit në gjykatë. Një gjysh tenton të dhunojë mbesën… Nuk shkoi shumë dhe së fundi pjesë jete si këto më lart ndodhin në të përditshmen tonë. 18-vjeçarja trimërohet pas tri vitesh abuzimi dhe vendos të denoncojë, as më pak dhe as më shumë, por të atin e saj sepse ‘sevdaliut’ malinj i ish ndezur malli i një vegimi të largët shtazarak. Thuajse javë për javë, për të mos thënë gati më shpesh, në revistën e përditshëm informative ka një njoftim të tillë. Ndodhin krime të tilla në veri e në jug, në fshat e në qytet, në brezin e parë e të dytë të familjes.

Të duket sikur përditë përsëriten krimet më të përbindshme të njerëzimit, krimi i origjinës, mëkati fillestar, delikti i kohërave kur kjo shoqëri që ka mbërritur deri në ditët e sotme ende ishte shumë larg jo “familjes së shenjtë”, por shumë larg dallimit gjenetik të vetes prej tjetrit, të lidhjes së gjakut e të gjinisë prej lidhjeve të tjera, duke përfshirë madje edhe lidhjen e trashëgimisë ?!

Ndërsa përcjellim tek teleshikuesi me rreptësinë dhe seriozitetin e disiplinës së studios, të tilla lajme të gjëmshme, në mendje na kalojnë rregullisht si një tërmet tronditës pikërisht pyetjet me të cilat i nis dhe këto shënime. Në mënyrë torturuese më mundojnë këto pyetje kur, pas edicioneve të lajmeve, ja ku vijnë psikologët, sociologët, antropologët, mbrojtësit e të drejtave të të miturve, mbrojtësit e të drejtave të grave, organizatat joqeveritare për një familje të shëndoshë, për barazi shansesh, për asistencë në traumë, dhe të gjithë pëshpëritin të njëjtën idiomë: Krimi në familje po rritet – ja ç’po ndodh !

Atëherë e ndjen veten si ajo skulptura e Laokontit, që ankohet prej mijëra vjetësh se nuk e kuptoi askush. Të gjithë shkojnë para saj dhe fotografojnë pamjen dhe mashtrimin, por askush nuk mundohet të gërvishtë pak më thellë.

Incesti po shkatërron edhe lidhjet më të përjashtueshme prej shkatërrimit moral! Marrëdhënie brenda gjakut ditën dhe natën, mes të rinjve dhe të vjetërve, çdo javë, çdo muaj, pambarim! Dhe, lajmësit e kumtuesit, pa e vrarë aspak mendjen, këtë konfirmojnë. Familja shqiptare është nën peshën e krimit: dhuna seksuale është përhapur edhe brenda gjinisë; pa folur për atëvrasës e mëmëvrasës të panumërt, që tmerrojnë dita me ditë njerëzinë. Por, analizës i duhet shkuar deri në thelbin e saj! Çfarë është ajo që ndodh në të vërtetë?

Nëse është e vërtetë që ndër shqiptarët incesti dhe krimi vrastar brenda gjakut është aq i përhapur sa njoftohet e komentohet rregullisht në shtyp, atëherë dikush duhet të kujtohet më së fundi të pyesë: Këto krime me të cilat e ka ndarë veten njerëzimi qysh prej kohërave biblike, që prej mbarimit të matriarkatit, që prej krijimit të tabusë universale të përjashtimit të fëlligështisë në gjak, që prej daljes së botës prej kompleksit të Edipit dhe shpëtimit të njeriut nga fataliteti i marrëdhënies brenda familjes, që prej konsakrimit dhe shenjtërimit të familjes monogame; me kaq përhapje sa kanë, a nuk janë shenjë e një zgjimi barbar çmendurak, shenjë e një lajthitjeje të përgjithshme, që duhej të kish tronditur me kohë gjithë këtë bashkësinë tonë të kaq të shumë quajtur në tranzicion ?!

