Hida Isa Hoti (3.1.1976 - 3.12.1998)

Hida Isa Hoti (3.1.1976 – 3.12.1998)

Luftëtari i lirisë, Hida Hoti, sot dëshmor i kombit, ishte njëri prej nxënësve më të mirë në shkollën fillore, gjithashtu, më vonë edhe student i shquar, i radhitur me kohë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në maj të vitit 1998 pas të gjitha ushtrimeve të përfunduara për përgatitjen fizike të një luftëtari të lirisë. Hidaja, i lindur dhe i rritur në një familje shumë të madhe në të cilën pjesën më të madhe të kohës e kalonte profesor Ukshin Hoti, shok i ngushtë i Dautit, të zotit të një shtëpie të madhe të Hotëve të Krushës së Madhe, shumë herët pati rastin që ta dëgjojë dhe të përthithë nektarin patriotik me të cilin frymonte e tërë rinia e Krushës së Madhe veçanërisht pas rënies së dëshmorëve të janarit të vitit 1990 në mesin e të cilëve ishte edhe kushëriri i pare i Hidasë, Halim Hot i përjetësuar më 27 janar të vitit 1990 në “Lakun e Dëshmorëve” ndërmjet fshatit Brestofc dhe Rahovecit ku përveç profesorit Ukshin Hoti gjendej edhe profesor Muhamet Malësori, rapsod i shquar, sot dëshmor i kombit.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshtrat e Anadrinit, në fshatin Drenofc të Zatriqit më 26 prill të vitit 1998, Hida Hoti, së bashku me shumë studentë të tjerë nga fshati Krushë e Madhe, është krah i komandant Xhelal Hajdës-Tonit dhe Selajdin Mullabazit-Micit, sot githashtu heronj të Kosovës. Kështu, plejada e studentëve të Krushës së Madhe ku bënin pjesë: Hida Hoti, Ismet Hoti, Sedat Hoti, Sinan Hoti, Isak Hoti, Bekim Gashi, Dalip Behra, Ismail Gashi, Enver Duraku, Fitim Duraku dhe shumë studentë të tjerë, sot të gjithë dëshmorë, radhitet në vijat e para të frontit të zjarrtë buzë Drinit të Bardhë të njohur si Front i Anadrinit që më vonë evulon në Brigadën 124 “Gani Paçarizi” e Zonës Operative të Pashtrikut.
Dëshmori Hida Hoti, i xha Isait dhe i nënës Vezire, është i lindur më 3 janar të vitit 1976 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Mësimet e para i mori në Shkollën Fillore “Bajram Curri” të këtij fshati e cila gjendet pothuajse në oborrin e profesor Ukshin Hotit, ndërsa shkollën e mesme e mbaroi në Prizren. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Hidaja regjistrohet në Fakultetin e Ndërtimtarisë në drejtimin e Arkitekturës. Si student, reflektonte gatishmëri për pjesëmarrje në të gjitha lëvizjet dhe organizimet kundër okupatorit të Kosovës. Si student, pjesëmarrës nëpër organizimet e rezistencës, shumë shpejt i ra në sy policisë, prandaj, jo vetëm Hidaja e shokët por, të gjithë anëtarët e kësaj familjeje të madhe, përndiqeshin, por falë syçeltësisë së madhe të të zotit të shtëpisë, zotëri Daut Hotit dhe të shumë intelektualëve të kësaj familjeje, arrin t’u shpëtojë rënieve në kurthat e përgatitura në Krushë të Madhe të cilat i bënte policia serboçetnike në Rahovec dhe në shumë qendra të Kosovës.
Operacionet e para të organizimimit të rezistencës së armatosur Hidanë e gjetën në bankat e universitetit, por pasi që çlirimi i Kosovës i doli më i rëndësishëm se sa studimi, atëherë vendosi që indeksin studentor ta këmbejë me pushkën e lirisë dhe kështu merrte rrugë përa ta thyer Pashtrikun vetëm e vetëm që të armatosej vetë, por edhe të sjellë diçka edhe për shokët. Që në mars të vitit 1998, me të dëgjuar krismat e Jasharajve të Prekazit dhe të Haradinajve në Gllogjan, Hidaja me tërë Grupin e Krushës së Madhe kërkonte udhë e shteg për të shkuar në Gllogjan pasi që atyre ditëve flitej se në Gllogjan kishte arritur Xhelal Hajda-Toni nga Rahoveci. Bëri shumë përppjekje duke ndjekur Muhamet Malësorin si më të moshuar, e si profesor e rapsod frymëzues për rininë, vetëm e vetëm që të lidheshin me Xhelal Hajdën, por nuk arriti të takohet e t’i bashkohet Tonit prandaj edhe i bashkohet Grupit të Mensur Zyberajt, sot Hero i Kosovës.
