Nënkryetarja PDK-së, Vlora Çitaku, ka folur për takimin e 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut, në Bruksel. Ajo ka kritikuar Kurtin për mungesë transparencë, pa e prezantuar propozimin franko-gjerman zyrtarisht para përfaqësuesve politikë. Ne si opozitë jemi minimalisht të informuar lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes ngase nga ajo që kemi parë disa muaj më herët, në një dokument njëfaqësh që i është dhënë kryetarit të PDK-së për ta lexuar, ai tekst më shumë ka qenë një armëpushim, një deklaratë politike sesa një marrëveshje finale e cila në qendër ka njohjen reciproke, ka thënë nënkryetarja e PDK-së. Sipas saj, propozimi franko-gjerman është vetëm një deklaratë politike përmes të cilës palët zotohen për vazhdimin e dialogut. Do ta krijojë një status-kuo të re, sepse nuk i jep zgjidhje përfundimtare raportit mes Kosovës e Serbisë. Nuk ka njohje reciproke, por është një deklaratë politike në formë zotimi ku të dyja palët zotohen para ndërmjetësit ndërkombëtar që do të vazhdojnë dialogun, ka deklaruar, Vlora Çitaku.