Duhej të kalonin edhe pesë shekuj për të ardhur tek krishtërimi dhe shenjtërimi i familjes kur grekët e vjetër tronditeshin, frikësoheshin, purifikoheshin, duke e parë në skenë teatri, jo si krim jetësor, tmerrin e pafund të Edipit mbret, i cili gjithë jetën e ndërtoi në të atillë mënyrë që t’i shmangej incestit të paralajmëruar, si dënim nga hyjtë. Atë që grekët e vjetër e shihnin si gjëmë vrastare në skenë, ne, ata që njoftojnë ngjarjet dhe ata që i komentojnë ato, e shohin përditë para syve, në kasolle, në apartamente, në autovetura, në dyer komisariatesh policie, si realitet parësor.

Ky refren eufemik që përsëritet, nuk mund të pranohet më! Është një stad që bota e ka kaluar një herë e mirë sepse ai që quhet “incest” apo “atëvrasje” mund të ndodhë vetëm si një krim tejet i rrallë, mbase më i rralli ndër të gjitha krimet, në raste të sëmundjeve patologjikisht fatale, nga të cilat, për fat, arsyeja dhe shëndeti njerëzor janë përgjithësisht të vetëmbrojtura prej vetë rrugës që ka ndjekur njerëzimi.

Mirëpo, nëse “krimi në familje“, “incesti“ dhe “atëvrasja”, nuk kanë këtë shpjegim të rëndomtë dhe gjenetikisht e racërisht penalizues, çfarë mund të jetë vallë? Diçka më e lehtë? Diçka më e fshehtë?! Me sa duket po. Afro 30 vjet më pare, kur Ismail Kadare shkroi novelën “Kush e solli Doruntinën” dhe guxoi të evokonte në brendi të saj një kujtim të frikshëm të fëmijërisë së njerëzimit, incestin motër-vëlla, shoqëria namusqare shqiptare e refuzoi menjëherë, duke e quajtur një dhunim të pafalshëm të traditave të shkëlqyera shqiptare. Dhe kjo nuk po ndodhte në realitetin e kohës, por në një vepër letrare me subjekt shumë të largët. E njëjta shoqëri namusqare sot dëgjon me indiferencë për incestin njësoj si të dëgjonte për aksidente në rrugë. Apo ndoshta nuk është incesti krimi i vërtetë ?!

Në veprën e tij “Totem e tabu”, psikanalisti i mirënjohur Zigmund Freud ka përcaktuar rrugën historike të krijimit të tabuve njerëzore, njëra prej të cilave, në mos themelorja është përjashtimi apo ndalimi i incestit, por jo më pak dhe përjashtimi e ndalimi i atëvrasjes e ndërsjelltas. Arsyetimi i frojdistëve dhe i neofrojdistëve, që me sa duket është më bindësi edhe për historitë shqiptare me krim në familje, është se përgjithësisht ato krime që paraqiten si incest, në të vërtetë në shumicën e rasteve nuk janë aspak incest. Sepse rruga historike e ngulitjes së tabusë (ndalimit) ka krijuar tek njeriu fiziologjikisht mekanizmat vetëmbrojtës, mekanizmin e pamundësimit të marrëdhënies seksuale midis prindit dhe fëmijës, midis njerëzve të lidhur në gjak. Edhe sikur vetëdija t’ia nxisë njeriut prapësinë, historia njerëzore ka bërë përkryerjen psikologjike dhe fiziologjike, që ta bëjë të pamundur këtë krim, përmes sistemesh frenimi që nuk mund t’u gjesh shpjegim racional të pastër. Sepse këto mekanizma janë krijuar në kohën kur njeriu po dilte nga koha barbare. E njëjta vijë arsyetimi vlen edhe për atëvrasjen ose anasjelltas. Dora e babait nuk ngrihet fizikisht për të qëlluar mbi djalin apo vajzën dhe anasjelltas. Gjaku ka bërë punën e vet, ka mbrojtur institucionin gjenetik të trashëgimisë.

