Adem Lushaj

MSc. Adem Lushaj: Rruga Deçan-Plavë, bosht i zhvillimit dhe integrimit

Ndërtimi i rrugës që lidh komunën e Deçanit me Plavën, pos që konsiderohet bosht i zhvillimit ekonomik, është edhe si një arterie e integrimit rajonal, Kosovë-Mali i Zi dhe Shqipëri. Mirëpo, rëndësia më e veçantë e ndërtimit të kësaj rruge është në atë së bën lidhjen e trojeve shqiptare, që mund të quhet edhe rrugë e “lidhjes kombëtare”.

Infrastruktura ekonomike dhe konkretisht ajo rrugore, paraqet faktorë limitues të zhvillimit ekonomik. Investimet në infrastrukturën ekonomike (rrugë, energji, etj.) kanë karakter kapitalo-intensiv, sepse absorbojnë vlerë të madhe të investimeve dhe punësojnë numër të vogël të punëtorëve”. Investimet për këtë rrugë janë të arsyeshme dhe efikase, sepse kjo rrugë paraqet bosht të zhvillimit, jo vetëm për ekonominë e komunës së Deçanit, por edhe për ekonominë e Kosovës dhe të Plavës, por edhe viseve tjera shqiptare në të Malit të Zi. Pra, nga aspekti ekonomik, kjo rrugë ka arsyeshmërinë e vet, sepse do të mundësojë rritjen e tregjeve ekonomike, si për Deçanin e Kosovën, ashtu edhe për Plavën dhe Malin e Zi. Madje, kjo rrugë do të mundësojë zhvillimin e turizmit, dimëror e veror për këto dy komuna dhe për këto dy vende.

Ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, nuk është vetëm i interesit ekonomik, por është me interes të shumëfishtë, kombëtar dhe ndërkombëtar. Paraqet rrugë me interes kombëtar, duke lidh tokat etnike shqiptare, sikurse që bën lidhjen e dy vendeve fqinje. Ndërtimi i kësaj rruge, ka rëndësi mundëson krijimin e raporteve ndërshtetërore, e që është parakusht për tu integruar në familjen e madhe evropiane, kur dihet se ndër komponentët kryesor të Instrumentit për para anëtarësim në BE, është bashkëpunimi ndërkufitar. Pra, bashkëpunimi ndërkufitar, është një nga kërkesat kryesore për integrimin evropian, sepse mundëson zhvillimin e qëndrueshëm në të dyja anët e kufirit, promovon zhvillimin ekonomik dhe social, siguron kufijtë dhe në mënyrë efikase, luftohet krimi i organizuar. Fondet e IPA-s, kryesisht janë të orientuar në projektet të cilat mundësojnë komunikimin rajonal, siç është edhe komunikimi mes shteteve fqinjë, Kosovë, Malit i Zi dhe Shqipëri.

Ideja për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë e kamotshme, qysh në vitet e ’70-ta. Por ishte penguar nga Serbia, me arsyetimin politik se “nuk duhet ndërtojmë rrugë për t’u lidhur me Shqipërinë”. Bazuar në këtë, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova, duhet të ndërtojnë  infrastrukturën rrugore drejtë trojeve shqiptare, qofshin kah Maqedonia, apo Mali i Zi, të cilat mundësojnë lidhjen fizike të trojeve etnike shqiptare. Sikurse që rruga e kombit, (autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë) lidhi trojet etnike shqiptare, pothuajse e të njëjtës rëndësi është edhe ndërtimi rrugës, Deçan-Plavë. Ndërtimi i rrugëve që bëjnë lidhjen e kombit, duhet të jenë strategji gjithëkombëtare, e jo vetëm të një shteti apo të dy komunave. “Për një kafe në Tiranë”, ishte një thënie e ish presidentit dr. Ibrahim Rugova, që ngjashëm mund të themi , “për një kafe në Ulqin”. Pa asnjë dyshim, rruga Deçan-Plavë, është bosht i zhvillimit dhe integrimit të viseve shqiptare, krijimit të raporteve ndër shtetërore si para kusht i vendosur nga BE-ja, ndaj nuk duhet të hezitohet, e as të kursehet, por nëse është e nevojshme, duhet ndarë edhe kafshatën e bukës, për ndërtimin e saj.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …