Nuran Xhumshiti: COPAT E KULMEVE TË SHTËPIVE BININ EDHE NGA 50-60 METRA LARG...

Nuran Xhumshiti: COPAT E KULMEVE TË SHTËPIVE BININ EDHE NGA 50-60 METRA LARG…

Disa orë para sulmit të 5,6 dhe 7 marsit Adem Jasharit i kishte pasur tri telefonat nga Shani Geci, për këto telefonata kishte treguar edhe djali i bacës Rifat, Bashkim Jashari:

Bashkim Jashari: Në telefonat e parë Shani Geci, i kishte thënë Ademit: “Se Forca të mëdha policore ishin nisur për në drejtim të fshatit Llaushës”. Ademi na tha: “Bëni gati armët se po shkojmë në Llaushë”. Pas pak, telefonohet prap tek ne dhe thuhet: “Se forcat serbe serbe nuk po shkojnë në Llaushë, po në Açarevë”. Edhe kësaj rradhe ishte Shaniu ne telefon. Ndërsa, pas pak, telefonohet sërish dhe thuhet se: “Forcat Serbe janë kah vij tek ju në Prekaz”. Ademi, pasi e merr këtë informacion (Adem Jashari, i kishte thënë Shani Gecit: Për hajr na qoftë lufta o dajë)  del shpejt nga oda dhe na thotë: “Djem zini shpejt pozicionet se na e paskan mërsyer neve”. E morëm armatimin qe e kishim, erdhën disa djem të armatosur nga fqinjët, qe u njoftuan se forcat serbe ia kishin mërsyer lagjes sonë dhe u pozicionuan me: “automatikë, mitraloza, bomba dore, mortaja etj.

Bashkim Jashari, kishte treguar edhe për sulmin vetëm me datën 5 mars sepse ai dhe disa persona tjerë e kishin qarë rrethin.

Bashkim Jashari: Ne morëm pozicione të ndryshme mbrojtëse. Nuk vonoi shumë dhe tanket serbe filluan të dalin në anën e kundërt të shtëpive tona, përballë lagjes sonë. Një tank erdhi drejt shtëpisë sonë dhe drejt pozicioneve që i kishin zënë Besimi e Fitimi. Këta dy, ishin të parët që filluan të qesin me mitralozë nga pozicioni që kishin zënë në një qoshe të një objekti, ku e kishin hapur një vrimë. Ata filluan të gjuajnë të parët, sepse forcat serbe ishin afruar shumë. Besimi e Fitimi mbulonin pjesën kah Fabrika e Municionit, sipërfaqen e sipërme prej nga policët dhe paramilitarët po tentonin të afroheshin.

Ademi, ndërkaq, e ka gjuajtur me mortajë dore tankun që i ishte afruar shtëpisë dhe e ka goditur. Tashmë gjuajtjet filluan në të dyja anët. Para se serbët të fillojnë të gjuajnë, disa policë u futën në një shtëpi të zbrazët të lagjes që ishte përballë odës sonë. Ajo shtëpi e ka pasur një bodrum dhe aty u futën ata. Unë me Ragipin (Jasharin), kemi gjuajtur me mitraloz në drejtim të asaj shtëpie ku u futën policët serbë, ndërsa disa policë të tjerë tentuan që të futen në oborrin e shtëpive tona.

Kur ne gjuajtëm në drejtimin nga afroheshin ata, shumë prej tyre janë rrëzuar për toke. Është interesant se policët kalonin mbi trupat e shokëve të tyre, dhe nuk ndaleshin. Kjo jep të kuptohet se policët dhe paramilitarët serbë kanë qenë të droguar dhe më vonë, pas mbarimit të sulmit, në oborret e shtëpive tona janë gjetur edhe shiringa.

Jasharajt kanë gjuajtur në policët dhe paramilitarët serbë me dy mitraloza, ndërsa distanca mes tyre dhe nesh ishte e atillë që mundësonte për mitralozët tanë që t’i kapin ata.