Ka një krim tjetër që fshihet pas “incestit” dhe “atëvrasjes”, sipas analizës frojdiste dhe postfrojdiste. Duket se babai dhunoi vajzën, xhaxhai apo gjyshi mbesën, por në fakt, përveç rasteve të sëmundjes patologjike, kur kjo marrëdhënie arrin të kalojë tabunë e të realizohet, incest apo atëvrasje nuk është. Thjesht fotografohet e lexohet kështu. Në thelbin e vet këto fakte njoftojnë për një shtrembërim shumë më të hershëm në familje. “Babai“ që dhunon vajzën e vet në të vërtetë nuk është babai. “Djali“ që vret babain e vet në të vërtetë nuk është djali. Një raport i tillë ekziston vetëm sepse kështu rezultojnë gjërat në gjendjen civile. Në thelbin e tyre gjërat janë pak më ndryshe. Lidhja e gjakut nuk ekziston. Por ekziston një familje me shtrembërime dhe fiktivitete të rënda. Dhe ky shtrembërim e kjo shthurje e hershme paraqitet si incest apo atëvrasje. Dhe njerëzit me indiferencë kriminale mendojnë se sa poshtë ka rënë njeriu shqiptar, duke u kthyer në kohërat paramorale dhe paranormale, në kohërat e barbarisë. Në lidhjet gjenetike ka disa të tilla që janë gjenetikisht të papërjashtueshme. Një lidhje e tillë është ajo midis dajës dhe mbesës. Mirëpo a nuk është për t’u çuditur që nuk kemi lajme të incesteve të tilla, në linja të sigurta të lidhjes së gjakut, inceste midis vëllait e motrës, nënës dhe djalit, dajës dhe mbesës? A nuk është dhe ky një argument i tërthortë se prapa incestit fshihet diçka tjetër ?!

Të gjitha këto raste “incesti” dhe atëvrasje, apo anasjelltas, janë njëherësh edhe çështje të kriminalistikës. Njerëzit dënohen, vuajnë; familjet shkatërrohen. Por a ka ndodhur qoftë dhe në një rast të vetëm që një institucion hetimi të ketë kërkuar, p.sh., të bëhen analizat e kodit gjenetik, për të provuar përfundimisht nëse vërtet është rasti i një të sëmuri a snobi që ka shkuar në kufijtë e incestit, apo i ashtuquajtur incest është thjesht sipas certifikatave të gjendjes civile? Një gjë e tillë nuk ndodh ndër ne. Më mirë një turpërim tërësor, që trondit themelet e racës dhe të bashkësisë, se një hetim për të zbuluar të vërtetën.

Por besoj se shqiptarët nuk mund të kenë rënë kaq poshtë. As si të sëmurë, as si snobë. Kërkoni krimin tjetër përtej krimit në familje dhe çlirojeni këtë shoqëri nga makthi i barbarize kushdo qofshi, psikologë apo dhe sociologë, policë dhe gjyqtarë ! Kërkojeni këtë krim edhe nëse e ka emrin “fëmijë jashtë lidhjes martesore”, sepse është shumë më i denjë, nëse kjo fjalë mund të përdoret pranë fjalës “krim”; është shumë më e denjë se incesti apo atëvrasja ! është shumë më i denjë sepse do të jetë një shërim psikologjik dhe një rivendosje e autoritetit të lidhjes gjenetike në vendin që i takon. Dhe pastaj le të kërkojmë së bashku shkaqet e shthurjes së familjes: mungesa e rreth 600 mijë djemve të rinj që kthehen në Shqipëri vetëm për dy javë pushime, efekti i lirisë dhe i hapjes, ngatërrimi i realitetit të parë me atë të dytë dhe çdo lloj faktor tjetër?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …