Vaxhid Sejdiu

Vaxhid Sejdiu: Shqiptarët, a kanë sy për të parë e veshë për të dëgjuar?

Paraqitja publike apo intervista  e ndërmjetësuesit ndërkombëtar Piter Vanhoutte, dhënë për “Deutsche Welle” se “ Maqedonia nuk është e gatshme për zgjedhje apo edhe më rëndë se kjo “në Maqedoni mbisundon frika, ndërsa partitë në pushtet nuk lejojnë asnjë mendim kritik”, duke u shprehur qartë se ky vend si i tillë nuk guxon të shkoj në zgjedhje. Parashtrohet një pyetje logjike se ç`bëjnë shqiptarët? – Ç`farë rruge ndjekin shqiptarët? – Si sillen politikisht në këto rrethana antishqiptare partitë politike shqiptare?  Të gjithë e dimë se partitë parlamentare shqiptare BDI dhe PDSH ruajnë pozicionet e tyre politike nën sqetullën vdekjeprurëse të VMRO-DPMNE-s.

Të gjithë i kemi lexuar deklaratat e udhëheqësve shqiptarë të këtyre partive se fatin e kanë lidhur me VMRO-DPMNE, me pushtetin e saj politik, që me të gjitha veprimet dhe projektet shtetërore kryekëput janë antishqiptare. Pra këto tri parti politike VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH vazhdojnë të deklarojnë se janë publikisht për VMRO – DPMNE që ka instaluar në pushtet: masakrën elektorale, falsifikimin e zgjedhjeve, dhunën dhe terrorin shtetëror mbi vendbanimet shqiptare, ku të gjitha aksionet politike, policore dhe ushtarake janë zbatuar e zbatohen edhe me pajtimin e këtyre dy partive politike “shqiptare”, që janë pjesë e institucioneve shtetërore me siglën Made in IRJM. Ky konstatim është përsërit ndër vite me radhë, është përgjithësuar dhe detajizuar me fakte, por të gjitha këto nuk kanë mjaftuar dhe nuk mjaftojnë.

Ç`duhet bërë?

Patjetër nevojitet që shpresa e popullit shqiptar të mbështet në një forcë politike shqiptare që do t`iu dalë zot kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar në IRJM. Dhe kjo shpresë është menduar dhe mendohet se duhet të jetë opozita shqiptare.

Por për fat të keq, gati që një vjet nga Masakra e Kumanovës 9-10 Maj 2015, kjo forcë opozitare shqiptare jo vetëm që nuk është stabilizuar, por edhe nuk shihet e gatshme për të sakrifikuar interesat e ngushta personale, në dobi të çështjes  së pazgjidhur kombëtare në IRJM.   Nuk ka zgjidhje me zgjedhje të falsifikuara, me 310.000 votues fiktiv, me forca policore, me votime grupore, me votues që votojnë në dy ose më shumë vendvotime etj.  Duke pasur parasysh lojën e pushtetit aktual, i cili me forma dhe metoda policore, mundohet ta ruaj status – quon, e kemi thënë dhe e themi vazhdimisht se partitë opozitare shqiptare e kanë të kotë, që hapin shtabe zgjedhore, që fillojnë fushata zgjedhore, sepse pushteti dhe institucionet e shtetit janë të kapura nga partitë në pushtet, të cilën gjë e ka vërtetuar edhe e ndërmjetësuesi belg.  Shih korrigjimin e listave zgjedhore, shih punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, shih punën e gjykatave në IRJM, punën edhe të Gjykatës Kushtetuese, shih alarmin e dhënë edhe nga Gjykata speciale, të cilat të gjitha të nxjerrin faktet se pushteti i tanishëm është i korruptuar, kriminel, vrasës dhe nuk guxon këtij pushteti t`i lihen në dorë institucionet shtetërore të një shoqërie multietnike.

Unë  dhe shumë shqiptarë të cilët kanë punuar dhe punojnë në shërbim të lirisë së popullit shqiptar, në ditën kur përfundoi mandati i ndërmjetësit ndërkombëtar Vanhoutte (27 Mars 2016), kemi pritur që Partitë opozitare shqiptare dhe Organizatat joqeveritare, shoqatat, klubet të ftohen në protestë para institucioneve ndërkombëtare, para ambasadave, para OSBE-së, që ndërmjetësit ndërkombëtar Vanhoutte t`i vazhdohet mandati politik dhe beteja politike të marrë rrugë të mbarë drejt instalimit të institucioneve demokratike në vend. Tronditja e ndërmjetësuesit ndërkombëtar duhet të jetë tronditja e radhës për shqiptarët,  e në rend të parë tronditje e partive opozitare, me qëllim që të zgjohemi dhe të veprojmë bashkërisht në shërbim të lirisë. Të ndarë do të thotë të ndihmosh pushtetin.

Partitë opozitare shqiptare e kanë për obligim moral dhe kombëtar që t`i bashkohen thënies së tij se “Maqedonia nuk është gati për zgjedhje”. Prandaj në këto kushte vetëm ndërhyrja ndërkombëtare dhe prania e saj në të gjitha vendvotimet në IRJM mund të bëjë ndryshime demokratike.

Jam i prirë të besoj që më në fund para kësaj katastrofe politike mbi shqiptarët, do të dominoj arsyeja kombëtare dhe këto forca politike, do të fillojnë t`i bashkërenditin aktivitet politike, në të kundërtën për të gjitha krimet mbi popullin shqiptar do të jenë bashkëfajtore.

27.03.2016 (Data e përfundimit të mandatit politik të ndërmjetësit ndërkombëtar Vanhoutte).

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …