Smajl Latifi: 25 vjet më parë, në Fortesë u shkrua epopeja e qëndresës duke luftuar kundër pushtuesit serb

18 korriku i vitit 1998 shënon njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Rahovecit. 25 vjet më parë, në Fortesë u shkrua epopeja e qëndresës duke luftuar kundër pushtuesit që kishte mësyrë qytetin e Rahovecit ku forcat tona çlirimtare po luftonin me hordhitë serbe. Në rezistencën e Fortesës ranë në altarin e lirisë, heronjtë Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj.
Krimet barbare të forcave pushtuese serbe, u sfiduan heroikisht nga luftëtarët e UÇK-së, të cilët më 17 korrik të atij viti, u futën në qytetin e Rahovecit dhe si nevojë e ruajtjes së pozicioneve, njësitet e UÇK-së, në mëngjesin e hershëm të 18 korrikut, i zunë pozicionet e reja në Fortesë, në të dy anët e rrugës kryesore që lidh Xërxën me Rahovecin.
Luftimet qenë të ashpra. Forcat tona ishin të pabarabarta me forcat e pushtuesve serbe që angazhuan edhe forca shtesë, ato të ushtrisë serbe. Çmimi i kësaj përpjekjeje për liri u pagua shtrenjtë, pasi që ranë tre luftëtarë të sprovuar, heronjtë Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj, u plagosën rëndë Isuf Gashi, Halim Kelmendi dhe pata fatin që atë ditë të plagosem edhe unë.
Luftimet e UÇK-së në Fortesë ndaluan për 30 orë depërtimin e forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec. Në këto luftime të përgjakshme, humbëm bashkëluftëtarë të sprovuar nëpër beteja, shumë shokë na u plagosën, disa prej tyre u zunë edhe rob, barbaria serbe vrau shumë bashkëqytetarë tanë, por luftimet e atyre ditëve të korrikut përvëlues, rezistenca e UÇK-së dhe mbështetja që i dha popull ynë në këto anë, i bëjnë nder Kosovës dhe kombit tonë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të atdheut që ranë në betejën e Fortesës, më 18 korrik 1998!
Përulemi me përkushtim para veprës së tyre madhështore e të pavdekshme!
Lavdi Epopesë së UÇK-së në Fortesë!

Kontrolloni gjithashtu

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj veprimeve të fundit hibride të instalacioneve të “Botës Serbe” brenda Qeverisë

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj veprimeve të fundit hibride të instalacioneve të “Botës …