Pas kontaktit të parë të prof. Muhamet Malësorit me Mensur Zyberajn, Grupi i Krushës së Madhe zë të marrë frymë në mënyrë më të mobilizuar pasi që në krye qëndronte Këshilli për Organizimin e Rezistencës së Armatosur në krye të të cilit qëndronin: Muhamet Malësori, Ismet Gashi, dhe Ragip Hoti, i vëllaj i profesor Ukshin Hotit, sot dëshmor i kombit sikurse edhe Muhamet Malësori.
Me arritjen e Xheal Hajdës në Drenoc të Zatriqit, fillojnë edhe vizitat e para në fshatin Krushë e Madhe pasi që ishte nipash i Durakëve të këtij fshati. Kështu edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës zë të shtrihej prej Drenoci kah Drinasi në drejtim të Gardhishtit për ta prerë aksion e magjistrales Prizren-Gjakovë te “Ura e Fshajt” dhe të lidhet me korridorin logjistik të Hasit përkatësisht me fshatin Rogovë. Me urdhërin e Komandant Tonit, për nevojat e logjistikës, grupi i Muhamet Malësorit i njohur si “Stuhia” i prirë nga Xhavit Elshani “Leopardi”, në të cilin gjendej edhe Hida Hoti, merr rrugë për në Shqipëri në mënyrë që atje të takohen me Fehmi Hotin pasi që Fehmiu ishte njëri prej veprimtarëve të shquar të Krushës së Madhe. Por, lajmi për rënien e Xhelal Hajdës, Selajdin Mullabazit, Hamdi Hajrizit, Bektesh Halitit dhe Nezir Ymerit te “Kryqi i Apterushës”, më 6 nëntor të vitit 1998, i tronditi të gjithë luftëtarët e lirisë prandaj edhe studentët e Krushës së Madhe me në krye profesorin e tyre Muhamet Malësorin. Këta tentojnë që me çdo kusht të kthehen në Kosovë dhe t’u ribashkohen luftëtarëve të Anadrinit.
Ata bënë përpjekje titanike e sizifiane për t’u kthyer, por mundësitë ishin të kufizuara pasi që Pashtriku ishte bërë gardh. E ky ishte “Dhjetori i Krushës së Madhe”, “Dhjetori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, “Dhjetori i Pashtrikut” të egër kur çdo shkrep e çdo shkurre kishte mbuluar bora e bardhë për të zezën në “Lugun e Zi” të Pashtrikut.
Atë ditë, për t’u kthyer në Anadrinin e përgjakur ishin nisur profesor Muhamet Malësori me: Hysni Durakun, Skënder Hamelin, Hida Hotin, Sedat Hotin, Isak Hotin, Ismet Hotin, e Sinan Hotin, e që përveç hasjanit Skënder Hameli, të gjithë ishin nga Krusha e Madhe, madje pesë studentë të një vatre familjare. Të gjithë ishin nisur me këngë në gojë, armët në krah e indeksa në xhepa, me shpresë se në Kosovën e Lirë do t’i përfundojnë studimet e nisura. Dhe pikërisht në “Lugun e Zi” të Pashtrikut, afër “Trumçeve”, “L’kenit” dhe “Hurdhave të Bajram Malokut” fillojnë pritat për djelmoshat e Krushës së Madhe dhe të gjithë njëzërit ia morën asaj këngë, për Ata, të sprasme por edhe të hareshme për Kosovën e ëndërruar matanë Kosove, e në Krushën e Madhe u hapën plagët e Nënës Vezire, të babës Isa Hoti, të vëllajt Valon e të motrave: Hasibe, Mivedete, Elhame dhe Ferdane.
Sot trupi i dëshmorit Hida Isa Hoti pushon në Kompleksin e Dëshmorëve: Agim Hoti, Agim Nalli, Bekim Gashi, Dalip Behra, Enver Duraku, Fahredin Hoti, Halim Hoti, Hysni Duraku, Fitim Duraku, Isak Hoti, Ismail Gashi, Ismet Hoti, Muhamet Malësori, Naser Ramadani, Nijazi Gashi, Ragip Hoti, Sami Nalli, Sedat Hoti, Sinan Hoti, Shukri Hoti, Xhemali Hoti e martirëve të këtij fshatit të shënuar në faqet më të ndritshme të historisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në amëshim të gjith presin ditët më të mira për Kosovën dhe për të gjitha trojet trojet etnike. E kalimtarit ende i tingëllojnë vargjet shpresëdhënëse të rapsodit Blerim Shala: “- Po ku je, more Ukshin Hoti? Pa Ty nuk vjen liria!” (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ferat Xhafer Dvorani (2.6.1968 – 30.4.1999)

Ferat Xhafer Dvorani (2.6.1968 – 30.4.1999)

Fshati Qëndresë (ish-Terstenik) i komunës së Drenasit, që konsiderohet si fshati më i madh i …