Forcat serbe pastaj kanë filluar të gjuajnë me minahedhës dhe me armë të rënda. Baci Hamëz ishte i pozicionuar në një shtëpi tjetër, tonën. Është interesant se ai, atë ditë, ishte në një gjendje shumë emocionale, i gatshëm për gjithçka.

Gratë dhe fëmijët ishin të gjithë të vendosur në shtëpinë e parë në një dhomë si bodrum. Babagjyshi Shabani endej nga një pozicion në tjetrin, herë në odë e herë në ndonjë pjesë tjetër të oborrit me një fqinj tjetër, te hyrja e parë e oborrit. Hamza me një fqinj tjetër po ashtu kishte marrë një pozicion te shtëpia e dytë. Unë me Ragipin dhe me një djalë te Klinës (Shefikun) ishim të pozicionuar te shtëpia e parë.

Serbët filluan të gjuajnë me minahedhës edhe nga Fabrika e Municionit. Në vendin ku binin predhat, ngrihej pluhur i madh dhe dheu të hidhte për disa metra larg. Filluan të gjuajnë edhe nga ana e kundërt. Aq të forta ishin deponimet sa neve që qitnim me mitraloz të lehtë dhe me mitraloz 12.7mm, nga deponimet e predhave dhe gjuajtjeve të serbëve, na bëhej se nuk e dëgjonim zhurmën e mitralozave tanë.

Bashkim Jashari: Taktika jonë ka qenë: kur serbët të gjuajnë, ne të heshtim, të pushojmë, ndërsa kur ata rrallojnë gjuajtjet nga armët e rënda dhe tentonin të afrohen me këmbësori drejt shtëpive tona, ne të gjuanim në ta. Duke qenë se këmbësoria serbe vinte nga ana e epërme e shtëpive tona, unë me dy-tre vetë të lagjes vendosëm që të dalim rrugicës dhe t’u dalim para atyre.

Tentuam ta bëjmë këtë por ata na vërejtën kur i ndërruam pozicionet, filluan të na gjuajnë me të madhe. Ne faktikisht mbetëm në rrugicë dhe nuk kishim mundësi që sërish të kthehemi në pozicionet tona brenda oborrit. Ishte kjo di kund rreth orës 11 të ditës së parë të sulmit.

U ballafaquam me këmbësorinë për një orë dhe mes nesh është zhvilluar një luftë jashtëzakonisht e madhe. Prej neve rezistohej aq sa kishte mundësi, po kur forcat serbe filluan të gjuajnë në drejtimin tonë edhe me armë të rënda, pozicioni ynë u keqësua. Në ato momente, copat e kulmeve të shtëpive binin edhe nga 50-60 metra larg, pasi qëlloheshin me artileri dhe armë të rënda. Edhe pranë nesh kanë rënë predha të minahedhësve dhe na kanë hedhur 5-6 metra larg pozicioneve, ndërsa mes vete komunikonim me zëra të lartë. Faktikisht duke bërtitur.

Çka shihnim, ia transmetonim Hamzës që ishte në shtëpinë e mesme, Hamza ia transmetonte Ademit. Më pas, unë dhe dy djem të tjerë të lagjes, faktikisht mbetëm “jashtë lojës”, deri në orën 5 apo 6 të mbrëmjes. Në pozitën ku ishim, duhej të luftonim tashmë për ta çarë rrethimin dhe për t’iu shmangur rënies në duar të serbëve. Me mua ishte Shefiku dhe dy djem të tjerë të lagjes me të cilët, pasi e shpërthyem rrethimin u nisëm në mbrëmje për në Mikushnicë.

Një pjesë e shkrimit është marr nga “Atdhedashuria e Jasharëve dhe sakrificat e tyre – Adem Jashari ”, nga Islam Dobra

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ka disa vite që veprimtari i orëve të para për Pavarësinë e Kosovës, ish i …